Zjarri vijon të jetë aktiv në Parkun Kombëtar të Lurës, ku prej katër ditësh flakët kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha pyjore dhe kullota. Sipas të dhënave nga terreni, mbi 300 hektarë janë përfshirë nga zjarri, kryesisht pyje me bredh dhe kullota.
Vatra ka përfshirë disa zona të kurorës së Lurës, nga Borje-Lurë, maja e Runjës dhe Livadhet e Stafës, ndërsa flakët po avancojnë drejt Lanë-Lurës, duke rritur rrezikun për përhapjen e mëtejshme të zjarrit në sipërfaqe të tjera të parkut.
Pavarësisht ndërhyrjeve të ditëve të fundit, zjarri ende nuk është vënë nën kontroll. Në terren vijojnë përpjekjet e forcave të angazhuara për izolimin e zjarrit, ndërsa prioritet mbetet frenimi i përhapjes së flakëve dhe mbrojtja e zonave përreth.
Forca të shumta dhe mjete të emergjencave civile, zjarrfikësve, Bashkisë dhe Forcave të Armatosura janë të angazhuara në operacion.