Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) i Maqedonisë së Veriut njoftoi se nga 93,96 për qind e të dhënave të vendvotimeve të përpunuara në mbarë territorin e vendit, koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë (LSDM) kryeson në zgjedhjet e parakohshme parlamentare me 36,13 për qind të votave, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç njoftoi zëdhënësi i KSHZ-së, Admir Shabani, pas koalicionit të udhëhequr nga LSDM, me një rezultat të ngushtë pason koalicioni VMRO-DPMNE, i cili sipas rezultateve fillestare fitoi 34,65 për qind të votave.
Shabani tha se Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka fituar 11.57 për qind t votave, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 8.97 për qind, partia politike E Majta 3,96 për qind, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) 1,48 për qind dhe Integra 1.33 për qind të votave.
I pyetur nga gazetarët lidhur me mosqasjen në faqen zyrtare të KSHZ-së për monitorimin e rezultateve të zgjedhjeve, Shabani tha se bëhet fjalë për “një sulm të jashtëm të hakerave në platformën ku rezultatet tregohen për publikun”. Mbi këtë çështje, tha ai, më shumë informacione do të njoftojnë në periudhën e ardhshme.
Sipas Listës Zgjedhore të KSHZ-së, të drejtë vote kishin 1.814.263 qytetarë për të zgjedhur 120 ulëse në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku në garë morën pjesë 15 koalicione dhe parti politike me 1.560 kandidatë.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u hapën në ora 07:00 dhe u mbyllën në orën 21:00. Sipas rezultateve të fundit nga KSHZ, deri në orën 20:45 jehona e votuesve ishte 50,86 për qind apo 830.370 qytetarë shfrytëzuan të drejtën e tyre të votës.
Procesi i votimit në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare për herë të parë u zhvillua tri ditë për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).
Në dy ditët e kaluara, më 13 dhe 14 korrik, votuan personat e infektuar me COVID-19 dhe ato në vetizolim, si dhe personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, personat në shtëpi pleqsh, të burgosurit dhe personat e zhvendosur në Qendrën e Personave të Zhvendosur.
Zaev: Rruga përpara u konfirmua
Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, që udhëhoqi me koalicionin “Mundemi”, shpalli fitore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik.
Në fjalimin e tij para shumë simpatizantëve partiakë, Zaev u zotua se do të vazhdojë edhe më fuqishëm në zbatimin e reformave.
“Qytetarët votuan për një të ardhme të sigurt, për unitet dhe solidaritet, për patriotizëm ekonomik, për rregull dhe drejtësi, dhe kjo është arsyeja pse qytetarët zgjodhën një të sotme më të mirë dhe një të nesërme më të mirë. Rruga përpara është konfirmuar, rrezikut i kemi thënë qartë jo”, theksoi Zaev.
Ai gjithashtu tha se zgjedhjet ishin të qeta, të lira dhe demokratike, “siç i ngjajnë një vendi anëtar të NATO-s dhe i cili hapëron drejt Bashkimit Evropian (BE)”.
“Vijon mbrojtja edhe më e mirë e shëndetit tuaj, shëndetit tonë, shëndetit publik. Vijojnë negociatat me BE-në dhe më në fund, populli im, vijon drejtësia”, tha ai.
Zaev nuk komentoi në lidhje me partnerin e mundshëm të koalicionit për formimin e qeverisë së re, duke shtuar se do të presë deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare dhe konfirmimin e mandateve.
Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev, theksoi se partia e tij hyn në garë për të formuar një shumicë parlamentare për një qeveri të re.
“VMRO-DPMNE po hyn në një garë për të formuar një shumicë për një qeveri të re, sepse qeveria aktuale është e lodhur dhe është koha për ndryshime”, tha Janushev.
Ai tha se sipas rezultateve nga partia e tij, VMRO-DPMNE kryeson në shumicën e qyteteve dhe vendbanimeve, por theksoi se për shkak të modelit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore (modeli Dontov) do të presin deri në mëngjes.
Përsa i përket bllokut të partive shqiptare, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, shpalli fitoren duke deklaruar se partia e tij është “fituese absolute” në të gjitha zonat zgjedhore. Ai tha se “kanë fituar shqiptarët, nuk ka humbur askush”.
Po ashtu edhe koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa shpalli fitore në bllokun shqiptar, ndërkohë Ziadin Sela, i cili përshëndeti dhe uroi aktivistët e koalicionit të tij, theksoi se në disa vendvotime ka ndodhur “fenomeni i mbushjes së kutive” dhe se do t’i ankimojnë këto rezultate.
Komentet