PD nuk do të shpallë kandidat nga radhët e saj për Tiranën. Ky ka qenë vendimi i marrë nga Kryesia e PD e cila u mblodh këtë pasdite me rend dite zgjedhjet e pjesshme të 9 Nëntorit. Kryetari i PD, Sali Berisha tha në një prononcim për mediat se opozita do të mbështesë kandidatët e pavarur për bashkinë e kryeqytetit dhe jo një figurë politike.
I njëjti model, tha Berisha, do të ndiqet edhe me 5 bashkitë e tjera.
Lideri i opozitës ftoi intelektualët dhe ekspertët që duan të kandidojnë në zgjedhjet e pjesshme, të paraqesin interesin e tyre pranë PD, për të hyrë në garën elektorale të muajit të ardhshëm.
“PD vlerëson dhe çmon shumë kandidaturat e pavarura. Do konsiderojmë me seriozitetin më të madh kandidatë të pavarur të cilët garojnë si të tillë dhe që konsiderohen të nevojshëm për fitoren e tyre, mbështetjen e PD. Besoj se në një valë me këtë nga diskutimet paraprake janë edhe forcat e tjera opozitare. Dhe kjo jo vetëm në bashkinë e Tiranës por edhe në bashkitë e tjera. Ata që janë të gatshëm të përballen me narkoshtetin e Edi Ramës të masin forcat në garë në interesin më të mirë”, tha Berisha.
Sali Berisha: Patëm një diskutim të gjatë, të përgjegjshëm, të lirë. Ajo që predominoj dhe e konsideroj një hap të rëndësishëm në përpjekjen tonë, është se PD ndonëse ka padiskutim kandidatura kalibri për asnjëlloj krahasimi me organizatën kriminale në pushtet, do vlerësojë dhe çmojë shumë kandidaturat e pavarura. Do konsiderojë me seriozitetin më të madh, kandidatë të pavarur të cilët garojnë si të tillë dhe që konsiderojnë të nevojshme për fitoren e tyre, mbështetjen e PD-së. Besoj se në një valë me këtë nga diskutimet paraprake janë dhe forcat e tjera opozitare. Dhe kjo jo vetëm në bashkinë e Tiranës, por dhe në bashkitë e tjera. Ky është një moment do të mendoja unë, për të gjithë ata qytetarë, intelektualë, ata specialistë, ekspertë që ndihen të gatshëm të përballen me narkoshtetin e Edi Ramës, të matin forcat e tyre në një garë në interesin më të mirë të qytetarëve të marrin vendimin e duhur.
Unë mendoj se kandidati i pavarur, është i pavarur kur deklaron veten, apo nuk është kështu. Por edhe të propozuar, asgjë nuk do të lihet jashtë konsideratës. Natyrisht duhet të jemi realist. Në historinë e modeleve elektorale, të pavarurit e mbështetur nga forcat politike kanë regjistruar suksese të papritura, të themi atë që është. Sot, tani, mund të ju them se në një shtet prej 18 milionësh, në Rhine Ëestphalia, në Gjermani, të gjithë kandidatët të pavarur, të mbështetur nga forcat politike. Pra, nuk është kjo.
Vendimi është një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm i jep opozitës shqiptare një dimension tjetër. Kë paraqiti ai? A e kuptoni ju se, çdo njeri tjetër në atë organizatë kriminale mund të dilte para Ogertës. Ogertës desh i ra të fiktë kur e mori vesh, sepse e di barrën e krimit që ka mbi supe. A nuk janë këto nata ma ditën, a nuk është kjo errësira me dritën, dallimi. Ne themi, qytetarët themi, personaliteteve të vendit, intelektualëve të vendit, ekspertëve u themi, atyre të cilët ndihen të gatshëm të përballen të marrin vendimin e duhur dhe ne qëndrojmë të hapur ndaj tyre. Jo lajmi përbën ky, por risinë madhore, prandaj dhe mos bëjmë asnjëherë atë që ja; tani të themi, shihni trungun e pishës sa i madh, tani këto degët nuk na lënë me e pa. Nuk mund të ndodhi kjo.
***
Ndërkohë, kryetari i PD, Sali Berisha tha para anëtarëve të forumit më të lartë vendimmarrës të PD se nuk do të bojkotohen zgjedhjet e 9 Nëntorit, pavarësisht rezervave që ka shprehur opozita me dekretin e Presidentit Bajram Begaj.
Në 9 Nëntor do të mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale në Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Cërrik dhe Tepelenë.
Për Bashkinë e Tiranës, PS ka shpallur tanimë kandidimin e ish-ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu. Në Mat, mazhoranca ka prezantuar emrin e Altin Bojnit. Ndërsa, për 4 bashkitë e tjera socialistët nuk kanë ende emra të zyrtarizuar. bw