VOAL

VOAL

Zgjatet qendrimi i Berluskonit në spital –

June 9, 2016

Komentet

Kroacia: Nisma ushtarake me Shqipërinë dhe Kosovën, e hapur edhe për partnerët

Deklarata për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës i ka katër pika, njëra prej të cilave i referohet promovimit të bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes.

 

Nevena Bogdanoviq

Nisma e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, “është e hapur edhe për aleatë e partnerë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, që “duan të kontribuojnë në ndërtimin e stabilitetit, sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajonin e Evropës Juglindore”.

Kështu e komenton Qeveria e Kroacisë Deklaratën e nënshkruar nga tri vendet, më 18 mars.

Sipas saj, nismës mund t’i bashkohen të gjitha vendet që, po ashtu, duan t’i ofrojnë mbështetje Kosovës dhe Shqipërisë në rrugën e tyre evropiane dhe euroatlantike.

Qëllim i saj “nuk është krijimi i ndonjë aleance ushtarake”.

“Një aleancë e tillë – përveç anëtarësimit në NATO – as që është e nevojshme”, theksohet në përgjigjen me shkrim të Qeverisë kroate, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Ndryshe nga Shqipëria dhe Kroacia, Kosova nuk është anëtare e NATO-s.

Në reagimet e tij të para ndaj nismës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se me nënshkrimin e dokumentit, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova “kanë hapur një garë armësh në rajon” dhe “kanë shkelur marrëveshjen nënrajonale të vitit 1996”.

Kjo marrëveshje, e cila ka të bëjë me kuotat e lejuara në armatim, u nënshkrua atëkohë nga dy entitetet e Bosnje e Hercegovinës – Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska, si dhe nga Kroacia dhe nga Republika Federale e Jugosllavisë, e cila përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi.

Në deklaratën dhënë Radios Evropa e Lirë, Qeveria kroate thotë se kjo marrëveshje është zbatuar vazhdimisht për 29 vjet.

Ajo, po ashtu, kujton se as Shqipëria dhe as Kosova nuk janë palë në atë marrëveshje.

“Në këtë kontekst, është krejtësisht e kotë të lidhet me Deklaratën e përbashkët, të nënshkruar së voni ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, qëllimi kryesor i së cilës është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet ministrive të mbrojtjes të vendeve mike, partnerëve dhe aleatëve”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kroacisë.

Qeveria e Serbisë dhe Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë se përse e shohin si kërcënim nismën e tri vendeve ballkanike.

Por, Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, thotë se Beogradi zyrtar “e di fare mirë” se aleatët e NATO-s nuk mund të veprojnë në mënyrë të njëanshme kundër Serbisë.

“Për më tepër, tri vendet e përmendura nuk paraqesin asnjë kërcënim për Serbinë”, thotë Serwer për Radion Evropa e Lirë.

Deklaratën e tri shteteve ai thotë se e sheh si “një lëvizje që kontribuon në stabilitet, jo në destabilizim”.

Ai vlerëson se Kosova ka vepruar “mençur” që ka lidhur partneritet me Shqipërinë dhe Kroacinë, të cilat janë vende anëtare të NATO-s.

NATO-ja e komentoi gjithashtu Deklaratën, duke e cilësuar si marrëveshje trepalëshe mes tri vendeve.

“NATO-ja, si organizatë, nuk është pjesë e iniciativës dhe, për këtë arsye, nuk ka pasur ndonjë rol në procesin e konsultimit”, thuhet në përgjigjen dhënë Radios Evropa e Lirë.

Pse e pengon Beogradin?

Vuk Vuksanoviq, studiues në Qendrën joqeveritare të Beogradit për Politikat e Sigurisë, thotë se zyrtarët në Beograd po e përdorin Deklaratën “për të larguar vëmendjen” nga problemet e brendshme.

Ai aludon te protestat masive që kanë përfshirë Serbinë për më shumë se katër muaj. Protestuesit, të udhëhequr nga studentët, kërkojnë përgjegjësi politike dhe penale për vdekjen e 16 personave nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, nëntorin e kaluar.

Vuksanoviq thotë se Beogradi e konsideron pjesëmarrjen e Zagrebit si veçanërisht “provokuese”.

“Unë nuk mendoj se ka të bëjë aq shumë me Shqipërinë, marrë parasysh se Vuçiq ka, ose së paku ka pasur një marrëdhënie mjaft bashkëpunuese me kryeministrin Edi Rama”, thotë ai.

Megjithatë, për ministrin serb të Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq, memorandumi trepalësh është “një nismë provokuese e vendeve fqinje, që bie ndesh me përpjekjet për forcimin e sigurisë rajonale”.

“Kosova dhe Metohia është një krahinë autonome brenda Republikës së Serbisë, pa marrë parasysh faktin se disa vende, përfshirë Shqipërinë dhe Kroacinë, e kanë njohur pavarësinë e saj të paligjshme dhe të vetëshpallur”, ka thënë Gashiq.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por ajo vazhdon të mos njihet nga Serbia.

Sipas Gashiqit, Zagrebi dhe Tirana ka kohë që përpiqen ta fusin Kosovën në NATO “përmes derës së pasme”.

Po sipas tij, këto dy vende po e ndihmojnë zhvillimin e Ushtrisë së Kosovës, të cilën Serbia e konsideron të paligjshme.

“Qartazi, një skenar i tillë nuk është i pranueshëm për vendin tonë”, ka thënë Gashiq.

Çfarë thuhet në Deklaratë?

Deklarata për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës i ka katër pika.

E para i referohet promovimit të bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes – për të rritur gatishmërinë ushtarake.

Deklarata, gjithashtu, flet për përmirësimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe trajnimit të personelit ushtarak, në përputhje me trajnimin dhe politikën e ushtrimeve në NATO dhe BE.

Një nga pikat e Deklaratës ka të bëjë edhe me shkëmbimin e informacioneve dhe të inteligjencës, si dhe me hulumtimin e mundësisë për t’iu përgjigjur një game të gjerë kërcënimesh të mundshme.

Aty theksohet, po ashtu, përputhja e politikës dhe qëndrimeve me ato të institucioneve euro-atlantike të sigurisë, si dhe detyrimi për të bashkëpunuar dhe për t’u koordinuar, me qëllim të integrimit të plotë të Kosovës në nismat rajonale të sigurisë.

Cila është forca ligjore e Deklaratës?

Vuksanoviq thotë se kjo nuk është një marrëveshje tipike ndërshtetërore, sipas rregullave të së drejtës publike ndërkombëtare.

“Memorandumet për bashkëpunim nuk janë ligjërisht të detyrueshme në natyrë”, sipas tij.

Ai thekson se kjo është një marrëveshje nënrajonale midis dy anëtarëve të NATO-s me një palë të tretë – Kosovën.

Pjesëmarrjen e Kroacisë, ai e sheh si përpjekje për të arritur pikë politike në planin rajonal.

Kë e shohin si kërcënim Zagrebi, Tirana dhe Prishtina?

Në përgjigjen dhënë REL-it, Qeveria kroate thekson se bashkëpunimi në mbrojtje midis Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës është “i cilësisë së lartë” dhe se Deklarata ka synim vetëm ta përmirësojë atë.

“Zona e Evropës Juglindore është e ekspozuar ndaj kërcënimeve të sigurisë, veçanërisht atyre nga fusha hibride dhe kibernetike, qëllim i të cilave është destabilizimi i rajonit”, thuhet në Deklaratë.

Aty nuk specifikohet se nga vijnë kërcënimet.

Kush është “faktor i paqes dhe stabilitetit” në rajon?

Përveç kundërshtimit të Deklaratës, zyrtarët serbë kanë përsëritur vazhdimisht se Beogradi mbetet i përkushtuar ndaj ruajtjes së paqes dhe stabilitetit rajonal.

Kështu, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka thënë se, për këtë interes, do të vazhdojë të bashkëpunojë me vendet anëtare të NATO-s.

Por, profesori Serwer thotë se “gara e vetme” e armëve në rajon, është ajo që udhëheq Serbia për vite me radhë.

“Serbia nuk është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Vuçiq, thjesht, i mashtron diplomatët naivë”, thotë ai.

Serwer shton se Beogradi vazhdon të refuzojë zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën, si dhe t’i ofrojë mbështetje politikës secesioniste në Republikën Sërpska, të udhëhequr nga Millorad Dodik.

Po sipas tij, pushteti në Beograd, i cili nuk i ka ndërprerë lidhjet me Kremlinin as pas pushtimit rus të Ukrainës, inkurajon politika proruse si në Serbi, ashtu edhe në Mal të Zi.

“Asnjë nga këto nuk kontribuon në paqe dhe stabilitet”, përfundon Serwer.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Valona Tela

UGSHPD: NJË FALLXHOR PËR NË BE

 
“Çelësi për në BE”, është diçitura e skicës më të fundit nga LD-NY24 mbi marrëzinë e fundit elektorale që po sajon kryeministri Rama.
Heshtja dhe eliminimi i kundërshtarëve, izolimi ndërkombëtar dhe shterimi i mesazhit politik po e plotësojnë pasigurinë e tij me mosbesim dhe egërsi. 
De facto, me vet shpalljen edhe njëherë kryetari i bashkisë së kryeqytetit që tashmë po i afrohet  një popullsie me 1 milion banorë, fitorja me çdo kusht e zgjedhjeve ka të bëjë vetëm me pushtetin për t’u mbrojtur nga krimi ekonomik dhe tatëpjeta e korrupsionit.
Që pas shpalljes së renditjes së subjekteve politike në listën e KQZ për zgjedhjet e 11 Majit, 2025 një javë më parë, prirja më e re që shpreh ankthin humbës të Ramës janë vetmia dhe leximi “i vijave të fatit” të dorës.
Në këtë gjendje shpëtimi është që të kthehet në fallxhor/lexues i fatit të së ardhmes pasi nuk ka më asnjë program politik që propaganda dhe ideologjia progresiste e së majtës ta mbrojë Ramën si kryeministër dhe drejtues partie politike.
Dora që gjoja simbolizon numrin pesë të PS në lista mbetet një gjetje e sforcuar dhe e turbullt edhe për vetë rradhët e socialistëve pasi kjo është dora përzgjedhëse që elita i shndërron vetëm të joshurit në rilindës.
Por cilido që të jetë justifikimi se çfarë do të thotë me këtë tendencë të re kryeministri, gjetja e dorës është e ngjashme me përkohësinë e historive të sajuara si “të stuhisë në gotë” që Rama krijon për të fshehur veprimet e mirë-menduara. Ai u hodh për ndalimin e tik-tok, pikërisht tani që njerëzit të mos kenë zë dhe me daljet vetjake në mediat sociale lodhet për t’i dhënë përgjigje shqetësimeve që vetë i ka krijuar gjatë këtyre tre mandateve. Pasaporta e BE një tjetër shpikje në rrëmujën e mesazheve elektorale pa një program është treguesi se sa propaganda deri tani ka mashtruar dhe gënjyer aq sa detyrat e shpërfillura po rezultojnë me ngrirje dhe me shtyrje të shpresave të integrimit të një populli të varfër dhe të mplakur  si pasojë e korrupsionit të administratës dhe të elitës së Rilindjes Socialiste. Turrjet drejt diasporës u tkurrën deri tek takimet kokë më kokë të Taulant Ballës nëpër Evropë dhe SHBA që më së shumti janë përllogaritje se si makineria elektorale e tre mandateve me patronazhistë do të aplikojë skemat e tjetërsimit të votës.
Përballë këtyre çudirave, shqiptarëve ju duhet një çelës për ta ndryshuar sistemin dhe jo një pasaportë me fytyrën e korrupsionit për të shkuar në BE.
 
 
24 Mars, 2025
 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

26-vjetori i masakrës në Tërnje të Therandës, Kurti: Gjaku i dëshmorëve është në themelet e Republikës

Në përvjetorin e 26-të të masakrës në Tërnje të Therandës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nderoi të rënët dhe vendosi kurora me lule të freskëta pranë varrezave të atyre që u vranë barbarisht nga forcat serbe.

Kurti theksoi se gjaku i dëshmorëve është në themelet e Republikës së Kosovës.

“Ne përkulemi me nderim dhe gjithashtu me mirënjohje të thellë, e me falënderim të përzemërt për të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre për lirinë e popullit tonë, për çlirimin e Kosovës.

Gjaku i dëshmorëve është në themelet e Republikës dhe tani na mbetet një pjesë më e vogël e punës, por e rëndësishme, që ta forcojmë shtetin tonë, ta forcojmë shtëpinë e popullit, në mënyrë që brezave të ardhshëm kurrë të mos iu bie të vuajnë, të kenë dhembje apo të përjetojnë humbjet që ne kemi kaluar.

Në mënyrë të veçantë, një respekt i posaçëm për nënat shqiptare që rritën bijat dhe bijtë e tyre, që jo vetëm ishin qytetarë të dinjitetshëm të Republikës, por gjithashtu luftëtarë të mëdhenj për lirinë e popullit. Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit! Lavdi të të gjithë atyre që dhanë jetën dhe u flijuan për lirinë e popullit, duke përfshirë ata që u flijuan nga fshati juaj, Tërnje,” tha ai. bw

Clark: Përfundimisht, Serbia do duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës

Ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-së për Evropë, gjenerali Wesley Clark, ka thënë se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se bashkëpunimi ekonomik në mes të dy vendeve do të jetë i pashmangshëm.

Në një diskutim virtual të zhvilluar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në shënim të 26-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Clark ka folur për përmirësimin e klimës së biznesit dhe ka inkurajuar Kosovën që të përqafojë bashkëpunimin rajonal me fqinjët si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, madje edhe Serbia.

“Përfundimisht, Serbia do të duhet të pranojë pavarësinë tuaj dhe bashkëpunimi ekonomik do të jetë i pashmangshëm”, ka thënë Clark.

Ai ka theksuar se Kosova ka një pozicion shumë të rëndësishëm strategjik.

“Bota po e shikon Kosovën dhe mënyra më e mirë për të forcuar sigurinë e saj është përmes zhvillimit ekonomik dhe investimeve, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara”, citohet të ketë thënë Clark.

Ai në një bashkëbisedimin me drejtorin ekzekutiv të Odës Amerikane, Arian Zeka, a folur edhe për rëndësinë e sundimit të ligjit duke kërkuar që Kosova ta forcojë atë dhe ta përdorë atë për të ndërtuar besimin e investitorëve.

Clark ka bërë thirrje për investime në infrastrukturë dhe energji, duke vënë në dukje rezervat e bollshme të linjitit të Kosovës, si dhe ka avokuar për transformimin digjital të vendit, përmirësimin e sistemeve tatimore, lidhjen në brezin e gjerë të internetit dhe sigurinë kibernetike për të luftuar dezinformimin dhe përmbysjen e jashtme.

Ai u ka bërë thirrje liderëve të Kosovës që të ndjekin qeverisjen e pastër, unitetin politik dhe të mbajnë një baraspeshë të fortë ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat. “Vetëm qeveritë nuk mund të nxisin rritjen – ju nevojitet sektori privat, veçanërisht në teknologjinë e informacionit dhe shërbime, ku talenti dhe aftësitë gjuhësore të Kosovës mund të shkëlqejnë”, ka theksuar Clark.

Ai ka folur edhe për rëndësinë e kthimit të të rinjve në Kosovë, për të kontribuar me idetë e tyre për zhvillimin dhe të ardhmen e Kosovës. sn

Osmani kujton masakrat e Celinës, Fortesës dhe Brestocit: Drejtësia mungon, por e vërteta nuk zhbëhet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur kujtimin për masakrat e Celinës, Fortesës dhe Brestocit, duke theksuar se më 25 mars 1999, forcat e regjimit të Serbisë, kryen masakra të tmerrshme në fshatrat e Rahovecit, ku humbën jetën 75 civilë në Celinë, 69 në Fortesë dhe 49 në Brestoc.

Osmani ka shtuar se pesë luftëtarë të UÇK-së ranë heroikisht në mbrojtje të popullsisë, duke vdekur vetëm sepse ishin shqiptarë dhe kërkonin liri.

Ajo ka theksuar se, edhe pse dhimbja mbetet dhe drejtësia ende nuk është arritur, e vërteta nuk mund të zhduket. Presidentja ka bërë thirrje për nderimin e martirëve dhe heronjve të UÇK-së, duke siguruar se Kosova nuk do të ndalet kurrë në kërkimin e drejtësisë. bw

U vranë 243 persona! 26 vite nga masakra e Krushës së Madhe

26 vjet më parë, nga data 25 deri më 27 mars 1999, forcat serbe kryen një masakër të tmerrshme në Krushë të Rahovecit, ku u vranë 243 persona dhe 893 shtëpi u shkatërruan nga zjarri. Kjo ngjarje tragjike mbetet masakra më e madhe që ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës së vitit 1998-1999.

Për fat të keq, ende shumë persona nga Krusha e Madhe mbeten të zhdukur, dhe ende nuk ka pasur një hetim të plotë dhe të drejtpërdrejtë për këtë krim të rëndë. Masakra në Krushë ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte ndaj Sllobodan Millosheviçit dhe disa figurave të tjera politike e ushtarake serbe.

Megjithatë, asnjë individ nuk është ndëshkuar për krimet e kryera në këtë fshat, dhe procesi hetimor nuk ka arritur të sjellë drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre./KP/

Kurti: Serbia do të mbahet përgjegjëse dhe fajtore për krimet në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nderuar viktimat e masakrës së fshatit Kotlinë në Kaçanik. Ai kujtoi ngjarjet tragjike të 24 marsit 1999, kur Brigada e Mekanizuar 243 e Ushtrisë së Jugosllavisë, me ndihmën e njësive speciale të policisë, e rrethuan fshatin.

Pas maltretimesh të tmerrshme, policia serbe vrau fillimisht tre të moshuar dhe ua dogji trupat. Më pas, në mesditë, gratë, fëmijët dhe të moshuarit u morën dhe u dërguan me kamionë në Kaçanik, ndërsa burrat u dërguan në Ferizaj dhe, pas torturave, i dëbuan drejt Maqedonisë.

Pothuajse të gjitha shtëpitë e fshatit Kotlinë, përfshirë shkollën dhe ambulancën, u dogjën. Ushtarët serbë i morën 35 djem të rinj dhe i dërguan në një zonë malore të fshatit. Gjashtë prej tyre shpëtuan, ndërsa 22 të tjerët u vranë.

Trupat e viktimave u hodhën në dy puse dhe më vonë, pas luftës, u gjetën nga ekipe të mjekësisë ligjore në vitin 1999, të cilat konstatonin varreza masive.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nderuar viktimat e masakrës së fshatit Kotlinë në Kaçanik. Ai kujtoi ngjarjet tragjike të 24 marsit 1999, kur Brigada e Mekanizuar 243 e Ushtrisë së Jugosllavisë, me ndihmën e njësive speciale të policisë, e rrethuan fshatin.

Pas maltretimesh të tmerrshme, policia serbe vrau fillimisht tre të moshuar dhe ua dogji trupat. Më pas, në mesditë, gratë, fëmijët dhe të moshuarit u morën dhe u dërguan me kamionë në Kaçanik, ndërsa burrat u dërguan në Ferizaj dhe, pas torturave, i dëbuan drejt Maqedonisë.

Në vitin 2011, Vllastimir Gjorgjeviq, një ish-zyrtar i lartë i policisë serbe, u akuzua dhe u dënua nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) për përgjegjësi në krimet në Kotlinë, përfshirë vrasjen e shqiptarëve në Kosovë. Fillimisht ai u dënua me 27 vjet burg, por më pas, në vitin 2014, Dhoma e Apelit e ICTY-së ia uli dënimin në 18 vjet.

Kurti, në postimin e tij në Facebook, theksoi se Serbia do të mbetet përgjegjëse për të gjitha krimet e kryera në Kosovë, si para ashtu edhe gjatë luftës, para drejtësisë vendore, ndërkombëtare dhe historisë moderne të Evropës. Ai përfundoi duke nënvizuar se viktimat e Kotlinës do të kujtohen dhe nderohen gjithmonë, përkrah atyre që dhanë jetën në luftën për liri. sn

Osmani: 26 vjet pas bombardimeve të NATO-s, Kosova ec e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur

Radio Evropa e Lirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se 26 vjet pas bombardimeve të NATO-s mbi caqet policore e ushtarake në ish-Jugosllavi, Kosova ec “krenare, sovrane dhe e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur”.

Në një shkrim në Facebook, Osmani e përshkroi 24 marsin 1999 si dita kur “dita kur liria mori krahë” dhe “dita kur bota demokratike nuk heshti”.

“Dita kur aleatët e NATO-s u ngritën kundër së keqes, për ta mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Ishte dita kur ndaj errësirës triumfoi drita e shpresës”, shkroi ajo.

Ajo i ka falënderuar aleatët e vendit që ndihmuan “kauzën tonë për Kosovën shtet të lirë, të pavarur e sovran”.

NATO-ja i nisi sulmet në caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me Marrëveshjen Teknike të Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova.

Marrëveshja u pasua nga miratimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kjo Rezolutë, ishte kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë u vendos një administratë e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, e cila administroi fazën transitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.

Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50.000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30.000 ishin nga vendet e NATO-s.

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, është i pranishëm edhe sot dhe kujdeset për sigurinë e Kosovës.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998-1999 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Shkodra dhe Kukësi me rënien më të madhe të popullsisë, INSTAT: Situatë e ngjashme në të gjithë qarqet, përveç Tiranës

Ndërmjet 2011 dhe 2023, popullsia ka pësuar rënie në të gjitha qarqet e vendit dhe për Tiranën ka rritje me vetëm 1.2%.

Sipas të dhënave të INSTAT, në të gjithë qarqet, me përjashtim atë të Tiranës, popullsia ka ardhur në rënie gjatë periudhës 2011-2023, në një rang ndryshimesh prej 28,3% në Qarkun e Shkodrës dhe 27,3% në Qarkun Kukës, deri në 0,7% në Qarkun e Beratit.

Shprehur në vlerë absolute, Elbasani dhe Shkodra kanë pësuar rënien më të lartë të popullsisë. Në anën tjetër, popullsia e Qarkut të Tiranës është rritur me 1,2%, më së shumti prej migracionit të brendshëm.

Rritja e popullsisë në Tiranë dhe rënia në qarqet e tjera rezulton në rritjen e përqindjes së popullsisë banuese në Tiranë, nga 26,8% në 2011 në 31,6% në 2023.

Përafërsisht një e treta e popullsisë shqiptare (31,6%) banon në Qarkun e Tiranës. Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri me rreth 10,0%, ndjekur nga Qarku i Elbasanit me 9,7% ndaj popullsisë gjithsej.

Kukësi dhe Gjirokastra kanë përqindjen më të ulët, me 2,6% dhe 2,5% të popullsisë përkatëse. Shpërndarja e popullsisë në territorin e Shqipërisë tregon një përqendrim në Fier, Durrës dhe veçanërisht në Tiranë.

Rezultatet censit 2023 treguan se popullsia e vendit ra me ritme më të shpejta se dy dekadat e para të tranzicionit. Shqipëria kishte 2,402,113 banorë mesnatën e së dielës dhe mëngjesin e së hënës 17-18 shtator 2023, prej të cilëve, 49,6% janë meshkuj dhe 50,4% femra. Krahasuar me të dhënat e censit 2011, popullsia e vendit është pakësuar me 14.8%.

Kjo rënie ishte më e lartë se në periudhën 2001-2011 ku popullsia ra me 9.6% ose rreth 300 mijë persona, teksa në dekadën e parë të tranzicionit, 1989-2011, popullsia e vendit u tkurr me vetëm -3.1%.

Të dhënat tregojnë se emigracioni është shkaktari kryesor i rënies së popullsisë, pasi gjatë 2011-2021 vendi kishte shtesë natyrore (lindjeve-minus vdekje) pozitive me mbi 88 mijë persona. Popullsia e vendit do të ishte rreth 2,9 milionë banorë (shtesa natyrore 88 mijë persona plus 420 mijë persona që mungojnë plus 2.4 milionë banorë).

Përveç pakësimit, struktura e popullsisë është plakur dhe moshat e vjetra dominojnë strukturën e popullsisë. Të dhënat e Censit 2023 tregojnë se mosha mesatare e popullsisë arriti 42.5 vite, duke u rritur me 7 vite nga viti 2011, kur ky tregues ishte 35.5 vjet./ Monitor

SHBA-ja dhe Ukraina zhvillojnë bisedime “frytdhënëse”

Presidenti, i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, viziton rajonin e Donjeckut më 22 mars, para bisedimeve të ekipit të tij në Arabinë Saudite me zyrtarët amerikanë.

 

Radio Evropa e Lirë

Zyrtarët amerikanë dhe ukrainas i përmbyllën bisedimet e tyre në Arabinë Saudite të dielën, një ditë para se negociatorët amerikanë të takohen të hënën me përfaqësuesit e Rusisë në përpjekje për ta arritur një marrëveshje për armëpushim në luftën në Ukrainë.

Ekipi i Uashingtonit nuk ka komentuar ende bisedimet me përfaqësuesit e Kievit, por ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, tha se bisedimet ishin “konstruktive dhe kuptimplota”.

“Diskutimet ishin frytdhënëse dhe të përqendruara. Adresuam çështje kyçë, përfshirë energjinë”, shkroi Umerov në Facebook.

“Qëllimi i presidentit Volodymyr Zelensky është ta sigurojë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për vendin dhe popullin tonë – dhe për gjithë Evropën. Ne po punojmë për ta arritur këtë synim”, shtoi ai.

Bisedimet në Riad shënuan një moment historik në përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-ja për ta arritur një armëpushim në luftën në Ukrainë. Më parë, ka pasur ndërprerje prej një ose më shumë ditësh midis rundeve të ndryshme të bisedimeve dypalëshe.

Zyrtarët amerikanë dhe rusë do të takohen sot në qytetin saudit. Mediat shtetërore ruse raportuan se delegacioni i Moskës mbërriti mbrëmjen e së dielës.

New York Times dhe Reuters, duke cituar burime, raportuan se një takim tjetër midis përfaqësuesve amerikanë dhe ukrainas mund të zhvillohet pas bisedimeve SHBA-Rusi për të diskutuar marrëveshje të mundshme.

Megjithatë, edhe pse negociatorët rusë dhe ukrainas do të jenë në të njëjtin vend teksa zhvillojnë bisedime me delegacionin amerikan, pak njerëz presin ndonjë përparim të madh.

Zelensky, duke folur derisa bisedimet po zhvilloheshin, tha se “ekipi ynë po punon në një mënyrë plotësisht konstruktive”.

“Biseda është mjaft e dobishme – puna e delegacioneve po vazhdon”, shtoi ai.

“Por, pavarësisht se çfarë u themi sot partnerëve tanë, ne duhet ta bëjmë [presidentin rus Vladimir] Putin të japë urdhër të vërtetë për t’i ndaluar sulmet. Kushdo që e solli këtë luftë, duhet ta ndalojë atë”, nënvizoi Zelensky.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë shprehur optimizëm para takimeve në Arabinë Saudite.

“Mendoj se të hënën do të shihni një përparim të vërtetë në Arabinë Saudite”, tha për Fox News i dërguari amerikan, Steve Witkoff, më 22 mars.

Kievi dhe Moska kanë qenë më të përmbajtur në pikëpamjet e tyre.

Në Rusi, ku Radio Evropa e Lirë është shpallur organizatë e padëshirueshme dhe është praktikisht e ndaluar, ishte zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ai që shoi çdo shpresë për një marrëveshje të shpejtë.

“Nuk duhet të kemi pritshmëri të larta. Një punë shumë serioze dhe e madhe na pret. Do të duhet të futemi në hollësi”, tha ai në një intervistë për televizionin shtetëror të dielën.

“Jemi vetëm në fillim të kësaj rruge”, shtoi ai.

Diplomatët rusë dhe ukrainas nuk planifikohet të takohen drejtpërdrejt. Në vend të kësaj, ata pritet të takohen veçmas me ekipin amerikan, në atë që një zyrtar amerikan e përshkroi si “diplomaci me ndërmjetësim”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka qenë deri më tani më i vendosuri në favor të negociatave. Por, shpresat e tij për përparim të shpejtë kanë hasur në pengesa të vazhdueshme.

Së pari, një plan i rënë dakord me Ukrainën për një armëpushim të përgjithshëm 30-ditor u bllokua nga Putin. Pas një telefonate me Putinin, Trump tha se ata ishin pajtuar për një ndërprerje të sulmeve ndaj infrastrukturës.

Por, Kremlini e ngushtoi edhe më tej këtë fokus, duke thënë se marrëveshja lidhej vetëm me infrastrukturën energjetike – të cilën forcat e tij e sulmuan gjithsesi. Ukraina shpreson ta qartësojë këtë çështje në Xhedah, duke sjellë një listë të asaj që Rusia duhet të pranojë të mos e shënjestrojë.

Mjegull e ngjashme ishte edhe pas bisedimeve mes Trumpit dhe Zelenskyt. Derisa zyrtarët amerikanë flisnin për një plan të ri për pronësinë amerikane të centraleve bërthamore ukrainase, si një formë e garancive të sigurisë për Ukrainën, Zelensky e bëri të qartë se këto centrale janë pronë shtetërore që u përkisnin të gjithë ukrainasve.

Ndërkohë, u tha përsëri se një marrëveshje dypalëshe për mineralet e rralla të Ukrainës është pothuajse gati. Por, ende nuk ka qartësi se kur do të nënshkruhet dokumenti – i cili, siç duket, përmban më shumë aspirata sesa hollësi konkrete.

Në bisedimet e reja në Arabinë Saudite pritet të shtjellohet edhe një temë tjetër.

Witkoff, i dërguari amerikan, tha se do të ketë përparim në “një armëpushim në Detin e Zi, për anijet midis të dyja vendeve. Dhe nga aty, do të kalojmë natyrshëm në një armëpushim të plotë”.

Witkoff gjithashtu tha se është i bindur se Putini dëshiron paqen, diçka që Ukraina dhe vendet evropiane nuk e besojnë.

Ish-ambasadori holandez: S’ka arsye për kompromis për Asociacionin, ndërkohë që Serbia s’i zbaton marrëveshjet

Nuk ka arsye për kompromis për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, thotë ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch.

Bosch thotë se është e çuditshme që t’i kërkohet Kosovës të bëjë hapa, ndërkohë që Serbia nuk zbaton marrëveshjet.

“Nuk ka arsye për kompromis për Asociacionin. Së pari, Serbia duhet të dorëzojë diçka konkrete, ose të ketë një marrëveshje të detyrueshme, ku të përcaktohet qartë ‘nëse bëni këtë, ne do të bëjmë atë’. Por aktualisht është çështja e tillë që duhet të bëni diçka së pari dhe të shpresoni që pala tjetër mund të bëjë gjithashtu diçka, gjë që është e çuditshme”, thotë ai për Kosovapress.

Protestë kundër tenderit për plazhet: “Ulqini nuk është në shitje”

Plazhi i Madh në Ulqin. Fotografi nga arkivi.

 

Aneta Duroviq

Qindra banorë, përfaqësues të autoriteteve lokale dhe biznesmenë nga Ulqini protestuan në këtë qytet në jug të Malit të Zi, duke thënë se “Ulqini nuk është në shitje”.

Protesta e 22 marsit u thirr për shkak të pakënaqësive lidhur me tenderin për dhënien me qira të plazheve të Ulqinit, të cilat vitet e fundit janë marrë me qira nga biznesmenët lokalë, por këtë vit oferta më e mirë e marrjes me qira të plazheve u vlerësua të ishte ajo e kompanisë arabe, Eagle Hills.

“Plazhi i Madh nuk është një shkretëtirë që dikush të ndërtojë një Dubai. Plazhi i Madh është një mrekulli e natyrës, 20 kilometra bregdet i paprekur, me rërë të ngrohtë dhe shëruese. Krenaria dhe trashëgimia jonë”, tha Dijana Pellinkoviq, presidente e shoqatës “Ada Bojana”.

Sipas saj, banorët e Ulqinit nuk janë kundër progresit, por janë kundër projekteve megalomane që fshijnë identitetin lokal.

“Komuniteti ynë duhet të marrë pjesë në vendimmarrje. Po ngremë zërin kundër centralizmit”, tha përfaqësuesi i qiramarrësve, Albert Kastrati.

Ai vlerësoi se tenderi për qiramarrjen e plazheve ka diskriminuar qiramarrësit vendas dhe ka favorizuar investitorët e huaj.

Protesta në Ulqin u mbajt pavarësisht nga fakti se kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, më 20 mars njoftoi se Eagle Hills ka ndërmend të tërhiqet dhe t’ua kalojë plazhet qiramarrësve lokalë.

Protesta në Ulqin të Malit të Zi.

Protesta në Ulqin të Malit të Zi.

Pakënaqësia nisi nga tenderi

Kompania arabe, Eagle Hills, më 11 mars dorëzoi ofertën më të mirë për dhënien me qira për një periudhë katërvjeçare të nëntë nga 19 plazhet në Plazhin e Madh të Ulqinit.

Kjo shkaktoi revoltë te qiramarrësit aktualë të plazheve dhe autoritetet lokale, të cilët deklaruan se plazhet po u jepen investitorëve të huaj “përmes marrëveshjeve të dyshimta”.

Pas kësaj, siç e ka bërë të ditur kryeministri Spajiq, presidenti i kompanisë arabe, Mohamed Alabar, ka hequr dorë nga oferta.

“Personalisht më ka thënë se për të gjitha plazhet ku kanë konkurruar ulqinakët, është i gatshëm të heqë dorë ose t’i japë me nënqira, siç është e mundur edhe ligjërisht”, tha Spajiq.

Qeveria e Malit të Zi njoftoi se, sipas nismës së Spajiqit, investitori ka vendosur që plazhet që i ka fituar përmes tenderit, që më parë ishin marrë me qira nga ndërmarrësit lokalë, t’ua dorëzojë atyre me çmimin që ata kanë ofertuar në tender.

Eagle Hills, që dha ofertën më të lartë për plazhet, është një kompani ndërtimi nga Abu Dabi i Emirateve të Bashkuara Arabe. Kjo kompani njihet për projekte rajonale, sikurse “Belgrade Waterfront”.

Kompania ka përfaqësinë në Mal të Zi, që është regjistruar pas skadimit të afatit fillestar për dorëzimin e ofertave në tenderin për dhënien me qira të plazheve të Ulqinit.

Afati për dorëzimin e ofertave, për tenderin e shpallur më 19 shkurt, ishte 4 mars, por ai u zgjat për shtatë ditë.

Alabar regjistroi kompaninë e tij më 6 mars në Malin e Zi dhe aplikoi në tender. Afatin e zgjati kompania shtetërore që menaxhon plazhet në Mal të Zi.

Plane për investime në Ulqin

Spajiq u ka njoftuar ulqinakët se përveç tërheqjes nga tenderi për dhënien me qira të plazheve, kompania nga Abu Dabi është e interesuar që të bëjë investime në Plazhin e Madh, i cili është afër 13 kilometra i gjatë dhe ende i pa ndërtuar.

Ai tha se kompania është e interesuar të investojnë 30 miliardë euro në një mega-projekt në Ulqin, që do të përfshinte ndërtimin e një aeroporti të madh, spitalit më modern në Ballkan, një marinë dhe rinovimin e qytetit të vjetër të Ulqinit.

Spajiq muajin e kaluar qëndroi në një vizitë zyrtare në Dubai, ku siç u njoftua më 13 shkurt, u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi mes Qeverisë së Malit të Zi dhe Emirateve, i cili parashikon shkëmbimin e përvojave për modernizimin e administratës dhe bashkëpunim ekonomik.

Çfarë i shqetëson politikanët lokalë

Plani për investimet në mega-projektin në Ulqin nuk ka marrë miratimin e opozitës dhe një pjese të liderëve lokalë.

Deputeti i Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve, Mehmet Zenka, konfirmoi se gjatë një takimi, se Spajiq ka thënë se qëllimi i investitorëve arabë është të marrin me qira të gjithë Plazhin e Madh për 99 vjet.

Ai theksoi se kjo është e papranueshme, pasi, edhe pse nuk janë kundër investimeve, “Ulqini nuk është në shitje”.

Sipas tij, një qira për një periudhë 99-vjeçare do të thotë se për Plazhin e Madh do të vendosë dikush tjetër dhe jo komuniteti lokal. Ai shtoi se ekzistojnë edhe lokacione të tjera për investime, por jo 20 milionë metra katrorë të Plazhit të Madh dhe rrethinës së tij.

Kryetari i Barit, Dushan Raiçeviq dhe ai i Ulqinit, Genci Nimambegu gjatë protestës në Ulqin më 22 mars.

Kryetari i Barit, Dushan Raiçeviq dhe ai i Ulqinit, Genci Nimambegu gjatë protestës në Ulqin më 22 mars.

Spajiq, siç tha Zenka, ka treguar vetëm një plan ideor të investitorëve nëpërmjet një fotografie, e cila nuk ishte e mjaftueshme për një vlerësim serioz.

Një ditë para protestës, u mbajt edhe një mbledhje e Kuvendit të Ulqinit, ku u miratuan në parim projektet e reja për këtë qytet.

Ndër të tjera, u miratua që të gjitha investimet të jenë në përputhje me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, duke respektuar dokumentet planifikues dhe strategjike të komunës dhe shtetit, si dhe duke marrë parasysh qëndrueshmërinë ekonomike, ekologjike dhe shoqërore.

Abazoviq kërkon që Prokuroria Speciale të reagojë

Ish-kryeministri Dritan Abazoviq, i cili është nga Ulqini, ka kërkuar që Prokuroria Speciale e shtetit të hetojë rastin e dhënies së qirasë për Plazhin e Madh, duke pretenduar se bëhet fjalë për një vepër korruptive.

Ai tha se kryeministri Spajiq “ka premtuar pasuri shtetërore dhe komunale pa iu nënshtruar procedurës përkatëse”.

“Spajiq ka prezantuar një projekt që nuk është parashikuar në Planin Hapësinor të Malit të Zi, dhe është paraqitur si përfaqësues i kompanisë që fitoi qiranë. Procedura e tenderit ishte e dyshimtë dhe rregullat për garancinë bankare u ndryshuan në momentin e fundit”, tha Abazoviq për gazetën “Vijesti”.

Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, gjatë protestës në Ulqin.

Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, gjatë protestës në Ulqin.

Mali i Zi nuk ka Plan Hapësinor që nga viti 2020.

Ai shtoi se sipas informacionit që ka, Mohamed Alabar është i pakënaqur, duke theksuar se duke u tërhequr nga qiraja, do të humbiste 100 mijë euro garanci.

“E vendosën në një pozicion të vështirë. Është shumë i zemëruar dhe i gatshëm të humbasë para për të ruajtur reputacionin e tij”, tha Abazoviq.

Dyshimet për parregullsi në tenderin për dhënien me qira të plazheve i kishin shprehur që në fillim edhe sipërmarrësit lokalë, të cilët thonë se nuk janë kundër investitorëve.

“Përmes tenderit, afati i të cilit u shty, në të cilin mori pjesë Eagle Hills Montenegro, ndodhi një sulm i paprecedent i organizuar, i sinkronizuar me institucionet e sistemit”, tha më 18 mars, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.

Nga Qeveria e Malit të Zi pohuan se tenderi është realizuar në mënyrë ligjore dhe se çdo veprim tjetër i ofertuesve, përfshirë mundësinë e tërheqjes, është një vendim që u përket atyre.

Ulqinakët kanë nisur një peticion, i cili është nënshkruar edhe gjatë protestës, dhe përmes tij kërkohet, veç tjerash, anulimi i tenderit për qiradhënie.

Plazhi i Madh, i gjatë 13 kilometra dhe me një gjerësi mesatare prej 60 metrash, ndodhet pesë kilometra nga Ulqini, qyteti më jugor i bregdetit malazez, që ndodhet në kufi me Shqipërinë.

Radio Evropa e Lirë


Send this to a friend