Në kohë të monizimit, Ivan Vilëza punoi pothuaj për njëzet vite me kamion si shofer në NFP -Ndërmarrjen e Furnizimit të Punëtorëve në qytetin e vogël industrial.
Të mos ia hamë hakun, Ivani, për të gjithë ata që e mbajnë mend, ishte edhe aktor amator i estradës në kinoteatrin e qytetit “Lulet e Karaules” dhe çmendej pas fisarmonikës së Dhimitër Jerit (Perit)
dhe Spiro Reçit (Krecit).
Tani në moshë të thyer, ka dëshirë të rrëfejë ndonjë “akrobaci”, të atyre kohëve, siç thotë ai.
“Për mua do të mbetet i paharruar shefi im, Filipi, një ikonë. I shkathët dhe babaxhan..”- tregon shoferi i dikurshëm i NFP-së. “Në atë teatër të madh të direktivës të realizimit të çdo gjëje me forcat tona dhe të parullës “EDHE BAR DO TË HAMË DHE PARIMET NUK I SHKELIM”, edhe shef Filipi , jo si ne amatorët e estradës por, si profesionist i vërtetë, një herë, e luajti një akt teatri me zarar të madh po që i doli me sukses.
Rakoja, miku i tij edhe ky amator i skenës, e ngacmon: ” Aman të keqen, na trego si ishte shef Filipi, ta dëgjojë edhe ky shoku i Gonit nga Tirana.”
“Ai ishte një burrë shtatlartë, si Brezhnjevi apo Jelcini , ose po të doni edhe si shoku Rita që priste shirita, por, më i qeshur se ata. Sa herë ndërmarrja ngecte keq për ndonjë furnizim, se ne atëhere luftonim ” nga fitorja në fitorje”, nga bllokada ne bllokadë, siç thoshte Hirësia e tij Udhëheqësi, dhe më të moshuarit sot e njohin mirë atë kohë; duhej që gjendeshin medoemos zgjidhje për problemin. Kujtoj se ishte një krizë e atyre muajve edhe për goma makine për NFP- në. Kjo, një fjalë goje duket tani por, po nuk kishe goma, domethënë shollë për të ecur makinat e NFP-së, me se, do të furnizoheshin mensat e minatorëve? 3000 minatorë babam, jo shaka! Me se, do të furnizoheshin dyqanet e MAPO-s së qytetit, njësitë e restorantet e punëtorëve, furrat e bukës? Kjo, ishte çështja.
” Nafta çan bllokadën!- citon Rakoja, duke kujtuar një parrullë të atyre viteve të lavdishme të tallonave socialiste. ” Në rastin tonë, do ua them me të vërtetë: teatri , estrada çau bllokadën! Mos u habisni! – thotë Ivan Vilëza.
“Po ti Ivan, luajte gjë në atë estradë?
“Vetëm një rol episodik, siç thoshte regjisori i kinoteatrit tonë ” Lulet e Karaules”, Note Buza. “Ivan, -më thotë i mëzitur një mbrëmje Shefi, te Taverna e Manit pranë qendrës së qytetit. “Për nesër, bëje makinën gati se do ikim në Durrës, pa u gdhirë, në katër të mëngjesit. “
“Si urdhëron Shef! “
Ndryshe nga herët e tjera, e kuptva që kishte një hall që ia kishte fshirë si me gomë buzëqeshjen e përhershme.
“Eja, të pimë një kafe këtu, – më tha,- se dua të të tregoj nja dy gjëra për nesër që duhet t’i dish vetëm ti dhe të mos bësh muhabet me askënd. As me shokët. As në shtëpi. As me nusen! Isha dhëndërr i ri. Kisha tre muaj i martuar. U ulëm te Taverna e Manit.
“Dëgjo këtu, m’u drejtua me zë të ulët sikur do më kallëzonte ndonjë sekret.”
Unë: “Urdhëro, shef Filipi!
“Më thirrën në Komitetin e Partisë të Qytetit. E kemi litarin në fyt, më thanë. Na e hiq! Ç’ ke njohje, miqësi, krushqi, kredi…e ç’të duash, tani na duhen. Makinat e NFP një nga një siç e di, po ngelen në tako ose
nëpër rrugë. Na duhen urgjentisht goma për makinat. Planin e gomave e kemi ngrënë dy herë. Këto goma kaq mbajne se jane me riveshje vendi, nuk janë te reja. Dhe goma me riveshje gjen vetme ne fabrikën në
Durrës. Të tjerat ti i di vetë më mirë se ne. Partia, ty të ka vënë shef dhe Partia nga ti e kërkon zgjidhjen e kësaj situate. Gomat nuk na bien nga qielli. Këtë e zgjidh vetëm di. Koha filloi!
Do ta tregoj gjatë rrugës sesi do të veprojmë, më shpjegoi. Rëndësi ka që të kthehemi me mall, me goma në qytet . Kaq. Ti do t’i vësh gojës tenio. Si vuvi, as edhe një fjalë sesi do të veprojmë për të siguruar mallin!
Dhe gjatë rruges kur po mbërrinim në Durrës ma trego planin. Unë do të shkoja para tij për t’u paraqitur në dyert e fabrikës së gomave me riveshje. Ata në magazinë dihet, do më thoshin se goma nuk ka, se e NFP e ka marrë planin, madje dy herë. Por unë do t’u lutesha duke thënë se ” Unë këtu do të fle dhe nuk iki pa goma….! Pas tridhjet minutave aty do të paraqitem unë me një veturë “papritur” .Por unë, këtë herë, mos u
habit: do të jem Zëvendësministri!
Dhe vërtet. Akti i teatrit vijoi sipas parashikimit te shef Filipit.
Unë isha bërë i bezdisur duke e lutur magazinierin. Madje sapo i kisha deklaruar se: Unë këtu do të fle këtu në makinë dhe nuk largohem në NFP pa goma! Ndërkohë në hyrjen e ndërmarrjes madje, fiks para portës së magazinës ku unë debatoja me magazinierin befas u shfaq Ai. Zbriti nga një makinë ” Fiat”.
Veturën tok me shoferin e la te hyrja fabrikës. Pastaj. ashtu madhështor do të ecte drejt magazinës së ndëmarrjes ku unë ende po grindesha
– Mirëdita shokë të fabrikës! Mirëdita djalosh?- m’u drejtua sikur nuk më kishte parë kurrë më parë.
-Nga të kemi ty more djalosh?-përësriti.
Unë, kaq doja dhe nisa breshërinë:
– Shoku Zëvendësministër, unë vij nga larg kam udhëtuar gjithë natën. Jam i NFPsë në qytetin E… Ndërmarrja jonë që mbulon nevojat e tre mijë minatorëve, ka mbetur pa goma dhe unë nuk kthehem i gjallë atje
pa një furnizimin me goma…. Shoku magazinier thotë që planin e kemi ngrënë…
“Zëvendësministri” i sapombërrituri. ashtu madhështor me pamjen si prej një anëtari te Byrose Politike, me pallton gub ruse te viteve ’60, iu drejtua magazinierit.
– Si ju kemi shoku magazinier? Si i keni nga shtëpia? Ç’thotë puna juaj e vështirë?.Si jemi këtë vit me planon e shtetit?….
Unë rrija si i mpirë.
Maganzinieri u ngrit vrik në këmbë nga e papritura e vizitës së qeveritarit Zëvendësministër.
“Faleminderit shoku Zëvndësministër! Faleminderit. Përpiqemi. Në të vërtetë ka edhe vështirësi se ja, si rasti i këtij shokut të NFP-së nga E. po ka edhe të tjerë, Por me ndërgjegje dhe përgjegjësi të lartë Partie, ju
them se kjo ndërmarrja e NFP-s dhe bëri me kokë nga ana ime ,- e ka marrë palnin e saj të gomave shoku Zëvendësministrës madje, ka marre edhe shtesa mbi planin…
-Ashtu-uuuuu?!- u habit Zëvendësministri.
Magazinieri atë çast m’u duk fiks sa gjysma e shtatit madhështor të “Zëvedësministrit”.
I sapoardhuri nga dikasteri i ra lehtë në supe magazinierit.
“Ju kuptoj drejtë, shoku magazinier. Ne në Tiranë ju kuptojmë mjaft mirë ,- dhe në pastaj e hodhi vështrimin nga unë.
” Shoku magazinier, po ndërmnarrjne e NFP-së që mbulon me furnizime mbi tremijë minatorë, si thoni ju: pa goma për makinat qytetit do ta lëmë ? Kemi dëgjuar fjalë të mira edhe për fabriken tuaj. Edhe per ju
personalisht se ne, dhe bëri me kokë shenjën atje lart,- domethënë atje sipër në Ministri, kuptohet që e njohim gjendjen dhe i dimë të gjitha se jetojmë me situatën.
“Faleminderit shoku Zvendësministër po dua ta dini se NFP-ja në fjalë, e ka ngrënë planin bile, edhe mbi planin,- dhe syzet që mbante ne dorë i la mbi tavolinë duke fërkuar ngadalë duart.
“Ju kuptova shumë drejt, shoku magazinier. Ne e njohim përkushtimin dhe devotshmërinë tuaj, shoku …
-Zenjo-u prezantua tjetri
Por sot rregullojeni dhe ndihmojeni që makina e NFP të furnizohet dhe ky djalosh ta përmbyllë detyrën që i kanë ngarkuar kllasa jonë punëtore e minierës, minatorët tanë heroikë!
“Siurdhëron shoku Zëvendësministër!
Atë çast zyrtari i mbërritur nga Tirana duke i rënë lehtë në supe magazinierit shtoi
“Ne,atje lart, nuk do ta harrojmë përkushtimin tuaj shoku magazinier, shoku Zenjo.
Pastaj na dha dorën të dyve duke thënë:
“Mua do më falni se kemi një mbledhje me shokët në Durrës,-dhe u largua qetë-qetë për nga hyrje e fabrikës ku tashmë ish afruar “Fiati”.
“Nëne nëne!-thash atë çast me vete. E dija se vetura që do ta çonte deri ne plepat e Durrësit ku kishim lënë takimin e kthimit, do priste sipas planit të ideuar nga shef Filipi.
“Nëne-nëne”, përsërisja me vete kur punëtorët po ngarkonin karocerinë e makinës sime me goma të reja dhe tek e shihja këtë pamje më dukej sikur i kisha vjedhur atë mall. Që ta mbliodhja veten hapa kofon*)
(mbulesën e motorit) e makinës dhe nisa të pastroja kuturu me nje traço trupin e motorit.
***
Atë ditë nata na zuri në afërsi të qytetit. Ishim kthyer fitimtarë me makinën plot me goma. Duke hyrë në qytetin me drita të ndezura, shefi Filipi më thotë:
“Ivan, nesër bëje pushim se je i lodhur.
Unë: “Nuk jam i lodhur. Do dal në punë.”
Ai më vuri dorën në sup: “Zbato urdhërin e eprorit: nesër do ta bësh pushim! Qëndro me nusen dhe prindërit. Kështu siç të them unë! Ky është urdhër nga lart! Doja t’ia ktheja si gjithmonë: ” Si urdhëron Shef!”,
po nuk di si më doli nga goja :
“Faleminderit, shoku Zëvendësministër!”
___
o0o___