Hipoteza nga më të ndryshmet po dalin nga ngjarjet e ditëve të fundit, kur dronë rusë janë parë në territoret e vendeve të NATO-s, që nga Polonia deri në Estoni dhe kohët e fundit edhe në Danimarkë.
Vendet e BE-së do të kërkojnë krijimin e një “Muri Mbrojtës” kundër dronëve dhe avionë luftarakë nga të gjithë vendet e NATO-s do të jenë si mburojë, përfshi edhe avionët luftarakë italianë. Rusia ka paralajmëruar se nëse ndonjë mjet i saj luftarak rrëzohet, atëherë ai vend është në luftë me të.
Por për të qetësuar, të paktën Italinë, ka dhënë një deklaratë Ministri i Jashtëm i këtij vendi, Antonio Tajani, numri 2 i qeverisë italiane.
“Putini është agresiv, por nuk mendoj se ai dëshiron të sulmojë Italinë. Sidoqoftë, mbrojtja jonë ajrore është gjithmonë vigjilente dhe e vëmendshme. Efikasiteti i Forcave Ajrore është gjithmonë i lartë, italianët mund të jenë të sigurt” – tha ministri Tajani pas një alarmi tjetër për dron dje dhe sot në qiellin evropian.
Dje, presidenti ukrainas Zelensky paralajmëroi se “Italia mund të jetë objektivi i radhës” i dronëve rusë. Një sulm në shkallë të gjerë nga 595 dronë rusë goditi Kievin, duke rezultuar në katër të vdekur dhe gjashtë të plagosur. Polonia ka ngritur në ajër avionët luftarakë të saj. Moska, megjithatë, pretendon se ka rrëzuar 41 dronë ukrainas gjatë natës. bw