Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se tani është një “moment vendimtar” për të vendosur për anëtarësimin e vendit të tij në Bashkimin Evropian, në një postim në “Twitter” të shtunën.
“Është një moment vendimtar për të mbyllur një herë e përgjithmonë diskutimin e gjatë dhe për të vendosur për anëtarësimin e Ukrainës në BE. Diskutuam me presidentin e BE për ndihmën e mëtejshme efektive dhe luftën heroike të ukrainasve për të ardhmen e tyre të lirë”, thuhet në një postim në Twitter-in e tij.
Fjalë sfiduese
Më herët të shtunën, ndërsa beteja për Kievin vazhdonte, Zelensky shkoi në platformën e mediave sociale disa herë për të postuar përditësime.
Në një video prej 40 sekondash të titulluar “mos u besoni lajmeve të rreme”, presidenti tha: “Unë jam këtu. Ne nuk po i ulim armët. Ne do të mbrojmë vendin tonë, sepse arma jonë është e vërteta, dhe e vërteta jonë është se kjo është toka jonë, vendi ynë, fëmijët tanë dhe ne do t’i mbrojmë të gjitha këto.
“Kjo është. Kjo është gjithçka që doja t’ju them. Lavdi Ukrainës,” shtoi ai.
Në një postim të veçantë në Twitter të shtunën në mëngjes, ai gjithashtu tha: “Një ditë e re në vijën e frontit diplomatik filloi me një bisedë me Emmanuel Macron. Armët dhe pajisjet nga partnerët tanë janë rrugës për në Ukrainë. Koalicioni kundër luftës po funksionon!”
Mbështetja franceze
Presidenti francez Emmanuel Macron të shtunën paralajmëroi se lufta në Ukrainë dhe kriza rreth saj “do të zgjasë” pasi ai parashikoi ndikime në tregjet ushqimore.
“Nëse mund t’ju them një gjë këtë mëngjes, është se kjo luftë do të zgjasë,” tha Macron në panairin vjetor të bujqësisë në Francë.
“Kjo krizë do të zgjasë, kjo luftë do të zgjasë dhe të gjitha krizat që vijnë me të do të kenë pasoja të qëndrueshme”, shtoi Macron, duke paralajmëruar: “Duhet të jemi të përgatitur.
“Francezë dhe evropianë, ne do të jemi atje”, tha ai, “për të ndërtuar përgjigje afatshkurtëra dhe afatmesme për të provuar dhe siguruar plotësisht energjinë tonë”.
Presidenti tha se “ndikimi i krizës në jetën tonë” do të shtrihet edhe në botën e fermerëve dhe ushqimit, pa dhënë detaje të mëtejshme. bw
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, gjatë adresimit për gazetarë më 26 shtator 2023.
RFE/RL
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se ende ka të panjohura lidhur me sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës, por theksoi se grupi që sulmoi policinë, nuk përbëhej nga qytetarë që u mlodhën spontalisht “për të shprehur shqetësimet e tyre”.
“Ne ende po punojmë për të kuptuar se si dhe kush është përgjegjës dhe pse. Por dua të them, ju keni parë pamjet e pajisjeve ushtarake dhe planet që ishin zhvilluar. Ky nuk ishte një grup i qytetarëve që sponatisht u bënë së bashku për të shprehur shqetësimet e tyre. Ky ishte një grup i trajnuar dhe i organizuar. Kjo nënkupton se pas tyre ka një lloj strukture, duke pasur parasysh trajnimin dhe pajisjet. Ne duam që kjo ngjarje të zbardhet dhe ata të mbahen përgjegjës”, tha Hovenier për gazetarët, pasi u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani më 26 shtator.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte deklaruar më 24 shtator se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit”.
I pyetur nga gazetarët se nga i siguruan serbët lokalë uniformat me të cilat shiheshin në fotografi, Vuçiq deklaroi se ato “nuk janë uniforma të ushtrisë serbe apo të policisë serbe”. Uniformat blihen kudo në treg, tha ai.
“Fajtori i vetëm për atë që ndodhi në Kosovë është Albin Kurti”, tha Vuçiq, duke kritikuar edhe Perëndimin dhe, siç u shpreh, “hipokrizinë” e tij kur bëhet fjalë për Kosovën.
Si pasojë e sulmit ndaj Policisë së Kosovës u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Autoritetet e Kosovës thanë se në përleshjet e armatosura u vranë edhe tre sulmues të dyshuar.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiqin, nënkryetar të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.
Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiqi i armatosur në Banjskë.
Lista Serbe – partia që ka mbështetjen e Beogradit – e as institucionet në Serbi nuk kanë reaguar lidhur me akuzat e Kosovës për përfshirjen e pretenduar të Radoiçiqit.
Deputetja britanike që ngriti alarmin e armëve serbe në kisha kërkon shtim të trupave të KFOR-it në Kosovë.
Kryetarja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka bërë thirrje që 4.500 trupa shtesë të KFOR-it të vendosen në Kosovë, në mënyrë që sipas saj, të kontribuohet në ruajtjen e paqes.
Ajo ka deklaruar të hënën në rrjetin social X, i njohur si Twitter, se dislokimi i trupave të KFOR-it duhet të bëhet nga një grup më i madh i shteteve anëtare, ndërsa ka shtuar se KFOR-i e EULEX-i duhet të ndihmojnë institucionet e Kosovës për hetimet mbi vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku.
“Mbretëria e Bashkuar si anëtare e QUINT-it duhet të marrë një rol më aktiv në dialogun e paqes ndërmjet Serbisë e Kosovës – pasiviteti aktual është i paqëndrueshëm. Britania e Madhe nuk është më e kufizuar nga konsensusi dhe mosnjohësit e BE-së, kështu që duhet të jetë më muskulore dhe dinamike në përpjekjet diplomatike. Ne kemi nevojë për një shtyllë kurrizore në Ballkan”, shkruan deputetja britanike.
Ajo thekson se Qeveria e Serbisë duhet të angazhohet për normalizim të raporteve me Kosovën “dhe t’i japë fund retorikës radikalizuese dhe ndarjeve etnike që nxisin urrejtje”.
“Qeveria e Kosovës duhet të përvijojë përkushtimin e saj për të mbështetur komunitetet serbo-kosovare, duke siguruar përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e tyre aktive në demokraci pa ndërhyrje të pajustifikuara të huaja. BE-ja duhet të angazhojë pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin sovranitetin e Kosovës për të mbështetur trajektoren e Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, duke forcuar paprekshmërinë e integritetit të saj territorial”.
“Policia e Kosovës do t’i hetojë grupet paraushtarake përgjegjëse për vrasjen e oficerit Afrim Bunjaku. Si financohen, armatosen dhe si transportojnë armë në/përreth Kosovës. Nga kush i marrin udhëzimet e tyre? KFOR-i dhe EULEX-i duhet të ndihmojnë hetimet dhe të ndajnë të gjithë inteligjencën mbi depot e armëve dhe lëvizjet me Qeverinë e Kosovës dhe vendet anëtare, për të ndihmuar në përgjigjen e shqetësimeve rreth përfshirjes së aktorëve të Beogradit në vrasjen e oficerit të policisë kosovare dhe bllokadat e orkestruara të rrugëve. Nëse imazhet fillestare janë të sakta, KFOR-i duhet t’i hetojë automjetet dhe sistemet e armëve që i kishte, ato që ne duhet të supozojmë tani për tani janë të rreme, ngjitëse që mbajnë emrin e tyre”, shton Kearns.
Në reagimin e saj thuhet se parandalimi i dhunës në Ballkan duhet të jetë prioritet për Mbretërinë e Bashkuar dhe për Evropën.
“Duhet të ndërmerren veprime tani për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të siguruar një të ardhme paqësore për të gjithë në Ballkan”.
Deputeti i Bundestagut gjerman, Thomas Hacker, ka reaguar ndaj pretendimeve të presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç, se në Kosovë “po kryhet spastrim etnik”.
Hacker ka thënë se fatkeqësisht, Aleksander Vuçiç, gënjeshtrën e ka element qendror të veprimeve të tij.
“Akuza për spastrim etnik në Kosovë është thellësisht e rreme”, ka shkruar Hacker.
Ai më tej ka thënë se Lista Serbe duhet të dënojë ngjarjet e fundit dhe të tregojë se është e gatshme të jetë një partner konstruktiv.
“Fatkeqësisht, gënjeshtra është një element qendror i veprimeve të presidentit Vuçiç. Akuza për spastrim etnik në Kosovë është thellbësisht e rreme. Lista Srpska duhet të dënojë ngjarjet e fundit + të tregojë se është e gatshme të jetë një partner konstruktiv”, ka shkruar Hacker.
Deputeti gjerman i Parlamentit Evropian, Reinhard Butikofer, ka thënë se presidenti i Serbisë, Alekasnder Vucic po gënjen me paturpësi. Politikani gjerman i ka reaguar pretendimeve të presidentit serb të bëra në takim me ambasadorin rus, duke thënë se në Kosovë s’ka spastrim etnik.
Butikofer tutje ka shtuar se gënjeshtrat e Serbisë po krijojnë një mjedis të favorshëm për agresion kriminal kundër Kosovës.
Ai ka pyetur nëse do të ketë pasoja për Serbinë nga Bashkimi Evropian.
“Vuçiq gënjen me paturpësi: në Kosovë nuk ka spastrim etnik. Gënjeshtrat serbe po krijojnë një mjedis të favorshëm për agresion kriminal kundër Kosovës. Narrativa e Vuçiqit i jep justifikim ekstremizmit serb. A do të sjellë BE-ja pasoja?”, ka shkruar Butikofer. syri.net
Forcat serbe sërish po i vënë zjarrin Kosovës. Është e pakuptueshme se si përfaqësuesit e BE-së, madje edhe diplomatët gjermanë, të mos mbajnë një qëndrim të qartë
Nga Eric Rathfelder, Tageszeitung
Nuk ishin Burrat e Vegjël të Blertë si ata të pushtimit të Krimesë në vitin 2014, që ishin përgjegjës për të shtënat e fundit në Kosovë. Nuk është ende e qartë nëse sulmi është kryer nga kriminelë vendas apo nga agjentë të shërbimit sekret serb të maskuar. Por ajo që është e qartë megjithatë, është se Serbia edhe njëherë po e përkeqëson situatën në Ballkan, në Kosovë.
Ka sërish të vdekur. Emocionet kombëtare janë tronditur sërish. Dhe përsëri BE-ja në veçanti, nën negociatorët e këqij Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell, po tregon një anë pro-serbe që thjesht nuk është më e kuptueshme. Kushdo që flet prej muajsh se kosovarët nën Albin Kurtin janë trazuesit në Ballkan, dhe nuk e sheh se kjo e inkurajon palën serbe të përdorë masa gjithnjë e më të ashpra për të arritur qëllimet e saj, nuk mund të ndihmohet.
Ngatërrestari i vërtetë quhet Aleksandër Vuçiç dhe ai është president i Serbisë. Ai ndjek qëllimet e tij me zell, pa asnjë vullnet për kompromis. Kompromisi do të thotë dobësi për të. Ai nuk dëshiron të pranojë se strategjia e tij për themelimin e asociacionit të komuniteteve serbe në Kosovë pa mosnjohjen e Kosovës, po dështon. “Atyre që besojnë se Serbia do ta njohë Kosovën,” përgjigjet ai, “u them se nuk do ta njohim kurrë pavarësinë e Kosovës, edhe nëse na vrisni të gjithëve”.
Vuçiç ka qëndruar gjatë në pushtet dhe i sheh diplomatët evropianë si asgjë më shumë se idiotë të dobishëm, të cilët mund t’i ngecë derisa të vendoset lufta në Ukrainë. Nëse fiton Rusia, ai fiton edhe në Kosovë. Edhe në një Evropë e Orbanëve dhe radikalëve të djathtë, ai do të kishte një shans për të pohuar pozicionin e tij. Por edhe në Europën e demokracive liberale ka rryma dhe diplomatë që e akomodojnë atë. Edhe në Gjermani, pozicioni duket se nuk është i qartë. Më shumë se kurrë, tani nevojitet qartësi ndaj të gjithë putinistëve dhe autokratëve. syri.net
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar listën e arsenalit të armëve të konfiskuara gjatë aksionit në veri, ku një grup i armatosur sulmoi policinë.
Në rrjetin social X kryeministri kosovar ka publikuar dhe disa fotografi ku shihen një mori armë dhe pajisje të nivelit ushtarak e të cilat janë sekuestruar nga Policia e Kosovës pas sulmit në veri.
Në llogarinë e tij në platformën “X” Kurti shkruan se autorët vepruan jo vetëm, por me mbështetjen e shtetit.
Ai thotë se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sponsorizimin e dhunës terroriste në territorin e Kosovës.
“Këto armë dhe pajisje të nivelit ushtarak – të sekuestruara në operacionin antiterror të Policisë së Kosovës pas sulmit të djeshëm – nuk lënë vend për dyshim: autorët vepruan jo vetëm, por me mbështetjen e shtetit. Serbia duhet të mbahet plotësisht përgjegjëse për sponsorizimin e dhunës terroriste në territorin e Kosovës”, shkroi Kurti në anglisht.
Situata dukej e qetë të hënën në veri të Kosovës, ndërsa rruga që çon për në fshatin Banjskë vazhdon të jetë e mbyllur nga njësitë e posaçme të policisë. Një ditë më parë në këtë fshat një pjesëtar i policisë së Kosovës mbeti i vrarë dhe të paktën dy të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve me një grup të armatosur. Tre nga sulmuesit mbeten të vrarë, ndërsa policia tha se gjeti një sasi të konsiderueshme armatimesh në zonën e manastirit ortodoks të këtij fshati ku ishin strehuar sulmuesit.
“Një veturë rëndë e blinduar, vetura xhip 24 copë, motorë 4×4 2 copë, mina kundër këmbësorisë 8 copë, zolla të mbushura 29 copë, predhë minahedhësi 82 milimetërsh 54 copë, predhë minahedhës 62 milimetërsh 88 copë, granatë dore 75 copë, mina antitanke 8 copë, eksploziv dinamit 150 copë, detonarë elektrikë 23 copë”, tha gjatë një konference me gazetarë në jug të Mitrovicës, drejtori i policisë së Kosovës Gazmend Hoxha.
Zoti Hoxha numëroi edhe sasi tjera të armatimit të sekuestruar, ndërsa tha se ende po vazhdon mbledhja dhe identifikimi i armatimit në zonë.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se në bazë të hetimeve të deritashme disa nga pjesëtarët e grupit që sulmuan policinë ishin pjesëtarë të “Brigadës së Veriut” dhe “Mbrojtjes Civile”, organizata këto që Kosova i ka shpallur si terroriste më herët gjatë këtij viti.
“Nga kjo sasi e madhe e armatimit lehtësisht mund të kuptohet se ka pasur një plan të përfshirjes së qindra personave për destabilizimin e vendit tonë. Në armatimin që do të shihni ndër të tjera ka edhe armë ushtarake të vitit 2021 që janë furnizim nga ushtria e Serbisë”, tha ministri Sveçla.
Zoti Sveçla tha se në materialet e sekuestruara janë gjetur dokumente që dëshmojnë siç tha përfshirjen në këtë sulm të nënkryetarit të Listës serbe, subjektit politik më të madh të serbëve në Kosovë.
“Në këto materiale gjithashtu kemi gjetur dokumente të kriminelit që është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara Milan Radoiçiç. Dokumente këto që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e tij të drejtëpërdrejtë në këtë aksion. Kjo është lista e armëve apo lejeve zyrtare të institucioneve të Serbisë dhënë Milan Radoiçiçit, ku janë edhe armët të cilat ai posedon”, tha ministri Sveçla.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rhode, kërkoi një reagim nga ky subjekt politik.
“Ndërsa gjithë bota u trondit dhe po dënon ngjarjet e djeshme, pyetem nëse Lista serbe do te thyej heshtjen dhe t’u bashkohet të gjithëve në qëndrimin e qartë kundër sulmeve vrasëse”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Ndërkohë Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës ngushëlloi të hënën pasdite familjet e serbëve dhe policit të vrarë të Kosovës në atë që ajo e cilësoi një ngjarje tragjike.
Në reagimin e kësaj partie kërkohen hetime për siç thuhet, vrasjen e të paktën dy serbëve me gjakftohtësi ndonëse ata u dorëzuan, por nuk ofrohet asnjë provë mbi pretendimet e tilla.
Lista serbe bëri thirrje për vetëpërmbajtje dhe paqe, duke nënvizuar se është urgjente që KFOR-i dhe EULEX-i të vendosen në veri për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejmë të situatës dhe siç thuhet për të parandaluar keqpërdorimet politike të kësaj ngjarje tragjike.
Në deklaratën e kësaj partie nuk ka ndonjë përgjigje ndaj akuzave të zyrtarëve të Kosovës se nënkryetari i kësaj force politike ishte gjithashtu i përfshirë në sulm.
Ministri Sveçla tha se dëshmitë e mbledhura tregojnë se bëhet fjalë për një sulm mirë të organizuar që sipas ekspertëve kërkon të paktën disa muaj përgatitje.
Ai tha se bazuar në pamjet e siguruara rreth 30 persona kanë marrë pjesë në sulm dhe më shumë se tre janë vrarë por se tash për tash nuk mund të jap më shumë hollësi.
Të tjerët tha ai kanë arritur që të largohen në këmbë nga hapësirat brenda dhe përreth manastirit të Banjskës, duke lënë mbrapa automjetet e tyre. Ai i bëri thirrje Serbisë që t’u dorëzojë autoriteteve të Kosovës personat që mund të kenë ikur atje.
Drejtori i policisë së Kosovës Gazmend Hoxha tha se policia ende është në kërkim të të përfshirëve në sulm, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që një pjesë të jetë ende brenda territorit të Kosovës.
Te sheshi ‘Nënë Tereza’ në Tiranë u mbajtën homazhe në nder të efektivit të vrarë në veri të Kosovës, Afrim Bunjaku.
Nga pamjet e siguruara për BalkanWeb, shihen qytetarë të mbuluar me flamujt e Shqipërisë, Kosovës dhe UÇK-së, ndërsa në tokë janë ndezur qirinj në kujtim të tij.
Pjesëmarrës në homazhe ka qenë edhe gazetari Osman Stafa, i cili në një raportim live për News24, tha se numri i pjesëmarrësve ishte i lartë dhe ndër ta ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë.
“Po zhvillohen homazhe në nder të kombit, Afrim Bunjakut. Bunjaku u vra nga një sulm terrorist, nga ata që kërkuan destabilitetin e Kosovës. Ngjarja ishte më të vërtetë e rëndë dhe për pasojë kanë reaguar edhe shqiptarët e Shqipërisë. Shumica e pjesëmarrësve janë të rinj, disa mbanë në duar flamujt e Shqipërisë, UÇK-së dhe Kosovës. Pjesëmarrës është dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë”, raportoi Stafa.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bisedoi me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri më 24 shtator.
Osmani tha se “veprimet terroriste dhe akti i agresionit” janë të orkestruara dhe të mbështetura nga Beogradi.
“Veprimet e tilla përbëjnë cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe për këto veprime duhet sanksionuar Serbinë”, tha Osmani sipas një njoftimi për media.
Presidentja e Kosovës po ashtu tha se veprimet e Policisë në veri janë legjitime dhe janë në kuadër të “realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim”.
Sarrazin është takuar sot edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, një ditë pas ngjarjeve në veri. Kurti e ka informuar atë për veprimet që po merr Kosova pas ngjarjeve të së dielës.
“Emisari Sarrazin shprehu ngushëllimet e tij për familjen e të ndjerit dhe popullin e Kosovës, e dënoi sulmin e djeshëm duke e cilësuar atë si kriminal dhe terrorist mbi Policinë e Kosovës, dhe dha mbështetjen e Gjermanisë ndaj Kosovës”, u tha në njoftimin e zyrës së Kurtit.
Në orët e hershme të së dielës, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i personave të maskuar dhe armatosur, pasi autoritetet e rendit tentuan të largonin barrikadat e vendosura në Banjskë të Zveçanit.
Si pasojë e përleshjeve, zyrtari policor, Afrim Bunjaku, u vra dhe disa të tjerë u plagosën.
Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës prej nga u përlesh me Policinë e Kosovës.
Autoritetet thanë se tre sulmues u vranë, ndërkaq më 25 shtator u raportua se është gjetur trupi i pajetë edhe një sulmuesi tjetër të dyshuar. Ndërkaq, gjashtë persona, që dyshohet se janë të lidhur me grupin e armatosur, janë arrestuar.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”.
Vuçiq e dënoi vrasjen e policit të Kosovës, duke thënë se ajo “nuk mund të justifikohet”, por mohoi se Beogradi kishte ndonjë lidhje me sulmin.rel
Përcillet për në banesën e fundit, me nderime të larta shtetërore në varrezat e fshatit Samadrexhë të Vushtrrisë, heroi Afrim Bunjaku, efektivi i vrarë në Kosovë. Të shumtë familjarë, qytetarë, liderë të shtetit, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë e ambasadorë të huaj kanë marrë pjesë në varrimin e të ndjerit, i cili u vra dje në krye të detyrës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se Afrim Bunjaku bëri sakrificën më sublime në mbrojte të atdheut, ku dëshmoi se shteti ka nevojë më shumë se kurrë t’i bëhet gardian.
“Teksa po i japim lamtumirën heroit Afrim Bunjaku, duhet ta sjellim në vëmendje guximin dhe vetëmohimin e tij, të cilin ai e tregoi gjatë gjithë karrierës së tij. Afrimi është personifikim i patriotit dhe profesionistit, i cili nga viti 2001 e veshi uniformën e Policisë së Kosovës, e deri në rënien heroike në krye të detyrës u dëshmua për devotshmërinë ndaj Republikës. Përballja e tij me terroristët e dirigjuar nga Serbia ishte beteja e fundit për të, por jo fundi i tij. Prej sot Afrimi është hero i secilit shqiptar, i secilit qytetar që e do Republikën e Kosovës. Sepse ai dje e mbrojti integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit tonë, ai mbrojti dinjitetin e shtetit tonë”, -deklaroi Osmani. Edhe kryeministri Albin Kurti u shpreh se rreshter Bunjaku ra si hero për të mbrojtur paqen dhe sigurinë e vendit.
“Afrim Bunjaku u qëllua dhe u vra në një natë me hënë, teksa po kryente detyrën bashkë me kolegët e tij që morën plagë në atë rast. Në orët që pasuan gjatë ditës së 24 shtatorit, nën dritën e diellit u ndriçuan rrethanat dhe kryerësit e këtij akti kriminal dhe terrorist. U ndriçuan nga kolegët e Afrimit, pjesëtarë të Policisë së Kosovës që me profesionalizimin më të lartë reaguan. Ata e kryen detyrën e tyre, e nderuan Afrimin, na nderuan të gjithë neve dhe Republikën e Kosovës. Çdo minutë të një dite të gjatë zbatonin ligjin dhe mbronin territorin, mbanin rendin dhe ruanin qytetarët. Për paqe me siguri, për të gjithë me secilin. Rënia në detyrë e rreshter Afrim Bunjakut, i veshur me uniformën e Policisë së Kosovës është sakrifica në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetueshmëri, për drejtësi dhe për të drejta për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se ditën e djeshme është rrezikuar dhe cenuar siguria kombëtare.
“Dje jo vetëm që janë rrezikuar, por edhe janë cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe siguria kombëtare. Sot, përpara se Afrim Bunjaku të varroset si një hero, portreti dhe profili i Afrimit le të skalitet në kujtesën tonë fotografike dhe në mendjen tonë kolektive, si fytyra e një heroi dhe si vepra e një dëshmori. Afër Afrimi, larg krimi”, shtoi ai. Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se heroi Afrim Bunjaku ra heroikisht ditën e djeshme sikur paraardhësit e tij, duke e mbrojtur Kosovën.
“Dita e 24 shtatorit do të shënohet në historinë e Kosovës, si dita kur Afrim Bunjaku ra dëshmor dhe u bë heroi i Kosovës për ta ngritur shtetin tonë. Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës si oficer i denjë i republikës në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe të sovranitetit të republikës sonë. Dita e djeshme, ditë e.. për familjen dhe miqtë, për bashkëfshatarët dhe gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës është po ashtu dita kur emri i Afrim Bunjakut u lartësua. Rreshteri Bunjaku dje mbrojti Kosovën me jetën e tij, ndërsa nga sot rënia e tij do të frymëzojë brezat se si mbrohet atdheu. Dita e djeshme ishte një ditë e rëndë për Kosovën dhe për demokracinë dhe për paqen në rajon. Serbia edhe një herë për strukturave terroriste paramilitare e sulmoi shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës”, -përfundoi Konjufca.
Sipas tij, Kosova edhe pasluftës po vazhdon që të mbrojë lirinë dhe pavarësinë e vendit me gjakun e dëshmorëve dhe të heronjve. Po ashtu, kryeparlamentari Konjufca u shpreh se dje u dëshmua që Serbia nuk ka ndryshuar dhe mbetet agresore ndaj Kosovës. Në ceremoninë e varrimit, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se është e vështirë që sot të ndahen nga Afrimi, i cili dha jetën për paqe dhe siguri. “Rreshter Afrimi dje ra heroikisht në krye të detyrës në veri të Kosovës. Ai u vra në një prit të organizuar nga grupet terroriste dhe kriminale. Rreshteri Afrimi, heroi më i ri i Kosovës dha jetën tij duke mbrojtur rendin kushtetues, sigurinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Sot për ne dhe për ju është një ditë shumë një ditë shumë e vështirë, sepse po ndahemi nga prindi, bashkëshorti, vëllai, miku e kolegu, i cili dha jetën e tij për paqe dhe siguri të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ai. Nga Samadrexha e Vushtrrisë, ai u bëri me dije grupeve kriminale e terroriste që dora e shtetit do të luftojë pa mëshirë të njëjtit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ndarë titullin “Hero i Kosovës” policit të vrarë nga terroristët serbë, Afrim Bunjaku. Ai u vra në orët e para të së dielës nga grupe terroriste serbe.bw
Armë, automjete dhe gjësende tjera të konfiskuara në veri të Kosovës, u ekspozuan gjatë konferencës për media të ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, më 25 shtator 2023.
Autoritetet e sigurisë në Kosovë e kanë akuzuar nënkryetarin e Listës, Serbe, Millan Radoiçiqin, për organizim dhe pjesëmarrje në sulmit ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.
Gjatë një konference për media, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se autoritetet kanë gjetur harta dhe plane për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri më 24 shtator. Ai argumentoi se sulmi nuk ishte ad-hoc, por ishte planifikuar për muaj të tërë.
Ai tha se në bazë të dokumenteve që kanë gjetur Radoiçiq, është i lidhur me sulmin.
“Në këto materiale, po ashtu kemi gjetur edhe dokumente të kriminelit që, po ashtu, është në listën e zezë të SHBA-së, Millan Radoiçiq, dokumente këto që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë aksion. Kjo është lista e armëve apo lejeve të institucioneve të Serbisë dhënë Millan Radoiçiqit ku është edhe lista me armët që ai posedon, me numra, me të gjitha që janë gjetur në veturën e parë në radhë atje dhe patjetër që dokumenti origjinal është në dorën e forenzikës”, tha Sveçla gjatë konferencës për media, ku policia ekspozoi armët dhe pajisjet që ka gjetur në vendin e ngjarjes.
Armët që Policia tha se i ka konfiskuar në Banjskë.
Sipas tij, në bazë të armëve që kanë gjetur, besohet se ka pasur plan që në sulm të përfshiheshin “qindra persona për destabilizimin e vendit tonë”.
Sveçla tha se, sipas informatave të deritashme, “gjashtë terroristë po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit [qytet në Serbi]”, ndërsa i bëri thirrje Serbisë që t’ia dorëzojë Kosovës. Ai tha se përveç tyre, edhe pjesëtarë të tjerë të grupit që mund të kenë ikur për në Serbi, duhet t’i dorëzohen Kosovës që të përballen me drejtësinë.
Ai tha se në bazë të informatave, disa nga pjesëtarët e grupit që sulmuan policinë ishin pjesëtarë të “Brigadës së Veriut” dhe “Mbrojtjes Civile”, që Kosova i ka shpallur si organizata terroriste më herët gjatë vitit.
Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se në një makinë Mercedes, me targa të Beogradit, është gjetur një leje për armë në emër të Radoiçiqit.
“Dokumenti është i lëshuar nga autoritete serbe, duke ngritur dyshimin e fuqishëm që në mesin e personave të armatosur dhe uniformuar edhe vetë Millan Radoiçiq”, tha Hoxha.
“Ky grup terrorist dyshohet se është organizuar nga Millan Radoiçiq, njeri i afërt me presidentin [e Serbisë] Aleksandar Vuçiq. Grupi terrorist në sigurimin e armëve dhe mjeteve logjistike, përfshirë edhe hyrjen në Kosovë me mbi 26 mjete motorike dyshohet të jetë përkrahur dhe mbështetur në mënyrë aktive nga Qeveria e Serbisë”, theksoi ai.
Radoiçiq është nënkryetar i Listës Serbe, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës dhe është gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së për “përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar”.
Ai kërkohet nga Kosova nën dyshimet se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor, të njohur si “Brezovica”.
Radoiçiq përmendet në një aktakuzë edhe si “udhëheqës i grupit kriminal”, i cili planifikoi vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Megjithatë, urdhërarresti për Milan Radoiçiqin u tërhoq në mars të vitit 2021 pa asnjë shpjegim.
Drejtori Hoxha tha se në dhe përreth manastirit në Banjskë janë gjetur armatim i kalibrave të ndryshëm, raketahedhës, eksplozivë e detonatorë.
Hoxha tha se disa prej këtyre armëve ishin përdorur edhe në sulmet në të kaluarën, siç tha ai, nga “Mbrojtja Civile”.
Drejtori i Policisë së Kosovës tha se në bazë të dokumenteve të gjetura, pesë prej të cilëve i përkisnin “Mbrojtjes Civile”.
Autoritetet e sigurisë thanë se grupi ishte profesional dhe i përgatitur mirë. Përveç armëve, drejtuesit e policisë thanë se kanë konfiskuar 24 automjete, një mjet të blinduar dhe dy motor me katër rrota.
Çfarë ndodhi në Banjskë?
Në orët e hershme të së dielës, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i personave të maskuar dhe armatosur, pasi autoritetet e rendit tentuan të largonin barrikadat e vendosura në Banjskë të Zveçanit.
Si pasojë e përleshjeve, zyrtari policor, Afrim Bunjaku, u vra dhe disa të tjerë u plagosën.
Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës prej nga u përlesh me Policinë e Kosovës.
Autoritetet thanë se tre sulmues u vranë, ndërkaq më 25 shtator u raportua se është gjetur trupi i pajetë edhe një sulmuesi tjetër të dyshuar. Ndërkaq, gjashtë persona, që dyshohet se janë të lidhur me grupin e armatosur, janë arrestuar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka përshkuar sulmuesit e armatosur si “një njësi e organizuar profesionale, që ka ardhur për të luftuar në Kosovë”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”.
Vuçiq e dënoi vrasjen e policit të Kosovës, duke thënë se ajo “nuk mund të justifikohet”, por mohoi se Beogradi kishte ndonjë lidhje me sulmin.
Një ditë pas përleshjeve në veri, situata në këtë zonë të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – raportohet se është e qetë, por qasja për në fshatin Banjskë në Komunën e Zveçanit është ende e mbyllur nga Policia e Kosovës.
Komentet