VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

ZAEVI – PARTITË SHQIPTARE BASHKËPUNOJNË ME GRUEVSKIN

By | May 21, 2015

Komentet

VIDEO- Malazezët protestë kundër serbëve, aty shihet edhe flamuri shqiptar

Nacionalistët malazezë kanë organizuar një protestë këtë të mërkurë, në mbrojtje të shtetësisë të Malit të Zi. Ata kanë protestuar kundër serbëve që jetojnë në këtë shtet, të cilët sipas vendasve, kanë edhe mbështjetjen e Rusisë.

Në mesin e flamujve në këtë protestë ishte edhe flamuri shqiptar. Një miting kundër Kishës Serbe u organizua sot në Cetinje, nga Kisha Malazeze, raporton RTV Cetinje. Qytetarët që kishin dalë të protestojnë thërrisnin në korr “Ne do të mbështesim Malin e Zi në këto ditë të vështira” dhe “Rroftë Mali i Zi”.

Mediet serbe raportuan së në mesin e flamujve ishte dhe flamuri shqiptar.

Publikohet raporti ndërkombëtar i korrupsionit: Shqipëria bën hapa pas, ja ku renditet për vitin 2019

Organizata ndërkombëtare Transparency International publikoi sot Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2019, i cili vlerëson se mbi dy të tretat e vendeve janë duke shënuar hapa prapa në përpjekjet anti-korrupsion.

Indeksi radhit 180 vende dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik.

Ai përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 një vend shumë të pastër.

Shqipëria ne indeksin e ketij viti renditet ne vendin e 106, nderkohe qe ka qene ne vendin e 99.

Screenshot 1

Kosova, në indeksin e sivjetmë, radhitet e 101-ta me 36 pikë. Ky rezultat do të thotë se ka shënuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit krahasuar me vitin paraprak, kur ka qenë në vendin e 93-të, me 37 pikë.

“Kosova po kalon nëpër një ndryshim të pushtetit parlamentar, që mund të ofrojë një mundësi për ndryshime”, vlerëson Transparency International.

“Pas disa vitesh që ka kritikuar qeverinë dhe bashkësinë ndërkombëtare për mosadresimin e korrupsionit, Lëvizja Vetëvendosje, e cila së voni fitoi shumicën e ulëseve parlamentare, ka shansin të dëshmojë angazhimin e saj në luftën kundër korrupsionit”, thotë Transparency International, për të shtuar se kjo parti, gjatë fushatës zgjedhore, ka qenë ndër të paktat që u është përgjigjur kërkesave për zbulimin e kostove të fushatës.

Megjithatë, shton Transparency International, mbetet të shihet nëse qeveria e re do të sigurojë një standard më të lartë të integritetit politik.

“Ajo mund ta bëjë një gjë të tillë duke braktisur praktikën e zakonshme të emërimeve politike në ndërmarrjet shtetërore dhe duke vendosur një detyrim të fuqishëm ligjor për partitë politike që të zbulojnë financat e tyre”, thekson Transparency International.

Nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, përmirësim të lehtë në luftën kundër korrupsionit ka shënuar vetëm Mali i Zi.

Në indeksin e sivjetmë të organizatës Transparency International, ky vend radhitet në pozitën numër 66, krahasuar me pozitën 67 që ka pasur një vit më parë.

Bosnje dhe Hercegovina sivjet radhitet në të njëjtën pozitë si Kosova, 101, ndërsa vitin e kaluar ka qenë e 89-ta.

Serbia ka rënë nga vendi 87 në 91. Në aspektin global, raporti tregon se katër vende të G7-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, kanë treguar performancë më të keqe në luftën kundër korrupsionit, krahasuar me vitin e kaluar – në mesin e tyre: Kanadaja, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Gjermania dhe Japonia nuk kanë treguar asnjë përmirësim, ndërsa vetëm Italia ka marrë një pikë më shumë.

“Mungesa e përparimit të vërtetë në luftën kundër korrupsionit, në shumicën e vendeve, është zhgënjyese dhe ka efekte të thella negative për qytetarët në mbarë botën”, tha Patricia Moreira, drejtore menaxhuese pranë organizatës Transparency International.

“Për të pasur ndonjë shans për t’i dhënë fund korrupsionit dhe për të përmirësuar jetën e njerëzve, ne duhet t’i trajtojmë marrëdhëniet midis politikës dhe parave të mëdha. Të gjithë qytetarët duhet të përfaqësohen në vendimmarrje”, tha Moreira.

Rezultatin më të mirë në luftën kundër korrupsionit sivjet e kanë treguar: Danimarka, Zelanda e Re dhe Finlanda, ndërsa në fund të listës janë: Somalia, Sudani Jugor dhe Siria. REL

Presidenti i Izraelit pret Metën: Shembulli i popullit shqiptar për shpëtimin e hebrenjve, model unik për të gjithë botën

Në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare në Izrael, Presidenti i Republikës, Ilir Meta u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin.
Presidenti Meta e falenderoi homologun izraelit për ftesën për të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Liderëve për të përkujtuar Ditën e Kujtesës së Holokaustit dhe 75-vjetorin e Çlirimit të kampit të Aushvitz-Birkenau.

“Ndihem krenar që jam kreu i një shteti ku antisemitizmi jo vetëm nuk ka ekzistuar kurrë, por edhe i një vendi ku numri i hebrenjve jo vetëm u shumëfishua gjatë Luftës së Dytë Botërore, por asnjë prej tyre nuk iu dorëzua pushtuesve”, – vuri në dukje Kreu i Shtetit shqiptar.

Ndërsa Presidenti Rivlin nënvizoi se “shembulli i popullit shqiptar për shpëtimin e hebrenjve përbën një model unik për të gjithë botën”.
Gjithashtu, Presidenti Meta vuri në dukje faktin se Shqipëria dhe Izraeli gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe se të dy vendet e popujt tanë ndajnë të njëjtat vlera të lirisë dhe demokracisë.

“Ne do të jemi bashkë, edhe në përpjekjet për t’i mbrojtur këto vlera nga kërcënimet e përbashkëta si terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe fondamentalizmi fetar”, – nënvizoi Kreu i Shtetit.

Presidenti Meta inkurajoi rritjen e investimeve izraelite në vendin tonë.
“Shqipëria ka shumë për të mësuar nga Izraeli rreth përdorimit të teknologjisë, për të nxitur zhvillimin ekonomik. Në të njëjtën kohë, edhe ne kemi shumë për t’iu ofruar investitorëve, si dhe turistëve izraelitë që duan të vizitojnë vijën tonë të mrekullueshme të bregdetit, malet tona të larta dhe vendet tona historike,” – theksoi Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit e falënderoi homologun izraelit për mesazhet e solidaritetit pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri, vlerësoi operacionet e kërkim-shpëtimit izraelite që erdhën menjëherë pas tërmetit, si edhe punën e grupeve të specializuara për vlerësimin e ndërtesave të dëmtuara. “Ne jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen mbresëlënëse të Izraelit gjatë atyre ditëve”, – u shpreh Kreu i Shtetit.

Presidenti Meta e ftoi Presidentin Rivlin për një vizitë në Shqipëri, ftesë që u mirëprit me kënaqësi. “Do të jetë kënaqësia ime”, shtoi ai – “të jem Presidenti i parë i Izraelit që viziton vendin tuaj aq mikpritës për ne”.

Kosovë, përkujtohet Ibrahim Rugova në 14 vjetorin e vdekjes

Prishtinë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot akademi përkujtimore me rastin e përvjetorit të 14-të të vdekjes së presidentit të parë të Kosovës, njëherësh themeluesit të LDK-së, Ibrahim Rugova, raporton Anadolu Agency (AA).

Familja e ish-presidentit Rugova ka marrë pjesë në këtë ceremoni ku kanë qenë edhe qindra anëtarë të LDK-së, deputetë të kësaj partie si dhe qytetarë të shumtë nga vende të ndryshme të Kosovës.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se Kosova e humbi më 21 janar të vitit 2006 njeriun që krijoi idenë e madhe të lirisë dhe pavarësisë. Megjithëse, ai tha se vdekja, nuk e la atë ta shihte “pullazin e shtëpisë së cilën e kishte nisur vetë”.

“Rugova, njeriu i artit letrar dhe i dijeve humane filozofike, u vu në krye të popullit të tij në orë të kthesave historike që po ndodhnin në Evropë, ku muri i perandorisë komuniste po shembej ndërsa shpresa e popujve të shtypur për liri dhe demokraci sapo kishte nisur të shihej”, tha Mustafa.

Ish-presidenti Rugova është përkujtuar edhe nga udhëheqësit e institucioneve të larta të vendit.

Presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi nëpërmjet një shkrimi në rrjetet sociale tha se nderon “kontributin e madh të tij në rrugëtimin e gjatë dhe të mundimshëm të popullit tonë drejt lirisë dhe pavarësisë”.

“Politika paqësore dhe miqësia me SHBA-në e Perëndimin janë vlera të përhershme të trashëgimisë së Presidentit Rugova”, shkroi Thaçi.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe tek varri i ish-presidentit Rugova. Ai tha se “në emër të institucioneve të Kosovës por edhe si njerëz e bashkëpunëtorë nderojmë veprën e tij kulmore”.

“Vepra e tij por edhe vet ndarja fizike nga ne, mbahet në mend gjithë jetën, sepse ka zgjuar gjithë popullin e Kosovës”, shkroi Haradinaj në rrjete sociale.

Gjithashtu edhe kreu i partisë më të madhe të dalë nga zgjedhjet parlamentare të fundit në Kosovë, Vetëvendosjes, Albin Kurti, e ka quajtur ish-presidentin Rugova “njeri racional i pasionuar me gjuhën si histori dhe si institut dhe shqiptar i urtë që e donte popullin e vet ashtu siç është”.

Me rastin e 14-vjetorit të vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, në mëngjesin e sotëm anëtarë të LDK-së bashkë kanë bërë homazhe tek varri i të ndjerit si dhe kanë vizituar familjen Rugova në lagjen “Velania” në Prishtinë.

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Ai mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971, qëndroi gjatë një viti akademik në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në letërsi ndërsa doktoroi në vitin 1984 në Universitetin e Prishtinës për letërsi.

Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, i cili u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë. Më 23 dhjetor 1989 zgjidhet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

Ibrahim Rugova u zgjodh president i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004. Ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë më 21 janar 2006 në Prishtinë.

Zëri i Amerikës: Përkujtohet Kongresi i Lushnjes dhe 100 vjetori i parlamentit të Shqipërisë

Shqipëria përkujtoi sot 100 vjetorin e parlamentit të saj, i krijuar së pari nga Kongresi i Lushnjes, krahas qeverisë dhe institucioneve shtetërore. Një ceremoni ceremonish, ekspozita dhe konferenca shkencore në Tiranë e Lushnje.

“Vendimet e këtij Kuvendi Kombëtar janë mesazhe për reflektim, për të mbrojtur Kushtetutën, pluralizmin, integritetin e institucioneve shtetërore si dhe vlerat reale, pluraliste demokratike të parlamentarizmit shqiptar” – theksoi presidenti i Republikës, Ilir Meta në mesazhin e tij.

Kongresi i Lushnjës vlerësohet si ngjarja më e rëndësishme në historinë e shtetit shqiptar, pas shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë. Aty u rithemelua shteti shqiptar i pavarur, u krijua parlamenti e qeveria dhe shqiptarët shprehën vendosmërinë për të mbrojtur pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të shtetit.

“Kongresi mori vendime historike për të mos lejuar copëtimin e mëtejshëm të trojeve shqiptare, dhe u dërguan kancelarive europiane dhe SHBA-ve mesazhin se shqiptarët janë të vendosur të luftojnë deri në fund për të qënë të lirë e të pavarur. Ishte vetëm zëri shpëtimtar i Presidentit Udro Uillson që ndali projektin famëkeq evropian për copëtimin e Shqipërisë” – tha në një konferencë shkencore kryetari i parlamentit Gramoz Ruçi.

Parlamenti ishte i përbërë nga anëtarë me bindje të ndryshme politike, të cilët bashkëpunuan për të shpëtuar dhe zhvilluar Shqipërinë. Ata vlerësohen si burra themelues patriotë e idealistë, që mbrojtën vendin e tyre në ditët më të errëta.

“Kontributi i tyre është edhe sot një leksion që duhet përsëritur, në mënyrë që çdo shqiptar, qytetar i thjeshtë, aktivist, politikan a klerik të mos harrojnë se në fillim është kombi dhe mbrothësia e tij, më pas vijnë individët dhe karrierat e tyre. Respekti për qytetarin, për të drejtat dhe interesat e tij dhe përpjekja për të mbrojtur ligjet që sanksionojnë dinjitetin e tij janë detyrime të përhershme që na vijnë nga Kongresi i Lushnjes” – theksoi në një mesazh kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha.

Kongresi i Lushnjes dhe institucionet që krijoi ai i dha fund në janar 1920 qeverisë së përkohshme të Durrësit, që ishte krijuar një vit më parë.

Qeveria dhe institucionet e tjera të formuara në Lushnje u zhvendosën më pas në Tiranën kryeqytet, ku vazhdojnë edhe sot funksionimin e tyre prej 100 vjetësh.

Lushnjes iu kthye vajza e saj një herë e përgjithmonë

Lushnjes iu kthye vajza e saj një herë e përgjithmonë. Më e mira e të gjithave. Vaçe Zela!

Prej disa ditësh në mes të qytetit të Lushnjes është vendosur statuja e Vaça Zelës, ashtu si na është fiksuar, duke kënduar  “Moj Arbëri” dhe duke i rënë kitarës.

NJë vepër e mrekullueshme e skulptorit të talentuar Arben Bajo e ka portretizuar artisten me një vërtetësi të rrallë!

Në përurimin e saj në Lushnje kishin shkuar artistë të njohur, si Irma dhe Eranda Libohova, Sidrit Bejleri, Orgesa Zaimi e të tjerë.!

Nuk mungonte padyshim edhe vajza e vetme e Vaçes Zelës dhe Pjetër Rodiqit,  Irma Rodiqi, e cila përmallshëm në rrjetin social shpreh mirënjohjen dhe shkruan:

“Falemnderit Lushnja e shtrenjtë e nënës sime!”

Vaçja e donte pa kushte Lushnjen dhe Lushnja po ashtu!

Vendosja e statujës përkon me organizimet e rastit të 100-vjetorit të Kongresit të Lushnjës.