Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Bashkimi Europian është duke hartuar plane të qarta për dërgimin e trupave në Ukrainë, si pjesë e garancive të sigurisë pas përfundimit të luftës. Deklarata u bë gjatë një interviste për Financial Times, ku ajo nënvizoi se çështja është “kritike dhe me rëndësi madhore” për të ardhmen e sigurisë europiane.
Sipas saj, ekziston tashmë një “hartë e qartë rruge” dhe një marrëveshje paraprake me Shtëpinë e Bardhë, e cila garanton mbështetjen amerikane në këtë proces.
“Presidenti i SHBA na ka siguruar se do të ketë prezencë amerikane si pjesë e garancive të sigurisë për Ukrainën, dhe kjo është konfirmuar në mënyrë të përsëritur,” deklaroi von der Leyen.
Këto deklarata vijnë në një moment kritik, teksa debati për arkitekturën e sigurisë së Ukrainës pas mbarimit të luftës me Rusinë është intensifikuar. Vendet europiane dhe aleatët perëndimorë janë në diskutime për të shmangur një përsëritje të agresionit rus, dhe për të siguruar një prani ndërkombëtare të qëndrueshme në territorin ukrainas. gsh