-Nga Azgan Haklaj, ish deputet i Kuvendit të Shqipërisë, President i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar –
Në 19 vjetorin e rënies heroike në betejën homerike të Kosharës të poetit, dramaturgut strategut, luftëtarit spartan, Komandant “Katanës”, Agim Ramadanit po perifrazoj vargjet e tij lapidare.
” M’u shtershin sytë nëse pushoj
Lirinë tënde tuj ëndrrue,
Mallkuar qoftë gjaku im,
Nëse më vrasin pa luftue”
Agim Ramadani ishte personifikim i qëndresës në Kosharen legjendare, simboli i shembjes së kufirit 100 vjeçar mes shqiptarëve.
Djaloshi i Karadakut solli në Koshare epokën e Idriz Seferit, të betejave për liri dhe pavarësi që populli i ka refren të shpirtit.
” Ka kris pushka si n’Karadak
Gur e dru janë la në gjak”.
Beteja e Koshares është betejë e përgjakshme, ku humbën jetën 114 deshmorë të Atdheut.
Mw datë 11 prill 1999 ra Agimi për të paralajmëruar Agun e Lirisë. Ai ishte njeri prej hartuesve dhe zbatuesve të Operacionit “Shigjeta”.
I pari që shembi kufirin Shqipëri-Kosovë.
Sot nderohet e respektohet nga Kombi Shqiptar.
Napoleon Bonaparti thoshte: “Nderi më i madh në jetë eshtë plaga në sherbim të Atdheut”.
Shkrimtari Viktor Hygo ka lanë një postulat. “Dua të bëj një vepër në sherbim të Atdheut pastaj le të vdes. Agim Ramadani e ka kaluar sentencën e Bonapartit. Ai dha jetën për çlirimin e Kosovës dhe mbeti simbol i shembjes së kufirit mes shqiptarëve.
Vepra e tij në shërbim të Atdheut është derdhur në bronx. Shtatorja e tij në Gjilan tregon se ai nuk vdes kurrë.
Sa herë shkoi në “Flakën e Janarit” e takoj dhe është si atëherë në luftë. Ka mbetur i ri, as nuk është thinjur, as nuk është mplakur. Balli fisnik ju ka rrudhur nga dhimbja për Preshevën dhe syrin shqiponjë e ka andej duke na thënë mos e harroni.
Ilir Shaqiri e ka gdhendur në këngë veprën e tij.
“Në male të Koshares kris një pushkë e vjetër,
Me lirinë moj loke djali po t’vjen n’Zhegër
Prapë në Dardani po bie tupani,
Vjen n’dasëm t’Kosovës, Agim Ramadani.”
Ne foto: Azgan Haklaj te Shtatorja e Agim Ramadanit ne Kosove.
Komentet