Në dhomën e katit të epërm, apo, si i thonë me gjuhën moderne, në papafingo, mbyllur me çelës, në atë që ajo e quan “dhoma e fshehtë” dhe “dhoma e thesarit” janë fotokopjet e dorëshkrimeve, letrave, dokumenteve të tjerë, dhjetëra fotografi të shkrimtarit, në kohë dhe vende të ndryshme, me bashkëshorten, miq e kolegë, më shumë me shqiptarë të diasporës. Atje janë edhe nga disa kopje të së gjithë librave të tij. Fillojnë me Nji fyell ndër male (1953), nxjerrë në dritë në Prishtinë nga Mustafa Bakija, vazhdojnë botimet në Mynih në shqip, në gjuhë të huaja: anglisht, gjermanisht, italisht, dhe përmbyllen me botimet e fundit nga Camaj-Pipa në Shkodër. Si breshka e tij e adhuruar, që “kudo që vete e merr shtëpinë me vete”, edhe ai prej Beogradi, në Romë e në Mynih e ka mbartur me vete të gjithë fondin e botimeve dhe bibliotekën. “Dhoma e fshehtë” a “dhoma e thesarit” është si një bibliotekë-arkiv. Krejt hapësira e saj është me rafte që arrijnë në tavan, në të cilët, në mënyrë të rregullt dhe metodike janë vendosur librat, dorëshkrimet, letrat, këto dy të fundit të klasifikuara në dosje më vete sipas emrit të atij që i drejtohet. Përveç shqipes, disa syresh janë në gjermanisht, italisht dhe anglisht. Tërë këtë punë, mbledhjen, klasifikimin, sistemimin, mirërregullimin e ka bërë zonja Erika. Për ta kryer sa më mirë, në këto vite, ka mësuar edhe më shqipen. Ajo është tepër e kënaqur, që miqtë dhe kolegët i kthyen kopjet e letrave që u kishte dërguar Martini dhe shpreh keqardhjen, që dy-tre prej tyre nuk iu përgjigjën kërkesës së saj.
Një nga befasitë e shtëpisë Camaj është “Dhoma shqiptare”, të cilën Zonja Erika ua tregon miqve me kënaqësinë të veçantë. Ajo është një mikromuze. Sapo hyn te dera ndjen se je në një mjedis familjar shqiptar. Tryeza e madhe e drurit me ndenjëse të rënda e të mëdha; tepsi, gjyma, pjata dhe orendi të tjera bakri; punime zbukurimi punuar në lesh me motive karakteristike, ngjyrat kuqezi dhe, natyrisht, diku, edhe shqiponja dykrerëshe. Dhe, më tërheqësi, oxhaku i madh me trungje, që për të shtuar ngrohtësinë e kësaj pritjeje ndizet edhe kur nuk është ftohtë. Këtu darkuam natën e fundit të ndenjtjes, ku shijuam gjellë karakteristike gjermane, sigurisht, edhe nga birrat e famshme të Mynihut.
-Kjo, na shpjegon Zotëri Lankschi, është edhe zyra e Shoqatës Martin Camaj, ku zhvillohen mbledhjet e kryesisë ose veprimtari të ndryshme për Martinin.
Të nesërmen u kthyem me tren. Kaluam në atë stacion të vogël fshati, përshkuam atë hekurudhë, ndoshta, edhe me një nga trenat me të cilët Martini e ka bërë këtë rrugë me dhjetëra e qindra herë, kur shkonte të jepte mësim në Mynih. Në tren biseduam gjithë kohës. Një grup grash dhe vajzash herë pas here na shikonin, sa unë, si i huaj, u vura disi në pozitë. Pas disa minutash që na dëgjonin me vëmendje, njëra prej tyre, ajo që kishte parë më shpesh nga ne, u ngrit dhe iu drejtua zoti Lankschit:
-Mund të më thoni se ç’ gjuhë flisni?
-Shqip, – iu përgjigj ai.
Papritur u dëgjua një duartrokitje e fortë që tronditi gjithë vagonin, dhe disa prej tyre që i thoshnin: “Fitove, të lumtë!” Ajo, për të mos e keqkuptuar ne, na kërkoi të falur dhe na shpjegoi se diskutonin me njëra-tjetrën se ç’gjuhë flisnim. Mendimet ishin të ndryshme. E krahasova me gjuhët që kisha njohuri, – vazhdoi ajo, dhe nuk më dukej as ndonjë gjuhë baltike, as hungarisht, dhe atëherë u thashë shoqeve, se ishte shqip, meqë për shqipen nuk dija asgjë dhe nuk kisha dëgjuar ndonjëherë të flitej. Por, të them të drejtën, – sqaroi ajo, mua më dukej se ky zotëria fliste italisht, kurse ju, i tha Lankschit, shqip.
-Shikon, ç’dallim kanë dialektet e shqipes? – mu drejtua Lankschi. Ti që flisje toskërisht atyre u dukej se flisje italisht.
Sapo zbrita në Mynihun me qarkullim tepër rigoroz automjetesh dhe njerëzish, bëja përpjekje që trysnia e qytetit të madh me veprat e shumta të artit, historike a shoqërore mos të m’i shqiste nga kujtesa mbresat e Lengrisit dhe të shtëpisë Camaj./B. Kuçuku
Komentet