ZVICËR- Që në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, një foto ka qarkulluar në mediat shqiptare dhe në rrjetet sociale me shpejtësi. As më pak as më shumë, në foto ishte kryeministri Edi Rama bashkë me bashëshorten Linda Rama në një aeroport të Zvicrës.
Deri këtu çdo gjë është normale, por nëse e sheh me vëmendje atë foto, duket dhe një personazh tjetër në të. Ambasadori i Shqipërisë në Zvivër Ermal Dredha, i cili ishte si një mazhordom personal i kryeministrit Rama, i cili i mbante çantat dhe valixhet nga pas, teksa Rama dhe bashkëshortja ecnin para të pashqetësuar.
Vetëm disa orë më vonë, ka qenë ish-oficeri i Antidrogës, Dritan Zagani, i cili ka publikuar një video të kryeministrit Rama në një ambient, mes personave të tjerë duke konsumuar pije, ndërkohë që e ka akuzuar se po shpërdoron paratë e qytetarëve shqiptarë.
“Sheshet e Tiranes plot, ky ha e pi ketej me leket tuaja….vazhdoni ju protestoni paqesisht se jeni pupull i kulturuar, ashtu si do ky,” shkruan Zagani.
Vetë kryeministri Rama ka reaguar për videon e publikuar të tij në Zvicër, duke sqaruar se ishte i ftuar privatisht nga ArtBasel që është panairi i përvitshëm i galerive më prestigjoze të artit në botë. Por duke shkruar këtë, Rama prishi dhe gojën duke thënë se s’ka bir nënë dhe bir kurve që të gjejë në xhepin e tij një qindarkë që nuk është fituar në mënyrë të ndershme.
“Rreth njëzetë vite më parë, kur nuk më ishte regjur ende lëkura me baltën e shpifjeve e të akuzave pa hesap, pata vënë kujën publikisht duke thënë që “s’ka bir nëne a bir k…, që të gjejë në xhepin tim një qindarkë që s’është fituar me punë të ndershme”, theksoi Rama ndër të tjera.
Por Zagani nuk u mjaftua me aq, pasi vetëm pas reagimit të Ramës, publikoi dhe detaje të tjera nga vizita e Ramës në Basel. Teksa Rama në postimin e tij, shkroi se po pinte ujë, Zagani e ka përgënjeshtruar duke theksuar se po kthente gotat me verë të kuqe.
“Ai edhe kur justifikohet gënjen si derr 2 metra, sepse edhe statusin ku thote isha ai po e shkruan akoma nga Hotel Mowenpik(nje hotel i ri dhe me luksoze i shtrenjte ne Basel). Dhe nuk po pinte uje por i kthente gotat me nje leng te kuq(vere e kuqe mendoj se spi leng qershie ky mashtrues) me nje te ngritur i nxirrte fundin si i babëzitur,” shkroi Zagani.
Ndërsa ka shtuar se Rama në Basel, është duke qëndruar në hotelin Movenpick, që sipas kërkimeve që Dosja.al, bëri në internet në lidhje me hotelin, rezulton që është ndër më luksozët dhe të shtrenjtët ne atë qytet, ku për një natë një dhomë shkon deri në 800 euro.

Hoteli
Ka qenë dhe gazetarja politike Ambrozia Meta, e cila i ka kujtuar Ramës udhëtimet e tij të kripura bashkë me familjen disa herë jashtë vendit, pasi vetë kryeministri ngulmoi se nuk ka qenë asnjëherë jashtë shtetit për pushime gjatë kohës që është kryeministër i vendit. Meta teksa ka ironizuar postimin e Ramës mëngjesin e sotëm, ia rikthyer në kujtesë vizitën e Ramës disa vite më parë në Majemi, duke parë një ndeshje të NBA-së, ku çmimet e biletave shkonin në disa mijëra dollarë.
“Sepse psh edhe kur shkoi me familjen para disa viteve, për të parë ndeshje basketbolli në Majemi, me bileta të kripura, dhuratë e padeklaruar, nuk quhen pushime. Ata ishin aty për të tërhequr investorë të huaj,” shkruan Meta, teksa ka kërkuar që Rama të bëjë transparencë me udhëtimet e veta që i ka klasifikuar si sekret shtetëror me vendim qeverie.
Por dhe ish-komandanti i Forcave Detare Artur Meçollari ka ngritur një shqetësim në lidhje me vizitën e Ramës në Zvicër. Shqetësimi legjitim i Meçollarit është fakti që nëse vizita e Ramës në Zvicër ka qenë private, pse duhet që të dilte ta priste Ambasadori i Shqipërisë në atë vend, dhe për më tepër, të bëhej si shërbëtor, duke i mbajtur çantat dhe valixhet.
“O KM. Si e ke katandisur titullin Ambasador i RSH,” thekson Meçollari.
Ajo që mbetet të kuptohet nga kjo ngjarje është se ka shumë paqartësi në lidhje me natyrën e vizitës së Ramës në Zvicër. Por dhe fakti se udhëtimet e Ramës me charter, apo shpenzimet e tij në lidhje me udhëtimet jashtë vendit, si zyrtare apo private janë në errësirë totale, tregon se diçka ka për të fshehur./Dosja.al