SYRI TV
Në vazhdën e një reagimi të gjerë publik, këtë të shtunë, ish-të burgosur politikë, aktivistë, gazetarë dhe qytetarë u mblodhën për të protestuar kundër ndërhyrjeve në ish-burgun famëkeq të Spaçit. Protesta u zhvillua në hapësirat e kampit që dikur shërbeu si simbol i represionit komunist, ndërsa pjesëmarrësit e konsideruan restaurimin aktual si një akt tjetër dhune ndaj kujtesës dhe një përpjekje për të zbardhur të shkuarën. Kundër ndërhyrjeve në Spaç, Fatos Lubonja që i ka përjetësuar vuajtjet në letër, kundërshtoi punimet.
Një valë e fortë reagimesh erdhi edhe nga ish i burgosuri Demir Pojani, që përjetimet e asaj kohe i ka të freskëta, ndërsa aktivistët nuk tërhiqen nga misioni i tyre për të mos zhbërë historinë dhe kujtesën përmes Spaçin.
Punimet, që fillimisht nisën me suvatimin e dhomës së vizitave, tashmë janë zgjeruar edhe në ambientet përreth. Syri TV ka dokumentuar blloqe me tulla të kuqe të vendosura në hapësirën e shkatërruar të higjienës, përballë fjetores, ku pritet të ndërtohet për nevojat e xhirimeve të filmit “Revoltë në ferr”.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj tha se ndërhyrjet jo vetëm që janë të papranueshme moralisht, por edhe të paligjshme, dhe paralajmëroi ndjekje ligjore ndaj institucioneve përgjegjëse dhe ekzekutorëve të projektit.
Thirrja për reagim qytetar vjen në një kohë kur Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Instituti i Trashëgimisë Kulturore kanë aprovuar punimet që po kryhen në burgun e Spaçit.