Me thirrjet “Rama jep dorëheqjen”, “Shqipëri e re”, mijëra qytetarë mbushën sërish për mbi 5 orë rrugët e Tiranës në ditën e 13-të të protestës masive kundër qeverisë, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.
Qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të vijuar përpara kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime nga qytetarë të moshave dhe profesioneve të ndryshme, të cilët ndanë problematikat që përballen.
Ashtu sikurse çdo ditë, vëmendje të veçantë tërhoqën pankartat e protestuesve, të cilat përcillnin mesazhe ironike dhe kritike si “Populli nuk është në rrezik, populli është vetë rreziku”, “Duam Pelikanin, jo tiranin”, “Ata na zhgënjyen, tani është radha jonë” dhe “Mjaft Rama, kjo qeveri ka skaduar”.
Më pas, protestuesit marshuan nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit. Marshimi përshkoi bulevardin kryesor, rrugën “Myslym Shyri”, zonën pranë Drejtorisë së Policisë, sheshin “Wilson” dhe u rikthye drejt qendrës së qytetit.
Ata kaluan edhe nga pranë Kuvendit, ndërsa një ndalesë simbolike u bë edhe në sheshin “Italia”, ku më herët gjatë ditës kryeministri Edi Rama zhvilloi aktivitetin për 35-vjetorin e Partisë Socialiste.
Qytetarët deklaruan se mobilizimi i tyre do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke theksuar se nuk do të tërhiqen derisa kërkesat e tyre të marrin përgjigje.
Ditën e nesërme, të shtunën, është parashikuar që tubimi të jetë edhe më masiv, për shkak se pritet që të vijnë edhe shumë emigrantë në diasporë, të cilët mbështetjen e tyre e kanë treguar edhe duke dalë nëpër sheshet e vendeve ku jetojnë, duke kërkuar gjithashtu rrëzimin e Ramës.
Kujtojme që protesta nisi fillimisht si një reagim kundër projektit turistik në Zvërnec, por ajo është shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare ndaj keqqeverisjes.
Protestuesit kanë artikuluar një sërë shqetësimesh që lidhen me qeverisjen e Edi Rsmës, problemet në sistemin shëndetësor, korrupsionin, koston e jetesës dhe çështje të tjera sociale e ekonomike që i prekin. Kërkesa e tyre kryesore është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.