Shpenzimet e ulëta publike për shëndetësinë në Shqipëri nuk ndikojnë vetëm te cilësia e shërbimit, por edhe te jetëgjatësia e qytetarëve dhe zhvillimi ekonomik i vendit. Ky është përfundimi i një raporti të përgatitur nga ekspertë ndërkombëtarë për llogari të Dhomës Amerikane të Tregtisë, i cili paralajmëron se nënfinancimi i sektorit po sjell pasoja të rënda si në shëndetin e popullsisë, ashtu edhe në ekonomi.
Sipas raportit, mijëra shqiptarë humbin jetën para kohe për shkak të nivelit të ulët të investimeve publike në sistemin shëndetësor. Përveç kostos njerëzore, dokumenti vlerëson se barra e sëmundjeve ul produktivitetin e forcës së punës, frenon inovacionin dhe shkakton humbje të konsiderueshme ekonomike.
Në vitin e kaluar, shpenzimet publike për shëndetësinë në Shqipëri ishin mesatarisht 330 euro për banor, një nivel rreth pesë herë më i ulët se në vendet e ngjashme të rajonit dhe dhjetë herë më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian.
Ekspertët argumentojnë se rritja e fondeve publike për rimbursimin e barnave, zgjerimin e aksesit në terapi bashkëkohore dhe forcimin e programeve të depistimit dhe diagnostikimit të hershëm të sëmundjeve do të sillte përfitime të konsiderueshme. Sipas tyre, nëse Shqipëria do t’i afrohej niveleve të financimit të vendeve të rajonit, ekonomia mund të gjeneronte mbi 560 milionë euro prodhim shtesë çdo vit.
Raporti rekomandon që qeveria të ndërmarrë një plan gradual për ta çuar financimin publik të shëndetësisë në 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2030, nga 2.9% që është aktualisht.

Për realizimin e këtij objektivi do të nevojiteshin 457 milionë euro financime shtesë. Nga kjo shumë, 287 milionë euro do të përdoreshin për zgjerimin e rimbursimit të ilaçeve, terapive moderne dhe programeve parandaluese, ndërsa pjesa tjetër do të investohej në kujdesin shëndetësor parësor, mbështetjen për personelin mjekësor, mirëmbajtjen e infrastrukturës dhe investimet në dixhitalizim.
Autorët e raportit theksojnë se kjo nuk duhet parë si një barrë për buxhetin, por si një investim me kthim të lartë ekonomik, pasi përmirësimi i shëndetit të popullsisë ndikon drejtpërdrejt në rritjen e produktivitetit dhe zhvillimin ekonomik.
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se vendet që shpenzojnë më pak se 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për shëndetësinë janë ato që përfitojnë më shumë nga rritja e investimeve në këtë sektor.
Megjithatë, raporti evidenton se parashikimet e Programit Buxhetor Afatmesëm tregojnë një ulje të mëtejshme të peshës së shpenzimeve publike për shëndetësinë në raport me ekonominë. Sipas autorëve, kjo qasje rrezikon të thellojë kostot sociale dhe ekonomike, në një kohë kur kërkohet rritje e investimeve në shëndetësi. bw












Panoramë kaotike
Kah je? Ksajde. A dalim ecim pak? Dalim. A po del menjëherë? Po. Behëmi bashkë. Duke u parë në sy dhe duke zgjatur duart me nga një “si je e ç’bëre e si ia kalove”. Hë, kah po shkojmë? A po e vazhdojmë ecjen e zakonshme a ndërrojmë pak rrugëtimin edhe pse s’flitet për ndonjëfarë ndryshimi lëvizjesh kushedi se çfarë. Merremi vesh. Kuptohemi. Pajtohemi që rrugëve t’u japim këmbëve edhe pse keq s’do të ishte të udhëtonim me pajton a mjete tjera lëvizjeje më bashkëkohore. E vazhdojmë ecejaket në ambientin tollovitës e trullosës me kujdes të shtuar duke tejkaluar vetura të parkuara trotuareve të ngushta, por kjo s’do të thotë të mos gostitemi me ndonjë sirenë që po të jetë e ndonjë mjeti të rëndë transportues ka për t’i dhuruar do të rrëqethura të forta trupi. Dhe nëpër mend vërtiten pamje të shumta aksidentesh, vetaksidentesh e incidentesh që kemi parë jo vetëm kronikave mediale. Dhe ne të humburit e të zhgënjyerit e mëdhenj humbasim nëpër fjalë. Humbim nëpër shpërthime e plasje fjalësh sikur mjete lëndësh plasëse për aktu(ban)alitetin shoqëroro-politik e mjerano-idiotik. Që vazhdon. Pamjet e përditshme me prindër me fëmijët e tyre përdore duke i dërguar e marrë prej shkolle, e shkolla të duket si kamp refugjatësh dhe mendja të vete se mos po na vije puna se është duke na ardhur puna të mësojmë përsëri të mësojmë nëpër shkolla shtëpi si atëherë në robëri në sistemin paralel. Ku nuk na shkon mendja neve robërve të lirë e modern. Lëmë mendjen të lirë dhe shfrytëzojmë rastin për t’iu drejtuar një të njohuri për të ndërruar kokën e një poçi të djegur elektrik dhe për një gyp uji që rrjedh. Kryen punë dhe i lehtësuar që ndonjë usta për kaq punë nuk ta rrëmben një 10-she a 20-she mbase dhe më shumë. Dikur një copë dite mund ta kalosh në ndonjë qendër të madhe tregtare, fëmijët t’i lëshojmë brenda kënde lojrash e vetë të ndodhemi përballë një espresoje në kafenenë që mban emrin e një kryeqendre të njohur jo vetëm europiane. E sytë mbi ajfon, samsung e bredh diku e bredh dikund. Si e thotë njëra prej këngëve: “Fati ynë shpresë dhe marrëzi”. Mund edhe ta lexosh libër-thin që e bleve në njërin nga kioskat e librave në sheshin e kryeqendrës me titullin: “Fati i njeriut”. A të shfletosh të hënën një gazetë të dieleje që e blen të shtunën. Gjumin mund ta bëjmë jo të lehtë e me ëndrra plumb të rënda. Zgjimi sjell fjalë të papunësh e punëtorësh që të lodhur me kokat tym e të pëhumbur e të mrrolur, themi çka është kah bëhet e deri në vit të ri a po ka liberalizim. Një roje rri para një shumëkatëshje së cilës po i bëhet izolimi, e dikush aty ushqen dy mace. Është natë dhe fryen erë. Kanë nisur të përhapen fjalë se Kosova së shpejti mund të mbesë me 300 mijë ose 400 mijë banorë… Përditshmëria përsëritet. Pret ftesën me fjalët: Kah je, a po dalim?…