Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ishte e pranishme në ceremoninë shtetërore të homazheve në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano, të mbajtur në Pallatin e Kongreseve. Megjithatë, ajo që ra në sy ishte se alluku u pa të qëndronte e vetme, ndryshe nga pjesa tjetër e kabinetit që mori pjesë në ceremoni.
Prania e saj e vetme vjen vetëm pak ditë pasi SPAK e ka marrë zyrtarisht të pandehur, në kuadër të hetimeve për tenderin e tunelit të Llogarasë, pjesë e projektit të rrugës Orikum–Himarë, që shënon një seksion të autostradës Vlorë–Sarandë.
Prokurori i çështjes, Dritan Prençi, i ka komunikuar Ballukut akuzën për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, që nënkupton dyshime për favorizim të operatorëve ekonomikë në një proces prokurimi publik. Balluku është paraqitur në SPAK më 31 tetor, e shoqëruar nga motra e saj, Pamela Qirko, ish-anëtare e Komisionit të Vettingut, e cila do ta mbrojë ligjërisht.
Sipas SPAK-ut, hetimi është përqendruar në veprimet e Ballukut si ministre gjatë zhvillimit të procedurës për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, por nën hetim janë edhe tenderë të tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës, përfshirë Aeroportin e Vlorës dhe autostradën Thumanë–Kashar, siç konfirmoi më herët kreu i SPAK, Altin Dumani.
Tuneli i Llogarasë, me një fond limit prej afro 190 milionë euro pa TVSH, është një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend. Hetimet e SPAK nisën pas arrestimit të ish-drejtorit të ARRSH-së, Ervis Berberi, në telefonin e të cilit u zbuluan komunikime të rëndësishme për çështjen.
Ndërkohë, për të njëjtin tender, janë thirrur për t’u njohur me akuzat edhe zyrtarë të tjerë të Ministrisë, përfshirë drejtorin aktual të ARRSH-së, Gentian Gjylin.
Në Pallatin e Kongreseve, Balluku nderoi arkëmortin e Fatos Nanos me një përkulje të shkurtër, por pa u ulur në rreshtat e rezervuar për kolegët e kabinetit. Një prani simbolike, në një moment të vështirë politik dhe personal për numrin dy të qeverisë.gsh