Kur vdesin njerëzit si Nexhmije Pagarusha, qajnë edhe pleqt, krojet shterrojnë e lumenjët nuk ecin. Zogjtë e malit në rremat e degëve të thatë e ndalin këngën, bilbili ka vdekur.
Harta e Shqipërisë në Abetare, marrë nga Abetarja
Dje vdiq dada Nexhë. Nuk kishte grua që mund të këndonte si dada Nexhë e nuk mud askush ti këndoj bareshës më mirë se dada Nexhë.
Katundi Pagarushë në Kosovë njihet si katundi i Vesel Pagarushës, baba i dadës Nexhe dhe më vonë, emri i katundit Pagarushë do të njihet edhe përtej kufinjëve të Kosovës.
Jo rastësisht, kemi Ramë Bllacën nga katundi Bllacë, Shaban Polluzhën nga Polluzha e Drenicës e Ismail Qemail Vlorën nga Vlora.
Po kështu katundin Pagarushë që Nexhmija ia rriti namin, po aq sa edhe Vlorës, që Ismail Qemaili e bëri të njohur edhe përtej Jonit e Atlantikut, mixha Shaban, Polluzhës etj.
Pagarusha mburret me Nexhmijen sikurse Nexhmija që mburret me katundin e katundarët që asnjëherë nuk i harroi dhe aty deshi të varroset në Pagarushë, sipas adeteve të pagarushasve.
Nuk është e vështirë me e krahasua, bile është me vend që dadën Nexhë ta krahasojmë me këta tre burra, për kontributin, gjithkush në mënyrën e vetë se si ditën e mundën për të mirën kombëtare.
Plaku Mjekërr Bardhë, Plaku i Vlorës, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Plaku i Vlorës ishte deputet i Perandorisë Osmane. Ai mund të jetonte një jetë Beu, por e la luksin dhe erdhi te Vlora, te Joni.
Edhe mixha Rama ishte posllanik (pra deputet) në skupštinen e Beogradit por ai këthehet në Bllacë që nuk është larg Pagarushës, sepse Balta e Bllacës ishte më e ëmbël se marmelada e Beogradit.
Abetarja që Vesel Pagarusha, baba i Nexhmijes e shprendante në Kosovë
Mixha Shaban, nuk deshi të shkoj pas aradhave partizante të Titos e të Enverit, me ”e ndjek fashizmin gjerman” por këthehet në Drenicë, aty ku četnikët e Draža Mihailovićit, të veshur me rrobat partizanësh e me yllin pesë rremësh i mbysnin me dajak, i thernin me singia e i prenin me thika drenicakët. Mixha Shaban, nuk i besoj e nuk deshi ta haj çorbën komuniste e sllave. Vesel Pagarusha, babai i Nexhmijës, ishte ndër të parët, (ndoshta i pari dhe i vetmi) bashkë me Kadri Minushin e Damanekut, që merrte ABETAREN në Shqipëri dhe e shprëndante në Kosovë, i bindur se Abetarja, shkrim- këndimi ishte po aq i nevoshëm sa edhe drita e diellit, uji e buka.
nga Abetarja: Ismail Qemali
Po Nexhmija Pagarusha?
Nexhmija u lind më 7 maj 1933 në Pagarushë, katund në jug-lindje të Malishevës, në mes të bjeshkëve të Rahovecit, të Suharekës dhe Malishevës. Si bijë e atdhetarit, Vesel Pagarusha, i cili me shkollë e arsim deshi ta arsimoj popullin e dashur e analfabetë të Kosovës, Nexhmija shkoi edhe më larg, ajo me muzikë, me një muzikë që ishte e rrallë dhe e zorshme me u këndua aso kohe, i këndoi në mënyrën e vetë jetës e punës së shqiptarëve. Ajo ishte një rilindase në muzikë.
Në Kosovë dhe nga pleqt plakat, këngët e Nexhmijës njihen edhe si ”kompozime” dhe jo fort të pëlqyeshme siq ishin ato që ishin këndua tradicionalisht nga shahirat dhe vetëm nga burrat, si Xhelir Islami e Muhamet Kajtazi, Ali Paci e Bajram Sadiki, Salih e Feriz Krasniqi, Lam Tapalli, Dul Zenuni, Beq Jaha e … Kravasaria etj.
Prandaj nuk ishte e lehte për Nexhmijën e as për ata që e dëgjonin ne Radio, ta ”pranojnë” Nexhmijën.
Ajo, ishte një korife e muzikës së lehtë por që askush deri atherë nuk kishte këndua, jo në Kosovë dhe as tash nuk mund të këndoj si ajo, asnjë këngtar e këngtare. Para saj, Salih Bajram Krasniqi, që gjithashtu të parët e Salihit kishin ardhur nga Pagarusha, në Vllashki Drenofc, këndonin këngë folklorike, që janë shumë të njohura dhe me një emërtim ndryshe, si këngë trimërie, arshiki. Vetë Nexhmija thonte kur vdiq Salih Bajram Krasniqi (më 1987), si Salihi nuk ka më.
Alfabeti, sipas Abetares që i shprendante Vesel Pagarusha dhe Kadri Minushi
Nexhmija u bë e njohur dhe e dashur në tërë ish Jugosllavinë dhe kudo që këndoi ajo e kudo që kishte shqiptarë, në Evrope e Amerikë, ajo shkëlqente.
Ajo nuk vrapoi pas parasë, pas pasurisë e as pas famës. Nexhmija theu tabu-në që deri atherë kishin popullsia e Kosovës mbi këngët që këndoheshin në ish RP-në (Radio Prishtinën) që këndonin kryesisht burrat dhe ata, qytetarë. Nuk ishte vetëm Salih e Feriz Krasniqi, Tahir Drenica e Hashim Shala apo Qamili i Vogël, e Ismet Peja, si burra por Nexhmija shpejt do të bëhet e pëlqyeshme edhe për ato plaka që ”nemshin” Pagarushën e thonin se gruaja është vetëm për vek e për punët e shtëpisë.
Prandaj emri i Nexhmijës, është i pavdeshëm sa edhe ai e veprimtarive tjerë në politikë, në punë atdhetare, në arsim e në kulturë, si ai i I. Qemalit e Ramë Bllacës, i Shaban Polluzhës e Vesel Pagarushës dhe pa e harrua Salih Krasniqin, apo Salihin e madh që Nexhmija e çmonte shumë.
Kur vdesin njerëzit si Nexhmije Pagarusha, qajnë edhe pleqt, krojet shterrojnë e lumenjët nuk ecin, zogjtë e malit në rremat e degëve të thatë e ndalin këngën.
Nexhmija vdiq dje, më 7 shkurt 2020. Nuk ka më Nexhmije e nuk do të ketë më si Nexhmija.
Sinan Kastrati, Suedi
Malmö, 8 shkurt 2020
Komentet