Podujevë, 11 dhjetor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, mori pjesë në vënien e gurthemelit për ndërtimin e tribunave të lindjes në Stadiumin “Zahir Pajaziti”.
Investimi në vlerë prej afër 2 milionë euro, përfshin përveçse tribunën e lindjes dhe ulëse të reja, përfshin mbulim të tribunave perëndimore, veriore dhe jugore, si dhe ndriçim të plotë të fushës, duke mundësuar kështu zhvillimin e ndeshjeve edhe në mbrëmje.
Kryeministri Kurti tha në prononcimin e tij se Klubi Futbollistik “Llapi” ka një traditë të gjatë, është themeluar në vitin 1932, dhe nga këtu kanë dalë edhe yje të futbollit, në mesin e tyre Fadil Vokrri dhe Fevzi Rama. “Prandaj, përveç që e kemi obligim, besoj që është tejet e dobishme sepse investimi në sport, e posaçërisht në futboll në këtë stadium këtu në Podujevë do të inkurajojë, do të zbulojë, e do të ushqejë talente të reja, të cilët në vitet në vijim natyrisht se do ta ngrisin lartë e më lartë futbollin e vendit tonë dhe të sportit në përgjithësi”, tha ai.
Gjithashtu theksoi se këto investime do ta shndërrojnë Stadiumin “Zahir Pajaziti” në stadium sipas kritereve të UEFA-s, e që natyrisht do të jetë një shtysë më shumë për suksese edhe më të mëdha.
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Jemi këtu bashkë me kryetarin e Komunës së Podujevës, profesor Shpejtim Bulliqin dhe me ministrin në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekun, si dhe me kolegë të tjerë nga Qeveria dhe Kuvendi, me rastin e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e tribunave të lindjes në Stadiumin “Zahir Pajaziti” këtu në Llap, ku luan Klubi Futbollistik “Llapi”.
Klubi Futbollistik “Llapi” ka një traditë të gjatë, është themeluar në vitin 1932, pra edhe pak bëhet 100 vjeç ky klub dhe ne i kemi shumë borxh për shkak se nga këtu kanë dalur yje të futbollit, e në historinë tonë më të re që e mbajmë mend edhe vetë ne duhet përmendur Fadil Vokrrin dhe Fevzi Ramën. Prandaj, përveç që e kemi obligim, besoj që është tejet e dobishme, sepse investimi në sport, e posaçërisht në futboll në këtë stadium këtu në Podujevë do të inkurajojë, do të zbulojë, e do të ushqejë talente të reja, të cilët në vitet në vijim natyrisht se do ta ngrisin lartë e më lartë futbollin e vendit tonë dhe të sportit në përgjithësi.
Siç mund ta shini këtu janë tri tribunat, perëndim, veri dhe jug dhe vendosja e gurthemelit për tribunat e lindjes, praktikisht e kompleton këtë stadium dhe kur i shtojmë edhe kulmet e ulura që do të jenë rreth e rrotull e gjithashtu edhe ndriçimi sipas standardeve ndërkombëtare, e shndërrojnë Stadiumin “Zahir Pajaziti” në stadium sipas kritereve të UEFA-s, e që natyrisht do të jetë një shtysë më shumë për suksese edhe më të mëdha.
Gëzuar e urime Klubit Futbollistik “Llapi” dhe të gjithë llapjanëve e dashamirësve të futbollit e të sportit. Zyra e Kryeministrit
