VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Vdiq bashkëthemeluesi i Microsoft-it, Paul Allen

By | October 16, 2018

Komentet

SHBA, meteorologët konfirmuan katër tornado në Virxhinia

Shërbimi nacional meteorologjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) bëri të ditur se Reston, Fredericks Hall, Barham dhe Forksville janë goditur nga tornado.

Autoritetet theksojnë se janë dëmtuar pemë, shtëpi dhe disa objekte të vogla.

Sistemi i fuqishëm i stuhive të premten depërtoi në jug dhe kërcënoi të sjellë tornadon në pjesë të mëdha të Karolinës dhe të Virxhinias jugore. Në Florida u regjistrua një rast vdekje i një vajze tetë vjeçare. aa

Pyetje të reja për rolin e Presidentit pas publikimit të raportit Mueller

Jim Malone

Pas një hetimi prej 22 muajsh, publiku dhe kongresi amerikan arritën të shohin të enjten raportin e Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Raporti nuk gjeti prova për konspiracion mes fushatës së Presidentit Donald Trump dhe Rusisë, por zoti Mueller dhe ekipi i tij nuk mundi të përcaktonte nëse presidenti ishte përpjekur të pengonte drejtësinë.

Demokratët e opozitës po marrin shkas nga çështja e pengimit të drejtësisë në raport, për të këmbëngulur për hetime të mëtejshme në Kongres.

Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump ishte entuziast pas publikimit të raportit:

“Është një ditë e mirë. U arrit përfundimi: jo bashkëpunim i qëllimshëm, jo pengim drejtësie. Asnjëherë nuk kishte dhe nuk do të ketë”.

Por raporti paraqet një tablo të ndryshme për çështjen e pengimit të drejtësisë, duke përmendur disa raste kur presidenti u përpoq të ndikonte tek hetimi.

Në një rast, zoti Trump urdhëroi juristin e Shtëpisë së Bardhë Don McGahn që të realizonte shkarkimin e Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller, thotë Chad Day i agjencisë Associated Press:

“McGahn e kundërshtoi këtë përpjekje, por tregon se si presidenti, dhe raporti e citon atë, e konsideronte hetimin si një fund të mundshëm të presidencës së tij dhe diçka që do të kërcënonte pushtetin e tij”.

Raporti përshkruan kontakte të shumta mes bashkëpunëtorëve të fushatës së zotit Trump dhe rusëve në vitin 2016, por arrin në përfundimin se kishte mungesë provash për konspiracion criminal mes fushatës dhe Rusisë.

Por zoti Mueller nuk bën vetë një gjykim nëse presidenti u përpoq të pengonte drejtësinë. Raporti nuk arriti në përfundimin se zoti Trump kreu ndonjë krim, por as nuk e shfajëson atë.

Përfundimisht ishte Prokurori i Përgjithshëm, William Barr që vendosi që të dhënat për pengim të drejtësisë nuk justifikonte masa të mëtejshme ligjore.

“Përveç çështjes nëse këto veprime ishin penguese, prova e motiveve jokorruptive është shumë më e fortë sesa çdo akuzë se presidenti kishte synime korruptive për të penguar hetimin”, thotë zoti Barr.

Demokratët ishin të shqetësuar nga detajet e pengimit të mundshëm të drejtësisë dhe menjëherë u zotuan se do të hetonin më tej, siç tha kryetari i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, Jerold Nadler.

“Prokurori i Posaëçm e bën të qartë se ai nuk e ka shfajësuar presidentin dhe përgjegjësia bie tani mbi Kongresin që ta vërë presidentin para përgjegjësisë për veprimet e tij. Kongresi duhet të marrë një raport të plotë, të paredaktuar së bashku me të dhënat e zbuluara nga prokurori i posaçëm, Mueller”.

Pyetjet e mbetura për pengimin e drejtësisë mund të vazhdojnë të hedhin një hije dyshimi mbi Shtëpinë e Bardhë, thotë analisti ligjor David Abraham:

“Nuk jam i sigurt që përfundimet përbëjnë një fitore për presidentin. Por ato pretendime bien ndesh si në faktet që kanë të bëjnë me efektivitetin e ndërhyrjeve ruse, ashtu edhe me përmasat e përpjekjeve të pengimit nga Shtëpia e Bardhë, që nga presidenti edhe më poshtë”.

Përplasjet e vazhdueshme për raportin Mueller, lënë të kuptohet se debati ligjor dhe politik mbi veprimet zotit Trump, mund të zvarritet për një kohë të pacaktuar, thotë analisti politik, Bill Sweeney.

“Nëse kjo vazhdon për javë dhe muaj me radhë, do të jetë një çështje tjetër përçarëse në një vend që është i përçarë”.

Prokurori i Përgjithshëm Barr ka marrë thirrje për të dëshmuar në Kongres muajin e ardhshëm dhe demokratët duan gjithashtu që edhe vetë Prokurori i Posaçëm Mueller të dalë në seancë në të ardhmen e afërt.

SHBA, demokratët kërkojnë raportin Mueller të paredaktuar

Në SHBA, demokratët e Kongresit kërkuan të njihen me të gjitha provat e hetimit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016.

Kryetari i komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, demokrati Jerrold Nadler i kërkoi Departamentit të Drejtësisë të dorëzojë raportin e plotë të zotit Mueller, duke thënë se ai nuk mund të pranojë një variant të redaktuar që u publikua të enjten i cili lë “shumicën e Kongresit pa informacionin e duhur lidhur me çështjen”.

Komisioni ka nevojë dhe gëzon të drejtën e variantit të plotë të raportit si dhe të dëshmive bazë në përputhje me praktikat e kaluara. Redaktimet duket të jenë të mëdha. Deri tani nuk kemi parë asnjë nga dëshmitë që Prokurori i Posaçëm ka pasur për të ngritur këtë çështje“, tha zoti Nadler në një deklaratë.

Presidenti Trump në mënyrë të përsëritur e ka karakterizuar hetimin e zotit Mueller si një “gjueti shtrigash”. Në një postim në Twitter të premten ai e kritikoi sërish raportin, duke shkruar se “raporti i çmendur i Mueller-it” është përgatitur nga “18 demokratë të inatosur dhe që urrejnë atë dhe se sipas tij, në raport thuhen “budallallëqe” rreth tij.

Në raport jepen hollësi mbi përpjekjet e zotit Trump për të penguar hetimin e zotit Mueller mbi Rusinë, duke u dhënë mjaft demokratëve “municion politik” kundër presidentit republikan.

Raporti prej 448 faqesh bën një pasqyrë të qartë se si Presidenti Trump ishte përpjekur të pengonte hetimin, por nuk dilte në përfundimin se zoti Trump ka kryer krimin e pengimit të drejtësisë, megjithëse nuk e shfajsonte atë nga kjo gjë.

Raporti për Rusinë: Demokratët vazhdojnë presionin me Trumpin

Demokratët në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë presionin mbi presidentin Donald Trump, edhe pas publikimit të raportit për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016.

Ata duan që Robert Mueller, këshilltari i posaçëm që ka hartuar raportin, të dëshmojë publikisht përpara Kongresit për punën që ka bërë.

Mueller konfirmoi gjetjet e inteligjencës amerikane se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 që i ka fituar Trump dhe dokumentoi përpjekjet e presidentit për të minuar hetimin e tij. Por Mueller nuk tha se Trump ka bashkëpunuar me zyrtarët rusë.

Gjetjet e tij u detajuan në një raport 448 faqesh, pjesërisht të redaktuar, që u publikua të enjten.

Ky raport po ashtu nxori në pah fushat ku Trump dhe bashkëpunëtorët e tij mund të përballen ende me probleme ligjore.

Raporti u mirëprit nga Trumpi, i cili rikujtoi deklaratat e tij se ai dhe bashkëpunëtorët e tij as nuk kanë bashkëpunuar me zyrtarët rusë, as nuk kanë bërë përpjekje të pengonin hetimet.

Duke folur në një ngjarje për veteranët, Trump tha se po kalon një “ditë të mirë”, duke shtuar se nuk ka pasur “asnjë bashkëpunim” me Rusinë dhe as pengim të drejtësisë.

Publikimi i raportit mbyll një kapitull të hetimeve që hodhi hije mbi presidencën e Trumpit, madje edhe përpara se të merrte detyrën.

Megjithatë, udhëheqësit demokratë të Kongresit, Nancy Pelosi dhe Chuck Schumer, përmes një deklarate të përbashkët, thanë se raporti paraqet “një imazh shqetësues të një presidenti me një varg mashtrimesh, gënjeshtrash dhe sjelljesh të pahijshme”.

Ata po ashtu thanë se “Kongresi duhet të vlerësojë sjelljen e padrejtë, korruptive dhe imorale të presidentit, në përpjekje për të penguar hetimet”.

Demokrati numër dy i Dhomës së Përfaqësuesve, Steny Hoyer, tha se nxjerrja e presidentit në votëbesim nuk ia vlen, pasi zgjedhjet e reja presidenciale do të mbahen në nëntor të vitit të ardhshëm.

“Bazuar në atë që kemi parë deri më tash, votëbesimi nuk ia vlen. Zgjedhjet do të mbahen pas 18 muajsh dhe populli amerikan do të gjykojë”, tha Hoyer për CNN-in.

Përfaqësuesi demokrat, Jerrold Nadler, kryetar i Komitetit për Drejtësi në Dhomën e Përfaqësuesve, kërkoi që Kongresi të ketë raportin e plotë, të paredaktuar të Muellerit.

“Këshilltari i posaçëm e bën të qartë se nuk e ka shfajësuar presidentin dhe tani përgjegjësia është te Kongresi, për ta bërë presidentin përgjegjës për veprimet e tij. Kongresi duhet ta ketë raportin e plotë, të paredaktuar, së bashku me provat e mbledhura nga këshilltari i posaçëm, Mueller”, tha Nadler.

Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr.

Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr.

Përpara publikimit të raportit, prokurori i përgjithshëm i SHBA-së, William Barr, mbajti një konferencë për media në Uashington, ku dha detaje mbi raportin.

Barr tha se hetimet nuk kanë gjetur prova se Trump ose anëtarët e fushatës së tij kanë bashkëpunuar me përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhje.

Barr, i cili ka publikuar një përmbledhje prej katër faqesh të raportit në fund të muajit të kaluar, po ashtu tha se raporti i Muellerit nuk paraqet asnjë dëshmi se Trump ka bërë përpjekje të pengojë drejtësinë.

Përgatiti: Valona Tela

Raporti: Trumpi u përpoq të largonte Prokurorin e Posaçëm

Raporti i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller mbi hetimin e tij ndaj ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 që u publikua të enjten tregon se Presidenti Donald Trump kërkoi të detyronte largimin e zotit Mueller.

Në versionin e redaktuar të raportit prej më shumë se 400 faqesh të publikuar nga Prokurori i Përgjithshëm William Barr thuhet se në qershor të vitit 2017, presidenti Trump i komunikoi Këshilltarit Ligjor të Shtëpisë së Bardhë Don McGahn, të kërkonte shkarkimin e Prokurorit të Posaçëm Mueller për shkak të konfliktit të interesit.

Në raport thuhet se “McGahn nuk e zbatoi udhëzimin, duke vendosur që të jepte dorëheqjen sesa të shkaktonte atë që ai e konsideronte si një masakër e natës së shtunë”. ‘Masakra e natës së shtunë’ i referohet shkarkimit të zyrtarëve kryesorë të zbatimit të ligjit nga presidenti Richard Nixon në tetor të vitit 1973 gjatë periudhës së Watergate-it.

Pak para se raporti të bëhej publik, kryeprokurori Barr u tha gazetarëve se Presidenti Trump nuk ka bashkëpunuar fshehurazi me Moskën dhe tha se më vonë, pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump nuk kishte “asnjë qëllim të korruptuar” për të penguar hetimin.

Presidenti Trump, i cili prej kohësh i është referuar hetimit Mueller si një “Gjueti Shtrigash”, tha të enjten: “Kjo nuk duhet të ndodhë kurrë me një president tjetër, ky mashtrim nuk duhet të ndodhë. Kjo kurrë nuk duhet të ndodhë me një president tjetër.”

Në fund të muajit të kaluar, në një përmbledhje të gjetjeve të zotit Mueller, kryeprokurori Barr tha se prokurori i posaçëm kishte arritur në përfundimin se zoti Trump nuk kishte bashkëpunuar me Rusinë, por nuk kishte marrë asnjë vendim nëse ai kishte penguar drejtësinë.

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Drejtësinë i kontrolluar nga demokratët publikoi një letër të enjten duke kërkuar që prokurori Mueller të dëshmojë para komisionit “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Reagojnë demokratët

Udhëheqësi demokrat i Senatit amerikan, Chuck Schumer dhe kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi thanë se përfundimet e nxjerra nga prokurori i përgjithshëm Uilliam Barr për raportin e prokurorit të posaçëm Robert Mueller bien në kundërshtim me gjetjet e vetë raportit.

Ligjvënësit Schumer dhe Pelosi bënë një deklaratë të enjten duke thënë se “Ka një kontrast të thellë midis asaj që tha prokurori i përgjithshëm Barr për çështjen e pengimit të drejtësisë dhe asaj që thotë prokurori i posaçëm Mueller për të njëjtën çështje.”

“Ndërsa ne vazhdojmë ta shqyrtojmë raportin,” thanë ata, “një gjë është e qartë: prokurori i përgjithshëm Barr dha përfundimin se presidenti nuk e pengoi drejtësinë, ndërsa raporti Mueller duket se e kundërshton një verdikt të tillë.”

Ndërkohë, kryetari i Komisionit të Drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve Jerry Nadler njoftoi se po kërkon që zoti Mueller të dëshmojë përpara komisionit sa më shpejt të jetë e mundur, dhe jo më vonë se data 23 maj.

“Është e qartë se Kongresi dhe populli amerikan duhet të dëgjojnë nga prokurori i posaçëm Robert Mueller personalisht për të kuptuar më mirë rezultatet e tij,” tha ai në Twitter.

Kërkesa e ligjvënësit Nadler vjen pas disa javë thirrjesh nga demokratët që raporti Mueller të publikohej i plotë, i paredaktuar.

Konferenca e Shtypit e Kryeprokurorit Barr

Prokurori i Përgjithshëm ofroi hollësi të raportit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara, para se ta bënte publik raportin, duke theksuar se nuk ka gjetur ndonjë bashkëpunim të fshehtë midis fushatës së Presidentit Donald Trump dhe Moskës.

Zoti Barr, i emëruar si kreu i Departamentit të Drejtësisë nga presidenti Trump, dha një konferencë për shtyp përpara publikimit të raportit të shumëpritur, një ngjarje me rëndësi kjo për presidencën Trump.

“Prokurori i Posaçëm ka hetuar një numër lidhjesh apo kontaktesh mes zyrtarëve të fushatës Trump dhe individëve të lidhur me qeverinë ruse gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016. Pas shqyrtimit të këtyre kontakteve, Prokurori i Posaçëm nuk gjeti asnjë komplot që shkel ligjin amerikan që përfshin personat e lidhur me Rusinë dhe ndonjë personi të lidhur me fushatën presidenciale. Ky është përfundimi kryesor. Pas rreth dy vjet hetimesh, me mijëra thirrjesh për dëshmi, me qindra fletë-arrestesh dhe intervista dëshmitarësh, Prokurori i Posaçëm konfirmoi se qeveria ruse sponsorizoi përpjekjet për të ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, por nuk gjeti se fushata Trump apo amerikanë të tjerë bashkëpunuan me këto përpjekje. Pasi nuk gjeti asnjë bashkëpunim të fshehtë me Rusinë, raporti i Prokurorit të Posaçëm vazhdon të shqyrtojë nëse veprimet e caktuara të presidentit mund të përbëjnë pengim të hetimit. Siç e kam thënë në letrën time të 24 marsit, Prokurori i Posaçëm nuk dha një gjykim prokurorial tradicional lidhur me këtë pikë. Në vend të kësaj, raporti paraqet 10 episode që përfshijnë presidentin dhe diskuton teoritë e mundshme ligjore për lidhjen e këtyre aktiviteteve me elementet e një vepre të pengesës. Pas shqyrtimit të kujdesshëm të fakteve dhe teorive ligjore të parashtruara në raport dhe në konsultim me Zyrën e Këshilltarit Ligjor dhe avokatët e tjerë të departamentit, zëvendës Prokurori i Përgjithshëm dhe unë arritëm në përfundimin se provat e paraqitura nga Prokurori i Posaçëm nuk janë të mjaftueshme për të vërtetuar se presidenti ka kryer një pengim të drejtësisë. Megjithëse zëvendës Prokurori i Përgjithshëm dhe unë nuk pajtohemi me disa prej teorive ligjore të Prokurorit të Përgjithshëm dhe se disa nga episodet e shqyrtuara nuk përbën pengesë ligjore, ne nuk u mbështetëm vetëm aty për të marrë vendimin tonë.”

Ai tha se avokatëve personalë të Presidentit Trump “iu dha mundësia të lexonin një version përfundimtar të raportit të redaktuar përpara se ai të bëhej publik”, një deklaratë që me siguri do të zemërojë demokratët e Kongresit.

Publikimi i raportit, me pjesë që pritet të paraqiten të mbuluara me bojë të zezë për të mbrojtur disa informacione të ndjeshme, pritet të shkaktojë një betejë të re politike në Kongres si dhe në fushatën presidenciale për zgjedhjet e 2020-s, ndërkohë që zoti Trump kërkon të rizgjidhet në një atmosferë ndarjesh të thella politike në vend.

Në një sërë postimesh në Twitter përpara publikimit të raportit, Presidenti Trump e kritikoi ashpër hetimin e Prokurorit të Posaçëm Mueller, duke e quajtur “Mashtrimi më i madh politik i të gjitha kohërave!”

Prokurori i posaçëm Mueller ia paraqiti raportin zotit Barr më 22 mars. Dy ditë më vonë, zoti Barr u tha ligjvënësve se hetimi nuk vërteton se ekipi i fushatës Trump në vitin 2016 u angazhua në një konspiracion kriminal me Rusinë dhe se raporti e nxjerr të larë Presidentin Trump përsa i përket akuzave për pengim të drejtësisë.

FILE - William Barr testifies before a Senate Judiciary Committee hearing on his nomination to be attorney general of the United States on Capitol Hill in Washington, Jan. 15, 2019.

FILE – William Barr testifies before a Senate Judiciary Committee hearing on his nomination to be attorney general of the United States on Capitol Hill in Washington, Jan. 15, 2019.

Raporti i redaktuar

Kongresi dhe populli amerikan do të shohin për herë të parë në hollësi faktet që zoti Mueller shqyrtoi pasi ai dhe ekipi i tij i hetuesve federalë punuan për të përcaktuar nëse fushata e zotit Trump ose bashkëpunëtorët e tij bashkëpunuan fshehurazi me Rusinë në përpjekjet e saj për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 që e sollën presidentin Trump në pushtet.

Agjencitë amerikane të zbulimit në fillim të vitit 2017 vlerësuan se Rusia, nën drejtimin e Presidentit Vladimir Putin, zhvilloi një fushatë për të minuar zgjedhjet dhe kishte një preferencë të qartë që zoti Trump të fitonte.

Njerëz që e kanë parë raportin prej 400-faqësh të zotit Mueller, të cilët folën me gazetat The Washington Post dhe The New York Times, thanë se dokumenti hyn në hollësi për akuzat e ndryshme nëse zoti Trump pengoi hetimin federal në lidhje me aktivitetet e Rusisë gjatë zgjedhjeve.

Kryeprokurori Barr publikoi para disa javësh një letër të shkurtër me përmbledhjen e tij të gjetjeve të zotit Mueller, ku theksohet se fushata Trump nuk bashkëpunoi me Rusinë dhe se sipas mendimit të zotit Barr informacionet nga zoti Mueller nuk treguan mjaftueshëm mbështetje për akuzat se presidenti pengoi drejtësinë.

FILE - The letter from Attorney General William Barr to Congress on the conclusions reached by special counsel Robert Mueller in the Russia probe, March 24, 2019.

FILE – The letter from Attorney General William Barr to Congress on the conclusions reached by special counsel Robert Mueller in the Russia probe, March 24, 2019.

Shumë njerëz do ta analizojnë raportin për të parë se si qëndrojnë konkluzionet e tij kur krahasohen me informacionin më të plotë që do të jetë në dispozicion të publikut.

FILE - Deputy Attorney General Rod Rosenstein speaks during a news conference at the Department of Justice.

FILE – Deputy Attorney General Rod Rosenstein speaks during a news conference at the Department of Justice.

Kryeprokurori Barr shoqërohej në konferencën e tij të shtypit nga Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili për pjesën më të madhe të hetimit të zotit Mueller ishte personi që mbikqyrte hetimin në Departamentin e Drejtësisë. Askush nga ekipi i zotit Mueller nuk mori pjesë në konferencë.

Presidenti Trump tha të mërkurën se po shikonte mundësinë për të mbajtur një konferencë shtypi të enjten. Duke folur në për stacionin radiofonik WMAL, zoti Trump tha: “Do të shihni se shumë gjëra shumë të forta do të dalin nesër. Prokurori i Përgjithshëm Barr do të japë një konferencë për shtyp. Ndoshta unë do të bëj të njëjtën gjë pas kësaj; do ta shohim.”

Jepen çmimet “Pulitzer”, shpërblehen autorët e dy hetimeve ndaj presidentit, po edhe reporterët e burgosur dhe të vrarë

Janë shpallur fituesit e çmimeve “Pulitzer”, një nga çmimet më të rëndësishme të gazetarisë në botë.

Bëhet e ditur se çmimet e dhëna në kategoritë për lajme në gazeta, revista dhe në internet, letërsi dhe kompozime muzikore, këtë vit kanë kryesuar në fushën e gazetarisë gazetat lokale që publikuan në lidhje me tre sulmet e armatosura vitin e kaluar në SHBA.

Gazeta “Sun Sentinel” që botohet në shtetin e Floridas, është fituese e çmimit në kategorinë “shërbim publik” me publikimet për investigimin e gabimeve të bëra para dhe pas sulmit nga drejtuesit e shkollës dhe policia në lidhje me sulmin e armatosur në shkollën “Stoneman Douglas” në Parkland.

Ndërsa gazeta “Pittsburgh Post-Gazette” ka fituar çmimin në kategorinë për “lajmin flash” për gazetarinë në lidhje me sulmin e armatosur më 27 tetor ndaj një sigagoge në Pittsburgh të Pensilvanisë në SHBA ku si pasojë humën jetën 11 persona dhe u plagosën 6 të tjerë.

Po ashtu edhe punonjësit e “Capital Gazette” në qytetin Annapolis në Maryland janë fitues të çmimit “Çmim Special” për shkak se kanë vazhduar me guxim të kryejnë detyrën e tyre të gazetarisë pas sulmit të armatosur më 28 qershor ku një agresor hyri me armë në ambientet e gazetës duke masakruar 5 kolegët e tyre.

Ndërkohë janë nderuar me çmimin “Gazetari investigative” gazeta “Los Angeles Times” për lajmet në lidhje me gjinekologun që ngacmonte nxënëset femra në klinikën e universitetit të Karolinës së Jugut, agjencia e lajmeve Associated Press me çmimin “gazetari ndërkombëtare” për lajmet e saj që kanë trajtuar krimet njerëzore të përjetuara në luftën në Jemen, gazeta “New York Times” me çmimin “gazetari shpjeguese” për lajmet e saj për rregullimet e trashëgimisë të presidentit të SHBA Donald Trump për të shmangur taksën e trashëgimisë dhe “Wall Street Journal” në kategorinë “gazetari kombëtare” për lajmet e saj që kanë zbuluar se Trump ka paguar dy femra “për të heshtur” gjatë periudhës zgjedhore.

Çmimet “Pulitzer” jepen që nga viti 1917 si trashëgimi e gazetarit amerikan me prejardhje hungareze Joseph Pulitzer për të nxitur punimet në fushën e gazetarisë dhe medias. Fituesit e çmimit përcaktohen nga juria e formuar nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin Columbia.

Trumpi do të sfidohet edhe nga republikanët më 2020

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të përballet me sfida brenda Partisë së tij Republikane, përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.

Ish-guvernatori i Masaçusets, Bill Weld, shpalli kandidaturën e tij për president të SHBA-së, duke u bërë republikani i parë që do ta sfidojë Trumpin në vitin 2020.

“Unë vërtet mendoj se nëse edhe gjashtë vjet kemi gjëra të njëjta nga Shtëpia e Bardhë, të tilla si në dy vjetët e fundit, do të ishte tragjedi politike”, tha Weld për CNN-in.

Por udhëheqësit e Partisë Republikane e hodhën menjëherë poshtë fushatën e tij.

“Çdo përpjekje për të sfiduar nominimin e presidentit është e prirë të mos çojë askund”, tha përmes një deklarate Komiteti Kombëtar Republikan.

Sipas sondazhit më të fundit të kompanisë amerikane Gallup, 89% e votuesve republikanë e mbështesin presidentin Trump.

Nga Partia Demokratike, disa zyrtarë kanë shpallur tashmë kandidaturën për president.

Fluturimi i parë i avionit më të madh në botë

Kompania amerikane ”Stratolaunch” njoftoi sot kryerjen e fluturimit të parë në formë testi të avionit më të madh në botë mbi shkretëtirën kaliforniane.

Avioni i pazakontë i ndërtuar nga kompania e famshme në fushën e inxhinierisë aeronautike ‘’Scaled Composites’’ në shkretëtirën e Mojave përbëhet nga dy avionë të bashkëngjitur në një trup të vetëm dhe vihet në lëvizje nga gjashtë motorrë Boeing 747.

Ai pritet të shërbejë në teori për të transportuar dhe lëshuar në lartësi një raketë të vogël që do të vërë ndërkohë në punë motorrin e saj dhe do të lëshohet me vrull drejt hapësirës për të vendosur satelitë në orbitë. Kjo është një metodë për të patur akses në hapësirë në mënyrë më të përshtatshme sesa ngjitjet vertikalisht të raketave, pasi avionit do t’i nevojitej vetëm një pistë e madhe për t’u shkëputur nga toka.

‘’Avioni ‘’Stratolaunch’’ u ngrit nga aeroporti i Mojaves, në Kaliforni rreth orës 06:58 sipas asaj lokale dhe qëndroi në ajër për gati dy orë e gjysmë’’, bëri të ditur kompania në një komunikatë të lëshuar sot. Deri tani avioni kishte kryer vetëm teste në tokë.

Shpejtësia maksimale gjatë fluturimit ishte 304 kilometra në orë, dhe avioni u ngjit deri në 5.182 metra lartësi.

SpaceX nis me sukses raketën ‘Falcon Heavy’

Kompania hapësinore “SpaceX” nisi për të dytën herë me sukses, raketën më të fuqishme në botë.

Raketa “Falcon Heavy” u nis me misionin e saj të parë komercial të enjten në mbrëmje nga qendra hapësinore e NASA-s Kennedy në Florida.

Ajo ishte e ngarkuar me një satelit komercial të Arabisë Saudite.

Për të kursyer para, SpaceX i përdor përsëri raketat duke i kthyer në tokë, siç duket edhe në këto pamje, ku tre pjesë të Falcon Heavy ulen butë në një platformë të posaçme.

“SpaceX” është kompania e sipërmarrësit Elon Musk. Ai është gjithashtu shefi ekzekutiv i kompanisë që prodhon makinat elektrike Tesla.

“Falcon Heavy” u prodhua fillimisht për të dërguar njerëz në Hënë dhe Mars, por tashmë zoti Musk e ka transformuar raketën në një bartës të pajisjeve e furnizimeve për vendndodhje të largëta në hapësirë.

“Falcon Heavy” me 27 motorë është raketa më e fuqishme në përdorim që nga koha kur NASA përdorte raketat “Saturn 5” për të dërguar astronautë në Hënë, 45 vite më parë.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë padit Julian Assangen

Shtetet e Bashkuara akuzuan të enjten themeluesin e WikiLeaks Julian Assange për konspiracion në hakerimin e një kompjuteri lidhur me publikimin e qindra mijëra dokumenteve të klasifikuara amerikane, vetëm pak orë pasi policia britanike e arrestoi atë në ambasadën ekuadoriane në Londër, ku ai qëndronte për gati shtatë vjet.

Aktakuza ndaj Julian Assange rrjedh nga një prej shkeljeve më të mëdha të informacionit të klasifikuar në historinë amerikane, publikimit nga WikiLeaks në vitin 2010 të një numri të madh të dhënash ushtarake amerikane në luftërat e saj në Afganistan dhe Irak, vlerësimet e terroristëve të dyshuar të mbajtur nga Shtetet e Bashkuara në Guantanamo të Kubës dhe 250 000 komunikimeve kabllore të Departamentit të Shtetit.

Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Assange-n për komplot me ish-analisten e zbulimit të Ushtrisë Amerikane Chelsea Manning, të njohur më parë si Bradley Manning përpara se ta deklaronte veten si grua, për të deshifruar një fjalëkalim në kompjuterat e Departamentit amerikan të Mbrojtjes duke hakeruar në një rrjet qeveritar të dokumenteve dhe komunikimeve të klasifikuara të njohura si Rrjeti i Protokollit Sekret në Internet. Qeveria amerikane thotë se deshifrimi i fjalëkalimit, e lejoi zonjën Manning të hynte në kompjuterat me një emër përdoruesi që nuk i përkiste asaj, duke e bërë fillimisht më të vështirë për autoritetet të përcaktonin burimin e zbulimeve të paligjshme.

Qeveria tha se zoti Assange dhe zonja Manning u angazhuan në diskutime në kohë reale, ndërsa ajo transmetoi të dhënat e klasifikuar tek Julian Assange që WikiLeaks pastaj i publikoi. Sipas aktakuzës, gjatë një diskutimi, Manning i tha Assange-it: “Pas kësaj ngarkimi, kjo është e gjitha që kam”, ndaj të cilës Assange u përgjigj: “në përvojën time, sytë kurreshtarë kurrë nuk pushojnë”.

Pas këtij shkëmbimi, pohon padia, Manning hyri në komunikimet kabllore të Departamentit të Shtetit që WikiLeaks më vonë i publikoi.

Assange, 47 vjeç, është akuzuar për komplot për të kryer ndërhyrje kompjuterike dhe, nëse dënohet, përballet me një burgim pesëvjeçar.

35-vjeçarja Manning kreu shtatë vjet burgim për rolin e saj në zbulimin e dosjeve sekrete. Dënimi i saj u shkurtua nga ish-presidenti Barack Obama disa ditë para se të përfundonte mandatin e tij në janar të vitit 2017. Megjithatë, një gjykatës federal urdhëroi burgosjen e saj përsëri muajin e kaluar pasi refuzoi të dëshmojë para një jurie të madhe që po heton organizatën WikiLeaks.

Të enjten në Londër, policia britanike arrestoi themeluesin e WikiLeaks, Julian Assange.

Policia britanike e nxorri Julian Assange-in nga ambasada e Ekuadorit në Londër, ku ai ishte strehuar që nga viti 2012.

Ai qëndroi atje për të mos u ekstraduar në Suedi për t’u përballur me akuzat për sulme seksuale.

Suedia më vonë e anuloi hetimin, por Assange mbeti në ambasadë për shkak të frikës se Britania mund ta ekstradonte atë në Shtetet e Bashkuara në lidhje me publikimin e dokumenteve të klasifikuara të qeverisë amerikane nga WikiLeaks.

Presidenti i Ekuadorit Lenin Moreno lëshoi një deklaratë të enjten ku shpjegon vendimin e vendit të tij, duke thënë se Assange kishte “arritur kufirin” me sjelljen e tij.

“Po njoftoj sot se sjellja e pahijshme dhe agresive e zotit Julian Assange, deklaratat armiqësore dhe kërcënuese të organizatës së tij kundër Ekuadorit dhe veçanërisht, shkeljet e traktateve ndërkombëtare, e kanë çuar situatën në një pikë ku azili për të nuk mund të zgjatet dhe nuk është më praktikë. Ekuadori ka vendosur të ndërpresë azilin diplomatik që i është dhënë zotit Assange që nga viti 2012”.

Presidenti Moreno renditi një varg shkeljesh që pretendon se janë bërë nga Julian Assange gjatë kohës së tij në ambasadë, duke përfshirë instalimin e pajisjeve elektronike të cilat nuk ishin të lejuara, bllokimin e kamerave të sigurisë, keqtrajtimin e rojeve dhe qasjen pa leje në dosjet e sigurisë së ambasadës.

Udhëheqësi ekuadorian tha më së fundmi, WikiLeaks publikoi dokumente të Vatikanit dhe se para dhe pas publikimit, anëtarët kryesorë të organizatës e vizituan Assange, duke treguar marrëdhënien e tij të vazhdueshme me një grup “që ndërhynë në punët e brendshme të shteteve të tjera”.

Një deklaratë e policisë metropolitane thotë se oficerët e arrestuan Assange në ambasadë në lidhje me një urdhër britanik të qershorit 2012 për “dështim për t’u dorëzuar në gjykatë”. Policia tha se ishte ftuar në ambasadë nga ambasadori i Ekuadorit pasi qeveria ekuadoriane i hoqi Julian Assange-it të drejtën e azilit.

Trump për hetimin rreth fushatës së tij të vitit 2016: Ishte një tentativë për grusht shteti, ishte tradhti ndaj atdheut

Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se ata që nisën hetimin rreth fushatës së tij të vitit 2016, tentuan një “grusht shteti” dhe se kishin kryer “tradhëti ndaj vendit” me qëllimin për të penguar fitoren e tij.

“Gjithçka ishte e paligjshme”, tha zoti Trump duke pohuar se “ky vend është i uritur” që Prokurori i Përgjithshëm William Barr të kryejë hetimin që ai vetë ka shpallur mbi origjinën e hetimit të nisur tre vjet më parë nga Departamenti i Drejtësisë.

Udhëheqësi amerikan sulmoi ish-zyrtarët e departamentit të Drejtësisë dhe Byronë Federale të Hetimeve, duke i quajtur “policë të këqij”, lidhur me rolin e tyre në fillimin e asaj që do të çonte në një hetim 22 mujor nga ana e Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller mbi lidhjet e zyrtarëve të fushatës Trump me Rusinë. Hetimi përfshinte gjithashtu edhe dyshimet nëse zoti Trump në detyrën e presidentit, kishte penguar drejtësinë duke u përpjekur të prishë hetimin.

“Ajo që ata kanë bërë ishte e turpshme”, tha zoti Trump. “Ishte një hetim i paligjshëm, një tentativë për grusht shteti, një përpjekje për rrëzimin e një presidenti. Ajo që ata bënë ishte tradhti ndaj atdheut”, shtoi ai.

Deklaratat e zotit Trump vijnë pasi Prokurori i Përgjithshëm Barr tha se në ditët e ardhshme do të publikojë një variant të redaktuar të raportit prej rreth 400 faqesh të Prokurorit të Posaçëm Mueller.

Në fund të muajit të kaluar, zoti Barr publikoi një përmbledhje të raportit dhe shkruante se presidenti Trump dhe zyrtarët e fushatës së tij nuk kishin bashkëpunuar me Rusinë dhe se raporti nuk dilte në ndonjë përfundim, nëse zoti Trump kishte penguar drejtësinë. Në një kohë kur Prokurori i Posaçëm nuk kishte arritur një përfundim mbi çështjen e pengimit të drejtësisë, zoti Barr tha se ai dhe zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein kishin vendosur se ndaj Presidentit nuk përligjej asnjë akuzë për pengim të drejtësisë.

Zoti Trump tha se ai nuk e ka lexuar raportin e zotit Mueller, ndërsa ka deklaruar se “se ka fituar, se nuk ka patur bashkëpunim të fshehtë apo pengim të drejtësisë”. “Raporti më ka shfajësuar totalisht”, ka thënë Presidenti.

Të mërkurën Prokurori i Përgjithshëm Barr u tha ligjvënësve në një komision të Senatit se ai beson se “përgjimi” i fushatë së zotit Trump në vitin 2016 “ka ndodhur” dhe se mbikqyrja është autorizuar nga gjyqtarë të gjykatës amerikane për Vëzhgimin e Zbulimit të Huaj.

“Mendoj se përgjimi i një fushate politike është një çështje e madhe” tha zoti Barr, i cili u caktua në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm nga zoti Trump. Zoti Barr tha gjithashtu se dëshiron të zbulojë nëse hetimi i fushatës së zotit Trump, në fazat e hershme të tij, ishte kryer “në mënyrën e duhur”.

“Dua të sigurohem se nuk ka patur abuzim me pushtetin e qeverisë”, tha ai.

Prokurori i Përgjithshëm dëshmoi të mërkurën për ditën e dytë me radhë. Demokratët i drejtuan atij pyetje të forta lidhur me publikimin e raportit të zotit Mueller dhe se çfarë pjesësh të raportit do të redaktonte, duke mos ia ofruar publikut dhe ligjvënësve. Sikurse të martën, zoti Barr tha se do të redaktojë duke mbuluar me të zezë, ato pjesë të raportit që përmbajnë dëshmi konfidenciale dhënë jurisë së madhe si dhe informacione nga burimet e zbulimit të huaj.

Të martën, ligjvënësit demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve e kritikuan zotin Barr, duke lënë të kuptohej se në përmbledhjen që ai i kishte bërë raportit të zotit Mueller kishte vepruar për të mbrojtur zotin Trump nga pesha e plotë e përfundimeve të hetimit.

Shtypi ka raportuar se disa anëtarë të ekipit të zotit Mueller kanë pohuar se përmbledhja e zotit Barr nuk përmban informacionin i cili dëmton presidentin Trump.

Intervista – Hooper: Marrëdhëniet Kosovë-SHBA në nivelin më të ulët në 20 vjet

Një analist me përvojë i Ballkanit thotë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë në nivelin më të ulët në 20 vjetët e kundit për shkak të çështjes së tarifave. James Hooper, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se negociatat me Serbinë duhen parë në këndvështrimin e ndërtimit të një marrëdhënieje dhe jo të një transaksioni. Në bisedën me kolegen Keida Kostreci, zoti Hooper tha se 20 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, ai e konsideron Kosovën histori suksesi, por tërheq vëmendjen se ka ende një rrugë të gjatë për të përshkuar.

Zëri i Amerikës: Zoti Hooper, Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer tha dje në Shqipëri se Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin çdo zgjidhje për të cilën do të binin dakord Kosova dhe Serbia. Megjithëse ai nuk i mëshoi idesë së shkëmbimit të territorit ose ndryshimit të kufijve, ai tha se mund të jetë një element i bisedimeve. Ku mendoni se jemi për momentin lidhur me çështjen e bisedimeve dhe të kufijve?

James Hooper: Mendoj se Zëvendës Ndihmës Sekretari Palmer po përpiqej të inkurajonte lëvizjen përpara të negociatave. Ato kanë ngecur muajt e fundit për shkak të situatës me tarifat, por mendoj se Shtetet e Bashkuara, qeveria amerikane e kupton se ky është një shans historik për Kosovën dhe Serbinë për të arritur një marrëveshje. Dhe kjo nuk kuptohet mirë nga politika e Kosovës në përgjithësi, ndoshta as nga populli i Kosovës. Këto janë negociata për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që Kosova dhe Serbia të krijojnë një marrëdhënie që nuk ka ekzistuar kurrë më parë. Është shumë e rëndësishme që kosovarët ta kuptojnë se në vitin 2016, një realitet i ri u krijua në Shtetet e Bashkuara, me zgjedhjen e Presidentit Trump. Ky president nuk është aq i përkushtuar për mbrojtjen e Kosovës, për t’u bërë mburoja e Kosovës siç ishte Partia Demokrate, apo republikanë të tjerë, prandaj është një situatë më e rrezikshme për Kosovën, sepse është e rrezikshme të kesh një fqinj armiqësor në kufirin verior në një kohë kur nuk mund ta marrë si të mirëqenë të njëjtën mburojë, një ombrellë sigurie nga ana e Amerikës. Prandaj kjo është një mundësi e shkëlqyer, madje jashtëzakonisht e nevojshme për të negociuar një fund të armiqësisë, ose të paktën një reduktim të ndjeshëm të armiqësisë, sepse e tillë është situata.

Por mendoj se populli i Kosovës dhe shumë faktorë të politikës e keqkuptojnë se për çfarë natyre negociatash po flasim. Ata i shohin këto bisedime me Serbinë si një transaksion, pra: sa më shumë të marrë Kosova aq më mirë për të dhe sa më pak të marrë Serbia, aq më mirë për Kosovën. Dhe me këtë këndvështrim e shohin çështjen e kufirit. Por vendosja e një marrëdhënieje është e ndryshme. Për shembull në një negociatë si transaksion, territori është qëllim në vetvete, ndërsa në një marrëdhënie territori është një mjet për të arritur qëllimin. Territori në vetvete nuk është siguri, mund të japë instrumentat për siguri dhe në këtë rast është mjet për legjitimitet, njohje përmes anëtarësimit në Kombet e Bashkuara. Pra Kosova duhet të mendojë pa dyshim për të siguruar përfitimet e veta nga marrëveshja, por edhe që Serbia të përfitojë mjaftueshëm për ta ratifikuar dhe për ta zbatuar.

Nuk besoj se Kryeministri po i kupton negociatat kështu siç po e shpjegoj unë, si mënyrë për të ndërtuar një marrëdhënie me Serbinë në vend që të marrësh çdo gjë që të mundesh për vete. Kosova përfiton nëse Serbia mendon se ka përfituar sa ç’duhet për të ratifikuar një marrëveshje dhe për ta zbatuar atë dhe unë besoj se mund ta arrijnë një marrëveshje.

Zëri i Amerikës: Por ju e thoni sikur është përgjegjësia e Kosovës që të kontribuojë në një mënyrë të tillë për të krijuar një marrëveshje që do të frenonte armiqësitë e Serbisë. Por nga ajo që kemi parë veprimet e Serbisë nuk kanë qenë reagim ndaj asaj që ka bërë Kosova, por kanë qenë pjesë e politikës së vet ndaj Kosovës…

James Hooper Ajo që po thotë kryeministri dhe shumë kosovarë, është se ne “nuk do t’i heqim tarifat deri kur pala tjetër të na njohë”. Kështu ata vënë një parakusht për bisedimet. Por mendoj se njohja – nuk them në kuptimin e vendosjes së ambasadave – por njohja do të ishte më shumë një rezultat që do të ishte të pranohej Kosova si një vend i pavarur, pra një rezultat i negociatave jo një parakusht. Ajo që duhet të bëjnë negociatorët e Kosovës, është që të kuptojnë se çfarë i duhet palës tjetër, ashtu si negociatorët e Serbisë duhet të kuptojnë se çfarë i duhet palës së Kosovës. Të dyja palët duhet të kuptojnë minimumin që i duhet palës tjetër, në mënyrë që të pranohet një marrëveshje, të ratifikohet dhe pastaj të zbatohet. Këto lloj negociatash – pra për një marrëdhënie – nuk janë të lehta, duan një nivel pjekurie dhe sofistikimi, që mendoj se pala kosovare e ka demonstruar deri tani, sepse ka të bëjë me faktin se si të veprosh me Shtetet e Bashkuara

Zëri i Amerikës: Ju e thatë tashmë se çfarë mendoni për tarifat dhe qëndrimin e kryeministrit. Sa mendoni se e kanë dëmtuar ato marrëdhënien historikisht të mirë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara?

James Hooper: Jam befasuar se sa shumë e kanë dëmtuar marrëdhënien. Mendoj se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë tani në nivelin më të ulët që nga ndërhyrja e NATO-s para 20 vjetësh dhe nuk shoh ndonjë shenjë se kjo gjendje po ndryshon. Ajo që më befasoi është se kosovarët duken të hapur ta tolerojnë, ta pranojnë një gjë të tillë, në një kohë kur u duhet të punojnë edhe më shumë që angazhimi amerikan i sigurisë ndaj Kosovës, të vazhdojë të mbetet po aq i fortë. Është pothuajse sikur po e flakin tutje. Është sikur pa nevojë po i ngulin gishtin në sy Amerikës, sepse amerikanët e kanë bërë të qartë se kjo ka rëndësi për ta, është e rëndësishme që negociatat të ecin përpara dhe që marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë të ecë përpara dhe mendoj se Shtetet e Bashkuara duan që ajo të ecë përpara në një mënyrë të drejtë për të dyja palët. Mendoj se nëse kjo nuk ndryshon dhe nëse negociatat nuk rifillojnë, marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara do të keqësohet edhe më shumë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se kjo gjendje ka dëmtuar marrëdhënien me këtë administratë amerikane apo me Amerikën në përgjithësi?

James Hooper: Ka dëmtuar strukturën e marrëdhënies. Ajo që dëgjoj në Uashington, në Departamentit e Shtetit dhe gjetiu në qeveri dhe në Shtëpinë e Bardhë, ata tani i shohin kosovarët si më nacionalistë, që shkaktojnë probleme, që bëhen të vështirë për amerikanët të merren me ta. Dhe e përsëris, nuk po them që kur amerikanët i thonë Kosovës të bëjë diçka, ata ta bëjnë duke injoruar interesat e tyre, por kur amerikanët i bëjnë të ditur Kosovës se është një çështje shumë e rëndësishme për ta, ne presim një farë bashkëpunimi dhe një reagim konstruktiv dhe që të gjejnë një mënyrë të përgjigjen dhe kjo nuk ka ndodhur.

Zëri i Amerikës: Pse është tani momenti për një marrëveshje? Po e dëgjojmë shpesh një gjë të tillë, përfshirë nga Presidenti Trump. Pse pikërisht tani?

James Hooper: Sepse në momentin që mbyllet dritarja në Beograd, nuk do të ketë më negociata për marrëveshjen. Në Beograd janë në pushtet progresistë dhe zoti Vuçiç e kupton Kosovën dhe deri ku mund të shkojë dhe çfarë duhet bërë dhe ai do që të Serbia të jetë pjesë e BE-së dhe e di që kjo është rruga për ta arritur këtë synim. Kjo është arsyeja. Nëse kjo mundësi nuk shfrytëzohet, nëse Kosova luan për të fituar kohë … E kam parë edhe në vende të tjera. Palestinezët vazhdimisht hidhnin poshtë shanse për të negociuar marrëveshje me Izraelin dhe sa here tërhiqeshin, ktheheshin mbrapsht për të njëjtën gjë dhe e kishin humbur mundësinë.

Ka momente që janë vendimtare, ka momente kur një dritare mundësie është e hapur dhe duhet të veprosh dhe ky është një moment i tillë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se ideja e këmbimit të territorit apo ndryshimit të kufirit, megjithëse duket sikur ka pasur relativisht një heshtje rreth saj së fundmi, është ende mbi tryezë dhe cilat janë shanset e saj?

James Hooper: Po, do të ketë një aspekt territori në marrëveshje, dhe duhet të ketë në mënyrë që kjo të funksionojë për të dyja palët. Nuk besoj se Maqedonia do të shpërbëhet për shkak të elementit të territorit në një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Madje besoj se do ta konsolidojë stabilitetin në Maqedoni. As nuk besoj që zoti Dodik në Bosnje do ta përdorë një marrëveshje të tillë si justifikim, për ta nxjerrë Republikën Serbe nga Bosnja dhe për ta bërë të pavarur. Prandaj unë e konsideroj një marrëveshje me territorin si element, si një faktor thelbësor, stabilizues të një marrëdhënieje të re mes Kosovës dhe Serbisë.

Zëri i Amerikës: Ka ekzistuar gjithmonë një mjegull lidhur me faktin se pse zoti Haradinaj nuk vinte dot në Shtetet e Bashkuara. Fakti që ai vizitoi Shtetet e Bashkuara ditët e fundit është simbolikisht i rëndësishëm. Por gjithsesi ai shkoi në Detroit, nuk erdhi këtu në Uashington. Si e konsideroni ju këtë vizitë?

James Hooper: Nuk i di të gjitha detajet, por shpresoj që kryeministri t’ia ketë kaluar mirë në Detroit. Por ai erdhi në Shtetet e Bashkuara, amerikanët e lejuan dhe nuk pati probleme me vizën, çka mendoj se do të thotë që Shtetet e Bashkuara duan të thonë se duan një vazhdimësi në marrëdhëniet me Kosovën. Por më ra në sy që nuk erdhi në Uashington dhe nuk e di pse por më duket se nuk do të kishte kuptim nga pala amerikane që ta mirëpriste (në këto kushte). Nëse vinte në Uashington, ai do të duhej të kishte takime. Nëse vinte në Uashington dhe nuk kishte takime, do të ishte një pozicion i papërshtatshëm për kryeministrin Haradinaj dhe do të ishte një hap prapa dhe do të dukej edhe më keq nga ç’është në të vërtetë marrëdhënia. Pse duhet ta donin amerikanët atë në Uashington dhe kur ai po refuzon të jetë pjesë e procesit të negociatave, për të cilin amerikanët kanë thënë se është i rëndësishëm për ta? Kjo nuk është çështje e vogël, është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe ne prisnim nga Kosova që të paktën të ishte konstruktive dhe kjo nuk ka ndodhur. Prandaj hamendja ime është që ndoshta ai nuk ishte në gjendje të siguronte takime në Uashington me zyrtarët dhe nuk donte të vihej në pozitë të vështirë, kështuqë vendosi të shkojë në një qytet tjetër, ku të paktën do të ruante marrëdhënien me amerikanët, dhe të mos merrej me problemet me ta. Kjo do të ishte analiza ime.

Zëri i Amerikës: 20 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s a do ta quanit Kosovën një histori suksesi apo më të ndërlikuar se aq?

James Hooper: Pa dyshim e konsideroj një histori suksesi, por është një rrugë e gjatë. Lufta i dha fund spastrimit etnik nga serbët në Kosovë dhe sundimit serb në Kosovë. Kështu Kosova hyri në një periudhë autonomie, nën ligjin ndërkombëtar, më pas shpalli pavarësinë. Tani mendoj është koha që Kosova të ndërtojë një marrëdhënie me Serbinë që do t’i japë një pozicion të fortë në rajon, siguri të përhershme si vend i pavarur, prandaj anëtarësimi në OKB është aq i rëndësishëm.