Bekim Qoku, i ftuar në intervistën e ditës në Syri TV, theksoi se sulmet raciste ndaj shqiptarëve nuk janë fenomene lokale, por kanë ndodhur historikisht dhe në fusha të ndryshme të jetës publike.
Ai u shpreh se “këto sulme kanë qenë të shpeshta në futboll, në mbledhje apo tubime të mëdha, ku shqiptarët gjithmonë kanë qenë target i sulmeve me parrulla raciste dhe antishqiptare për të denigruar dhe etiketuar bashkëqytetarët e tyre.”
Qoku theksoi se “fatkeqësisht ky fenomen është i përsëritur, sepse gjithmonë është diskutuar dhe janë thënë fjalë, por pa marrë masa konkrete.” Ai shtoi se “kjo dukuri është e trashëguar që prej fillimit të shtetit dhe asnjëherë nuk janë marrë masa ndëshkuese kundrejt autorëve të thirrjeve të tilla raciste, që godasin një të tretën e qytetarëve shqiptarë.”
Duke folur për ngjarjet e fundit në Kumanovë, Bekim Qoku tha se “këtë herë u bë bujë dhe u ngrit pluhur më shumë, sepse u mediatizua dhe u bë presion ndaj institucioneve.” Ai vlerësoi se “për herë të parë kemi një kryeministër që denoncon brohoritjet raciste, Federata e Basketbollit i dënon, presidentja i dënon diçka që deri më sot ishte e paimagjinueshme.”
Gjithashtu, Qoku vuri në dukje se “u aktivizua Prokuroria Publike dhe për herë të parë u bë arrestimi i njërit prej tifozëve që brohoriti në Kumanovë, duke treguar se po ndërmerren hapa për të ndalur këtë fenomen.”
Ai u shpreh edhe për problemet ligjore të trashëguara: “Partia BDI, me zotin Ali Ahmeti në krye, shpesh ka bërë shkelje në zgjidhjet ligjore. Ligji i gjuhës shqipe nuk ekziston në Kushtetutën e Maqedonisë, por vetëm si ligj i gjuhëve të qytetarëve. Është një ligj skandaloz, më i dobët dhe me fuqi më të vogël se dispozitat kushtetuese.”
Qoku theksoi se “ky ligj në vetvete dobëson nenin kushtetues që jep më shumë të drejta dhe liri në përdorimin e gjuhëve mbi 20%, dhe kemi të bëjmë me dispozita ligjore të dobëta për përfaqësim adekuat, që gjithashtu janë dispozita kushtetuese.”
Ai nënvizoi se “të gjitha këto janë bërë pa mekanizma të forta dhe ligje të qarta, dhe kur kontestohen defektet e këtyre arritjeve, ata që kanë qenë në pushtet për 23 vite revoltohen ndaj problematikave që vetë i kanë krijuar në legjislacion.”
Bekim Qoku përfundoi duke thënë se “me largimin e tyre nga pushteti dolën dobësitë që kanë lënë pas, dhe ne po përpiqemi t’i rregullojmë këto defekte, duke sjellë edhe ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.” sn