Ja tek po rri! I vdekur. I zbuluar.
Në qoshen skaj oborrit.Trupin ngrirë.
E pra: Ky ishte mik i drejtë dhe i mirë.
Vërtet qe fjalëpak. Por ish tejet fisnik.
Besnik të tillë zor gjen në këtë dhe.
Tani, ja tek e ke. Ja tek e ke!
E pra, ai mbrojti botën plot vetmohim! Me kokë!
Duke përtypur qençe tek stel’ e vet një kockë.
Dhe as që i shkoi ndërmend të jetë i gjithpushtetshëm.
Deri në marrëzi, ai qëndroi i ndershëm.
Vështroni! Ja tek rri… diku në skaj, aty
Bri arkave të mbeturinave, gjith’ mërzi.
Dhe asnjë kalimtar nuk e vështron me sy….
I denjë për çdo çmim e mirësjellje –
Ndonëse një vdekje qeni s’kumtohet si mandatë –
I denjë për çdo nder, edhe përcjellje,
Me këngë të përzishme e me bandë.
Për çdo kumtesë zije e pikëllim njerëzor,
Ndoshta dhe varr të lavdishëm mbretëror!
Tani, ja tek qëndron… mes pluhurave e dherave.
I vdekur. I zbuluar.
Ka pesë ditë që pret kamionin e plehrave.
Po dhe ai. Siç duket. E ka harruar.
—
Nga libri “Bëjmë sikur”, 1995