Më 11 dhjetor 2005 shkrimtari i shquar, Nderi i Kombit, Vath Korreshi ka botuar në gazetën letrare «Temp» shkrimin «Mosmirënjohje» me rastin e 70 – vjetorit të lindjes së poetit Faslli Haliti, përt të cilin Vath Korreshi thotë se «është ndër autorët e rëndësishëm të letrave shqipe, gjë që e dëshmojnë edhe kritika dhe lexuesi»
Po jua dërgoj këtë shkrim, si një kujtesë, që të mos kemi një mosmirënjohje të dytë, për 80-vjetorin e këtij poeti të rëndësishëm të letrave shqipe.
Tahsin Xh Demiraj,
( regjisor, shkrimtar Lion, Francë)
MOSMIRËNJOHJE?
Këto ditë poeti Faslli Haliti mbushi 70 vjeç. Një përvjetor, të cilin, siç e besoj, e ka pritur me mendimin se diçka do të bëhej e diçka do të thuhej për të. Të paktën dikush do t’i thoshte: Edhe njëqind, Faslli! Ke jetuar e ke punuar 70 vjet dhe ke jetuar e ke punuar me nder dhe me faqe të bardhë. Por asgjë dhe nga askush! As nga Lidhja e Shkrimtarëve, ajo që ka mbetur dhe ashtu siç ka mbetur, anëtari i së cilës, siç shënon vetë autori në librin e tij më të fundit «Kaq», është qysh prej vitit 1969. kurse Faslli Haliti, gjë që e dëshmojnë edhe kritika dhe lexuesi, është ndër autorët e rëndësishëm të letrave shqipe. Veç puna është te referencat. Ku t’i gjesh këto referenca në këto kohë në shkorretin e madh të jetës sonë letrare? Në Shqipërinë e ekonomisë së tregut, edhe letërsia, fatkeqësisht, nuk i ka shpëtuar dot filozofisë së kësaj ekonomie. Parimi se malli im është më i miri, pra ecni dhe blijeni, vepron dukshëm edhe në këtë fushë, duke e kthyer marrëdhënien e artit dhe të kulturës me publikun në një bakallhane. Në këtë merkato tezgash të librit ka një dendësi dhe kaos të tillë të paparë, saqë është vështirësi e jashtëzakonshme të orientohesh për të gjetur vlerat. Tashti gjithçka që shkruhet vlerësohet me superlativa. Kaosin e shtojnë edhe mënyrat që gjenden për ta shitur mallin më shtrenjtë. Tendenca është mbizotërimi i letërsisë së miqve, domethënë trumbetimi i veprës nga miq të autorit. Këta trumbetarë i gjen ndër miq të autorit këtu në Shqipëri dhe ndër miq të autorit në të katër anët e botës. Njerëz që paguajnë për propagandë e publicitet nëpër gazeta e nëpër televizione këtu në Shqipëri dhe në katër anët e botës. Autorë që të bëhen ferrë për t’i botuar, për t’i përkthyer e për t’i lançuar si talente të mëdha këtu në Shqipëri dhe në të katër anët e botës. Që mezi presin të kenë një rast për t’i shpallur «Nderi i Kombit», «Mjeshtri i madh»*, etj. dhe që pastaj të tundin dheun nëpër ekrane e nëpër gazeta me lavdinë e tyre. kurse kredoja e poetit Faslli Haliti është:
Me autobusin e poezisë sime
Drejtpërsëdrejti
Po ngjisja majën e drejtësisë.
Dikush më pa,
Qeshi
Dhe tha:
Ngjitet drejtpërsëdrejti majën e drejtësisë?
Bjeri
Zigzag
Me kthesa,
Anës, anës,
Siç i bie autobusi
Qafës së Thanës.
E dëgjova dhe unë
Dhe qesha:
Do ta ngjis, i thashë,
Pa kthesa.
Por ka kohë që kredo të tilla janë shkërmoqur nga shumëkush. Është shkërmoqur interesi për jetën dhe për punën e artistit, që e shikon misionin e tij si një pikë të lartë, drejt së cilës duhet synuar me ndershmëri. Është një përçarje e jashtëzakonshme kjo që na ka ndodhur, një tejskajshmëri e paparë e indiferencës ndaj njëri-tjetrit, e institucioneve të kulturës e artit, e shtetit dhe e shoqërisë ndaj artistëve dhe njerëzve të kulturës. Kjo shkërmoqje ndaj vlerave të vërteta dhe ky nënçmim ndaj artistit ka sjellë dhe sjell çdo ditë e më shumë një inondatë, së cilës i janë hapur të gjitha portat nga vërshojnë ujërat e pseudoartit dhe të pseudokulturës, e shumimit të sofistikimeve dhe mënyrave për të kapur majat me rrugë jashtëletrare, në vend që të shtojnë përpjekjet që këto maja të arrihen duke përsosur kërkimet për nivele të larta në art. Është shkërmoqur solidariteti, kohezioni shpirtëror midis njerëzve që krijojnë artin, ato janë zëvendësuar me armiqësi, me akuza denigruese karshi njëri-tjetrit,shpesh nga ata që kërkojnë t’i arrijnë qëllimet e tyre të merkatos, duke iu ngjitur të përpjetave:
Bjeri
Zigzag
Me kthesa,
Anës, anës,
Siç i bie autobusi
Qafës së Thanës.
Në këtë mënyrë punët e vlerave ngatërrohen aq shumë, saqë për një poet si Faslli Haliti të mos kujtohet kush se i duhet thënë faleminderit në raste të tilla të shënuara, siç është një përvjetor i lindjes. (Gazeta Temp, 11 dhjetor 2005)
*Dhe shqetësimi i shkrimtarit Vath Korreshi për nderimin e vlerësimin e poetit F. Haliti, u realizua. Me rastin e 75-vjetorit poetit Faslli Haliti iu dha Urdhri «Mjeshtër i Madh» nga Presidenti i Republikës.
Komentet