Policia e Tiranës është kujtuar të reagojë pas dhunimit të kreut të Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi në ambientet e lokalit ku po qëndronte, duke mohuar se është ushtruar dhunë ndaj tij, dhe duke ia faturuar me idenë se ka ‘kundërshtuar punonjësit e policisë’.
Edhe nga pamjet e publikuara nga Syri, duket qartë sjellja e Policisë dhe shfaqja e saj e dhunshme përkundër kreut të Ballit Kombëtar, duke e justifikuar dhunën ndaj tij, se në ambientet e lokalit ku qëndronte, ushtrohej veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit dhe basteve sportive.
Por pas bërjes publike të skandalit dhe publikimit të pamjeve filmike të dhunës policore, kjo e fundit e ka proceduar në gjendje të lirë Adriatik Alimadhin, kreun e një partie opozitare në vendin tonë, për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”.
Sipas Policisë së Tiranës, Alimadhi, ka refuzuar të zbatojë urdhrat e punonjësve të Policisë, duke i kundërshtuar verbalisht dhe fizikisht dhe ka tentuar të largohet nga ambienti, pavarësisht kërkesës për të qëndruar në vendin ku ndodhej, deri në përfundim të procedurës.
Por ky pretendim i Policisë bie poshtë, pasi pamjet filmike tregojnë të kundërtën e asaj që thuhet në deklaratë.
Për rastin në fjalë dhe dhunën e ushtruar nga Policia ndaj Alimadhit, edhe Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë ka nisur veprimet verifikuese, bazuar në pamjet filmike të publikuara në rrjete sociale.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe nisën procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin A. A., 61 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”.
Ky shtetas dyshohet se, gjatë një kontrolli të ushtruar nga shërbimet e Policisë në një lokal në rrugën e “Dibrës”, me qëllim verifikimin e informacionit se në këtë ambient ushtrohej veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit dhe basteve sportive, ka refuzuar të zbatojë urdhrat e punonjësve të Policisë, duke i kundërshtuar verbalisht dhe fizikisht dhe ka tentuar të largohet nga ambienti, pavarësisht kërkesës për të qëndruar në vendin ku ndodhej, deri në përfundim të procedurës.
Në lidhje me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë ka nisur veprimet verifikuese, bazuar në pamjet filmike të publikuara në rrjete sociale dhe pretendimet e paraqitura nga shtetasi në fjalë.