Me gëzim mora lajmin se Këshilli Bashkiak i Qytetit Shkodër ka vendosë të deklarojë qytetarin shkodran dhe bashkëvuejtësin tim, z. Ahmet Bushati, “Qytetar Nderi” i qytetit të Teutës. Urimet e mia për këtë akt që plotëson nji mungesë të ndieme për nji kohë të gjatë. E kam njohun Ahmet Bushatin në vitet e rinisë së parë (Nana ime vjen nga familja Bushati). Por e kam njohë ma mirë vetëm kur ai u arrestue si student aktivist antikomunist, u torturue mizorish, dhe u dënue me shtatë vjet burg të randë e punë të detyrueshme. Në burgun e Shkodrës ku ai u mbyll, me gjithë vështirësitë e Rregullores, jemi takue dhe natyrisht kemi bisedue për gjendjen tonë të randë si dhe kemi ushqye shpresën e nji dite lirimi për të gjithë. Ahmet Bushati më la përshtypjen e nji të riu entuziast, por i matun dhe impresionoi të gjithë në burg me tregimin nga shokët e tij për torturat çnjerëzore që u përdorën kundër tij dhe rezistencën e jashtëzakonshme që tregoi gjatë “hetuesisë” së Sigurimit të Shtetit. Bashkë me atë, erdhën në burg edhe shumë studentë të “Liceut At Gjergj Fishta” të akuzuem për veprimtari kundër pushtetit, të rinj të djegun për demokraci në vendin tonë. Ishte kjo rini që frymëzoi të gjithë, sepse dha të kuptojmë që rezistenca nuk ishte shue përjashta burgut dhe se parashikimet ishin optimiste: rinia shqiptare i rezistonte propagandës dhe praktikës së regjimit të hunit e të litarit.
Ditët, javët e vitet kalojshin në këtë atmosferë mbytëse dhe nën kërcënimin e përhershëm të vdekjes në torturë. Por edhe rezistenca e jonë bahej ma e fortë, ma koshiente sepse njohëm “armikun” ma mirë, dhe ma kambëngulëse kundër egërsisë së policit. Njikohësisht, pjekunia që vjen me moshën krijoi nevojën e pakundërshtueshme me analizue jo vetëm gjendjen tonë, por edhe fatin tonë në burg dhe sidomos në ditët kur dënimi jonë plotësohej dhe pritej lirimi. Cilët jemi ne që dalim të gjallë nga burgu dhe cili ashtë “roli” ynë në nji shoqëni që eventualisht do të jetë e ndryshme nga ajo që na mbante të mbyllun në burgje?
Këtu më duhet të pohoj se ajo që gjetëm jashtë burgut ishte e pandryshueme dhe ajo që u krijue mbas ramjes së komunizmit akoma edhe ma dëshpruese. Në burgjet e errëta e kampet e punës së detyrueshme na kishim fillue me u ba të ndërgjegjshëm për pasojat e komunizmit: A do të ishim na në gjendje me rikrijue bashkësinë e vëllazënve e motrave shqiptare mbas nji katastrofe përmbytëse? A do të ishim na të ndërgjegjshëm, nesër në botën tonë pa burgje për rolin tonë të ri në shoqëninë që andrrojshim të lirë, pa frikën e persekutimit dhe pa kërcënimin e urisë që sistemi shtetnor komunist kishte organizue në nji shoqëni të shtypun?
Vetë ideja që kujdesi jonë përqendrohej në mendime të këtilla fisnike e larg konceptit të shtypjes e mjerimit që na kishte mbulue, na mbante gjallë, të fortë, kryenaltë e të vendosun. Edhe ma parë kam deklarue se “në burgjet e fashizmit dhe komunizmit, rinia shqiptare që u dogj gjatë atyne viteve heroike, po hidhte themelet e nji bashkësie vëllaznore të lirë e të çlirueme nga mentaliteti i persekutimit nga nji shtet monstër”. Ajo që na imponohej ato ditë ishte thania e filozofit gjerman, F.Nietzsche: “Ata që luftojnë kundër përbindëshit, duhet të kenë kujdes të mos kthehen në përbindësha”. Duhej ruejtë e forcue fryma njerëzore në mbrendinë tonë, të luftohej pa mëshirë çnjerëzimi jonë… humbja jonë e plotë dhe e pariparueshme.
Për fatin tonë të mirë, kaluem këtë fazë kritike me suksesin ma të plotë: përbuzëm urrejtjen për “armikun” kriminel- urrejtjen, këtë sëmundje, që vret të gjithë ata që e ushqejnë – dhe vendosëm besimin tonë në aftësitë tona me zbatue drejtësinë. Fatkeqësisht, optimizmi i jonë u trathëtue nga karrieristët e politikës së ditës…! E kaluemja jonë u venit nga vitet e mosveprimit për ndërtimin e demokracisë dhe vuejtjet tona i mbuloi harresa! Akoma sot, Shqipëria nuk ka pranue fajin publikisht; ajo jeton me ndërgjegje të randueme nga pesha e fajit të kryem. Kjo gjendje pa zgjidhje na frikëson. Në qoftë se refuzojmë me përballue përbindëshin e së kaluemes, breznia e re do të pësojë rrjedhimet e paevitueshme. Sepse, në Shqipëri, komunizmi ka zhveshë shqiptarin nga rrobet e trupit e të shpirtit! Sot, mbas shumë vitesh aventure politike nga klasa të pandërgjegjshme të partive politike, shumica e të cilave të daluna nga gjiu i PKSH/PPSH kriminele, na kujtohen ditët e vështira dhe dyshimi ynë i justifikuem se, qytetarët shqiptarë do të dilshin nga shoqënia komuniste si qenie të sakatueme dhe do të vazhdojshin me jetue nën peshën e frikës, frikës së madhe të kafshës që tërhiqet zvarrë, me dru e me litar, në kasaphanet e qyteteve tona…!
Në bankat e shkollës së mesme, kur Shqipëria nuk kishte akoma institucione të arsimit të naltë, gjatë viteve të pushtimit të huej, rinia studenteske e moshës së Ahmet Bushatit zgjodhi alternativën e nderit që kushtoi shumë vuejtje e gjak. E zhgënjyeme nga eksperienca komuniste, kjo rini vazhdoi me ndjekë rrugën e vetme që mbetej: rrugën e nderit. Për Ahmet Bushatin dhe kolegët e tij, me kundërshtue “diktaturën e proletariatit”, me mbrojtë të drejtat e Kosovës e Çamërisë, me refuzue duartrokitjet për marrëzitë e diktatorit, nuk kanë qenë akte të thjeshta; ato kanë qenë gjeste të jashtëzakonshme, detyrë morale e korrekte politikisht për të gjithë. Edhe këtë detyrë breznia e re -sidomos ajo studenteske- e kreu me nder e guxim. Pjesa ma aktive ku bante pjesë edhe Ahmet Bushati u përballue dhe u përlesh me “të keqen”, që mbuloi vendin tonë; ajo rini, ende e parritun mirë, u hodh në zjarrin e nji lufte të pabarabartë që nuk mund të fitohej… jo për fajin e tyne. Sot, breznitë e reja shqiptare kanë nji trashëgim të ndritun me ndjekë: me ndigjue zanin e ndërgjegjes dhe me ndjekë atë me pasionin e tyne rinor! Sepse pasiviteti mundëson ushtrimin e dhunës kundër të pafajshmit. Heshtja nuk ashtë përgjigje; ashtë nji e keqe pasive. E kur kjo “e keqe” vret e copton, me heshtje na kryejmë aktin e vetëvrasjes sonë morale. Breznia e Ahmet Bushatit përbuzi heshtjen, përballoi furtunën, dhe u dogj në flakën e lirisë që aq shumë kërkoi! Historia na mëson se ata që harrojnë të kaluemen e errët janë të dënuem me e përsëritë. Në Shqipërinë tonë ky fenomen negativ ka triumfue: terrorin komunist e ka mbulue heshtja dhe heshtja zakonisht vret ata që e përqafojnë. E kundërta ngjau në vendet e përparueme, me kulturë politike ma të zhvillueme dhe me sensin e plotë të marshimit të historisë. Në ish-Gjermaninë naziste ky problem u përballue direkt dhe pa kompromis me mobilizim të përgjithshëm, nji konditë kryesore që në Shqipëri na mungon. Gjermania ka krijue nji identitet politik të ri, tue shlye turpin e së kaluemes së saj kriminale. Këtu kemi para vetes eksperiencën shqiptare: falimentimin në çrranjosjen e efekteve të komunizmit në Shqipëri. Por me kalimin e kohës harresa përparon. Duhen akte që pengojnë fitoren e harresës, monumentët për viktimët dhe muzeumet për popullsinë e gjanë, së bashku me programe shkollore për të rinjtë tonë, janë hapat e parë. Në Shkodrën tuej e timen, nji qendër e rezistencës demokratike, kjo iniciativë u ba pikësynimi i bashkëvuejtsit tim, Ahmet Bushati. Me punë të pandërpreme, me ballafaqim të të gjitha vështirësive që ndeshi në rrugën e tij, ky demokrat ia doli me përfundue themelimin e Muzeut të Dëshmisë dhe Memories që Shkodra sot posedon, nji pasqyrë e qartë e së kaluemes së errët komuniste. Vetëm për këtë ndërmarrje, Ahmet Bushati meriton titullin “Qytetar Nderi”.
I dashtuni Ahmet! E gëzofsh mirënjohjen e qytetit të Shkodrës!
Komentet