“…dallimi mes shtetit dhe kaosit”, është pjesa e fundit që e kemi shkëputur nga një status i gjatë i Ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari i cili gjatë një ceremonie të dorëzimit të 23 motoçikletave të reja që do të përdoren nga Policia Rrugore dhe forcat ‘Shqiponja’ kuptohet se është një qendrim tërësisht ideologjik, politizues dhe ushqyes i veprimeve të presionit apo të forcës që demonstron kjo forcë.
Përse është i tillë?
Këtë e tregon vetë titulli që përzgjedh ATSH-ja në propagandën zyrtare ku shënohet ;“Lamallari: Policia nuk duhet të përgjigjet me emocion, por me ligj”
Me ç’rast e thotë ai këtë. Në fakt jo vetëm ai por e njëjta ceremoni trefishohet në lajmin. Për 23 motoçikletat flet Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit; “Hita: Motomjetet e reja forcojnë kapacitetet operacionale të forcës së posaçme ‘Shqiponja’ dhe Policisë Rrugore” dhe në një tjetër Krye-administratorja e Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara , Risena Xhaja titulli i ATSH-s është; “AAPSK financon 23 motoçikleta të reja për Policinë e Shtetit”. E përbashkëta e të tre lajmeve është se këto 23 mjete të motorizuara e kanë vlerën e tyre të përfshirë nga një fond prej 4,7 milion eurove që dalin nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për gjatë periudhës 2024–2026 dhe që cilësohen investime për Policinë e Shtetit.
Turizmi, parandalimi i aksidenteve në rrugë, goditja e krimit vendosen në qendër të justifikimit të domosdoshëm për veprimtarinë e policisë, por mes kësaj propagande sinjali për t’i bërë presion protestës së pandërprerë të qytetarëve për dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit që ka hyrë në muajin e dytë është i hapur dhe i pa maskuar:- “Ju dhe kolegët tuaj keni kaluar një periudhë të ngarkuar dhe sfiduese, jo vetëm në terren, por edhe në sheshin e pamëshirshëm të opinionit publik. Keni përballuar provokime, akuza dhe gjykime të nxituara, aty ku shpesh rrjetet sociale flasin para se të flasin vetë faktet dhe të shpallin dhe gjyqet publike. Mendoni se çfarë do të thotë të përballesh me një urrejtje të pafiltruar, ku ‘heroi’ apo deliranti revolucionar, ju akuzon publikisht për dhunë, një teatro-realitet të inskenuar, me qëllimin e vetëm për t’u bërë viral. Në skena të tilla, të vetmit pa faj mbeten dy palë, punonjësi i policisë, i cili duhet të ruajë me çdo kusht dinjitetin me durim, sepse kështu e kërkon pozicioni i tij, dhe vetë akuzuesi, në disa raste, i cili, në çdo rast që kemi dëshmuar së fundmi, ka më shumë nevojë për kujdes, ekzaminime dhe mundësisht për trajtim sesa për përgjegjësi ligjore. Vazhdoni kështu, pa e humbur kurrë durimin dhe pa rënë kurrë pre e provokimeve. Uniforma që mbani kërkon vetëpërmbajtje përballë atyre që nuk respektojnë as ligjin dhe as institucionet. Policia nuk duhet të përgjigjet me emocion, ajo përgjigjet me ligj. Ky është dallimi mes shtetit dhe kaosit.”*
Por le ta shohim në thelb këtë politizim dhe mburojë të pushtetit me protestën tërësisht paqësore të qytetarëve. Janë ata që u kanë dhënë ujë policëve të pakët në numër në shesh dhe ndoshta lule, apo dhe vezë e miell politikanëve dhe kanë marrë në shkëmbim, shtytje, goditje, shkop gome, spërkatje lotuese dhe djegëse, tymues, top-uji dhe ndalime apo arrestime, deri diku e kanë zvogëluar numrin e pjesëmarrësve, por që nuk është ndërprerë.
Mesazhi ose kuptimi i dytë se çfarë ka në dorë pushteti del i qartë kur kupton se çfarë propaganda e quan investimin për policinë, kur këto fonde dalin nga pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara. Jo vetëm një pikëpyetje e madhe, por edhe një problem i madh që tregon për milionat që kriminaliteti në ekonomi ka gjetur terren dhe nuk ka mundur të parandalohet prej një periudhe 13-14 vjeçare që kjo qeverisje sundon. E shprehur në vlera sipas ngjarjeve ditore këto 4,7 milion euro a janë këto vetëm një pjesë e vogël e vlerave nga konfiskimi i parave të korrupsionit.
Po në qoftë se do ta shtronim ndryshe pyetjen Ku i gjen Rama 4.5 milion për një koncert “privat” dhe i ndërton stadiumin sikurse i siguron edhe me polici perimetrin e shfaqjes një ditore dhe si nuk gjen mënyra ekonomike apo edhe nga sekuestrimet e veprave të korrupsionit atë normë 5% të GDP-së deri në 2035 për të kontribuar financiarisht në NATO?
Këtë na e shpjegon ’emocioni’ i protestës për t’i thënë ndal korrupsionit ekonomik dhe politik si dhe kuptimi i forcës së ligjit për ta ndaluar rënien e vetë drejtimit të shtetit në kaos, qe e mbron jetëgjatësinë me forma represive.
________
*ATSH-7 Korrik, 2026 “Lamallari: Policia nuk duhet të përgjigjet me emocion, por me ligj”
7-8 Korrik, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)