Sinqerisht nuk ke se nga ta kapësh.
A janë zhvillimet e një jave që lamë pas apo kjo e reja që nis me mënyrën se si shteti drejtohet dhe me mënyrën se si lajmet marrin dhenë.
Parlamenti e filloi të Hënën si një histori më vete mosmarrëveshjesh mes dy forcave më të mëdha politike RS dhe PD.
Në se bashkëkryetari Bylykbashi për reformën zgjedhore nga opozita u largua nga një mbledhje për kushtet që politika duhet të përpiqet dhe t’i provojë siç është mbajtja e zgjedhjeve me ‘lista të hapura’, njohja me problemin nuk mjaftoi , por dikush tjetër si kryetari i GPS-s Balla u hodh dhe doli me një deklaratë duke vendosur ai afatet dhe t’i tregonte publikut se çfarë duhet të bëjë opozita ku sipas ATSH nënvizohet:-“Koha kur Partia Demokratike kishte të drejtën ekskluzive për të bllokuar Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore përfundon më 30 nëntor”.
Pra sipas Ballës, PD… kishte të drejtën?!…
Pra Balla flet në të shkuarën, bëhet përcaktues fatesh (sikurse edhe herë të tjera i ka rënë në kokë datave të zgjedhjeve që ka dekretuar tamam presidenti), edhe pse jemi ende në dhjetëditëshin e parë të Nëntorit dhe duhen akoma edhe 20 ditë të tjera deri në fundin e muajit, datën 30 Nëntor që nëse ka dëshirë për dialog palët mund të punojnë rreth tij.
Qëllimi ynë nuk ishte që ta kapim këtë “grimcë” dhe ta shkëpusnim nga përditshmëria e jetës së këtij deputeti, kryetar i GPS që prej kohësh është bërë si shumë të tjerë brenda grupimit politik, por jashtë orarit zyrtar një “influencer i rrjeteve sociale” që gjendet sa në pikat më të larta ku shihet me dron protesta, jep vlerësime për mjedisin, takohet në diasporë për promovim biznesesh etj…etj. deri sa më në fund mori rolin e një konsumatori me shportë diku në një shitore për të treguar çmimet që po i ul kryeministri.
Me që ra fjala, kryeministri ndodhet në Francë ndaj Balla dhe disa influencierë të tjerë brenda qeverisë dhe parlamentit nuk mungojnë të përfshihen në aksion.
Kështu Ministrja për Parlamentin del dhe jep rastet e një bonusi për bebet ndërsa Ministri i Brendshëm interesohet për sistemin “BB- Smart City” sikurse nuk mungon ta konkretizojë atë me titullin:-“Maska nuk të fsheh nga ligji!”, që i referohej grabitësit të një banke.
Pyetja që shtrohet lidhet me atë që a është vërtetë ajo që publiku merr nga propaganda dhe mediat që e mbështesin qeverinë apo janë mediat sociale që e demaskojnë përditë korrupsionin dhe protestojë çdo ditë kundër qeverisë që e ka humbur busullën e qeverisjes prej korrupsionit.
Prej dy javësh komisionet parlamentare po barsen me buxhetin e 2027.
Çdo ministër dhe administrator jep kërkesat se sa miliona i duhen dhe se çfarë pjese i takon që të luftojë për të mbërritur shumën projekt buxhetit të 2027, 10 miliardësh (euro).
Një atmosferë elektrizuese që fillimisht nuk kuptohet se nga po vjen, kujt do t’i shkojnë këto para dhe çfarë mund të zgjidhet mes një buxheti më të madh historik në raport me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit, çeljes vërtetë rrugë Shqipërisë drejt BE-së pa korrupsion, krim ekonomik, por me frymë të re dhe me një sistem të fortë të së drejtës që t’i hapë rrugë zhvillimit të vendit.
9 Nëntor, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)