UGSHPD mësoi me pikëllim të thellë për largimin e parakohshëm nga jeta të Janusz Bugajskit, një shqiptues, mbrojtës dhe luftëtar i të vërtetave, çka është humbje e madhe për shtypin e fjalën e lirë dhe elitat Perëndimore.
Janusz Bugajski si ekspert i Euroazisë, i Ballkanit nuk u lëkund kurrë të argumentonte me fakte rreziqet që i kanosen sot Perëndimit duke toleruar diktatorët dhe autokratët.
Nuk u konformua kurrë me qëndrimet e liderëve të Perëndimit, kur ata anonin nga marrëveshjet në emër të “paqes” apo “stabilitetit”.
Nuk bëri asnjëherë kompromis në kurriz të fakteve që i kishte busull të të vërtetava të pakundërshtueshme.
Janusz Bugajski, studiuesi amerikan me rrënjë polake, nuk pranoi të bënte kurrë lëshime në kurriz të interesave Euro-Atlantike për ta zbutur apo fshehur realitetin, në shërbim të politikave afatshkurtëra dhe dritshkurtëra.
Ai e adresoi direkt rrezikun që i kanoset Perëndimit. Nuk mbështeti kurrë diplomacinë përkëdhelëse të Perëndimit ndaj Putinin apo Vuçiqit.
I tha të bardhës të bardhë dhe të zezës të zezë.
Ishte dhe do të mbetet emër trimërues për gazetarinë dhe gazetarët, modeli i një profesionisti brilant dhe me integritet.
Një hero i kohës sonë pa heronj, në mbrojtje të lirisë, shtetit të së drejtës dhe demokracisë.
UGSHPD i shpreh ngushëllimet Familjes, Kolegëve në mbarë botën që janë të pikëlluar për largimin e tij nga kjo botë e trazuar, kur Perëndimi ka më shumë se kurrë nevojë për emra të tillë që mjerisht janë të rrallë si Janusz Bugajski.
Shpirti i tij na ndriçoftë nga Parajsa, për ta vazhduar brez pas brezi misionin e tij në mbrojtje të lirisë, fjalës së lirë dhe vlerave pa të cilat sistemi demokratik nuk i mposht dot diktatorët që sot, më shumë se kurrë, janë rrezik real.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)