Po flladitet me ujëbore në vrella e spërkat me gishtërinj të lagur gjinjtë e butë
e të dehur të zanave, pa zbardhë dita,
si hakmarrës për netët hënëgjata e pa gjumë.
Prin në çelje dite me gjogun e bardhë bajrak në udhë midis dy shekujve,
Me dy duart kapur në jele shtëllunge resh
E majat nxjerrin ashkla xixa prej patkojve të sertë e të gurtë të krushqve të ngrimë.
Në Jutbinë nisi lojën e kapuçave me kokrrën në grusht
E majekrahu me Muj e Halil hollë po i pisket me ngut qiellit.
Duke fishkëlluar në një fletë ahu
në gjunj ka ulur drerët e brinjtë e tyre, si gërma përdredh e vizaton diellin.
Në Dardani po bjen një tupan lagë me lotë bjeshke për princin.