Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të premten se ka urdhëruar pozicionimin e dy nëndetëseve bërthamore në afërsi të rajoneve ruse, si përgjigje ndaj kërcënimeve të fundit të ish-presidentit rus Dmitry Medvedev. Lëvizja shënon një përshkallëzim të ri në tensionet midis Uashingtonit dhe Moskës.
Përmes një postimi në rrjetin e tij Truth Social, Trump shkroi: “Kam urdhëruar që dy nëndetëse bërthamore të pozicionohen në rajonet e duhura, në rast se këto deklarata budallaqe dhe nxitëse janë më shumë se kaq.” Ai e quajti gjuhën e përdorur nga Medvedev “provokative dhe e papërgjegjshme”.
Ky zhvillim vjen një ditë pasi Medvedev, që aktualisht mban postin e zëvendëskryetarit të Këshillit të Sigurisë së Rusisë, e paralajmëroi Trumpin të kishte parasysh kapacitetet bërthamore të Rusisë të trashëguara nga epoka sovjetike. Komentet e Medvedevit janë parë gjerësisht si sinjal kërcënues ndaj SHBA-së në një kohë kur marrëdhëniet midis dy fuqive janë përkeqësuar ndjeshëm.
Vendosja e nëndetëseve bërthamore amerikane përbën një tregues të qartë të gatishmërisë ushtarake të Uashingtonit dhe vjen në një moment delikat diplomatik. Zyrtarë të lartë të Pentagonit ende nuk kanë komentuar publikisht për lëvizjen, ndërsa analistët paralajmërojnë për rritjen e rrezikut të një konfrontimi të drejtpërdrejtë mes dy fuqive bërthamore. bw