Kur Odhise Paskali konceptoi idenë për të hedhur në bocet, dhe më pas për të gdhendur dhe jetësuar monumentin e themeluesit dhe shtetarit të parë të Shqipërisë, Ismail Qemalit, ai nuk po kërkonte thjesht të realizonte një vepër artistike për të arritur kulmin e ngjashmërisë fizike të një burrështetasi me peshë historike.
Qëllimi i mjeshtrit të madh të gdhendjes në gur ishte më i thellë dhe më i guximshëm: t’i jepte Shqipërisë profilin moral të një shtetari.
Një fytyrë ku dinjiteti, maturia dhe përgjegjësia të lexoheshin pa fjalë. Një figurë që të mos ishte vetëm një kujtim me gjurmë historike, por një model krahasimi për ata që do të vinin pas, për të vazhduar stafetën dhe amanetin e tij me dinjitet.
Në atë statujë, Ismail Qemali nuk paraqitet triumfator, as i ngurtë në autoritet. Ai është i menduar, i përmbajtur, i rënduar nga përgjegjësia. Është portreti i një burri që nuk e pa shtetin si pronë, por si një barrë të madhe që ia ngarkonte historia. Dhe pikërisht këtu qëndron aktualiteti i dhimbshëm i veprës së Paskalit.
Kanë kaluar mbi 113 vjet nga ajo ditë kur plaku i urtë i Vlorës, bashkë me shumë patriotë të tjerë, bëri gjithçka që Shqipëria të mëvetësohej, të ngrihej më vete dhe të ecte drejt lirisë dhe përparimit.
Ai dhe bashkëkohësit e tij menduan për brezat që do të vinin — për një vend më të drejtë, më të zhvilluar, më të prosperuar, më dinjitoz, sesa ai që lanë pas.
Por rruga që pasoi tregoi se ky amanet me peshë të rëndë për fatet e vendit nuk u mbajt gjithmonë.
Breza pushtetarësh erdhën e ikën në këtë rrugëtim historik dhe, jo rrallë, Shqipëria u trajtua jo si përgjegjësi dhe mision për t’u ndërtuar, por si mundësi për t’u shfrytëzuar.
Jo si shtëpi e përbashkët, por si plaçkë e përkohshme. Në këtë udhëtim të gjatë, ideali i shtetarit që jep më shumë sesa merr, që shërben më shumë sesa sundon, u zbeh, u shtrembërua, madje u harrua.
Dhe pikërisht këtu, statuja e Ismail Qemalit, e gdhendur nga Odhise Paskali, bëhet një akuzë e heshtur.
Si për ironi të fatit, monumenti qëndron i heshtur, i padukshëm, në mes tre institucioneve më të rëndësishme të shtetit shqiptar: Presidencës, Kryesisë së Kuvendit dhe Kryeministrisë.
Pikërisht ku sot, në atë vend po zhvillohet protesta e radhës, që pason protestat e pafundme të një Shqipërie të pagjumë, e cila klith kundër një regjimi të rrënuar dhe të zhytur në skandale e korrupsion.
Atje ku sot bijtë dhe bijat e Shqipërisë, pasardhësit e Ismail Qemalit, protestojnë për të mbajtur gjallë amanetin e tij — për një Shqipëri që duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve dhe jo e një grushti njerëzish që e sundojnë dhe e plaçkitin ditë pas dite.
Në këto kohë të trazuara, kjo skenografi përfaqëson një simbolikë mjaft domethënëse, që na kujton se Plaku Ismail Qemali, ashtu si në ato mote, duket ende i shqetësuar dhe, me sa duke, nuk gjen dot prehje për krijesën që la pas — Shqipërinë e vërtetë të shqiptarëve.
Me heshtje të përunjur dhe me sytë e qetë e qortues, ai na kujton atë akt të madh historik, duke na pyetur çdo ditë:
Sa jemi larg asaj fytyre?
Sa i ngjajmë atij profili?
Odhise Paskali, me intuitën e artistit të madh, e dinte se shteti nuk mbahet gjallë vetëm nga ligje e institucione, por nga modele morale. Prandaj Ismail Qemali i tij nuk është i zhurmshëm. Ai është i qetë, sepse dinjiteti nuk ka nevojë të bërtasë.
Sot, kur Shqipëria ende përballet me plagë të vjetra dhe zhgënjime të reja, kjo vepër merr një kuptim domethënës edhe më të mprehtë.
Ajo na kujton se problemi nuk ka qenë mungesa e figurave historike, por mungesa e vazhdimësisë morale. Amaneti i shtetit si shërbim, jo si përfitim, nuk u mbajt gjithmonë me dinjitet.
E megjithatë, statuja qëndron atje. Si dëshmi e kohërave, duke na gjykuar për gjërat që kemi bërë dhe ato që i kemi lënë në mes të rrugës pa i bërë. Si një standard. Si një kujtesë se Shqipëria e meriton ende atë profil shtetari që Odhise Paskali e gdhendi me aq përkushtim: një njeri që i jep vendit të vet, pa ia marrë atij shpirtin.
Tiranë, e hënë – 22 dhjetor, 2025

Dita 6, Albania






Komentet