Hierarkia e lartë e Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës (PLA) po përjeton një nga momentet më të vështira në dekada. Spastrimi i fundjavës i gjeneralit të lartë Zhang Youxia dhe i një tjetër oficeri madhor, gjeneral Liu Zhenli, ka hapur pikëpyetje serioze mbi luftën për pushtet brenda elitës ushtarake kineze dhe pasojat që kjo situatë mund të ketë për kapacitetet luftarake të vendit.
Zhang Youxia, 75 vjeç, mbante postin e nënkryetarit të Komisionit Qendror Ushtarak (CMC), organi më i lartë i Partisë Komuniste që kontrollon forcat e armatosura dhe që drejtohet nga presidenti Xi Jinping.
Zakonisht i përbërë nga rreth shtatë anëtarë, CMC-ja tani është reduktuar në vetëm dy persona, Xi Jinping dhe gjenerali Zhang Shengmin. Të gjithë anëtarët e tjerë janë larguar në kuadër të fushatës së ashtuquajtur kundër korrupsionit, pas valëve të mëparshme të ndalimeve dhe hetimeve.
Komisioni Qendror Ushtarak ka nën kontroll miliona trupa dhe përbën qendrën reale të pushtetit ushtarak në Kinë. Rëndësia e tij është e tillë sa Deng Xiaoping, udhëheqësi historik i vendit, mbante vetëm postin e kryetarit të këtij organi për të ushtruar pushtetin absolut.
Sipas analistit Lyle Morris nga Asia Society Policy Institute, fakti që në CMC kanë mbetur vetëm dy anëtarë është i paprecedentë.
“PLA-ja është në rrëmujë”, tha Morris për BBC-në, duke shtuar se ushtria kineze po përballet me një “boshllëk të madh drejtues”. Ai theksoi se ende nuk është e qartë se çfarë po e nxit realisht eliminimin e kaq shumë gjeneralëve të lartë, por kjo situatë dëmton imazhin dhe kontrollin e Xi Jinpingut mbi ushtrinë.
Edhe profesori i asociuar Chong Ja Ian nga Universiteti Kombëtar i Singaporit shprehet se arsyet e vërteta të rënies së Zhang Youxia mbeten të paqarta. Sipas tij, spekulimet janë të shumta dhe shkojnë nga akuza për rrjedhje sekretesh bërthamore drejt Shteteve të Bashkuara, deri te komplotet për grusht shteti, përçarjet fraksionare apo madje edhe thashetheme për përplasje të armatosura në Pekin.
“Rënia e Zhang dhe Liu, së bashku me spekulimet e pakontrolluara, nxjerr në pah dy gjëra, Xi Jinping mbetet i paprekshëm dhe ekzistojnë kufij shumë të fortë të informacionit në Pekin, gjë që ushqen pasigurinë dhe këto zëra”, thekson Chong.
Njoftimi zyrtar për hetimin ndaj Zhang dhe Liu bën fjalë për “shkelje të rënda të disiplinës dhe ligjit”, një formulim që zakonisht përdoret për akuza korrupsioni. Kjo u konfirmua edhe nga një editorial i gazetës zyrtare të ushtrisë, PLA Daily, e cila theksoi se veprimi dëshmon “tolerancën zero” të Partisë Komuniste ndaj korrupsionit, pavarësisht pozitës apo nivelit të personave të përfshirë. Panorama