PIKËRISHT TANI JAM DUKE QESHUR
Nostalgjia ime është një mal i heshtur,
është pyll, edhe këngë e fllad kujtimesh.
E sotmja më ofron një vend për t’u prehur,
e ardhmja dyshime e pandehma përjetimesh.
Por tani, (pikërisht tani!), jam duke qeshur,
kam një derë dhe muret me drite e hije .
(Jo, nuk ka shkak për hamendje e për t’u trembur!)
Në dëshiron, hyrë; jam tempull mirësie.
PAS SHIUT
Pas shiut gjallojnë e shfaqen butë-butë,
Hëna e yjet e rrjedha e ujshme.
Ndërsa flladi flladon kujtesën e ngurtë,
tulatet kryeneçësia ime, e bujshme.
Hijet e pikëlluara e imazhet e fshehura,
edhe qirinjtë e përzhitur atje janë fikur.
Plakat gazmore, flok’pakrehura,
të pushojë shiu mezi kanë pritur.
Varka e Hënës që vozit mbi mal,
më nxit të rindez qirinjtë e kandilet me vaj.
E imja, pret me padurim në liman,
të erërohet flladi e fryjë velat e saj.
OSE ME GËRMADHAT GUROHEM
Çfarë tjetër gjë më nxit të shkoj atje,
përveç gërmadhave mbuluar me ferra?
Majat e aheve që përshëndetin përtej,
apo tufa e reve si dhen e shqera?
Fijet e barit tregojnë se po kalon flladi,
është pararoja e Erës të Perëndimit të Largët.
E di se era më ndjek hap pas hapi,
e bëhet fllad e flladon kur gërvishten plagët.
Ajo do më ndjekë edhe herën e fundit,
sikur nga Perëndimi fshehurazi të largohem.
Pandeh se pritem kur mpreh kosën a plorin,
ose, mes gërmadheve, gurohem.