VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Trimëri e mjeshtëri… – Nga REX KASUMAJ

By | March 7, 2021
blank

Komentet

blank

Me këto buzë që kemi, do puthemi – Esé nga Përparim Hysi

 

Kam mbi 30-vjet që shkruaj, si në prozë dhe në poezi. Kam në “arshivën” time një mal me shkrime dhe, për arsye subjektive, nuk i botoj dot nëpër libra. Krijimet e mia,si në prozë dhe poezi, i nis në portalë të ndryshëm mediatikë dhe kurrë, në asnjë rast, nuk këmbëngul duke iu lutur iks-botuesi:-Të lutem botoje apo ca më shumë: shkruaj diçka për këto që shkruaj unë. Pa dyshim, botuesëve nuk rri pa u shprehur mirënjohjen time se, pa botimin në portalet e tyre, do isha krejt i panjohur. Kam botuar deri tani 15-libra (11 me poezi dhe katër me tregime), por unë kam një mal me shkrime të botuara,por ja që nuk i botoj dot. “Shtrati i Prokustit” të financave të mia,sa vjen e shkurtohet,se jam pensionist;se jetoj me qera; se kam”Ditët e prapme të Pompeut” dhe është luks i madh botimi i një libri për mua. Dhe jo pa ironi kam shkruar në një nga poezitë e mia:”Poezitë e mia/si vezët e qyqes/strehuar në”foletë e botës”. Kështu mund të deklaroj,pa modesti të rreme që”vetëm me ese” mund të botoja tri libra; një me tregime dhe me poezi,tani për tani,10-libra. Një libër që ma kish qefi ta kisha në raftet e bibliotekës sime,do ishte ai me përshtypjet e shkrimtarëve dhe dashamirëve të mi për shkrimet e mia. Por janë” ca trëndafila që nuk çelin për mua”,siç shprehej HELENAU. Sidoqoftë,vij me këtë ese si një apel për t’u mbrojtur nga “dy lloj”botuesish apo krijuesish.
* * *
Duke i gjetur”vezët e mia” në”foletë e botës”,disa syresh kanë lozur arushë me krijimet e mia. Ndonjërit ia kam dërguar vet ( ai nxjerr dhe gazetë që shtitet) dhe më thotë përmjet mesazhit:- Nesër në gazetën X… është shkrimi yt. Natyrshëm, e falnderoj. Shkrimi im është një ese për një shkrimtar që nuk rron më dhe unë,përfitoj nga rasti, t’i njoftoj të afërmit e shkrimtarit se,sado që shkrimin ua kam dërguar me e-mail, e kanë si fakt dhe i inkurajoj:- Blini gazetënX… se aty e kini. Edhe vet shkova e bleva. Botuesi:- Po si nuk the një fjalë për gazetën?Unë jovetëm thashë,por u kam vënë”detyrim” që ta blenë. AI:- Bukur! Dhe vërtet që është bukur. Por,pa u shkëputur nga kjo ndjesi apo bukuri,kur më bie telefoni dhe më thotë:- Nuk është i plotë siç ma ke dërguar. Unë gazetën e kisha blerë për vete dhe,kur e pashë, u befasova:- Botuesi e kish”gjymtuar” dhe,natyrshëm, i bëra mesazh. Nuk m’u përgjigj.I shkrova në e-mail dhe ka prerë gojën. Dhe siç gjykohet nga çdo mendjekthiellët e humba “mikun botues” dhe”vezaime” doli “kllukë”. Por nuk mbaron këtu dhe me kaq. Tek shfletoj nëpër internet,shoh që në një nga”portalet në KOSOVË”,shoh shkrimin tim për shkrimtarin e ndjerë dhe, ky që e kishte vjedhur (nuk po e fut në thonjëza) kish ndryshuar dhe titullin e esesë sime. Këtu u alarmova më tepër dhe mezi gjeta kontaktin e këtij plagjiati të mirëfilltë. I thosha:- Unë nuk kam dërguar shkrim tek ju.Ku e gjetët dhe pse kini ndërhyrë? Ky,plagjiati, më kthen përgjigje:-Une jam X.Y.që mbuloj faqen”kluturë” dhe e”lexova me një frymë”,por nuk e ceka përmbajtjen.E mora tek”njëvegëz” dhe,tërrti-mërti.Tani ka dy rrugë (më thotë plagjiati): o po e fshij këtë shkrim dhe më nuk boton tek ne!!! Hajdut i guximshëm apo jo. Të shkoj dhe më tej:Dikur në një portal kam bërë një shkrim për”Mëkatet e FISHTËS” dhe veç esesë dhe një poezi për FISHTËN. Një prift katolik e kish gjetur në një portal dhe më drejtohet përmjet e-mailit:- A mund ta marrë për ta botuar në një gazetë që nxirte aso kohe? E falnderova dhe i dhashë të drejtën e botimit.Më rishkroi dhe më falnderoi siç e kërkon etika letrare. Kaloi ca kohë nga shkrimi im dhe,para do kohe, në një portal shoh poezinë time të shpërftyruar. Një”dashamir imi”,siç duket, për të ma rritur më shumë”karizmën” jo vetëm kish ndërhyrë,por kish shtuar nga vetja nja katër strofa. Pra, e gjeti”në folenë e botës” dhe nga”një vezë të një pule shqirake” (se e tillë qe poezia ime),e kish kthyer në”vezëpate”.
Edhe këtë herë protestova dhe”kontakti”:-Alahile,nuk po e gjejmë “kushin”,por po e heqim fare. Kërë radhë nuk më kërcënuan. Shkurt, të bleshë belanë kot së koti. Kjo ndodh se askush nuk e mbron pronësinë letrare. Do të thoni ju:- Ku ti si autor dhe ku ata që të kanë”gjymtuar”? Relativisht, mund t’u them të gjithë atyre që nuk respektojnë të drejtën e autorit, vuajnë nga mendësi narciziste. Botuesi ka të drejtën e plotë:ta botoj apo të mos e botoj. Çdo ndërhyrje,heqje apo shtesë,është cënim dhe fyerje. Botues të tillë vuajnë nga egocentrizimi i sëmurë. Ka shumë krijues që janë mësuar t’i shikojnë të tjerët me syrin e njerkës. Të jesh krijues i mirë, nuk do të thotë që ty të lindë e drejta ta”qethësh care” krijimin e kujtdo. Nga ana tjetër, kur ndjehet”bukur” dhe si me pupla, ky që gjymtoi shkrimin tim,bëhet”hovardar” dhe prudent,njëkohësisht,sa” pranon që X… krijues të tallë POETIN më të bukur lirik të SHQIPES” dhe i thotë duke qeshur:- Sado që nuk jam dakord me ty,unë intervistën tënde do ta japë të plotë.-Bravo të qoftë,-bërtita unë. Secili mban përgjegjësi për çka shkruan.Por ja që mat me dy kute ky,botuesi.
* * *
Tani pse ndodh kështu? Ka disa arsye, po më mirë nga kushdo, prej kohësh, këtë tentativë imponimi që bëhet nga njerëz që e heqin veten intelektualë,e ka vënë në dukje qysh në vitin 1988,publicisti i madh amerikan,PAUL JOHNSON. Ja se si thotë, në vija të trasha,ai:”…janë lexuesit ata që gjykojnë dhe e shoh me skepticizëm kur disa intelektualë duan të na predikojnë diçka… se si duhet të sillemi,se si duhet të shkruajmë,se si duhet t’i zgjidhim punët tona.”. Postulati vazhdon edhe më dhe botuesi të cilit i referohem, është i ditur bajagi dhe,po u bie shkurt gjërave:-Nga të gjithë desoptizmat,- thotë publicisti, më i keqi është tirania e ideve. Edhe këtë botuesi “im” e di dhe,ndaj, imponohet. Një”imponim” i tillë,fare i padenjë, në “korentet letrare”( botuesi i njeh mirë), me një termë tëvetëm quhet”menopauzë cerebrale” apo siç shqiptohet tek ne që kemi nevojë për këshilla apo “krasitje”:është ikja e arsyes.
Dhe për të shtuar pakëz “kripë” mbi gjithë këtë shkrim modes timin, po i them botuessit një postulatë nga fusha e kulinarisë:- Kujtdo mund t’i derdhet një pjatë me supë gjatë shërbimit,por me kulturë është ai që bën sikur nuk e vë re atë.

 

Tiranë,21 prill 2021

blank

BUQETA – Poezi nga VEHBI SKËNDERI

M ç’rast, e dashur? Pse m’i dhuron ti këto lule mua
në këtë brymë, që ka mbuluar krejt luahet e arat.
Ti e di mirë që nuk ma mbushin synë
dafinat e fanfarat.

Sa na zu këmba dhé, e ndjemë që gjithçka do ta provonim,
Ndonëse na joshte fort Hyjnesha e Edrejtë.
E pamë se në pyll kishte plot që fluturonin,
Por gjithë fluturakët s’ishin bletë.

Pse ma dhuron këtë buqetë mua? Për atë bisk
gëzimi e mërzie, që e këputa për ty nga maja e një peme,
(teksa vesonin gjethet pika shi),
A për ato statuja të bardha e të rreme,
Që i blatonim, dikur, të dy, si perëndi!

I pamë që të gjitha. I provuam.
E dimë çç’është fyerja, gënjestra e hakmarrja.
Pse m’i dhuron, e dashur, këto lule mua?
Nga dashuria a nga keqardhja?

(Nga libri “Bëjmë sikur” 1995)

 

blank

USHTARI I PANJOHUR – Tregim nga Konstandin Dhamo

 

Aty nga fundi i viteve gjashtëdhjetë shkoja shpesh në Lidhjen e Shkrimtarëve. Çoja krijimet e mia të pakta, dy ,më së shumti tri vjersha dhe, tërë rrugës kisha emocion.Ndërkohë përgatisja me ngut edhe vëllimin tim të parë , sepse aso kohe, edhe me një libër të vetëm, të pranonin kandidat, madje edhe anëtar të Lidhjes dhe, unë e dëshiroja dhe e ëndërroja këtë anëtarësi.Për fat, më prisnin ngrohtësisht, më ndihmonin dhe,më silleshin sikur të isha plotësisht i rritur dhe jo një tetëmbëdhjetëvjeçar fluturues…

Shkrimtarët dhe, veçanërisht poetët, të cilëve ua lexoja rregullisht çdo gjë që botonin, i shihja tërë kërshëri dhe admirim të ndrojtur, tek hynin e dilnin nëpër mjediset e Lidhjes.Ata, të gjithë pa përjashtim kishin në sytë e mi një hije sunduese monumentale, që nuk u hiqej edhe atëherë, kur bënin shaka me njeri – tjetrin, edhe kur njeri – tjetrin e fyenin, e poshtëronin, apo e ndëshkonin rëndë.Eh, kështu ishte fillimi, por çdokush nga ne e di sa shpejt përdhoset gjithçka …

Një mëngjes në Lidhje u shfaqën tre redaktorë të rinj, I solli nëna Parti nga gjiri i klasës punëtore dhe,vendimet e saj, dihej që ishin supreme dhe të pakundërshtueshëm.Tyryfylë të tillë, që këpusnin gafa nga më të paimagjinueshmet, u përhapën pa dyshim edhe nëpër zyrat e administratës shtetërore, edhe nëpër ministri, në Komitetin Qendror, si edhe në vetë kupolën e Partisë, në Byronë Politike…

Këta ” talente të rinj” të letërsisë, që gjer atëherë veçse kishin shkarravitur ndonjë faqe fletoreje, apo më e shumta,kishin botuar ndonjë libërth,do të përçonin të pastër vijën dhe mësimet e Partisë nëpër radhët e shkrimtarëve të intelektualizuar, të plogështuar dhe të molepsur nga mënyra mikroborgjeze e të jetuarit dhe të menduarit, apo edhe nga burokratizimi atrofizues dhe nga izmat moderniste. I kishin harruar shkrimtarët fodullë temat e mëdha ;merreshin me vogëlsira të parëndësishme,trajtonin detaje, jo vetë historinë, që gdhendej çdo ditë në granitin e epokës revolucionare të socializmit, por ” talentet e rinj “, të devotshëm, siç ishin dhe, tërë energji, do t’i trandnin ata fort, do t’i zgjonin dhe, do t’i gjykonin : hej po flet klasa !…

Një skeç i estradës së Durrësit, që vinte në lojë një shkrimtar, sepse nuk dallonte dot kallëzën e grurit nga ajo e thekrës, jo më kot ishte i suksesshëm dhe pëlqehej aso kohe deri lart

Po; i kujtoj fare mirë edhe sot e kësaj dite kur ata filluan punë në Lidhje. Njeri ishte axhustator, tjetri marangoz dhe, i treti murator.Për dy të parët thoshin se kolektivat e ndërmarrjeve, nga të cilat kishin ardhur, ishin gëzuar aq shumë prej largimit të tyre, sa, me atë rast kishin ndarë bujarisht edhe llokume.Sepse ata birbot na paskëshin qëlluar dembelë të mëdhenj, grindavecë dhe, patjetër edhe spiunë, që i ngatërronin dhe i merrnin në qafë të gjithë ata që u ndodheshin rreth e rrotull.Dhe  vërtet, edhe me të vënë këmbë në Lidhje, filluan të përplasnin grushtin mbi tryezë, filluan të ngrinin zërin, të dërgonin raporte të gjatë në Komitet të Partisë ” për gjendjen katastrofike dhe armiqësore që mbizotëronte në institucion”; filluan t’i fyenin shkrimtarët shkak e pa shkak, filluan t’i trembnin dhe t’i kërcënonin, duke i këshilluar në të njëjtën kohë që të mos u krekoseshin më atyre ” punëtorëve të dikurshëm” . sepse sakaq ishin bërë kolegë të barabartë…

Por vetë e kalonin tërë ditën e ditës nëpër kafene, megjithatë, asnjë herë nuk harronin të merrnin me vete ndonjë vepër të Enverit, të cilën e mbanin sa më dukshëm ndër duar, ndonëse nuk e shfletonin dhe nuk e lexonin…

Por i treti, muratori, qëlloi burrë i mirë.Se ç’kishte shkruar një tregim, që ia kishte ujdisur për botim një redaktor mediokër dhe, s’dihej nëse kishte ndër mend të shkruante më, apo jo. Zihej ngushtë sa herë bisedohej për letërsinë dhe nuk hynte në diskutim.Kishte sy të çiltër, që nuk i përmbyste në asnjë rast, të folur të ngadaltë dhe të njëtrajtshm dhe, lodhej shpejt dhe mundohej, kur i duhej të mësonte ndonjë gjë të re.Por nuk qeshje dot me të dhe, s’e vije dot në lojë edhe atëherë kur tregohej fare naiv.I kishte pranuar përfundimisht me bindje të plotë mësimet e Partisë dhe të udhëheqësit të saj, njëlloj siç i pranojnë edhe besimtarët fanatikë dogmat e fesë së tyre, prandaj ishte e vështirë ta gjykoje dhe ta fajësoje, sepse ai nuk shtirej.Një pasdite tek po shëtisja në Bulevardin Dëshmorët e Kombit me një shokun tim që sapo ishte kthyer nga Franca, ku kishte studiuar për gjuhë dhe letërsi frënge, u gjenda papritur ballë për ballë me muratorin shkrimtar. Me t’i prezantuar, ai iu kthye shokut tim dhe, me seriozitet dhe me detyrimin që ia ngarkonte solidariteti proletar, iu drejtua:

– Pse studiuakan të rinjtë tanë në Perëndim ? Kushedi sa vuante njerëzia e shkretë për bukën e gojës, atje në atë Francën ku paske qenë ti ?

Shoku im u fry dhe u skuq, ndërkohë iu zgurdulluan edhe sytë, megjithatë, i instruktuar më së miri, siç ishte, për të përballuar edhe kësi rastesh, iu përgjigj:

– Ç’t’i bësh, ja që atje në Francë nuk qeveris një parti komuniste si kjo e jona !

– E dëgjove shokun tënd ? – m’u kthye menjëherë mua gjithë qortim muratori shkrimtar – Prandaj, mos sillni më në redaksi poezira me lulka e bulka, por poezi të forta, ku të përshkruhet, bie fjala, se si prodhohet buka, si vjen ajo gjer në sofrat tona.A e di ti se , kryetarët e kooperativave bujqësore japin rregullisht llogari deri më një në qendër për shëndtin e grurit n’arë, për të cilin mbajnë përgjegjësi po aq sa edhe për fëmijët që kanë në shtëpi ?Lesim plehrim kullim ; lere or’ aman! E pra,ç’të bëj unë me poezitë tuaja, ku t’ua gjej vendin tani që ma caktuan mua faqen poetike në gazetë ? Ngushtë zihem, por do t’ia dalim mbanë, ja ashtu, duke u përpjekur bashkërisht…

Kur u largua shkrimtari murator dhe mbetëm përsëri të dy, shokut tim s’iu durua:

– Ç’ishte ky, idiot,apo bir kurve…

Qesha shpërthyeshëm,ngaqë s’e përmbajta dot veten dhe më pas iu përgjigja :

– O, jo jo; s’është as ashtu e as ashtu.

Më pas ia shpjegova me durim sesi qëndronte puna me muratorin e ardhur në Lidhjen e Shkrimtarëve, së bashku edhe me dy punëtorë të tjerë, por shoku im i çmësuar,siç duket, njëfarësoj me mbrapshtitë e realitetit shqiptar, ndonëse babai i tij zëvendësministër i parë, me siguri që e instruktonte rregullisht,mezi më mori vesh, ndërkohë që u bë tepër nervoz dhe na e prishi kënaqësinë e shëtitjes.

– Por është burrë i mirë ; – i shtova më në fund pas një pauze të gjatë – asnjë herë nuk të bën keq, s’të provokon dhe nuk rrotullon thashetheme lart e poshtë. E pe ndopak me vëmendje ? Gjithë dimrit nuk mban më shumë se ajo bluza me tri kopsa, që kishte veshur edhe tani.Pëllëmbët i ka të stërmëdha dhe si të ënjtura, ndërsa gishtat përplot të prera plagësh dhe me gjysmëthonj.E kanë caktuar,siç e dëgjove edhe vetë, redaktor të faqes së poezisë në gazetën e Lidhjes dhe, ndonëse më sillet miqësisht, siç i sillet në fakt kujtdo,më ka hapur telashe…

Dhe vërtet na vuri në vështirësi muratori shkrimtar, sidomos ne të rinjve.Por ç’t’i bëje dhe çfarë t’i thoshe ? Asnjë argument tjetër nuk pranonte, përveç atij që rrekej ta paraqiste vetë, ndonëse të dëgjonte pa të ndërhyrë dhe pa të ndërprerë.Poezi të forta, poezi të forta…

Një ditë i shkova në zyrë për ta pyetur se ç’mendim kishte për ciklin tim të fundit me poezi që ia kisha dorëzuar qyshkur.Ç’mendonte dhe çfarë kishte vendosur të bënte me të ? Ishim ulur ballë për ballë dhe m’u desh të prisja derisa të mbaronte së lexuari një dorëshkrim që e kishte filluar pa hyrë në zyrë unë . Ngaqë nuk kisha çfarë të bëja, nisa ta shoh tek lexonte dhe tek korrigjonte gjithë stërmundim me stilolaps.Dora e tij, që më bënte çdo herë përshtypje, e regjur siç ishte, të shtrëngonte të tjera vegla, fjala vjen, lopatën, apo qylyken, mistrinë apo çekanin ; e aftë të ngrinte thasë çimentoje, apo tulla, të lëvizte gurë të mëdhenj, apo blloqe betoni, tani fare pa dashje dhe, pa e kuptuar ushtronte të njëjtën forcë edhe ndaj stilolapsit, prandaj dridhej e dridhej, mbi letër, a thua se muratori i shkretë vuante nga parkinsoni.Kush e mori në qafë këtë njeri, duke e sjellë këtu në Lidhje,kujtohem edhe sot, që kam arsyetuar me vete në ato çaste të pritjes, kush e nxori nga rrethi i vet dhe e hutoi ! …

– Pa shih , pa shih; rinia po i shtrin anekënd shinat e hekurudhave , po i djeg në zjarrin e revolucionit biblë e kuran , kurse ti ja, ç’më ke sjellë përsëri : hena ndër degët e zhveshura / një gjethe vjeshte që s’ka rënë ende…E si t’ia dorëzoj kryeredaktorit unë këto – m’u kthye i shqetësuar dhe vazhdoi:

– E dorëzove librin për botim ? Po ? Pse s’më ke thënë ?.Nëse ke futur në të veçse poezira të tilla  tralala e trilili, s’do të të vejë puna mbarë, ta dish Do të ta kthejnë vëllimin për ta rishikuar dhe për ta pasuruar me cikle tematikë, siç thuhet.

– Kam futur më shumë se dhjetë vjersha për aksionet e rinisë, por edhe ato, ashtu sipas mënyrës sime i kam shkruar. Nuk dal dot nga vetja !

– Prit,prit, sepse je fare i ri ! Ah, të të kisha unë atje në brigadën time,te ” 21 Dhjetori” ! Ta tregoja unë ty si dilje nga vetja.Por,ç’po them ! Ti je djalë i edukuar dhe unë do të të ndihmoja dhe do të të mbaja afër.Dëgjo ! do t’i propozoj kryeredaktorit të të nisë me shërbim në disa rrethe, ku ka kantiere të mëdha ndërtimi.Për shembull, në Vaun e Dejës, që e kanë quajtur ” kantieri i dritës ” .Shko e shih si punohet ! Shko e shih dhe na sill nja dy reportazhe të mira …

Por unë mezi prisja të botoja një cikël të ri me vjersha, që të dilja të dielën paradite te Rruga e Dibrës dhe të bashkohesha pastaj me poetët, që harxhonin me qejf të dukshëm honoraret, te kafeneja e potershme letrare, atje, në pallatin përballë Mapos së Madhe, ku blinim gjithçka na duhej për t’u veshur…

Një ditë, gjithashtu krejt papritur,e larguan nga Lidhja muratorin shkrimtar dhe, ne mësuam se e kishin emëruar në Komitetin Qendror, të punonte si instruktor për problemet e artit dhe të kulturës .As në ëndërr nuk e kishte parë një kapërcim të tillë ylberor, punëtori i shkretë; nga maja e çatisë së popullit, ku radhiste e radhiste tjegullat mes acarit të madh, apo mes diellit përvëlues,këlltum e në çatinë e Partisë,ku ndodhej edhe zyra e Enverit…

U habitëm shumë të gjithë, por nuk e komentuam dhe nuk e shprehëm habinë tonë,sepse nuk na e mbajti.Madje, disa thanë krejt të kundërtën e asaj që mendonin : ja, të tillë njerëz i duhen Partisë, sepse ia forcojnë detashmentet…

Muratori u bë shoku shok dhe në Lidhje vinte vetëm atëherë kur i duhej të sillte direktivat nga lart apo për të kërkuar llogari, kur Partia shfaqte shqetësime. Udhëtonte me një makinë luksoze, të mbyllur me perde anash dhe prapa dhe, sigurisht që nuk mbante më atë zhilenë e tij me tri kopsa, por një kostum të ri, në ngjyrë të çelët, këmishë të bardhë dhe kravatë të kuqe, nyjën e së cilës e lironte vazhdimisht, si të ishte nyja e një litari, që ia merrte frymën pak e nga pak.Herën e parë, kur e pamë të zbriste nga makina përpara Lidhjes u afruam të ndrojtur për t’i folur dhe për t’i zgjatur dorën,sepse menduam se do t’i ishte rritur mendja sakaq, por, me të vënë re se u skuq si i zënë në faj, u çliruam dhe u takuam tërë përzëmërsi.I ziu murator !Kur hipte majë skelave, apo majë çative, me siguri që nuk i merrej mendja, kurse në çastin që doli nga vetura rrëzëllitëse, e humbi për pak drejtpeshimin.

–  Ç’bëhet këtej ?- pyeti sa për të thënë diçka  – Si keni qenë me shëndet, si ju kanë vajtur punët ?

– O, mirë,fare mirë ! – u përgjigjëm ne të gjithë sa ishim përballë tij.

– Urime për librin ! – m’u kthye mua, pastaj – Në fillim ta pritën mirë, por tani po ta kritikojnë,hë ? Me ty që je fare i ri e gjetën të merren ? Sidoqoftë, ul kokën dhe reflekto !Në këtë moshë korrigjohesh më lehtë…

U mërzita mjaft që m’i kujtoi kritikat, të cilat ma kishin shkrumbëzuar gjithë gëzimin që më përfshiu me t’u botuar dhe me t’u shpërndarë libri. Kushedi sesi do të përfundonin ato kritika, por nëpunësi i lartë i Partisë nuk ma përmendi se më kishte paralajmëruar prej kohësh për to .U ndamë, po ku ta dinim ne se e shihnim për herë të fundit ?

Një mëngjes të diele,doli nga shtëpia për të pirë kafe dhe, teksa kapërceu rrugën, diku te monumenti i Ushtarit të Panjohur ,u hutua, nuk bëri dot as para as mbrapa dhe, një makinë që po vinte në atë çast me shpejtësi drejt tij, e përplasi në asfalt,duke e lënë të vdekur në vend .

I ndjeri murator ! Kishte harruar të ecte më këmbë.

blank

PSE QESH, NUK MË BESON? – Poezi nga VEHBI SKËNDERI

Erdha mbrëmë! Nuk gjeja dot aliçë dhe i bëra sytë guralecë për dritaren.
Sa u ciflos dhe xhami. Po ti nuk e çele!
Ku ishe? Më çmënde. Desha të të dëgjoj zërin. Të paktën frymëmarrjen.
Mbrëmë desh plasa për të qeshurën tënde.

Pse qesh? Nuk më beson.
Po vjen të të shëtit me balon korridoreve ajrore të lira
Përtej Ekuatorit dhe poleve të ngrira!
Pse më tund kryet? Nuk të nxë qielli apo ke hall mos na shohin.

Ke frikë mos na njohin meteorët e meteoritët.
Mos na filmojnë yjet në videokasetë.
Mos na kapin merimangat në rrjetë, si miza.
Mos të nxjerrin sytë e bukur, duke të nxjerrë fjalë.
Mos të gdhenin tatuazh në krahëror e në ballë!

Pse qesh! Nuk më beson. Eja të ecim pak të dy.
Të të dhuroj dy lule drite, që nga qielli po i marr.
(Kjo është e vetmja stoli që mund të blej për ty!)
Nxito! Mos u tremb! Të siguroj se nuk të kap asnjë radar.

(Nga libri “Bëjmë sikur” 1995)

 

blank

Thelbi i mshefun i Nermin Vlorës në romanin “Ex” (Me rastin e 100 vjetorit të lindjes) Nga Laureta Petoshati            

                                                

50 vjet më parë në Romë, nga shtëpia botuese Zephyr del nga shtypi në gjuhën italiane romani i dytë i shkrimtares me origjinë shqiptare Nermin Vlora Falaschi.  Titulli i tij në italisht ishte “Ex”, që në latinisht është një parafjalë e rasës rrjedhore për drejtimin e kohës, vendit, origjinës, shkakut, pjesë nga e tëra, mjet e shembull veprimi, materie, lëndë, marrëdhënie e mëparshme, etj. Ky roman ese, i shkruar me një mençuri e filozofi gjithëpërfshirëse për një lexues elitar nuk trajtonte një temë, por disa njëherësh, dhe tema bazë e këtij romani, është koha dhe evolucioni në kohë, siç e thotë dhe vetë autorja 20 vjet më vonë në ribotimin shqip në Shkup me titullin “E nesërmja e kohës” dhe se “përmasa materiale kanalizohet në vijat e domosdoshme të kohës. Vlerat shpirtërore megjithëse formohen në kohë, hidhen jashtë kohës në të ndjekur ato pika synimi që vetëm mendja dhe shpirti ti përvetsojë.” Ky roman, që për kalibrin e lartë intelektual është e pabesueshme se është shkruar nga një grua e asaj kohe, madje dhe të kohës së sotme, natyrisht që do të zgjonte vëmendjen e mendjeve të ndritura, një prej të cilave ishte Ernest Koliqi, që për romanin Ex, në “Shȇjzat”, nr. 5-8, viti 1972, shkruan një analizë letrare nën titullin “Libra të Lexuem”. Ai shkruan midis të tjerave se “Nermin Falaschi Vlora, bashkatdhetarja e jonë tashmâ e njoftun prej lexuesave të Shȇjzavet, na jep nji provë të ré të talentit letrar qi e pajisë.” Duke i bërë një zbërthim profesionist ngjarjeve të romanit ese, Ernest Koliqi shkruan se “Por ky varg ngjarjesh, qi të rrëmben në gjiret e jetës ultramoderne, nuk përbân veçse gërshetin e dukshëm të rromanxit dhe shërben vetëm si objekt për të gjetë thalbin e mshefun të jetës njerëzore… Pyetje të ngashërueme qesin kryet aty këtu përkitazi me fatin e njeriut qi në kët shekull tronditet nga fuqí të panjoftuna të cilat e shtyjnë me libue (aborder) në brigje përtè pushtetit të Kohës.” Natyrisht që një shkrim i gjatë i Koliqit, do të zgjontë kërshërinë e një personaliteti shqiptar, një përkthyesi të talentuar z. Adalbert Fekeçi, i cili kishte lindur po në Tiranë si Nermini më 1918, ku kishte mbaruar gjimnazin e shtetit dhe Universitetin në Fakultetin e Drejtësisë në Torino. Adalbert Fekeçi më atë kohë ishte Profesor dhe Drejtor i Departamentit të Gjuhës Shqipe pranë Institutit të Ministrisë së Mbrojtjes për Gjuhë të Huaja në Sh.B.A. Ai i ka bërë një përkthim të mrekullueshëm librit EX, që më 1978 botohet në Romë në gjuhën shqipe nën titullin “E nesërmja e kohës”. Është ky ribotim që unë e lexova me shumë vëmendje së fundmi dhe më ka bërë të mendohem. Nermin Vlora që ka dekoduar shkrimet e lashta kishte shkruar një roman që kishte nevojë të dekodohej. Personazhi kryesor ishte një diplomat i quajtur Mamott, i cili ditën që del në pension lë shtëpinë e tij në Zvicër dhe gjatë udhëtimit në tren takon një zonjë, e cila i përngjason gruas së tij të ndjerë dhe gjatë gjithë rrugës që bëhet dhe me ndalesa ai i bën kësaj gruaje një rrëfim mbi gjithë jetën e tij si diplomat në Francë, Algjeri, Rusinë Komuniste, e në shumë vende të botës. Gjatë gjithë rrëfimit që siç thotë autorja në fund të romanit se “kishte mundësi të ishte pavetëdija e tij me të cilën kish zhvilluar një dialog për gjithë ekzistencën e tij…”, mendoj se autorja rrëfen çfarë ka parë e dëgjuar në misionet diplomatike të bashkëshortit të saj, por dhe përvoja diplomatike e shumë pinjollëve të familjes Vlora në shekuj.  Duket se autorja ka bërë një udhëtim mendor  si Dante për jetën e saj dhe të familjes së saj. Emri i këtij personazhi është Mamott, që zberthehet nga shqipja dhe ka bazë fjalën “Mot”, por nga tingëllimi dhe përshkrimi i tij si gjysh me mbesa e nipër mund të jetë në imagjinatën e saj Mahmut, i cili në realitet ka qenë emri i të atit të Ismail Bej Vlorës. Në bashkëbisedim me të në tren është Belkis, që i ngjan fytyrës së gruas së tij, por nuk është ajo. Belkis, në realitet ishte emri i nënës së Nermin Vlorës. Diplomati tregon peripecitë, punën, gëzimet, zhgënjimet, spiunët që e ndiqnin në misionet e tij, të cilët mund ti shkonin dhe si miq në shtëpi, si kamerierë, apo si femra joshëse. Lufta më e madhe ishte me spiunët e kampit komunist, të cilët rekrutonin deri aty ku nuk ta priste mendja. Por dhe diplomati jo rrallë herë kishte kryer misione inteligjence, njëra prej të cilave ishte nxjerrja e një shkencëtari rus me emrin Aljosha nga Rusia, për ta shpëtuar nga KGB pas një operacioni plastik, që i bënë në mjediset e misionit diplomatik. Aljosha ishte fejuar me një vajzë, që i përkiste aristokracisë ruse, por që pushteti që ta shkëpuste nga Aljosha e çon në Siberi në internim larg nënës së saj me një cilësim të rremë për ti ulur moralin. Emri i të fejuarës së Aljoshës ishte Vjollca, që siç shpjegon përkthyesi Fekeçi edhe në origjinal autorja përdor këtë emër shqiptar. Nermin në arabisht do të thotë “lule”, ndërsa Vjollcës në shqip i thonë dhe Manushaqe. Cili ishte kuptimi nëpër rreshta i Nermin Vlorës? Vjollca ishte Nermini larg nënës, apo Shqipëria në dimrin e luftës së ftohtë, nëse kemi parasysh vargjet e poezisë “Shkëndija e diellit ndaj manushaqes” të Naim Frashërit:

Dimër’ t math me dëborë,

Me të ftoh t’ e me të ngritë

E m’e gjithë ligësitë,

Të la të mjer’ e të gjorë;

Ishin të dyja bashkë. Libri, edhe pse i shkruar si roman ka pasur si qëllim ti jepte një mesazh regjimit në Shqipëri. Këtë mesazh e forcojnë dialogjet e Mamotit si vegjetarian kur thotë se “për atë diçka që më lidh me gjithësinë për respekt ndaj urdhrit të perëndisë dhe ndaj jetës, që unë mbaj si gjë të shenjtë, në materializmin e vet, nën cilëndo formë që të çfaqet, në atë të njeriut, apo të kafshës. Unë nuk shkatërroj dot një jetë për të ushqyer timen…”

blank

Pra mesazhi është i qartë : Mjaft me vrasje.  Ka aq shumë shprehje që mund të duan faqe të tëra për ti analizuar. Romani ka frymën e njerëzve të ndritur, të cilët autorja i cilëson në dialogjet apo përsiatjet filozofike të Mamotit.  Brenda tij flitet për kulturën, letërsinë, filozofinë, muzikën, të shenjtët e deri te Stalini e Hitleri dhe pasojat fatkeqe që i sollën njerëzimit. Herë –herë të duket sikur aty po lexon Shën Agostinin, herë –herë Vagnerin me filozofitë e tij përtej muzikës, herë –herë nga ana psikologjike Dostojevskin, por nga ana sociale sikur ke aty Tolstoin. Aty flitet dhe për drogën, prostitucionin, varfërinë mendore, fizike dhe shpirtërore. Edhe zimat, apo veturat e zinj, me madhështinë fodulle, nuk mungojnë në këtë roman, ku autorja i përmend ata më para se Kadareja te “Dimri i Vetmisë së Madhe”. Madje ka dhe sarkazëm si barcoleta për ekonominë ku ajo thotë: “se ekonomia socialiste nuk duhet të kalojë atë kapitaliste që është në buzë të greminës.” Ajo flet për rradhët e gjata nëpër dyqane, për përndjekje, për tortura që Mamot ka parë në vendet komuniste, por qëllimi është i qartë ajo flet për Shqipërinë. Madje ndërsa Shqipëria ishte nën perden e hekurt, ajo flet dhe për kufijtë kur thotë: … “Pashaportat, kufijtë duhet të konsideroheshin si absurditete dekadence. Prapë se prapë ekzistojnë dhe sot kur njeriu ka pushtuar hapësirën…” Në këtë roman Nermin Vlora është italiane dhe qytetare e botës, por po ta lexosh me vëmendje kupton rrënjët e thella të gjakut të saj. Pra janë tre veti në një person. Ajo që ka synuar autorja në këtë roman është që në një personazh të fusë vetitë e personazheve të tjerë, që në esencë duken një, siç thotë vetë ajo: “Nina…Tamara… Belkisi… tri në një, P.N… Mamot… Aljosha… tre në një. Tre njerëzit e Aristotelit. Duket se figurat e vetmuara kanë nevojë për një trini, përndryshe përfundojnë në fragmente të shpërndara.” Pra me këtë autorja na tregon njeriun aristotelik: “po qe se një njeri është njeri sepse i ngjan njeriut ideal, duhet të ketë një njeri akoma më ideal, të cilit ti përngjajë si njeriu i zakonshëm, ashtu dhe njeriu ideal”.

Nermin Vlora për këtë roman dhe “Bivio” (Udhëkryqi) ka marrë dy çmime Viareggio, të rëndësishme në Itali . Ishte koha kur letërsia italiane lulëzonte dhe ajo këtij romani ese, që siç duket qartazi sot mbas 50 vjetësh i vuri titullin e koduar “Ex”, me një qëllim të caktuar. Duke lexuar këtë roman të vijnë në mendje fjalët e poetit amerikan Robert Frost, i cili thotë se “toka është vendi i duhur për dashurinë”, prandaj njeriu para se të shkojë në përmasën tjetër si Mamot  duhet të shëlbohet, pra të pastrohet shpirtërisht dhe të jetë gati për përmasën qiellore, për të nesërmen e kohës.  Kush mund të na thotë se ajo nuk e kishte edhe si një bashkëbisedim të munguar me ish shoqen e saj Nexhmije Xhuglini- Hoxha, të cilën kur e takoi pas përmbysjes së regjimit i tha që të kërkonte falje publike për çfarë pësoi Shqipëria si rrjedhojë e regjimit të Enver Hoxhës?! Mos vallë romani i saj siç thotë Koliqi “shërben vetëm si objekt për të gjetë thalbin e mshefun të jetës” së saj?! Romani i saj është vepër e hapur dhe kjo është bukuria e tij, që lë shtigje për interpretime.

blank

I MARRË – Poezi nga VEHBI SKËNDERI

E di! Që jam trefish i moshës tënde
Dhe ligji nuk më lë të flas për dashuri.
Por, me një buzëqeshje, ti më çmende!
Tani, si çdo eksiq, se ç’moshë kam s’e di.

Dhe vij të ftoj, pa drojtje, për shetitje,
Pa pyetur dijetarët e teveqelët.
Të cicëroj përditë çdo çuçuritje
E të nis krushq të gjithë harabelët.

Por, sado të të ngre drejt yjeve larg,
Prap vij të mbjell në tokë, si qershi.
E nis të gush te stoli. Pak nga pak…
Dhe flokët, vrik!, t’i shkul plot xhelozi.

E ndonëse jam me ty, kudo që je,
Prap më zë frymën hiçi e vetmia.
Si çdo fëmijë: qesh, thërras, ha dhé!
Dhe mund të shqyej malin nga mërzia!

Por si delfin kërcej nga fundi i rrjetit,
Ditët e mia boshe duke vrarë.
Prap kaliqafë të shetit qytetit…
Dhe të tregoj përralla, si i marrë.

Tiranë, 21 tetor 1993

(Nga libri “Bëjmë sikur” 1995)

 

blank

UDHËKRYQET E JETËS – Cikël poetik nga SKËNDER TEMALI (30 korrik 1946 – 18 prill 2021)

UDHËKRYQET E JETËS
Kam shkruar shpesh për udhëkryqet,
I kisha në gen, në provë më vinin,
Duke mbajtë si hamall mbi shpinë pikëpyetjet,
Që prej meje, udhëtarit, kahun donin të dinin.
Çdo busull tregon Lindje-Perëndim, Jug-Veri,
Punë e madhe se as yje ka, as far që bregun tregon,
Unë duhet të çaja përpara në zheg e në stuhi,
Edhe kur dëbora e zezë udhëkryqet i mbulon.
Një ditë vendosa nga ecën turma të mos ec,
Turma s’ka kokë, veç turr të marrë si orteku,
Se dikur hesht rropama e ai ngec
Dhe unë gjej kahun, çapitem ndaj një shtegu.
Sikur të mos kish udhëkryqe glob i jetës
Do mbetesha si kukuth a gur varri,
Se udhëkryqet më çojnë drejt së vërtetës,
Drejt ëndërrës së dritëshme të çdo shkrimtari!
———————
PLASTELINA
Mund të korr grurë aty ku mbolla elb,
Me lëvozhgat të bëj një thelb,
Yjet të marr në duar, si fëmijët xixëllonjat,
Të bëj të vajtojnë e të ligjërojnë shkronjat,
Dhe në tragjedi të mos mbetet pa qeshë një spektator,
Maxhordomët të ulen në fronin mbretëror!
Krijoj çfarë ëndërroj,
Se për mua
Jeta e bota janë një plastelinë,
Formoj e shformoj si të më vinë,
Arrij të nënshtroj zotat e perenditë
Veç që njerëzimi të ketë më shumë dritë!
———————
RRUGICA IME
Rrugica ime është brenda vehtes time,
Aty janë strehët që pikojnë herë gëzim,
Herë trishtim
Herë dhe lotë burri,
Aty janë portat e mëdha me qemer guri,
Kalldremi ku shekujt kanë ecur,
Portat e lulevileve,
Oborret e trendafilave,
Gurët ku kam vrarë gjunjët sa herë në to kam ngecur.
Nga kjo rrugicë, më e hershmja që ka qyteti
Kam përcjellë nanalocet e katragjyshët tek Zoti,
këtu ka hyrë edhe Krishti edhe Muhameti
se i buronte shpirti margaritarë loti.
Te kjo rrugicë, i vogël, putha një vajzë për të parën herë,
Kjo rrugicë s’ka emër
Që ndrron sa herë ndrrojnë pushtetet,
Le ta quajmë dimër,
Në daçi pranverë
Se më shumë se princër e mbretër
Ka pritur të pastrehët e poetët.
Se vinin tek ne dhe të hapur e gjenin portën
Erdh edhe poeti që m’kërkoi të falur për një epitet,
Për atë figurë s’e ndrronim gjithë botën
Se ai që s’fal s’e ka emrin poet!
Po kjo rrugicë e pat një portë që s’u çel kurrë,
Një portë çeliku, kalitur nga të parët,
Kanatet e saj s’i hapi asnjë burrë
Për atdhemohuesit, spiunët dhe tradhtarët.
Te kjo rrugicë je ti, o Shkodë loce,
E vogël, e magjishme, si lulebora në boçe !
———————
PUTHJA E PARË
Doja t’mos e humbisja vjeshtën kur ty të putha,
Ndaj e ruajta gjithë jetën një gjethe të saj
E s’kam pse bëj të virgjërin as sot mbushur me rrudha
Dhe me njerëzit e dashuruar atë të mos e ndaj.
Ka një Everest kujtese puthja e parë
Që s’ka ekuivalencë me një milion të tjera,
Që shkojnë e vijnë si zogjtë shtegtarë
Ca që përzë dimri, ca që sjellë pranvera.
Kam rënë në gjunjë veç para flamurit kuq e zi
Kur bëra betimin si çdo ushtar,
Por as kur buzët vura mbi palët e tij,
Pse t’u gënjej, s’më shijoi si puthja e parë!
Ajo puthje, ajo gjethe në herbarium të dashurisë,
Është rubin që shndrit edhe në netët e poetit,
Dhe m’i ka dhënë e m’i jep jetë poezisë
Nga gurra e pashterrshme e sinqeritetit…
———————
KOKËULUR E BORXHLI
-Sipas një motivi të Xhevahir Spahiut-
Si poet do të shkoj në botën tjetër edhe unë borxhli,
Borxhli ndaj aedit të ciklit të kreshnikëve,
Që vargjet i gshendi me daltën e fjalëve
Në lahutën e gurtë e të përgjakur të maleve.
Borxhli i përjetshëm ndaj Budit
Që më mësoi se si yll bëhet fjala shqipe,
Ndaj De Radës që nxirrte mjaltë prej kripe,
Ndaj Naimit e Fishtës, si dy koka shqiponje,
Që vinin lulkuqet shqiptare në guvë të çdo gëzhonje,
Ndaj Migjenit që u binte fort këmbanave të mjerimit,
Ndaj Kadaresë-nobelist e “Korbit” të Skënder Drinit!
Borxhli ndaj kohës që çfarë më dha s’i dhashë,
Po krenar se në dorë të horhanes s’u bëra mashë,
Si bujku me plug, me penë çela shumë vlagë
Edhe pse pas shpine mora jo pak plagë.
Po më mirë në botën tjetër të shkoj i plagosur
Se sa puthadorë, me jargë e i njollosur!
blank

U nda nga jeta shkrimtari Skënder Temali

Dje u nda nga jeta shkrimtari Skënder Temali.

Skënder Temali është lindur në Shkodër më 30 korrik 1946. Këtu kreu Universitetin “Luigj Gurakuqi”.

Për 15 vjet punoi redaktor në shtypin e Radion e Shkodrës, revistën
“10 Korriku” dhe për një çerek shekulli mësues i letërsisë dhe drejtues në shkollat e mesme.

Përfshihet në enciklopedi e përmbledhje të ndryshme letrare. Krijime të tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Në vitin 2018 doli vëllimi i tij me tregime në gjuhën malazeze “Këtë dimër nuk ra dëborë”, botim i “Centar za očuvanje i razvoj kulture manjina Crne Gore”.

Si publicist e shkrimtar nderohet me çmime lokale e kombëtare. Në vitin 2001, me tregimin “Këpucët e turpit” në gjuhën italiane, merr çmimin special të jurisë në Konkursin e 7-të Ndërkombëtar të Shoqatës së Shkrimtarëve e Artistëve “Cristalide” të Italisë, mes 462 shkrimtarëve nga shumë shtete të botës. Në vitin 2015 me poemën “Unë, Ballkani dhe Europa”, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës në manifestimin mbarëkombëtar “Drini poetik” i akordoi çmimin “Adem Demaçi”. Pen Klubi i Malit të Zi e ka nderuar me mirënjohen e tij.

Në vitet 2013-2017 themeloi dhe kryesoi Shoqatën e Shkrimtarëve të Shkodrës, duke përmbledhur e redaktuar tri antologji voluminoze “Pena e Shkodrës” me krijime të anëtarëve. Udhëhoqi mjaft promovime librash dhe qe bashkëpunues në veprimtari të përbashkëta me organizata homologe në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni.

Që nga viti 1971 botoi 20 vëllime më vete në poezi e prozë. Ka të përfunduar në dorëshkrim romanin “Hotel Univers”, vëllimet me poezi “Vajza që nuk putha” dhe me tregime “Ngjarje në plazhin nudo”, përmbledhjen me novela “Studentja nga Shkodra” si dhe monodramën “Vijmë në këtë botë për t’u gënjyer”.

Botime të autorit:

  • Këngë cigane, – libër me vjersha dhe poema, viti 1971
  • Kjo ndodhi në Lis – roman, viti 1982
  • Ballo në mbrëmjen e maturës, – tregime e novela, viti 2001
  • Ishte një lajthishte – poemë për fëmijë, viti 2002
  • Gjuha shqipe – tekst me bashkëautore Mimoza Gjokutaj, viti 2002
  • Këpucët e turpit – tregime, viti 2002
  • Nesër do të them mirëmëngjes – novelë, viti 2003
  • Studentja e Bolonjës – novelë, viti 2004
  • Shtëpia pa pasqyra – tregime, viti 2006
  • “Askushi” – roman, botuar në gjuhën shqipe në Maqedoni, viti 2006
  • Tre shokët – vjersha e poema për fëmijë, viti 2007
  • Lirika të hershme dhe te vona – poezi, viti 2010
  • Kur vuaj, shkruaj – poezi, viti 2012
  • Curriculum Vitae – poezi, viti 2013
  • Stina e divorceve – novelë, viti 2014
  • Të pathënat, poezi, viti 2016
  • Metamorfoza e inxhinier Brunos – tregime të zgjedhura, viti 2016
  • Një det pa dallgë s’është det, – aforizma dhe sentenca, viti 2017
  • Këtë dimër nuk ra dëborë-tregime në gjuhën malazeze, Pogoricë, 2018.
  • Vajza që nuk putha – Poezi, 2019
blank

VATIKANIT ME PAPËN E NDERIT -risjellim emocionet me rastin datëlindjes së Atit të Shenjtë – Nga Visar Zhiti

Ç’kopshte të mrekullueshëm brenda mureve në Vatikan, aq sa na duket se jemi futur në një ëndërr! Nga lart rrjedhin ujëvara qiellore, nga ato me misterin e dritës tjetër. Po edhe një qetësi mërmëritëse, që sikur ia zbulojmë kumtin tek udhët mes blerimeve, aq ndjellëse, për të ecur sa më paqësisht, tani e gjithmonë, në dashuri. Gjethnajë dhe bar gjallërues, cicërima të kristalta dhe frushullima flatrash.

Jo, nuk janë vetëm zogjtë, por edhe engjëjt, kështu na duket. Pasditja sikur merrte frymë me mushkëritë e “Shpellës së Lourdes-it”, që na shfaqet befas fare pranë. Dhe na kap një ndjesi përlehtësimi dhe përhapjeje, sikur nuk kemi kufizime, jo vetëm ndaj njëri-tjetrit dhe ndihemi frymë gjithandej. I shtrëngova dorën sime shoqeje. Sikur merrnim nga drithmat e njëri-tjetrit kështu. Para nesh, e ndienim, rendte djali ynë, i padukshëm, ja, ja, i pashë një pjesës flatre, kjo pendë prej tyre ra… Andej duhej të shkonim. Tej pjerrinave të edenta pemët presin si meshtarë të lumtur. Dhe ja, lule të tjera që sendërtojnë me ngjyrat e tyre çaste të tjera mrekullie. Emblema papnore. Prej lulesh dhe ajo në sheshin qendror aty. Nga shatërvanët hovnin ujëra si bekime të kthjellëta. Kupola e mermertë e Bazilikës së Shën Pjetrit vezullon e madhërishme dhe nuk kuptohet ku mbaron ajo dhe ku fillon qielli. Një përzierje mistike me retë anash si të ishin një grup me Mikelanxhelo. Poshtë nëpër nikie statuja biblike… ja, ja, ati yt. Pranë është stacioni i trenit të Vatikanit, që sikur sjell dëshira dhe pak më tej gjykata, jo, jo e gjyqit të fundit dhe burgu, shpesh e më shpesh bosh, por ndodh të bujtë ndokush, ngjarje e rrallë, do ta kenë lajmin patjetër gazetat. Ime shoqe ma shtrëngon dorën prapë. Buzëqesha trishtueshëm.

Madona që na mirëpresin. Ja, Zoja e Këshillit të Mirë, që është dhe Pajtorja e shqiptarëve, shkodrania. Dhe drurë biblikë, të mbjellë nga personalitete të larta të botës, presidentë, kryeministra… edhe ty ta pranuan kërkesën që si titullar i ambasadës, por edhe si bashkatdhetar i Shenjtes Nënë Tereza, – po nëpërmendja, – që me rastin e kanonizimit të saj, në jubileun e marrëdhënieve mes dy shteteve tona, të sillje një ulli nga vendi yt, të mbillej këtu. Ia thashë kryeministrit. Prita… Mure të tjera kështjellore, heliodromi i vogël, livadhe me gëmushat si qingja, pylli natyral, një shenjtërore e mermertë, kthesat si ngazëllime mahnitjesh, kështu më erdhi t’i krahasoj, stola të drunjtë, të rrallë, rojat që të përshëndesnin të parët, Radio-Televizionit i Vatikanit, dielli që vazhdonte dhe derdhte ar. Me siguri po afroheshim. Pashë kolonat e Akademisë. Përballë, pas degëve të pemëve, sërish dritare, mbase ato të Arkivit Sekret a të Bibliotekës së vjetër Apostolike. Se ishte bërë dhe një e re, por ajo ishte pesë kate nën tokë, e bunkertë. Ku ishin letrat e Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, po librat shqip? Mes qiparisave, tej në thellësi, vegim që afrohej, nuk po u besonim syve, në këmbë, me të bardha si i statujtë, ai, Papa i Nderit, Bendedikti XVI. Në kohën pas lutjeve të pasdites po na priste aty. Nuk mund të iknim pa e parë, pa i puthur dorën. S’po duronim sa të mbërrinim dhe një si lulnajë emocionesh po binte mbi supet tona. Ndjemë se shtangëm, nuk po ecnim ne, por pllaja mitike, sikur afrohej ajo, me Papën e Nderit në krye, ende larg, rrezëllitës. Po na aviteshin qiparisat. Një vezullim. Mbase i kryqit të argjendtë që i varej në gjoks Atit të Shenjtë, Ratzinger. Wow! – do ia bënte djali ynë. Po aty, në krah, si i veshur me natë, sekretari i tij i veçantë, arqipeshkvi Georg Gänswein, njëherësh edhe Prefekt i Pallatit Pontefik të Vatikanit. Në këmbë dhe ai. Ruba e zezë i derdhej hijshëm deri në fund. Vetëm koletoja si një tufë rrezesh zbardhëllente.

Dy gjermanë, besëtarë të një miqësie apostolike, magjepsës. Të dy pa kësula mbi krye. Flokë e bardhë të Ratzinger-it si fllad. Si muzg të Gänswaein-it. Ndalëm para tyre. U përkulëm. Arqipeshkvi, gjithë përzemërsi buzëqeshëse, na paraqiti te Papa i Nderit, që na përgëzoi për ardhjen. Sa zë të ngrohtë kishte, me pak si ngjirje si të marrë katakombeve, andej nga varret biblike. I thamë se është lumturi të takosh Shenjtërinë e Tij. Vuri buzën në gaz si me druajtje. Dhembshurisht. Ime shoqe i dhuroi një stola të kuqe, si gjaku i martirëve të kishës tonë, 38 prej të cilëve sapo ishin lumturuar dhe stola ishte punuar nga gra shqiptare të Veriut, këto po shpjegonte ime shoqe, kur Imzot Gänzwein ndërhyri entuziast: – Paskeni ardhur me dhurata, faleminderit!

Atij i kisha dhënë ditë më parë një bibël të vjetër dy shekullore në gjermanisht, ma solli studiuesi nga Kosova Bejtullah Destani, s’e di ku e kishte gjetur. Dhe Gënswein ma ktheu duke më dhuruar “gemelli” embelematike manshetash. Heshtje. Heshtje folëse. – …dhe të kanë dënuar për poezi, s’mund të besohet… – tha Ati i Shenjtë duke më parë me sytë tejpërshkues si të një ikone. U trondita, ai e dinte, pra, se me kë ishte takuar. Kishte shkruar poezi dhe vetë në rininë e hershme. Kishte parë dhe Luftën e Dytë botërore si nxënës dhe i kishte ikur asaj, “dezertoi”. Gjithsesi, dënohesh dhe për poezi dhe Papa thotë “e pabesueshme”, me qëllim që e tillë duhet të jetë, të mos ndodhë më. Kurrë. Ndërsa fliste, po e vështroja me adhurim. Te sytë kishte rrathë të lehtë, pakëz të fryrë, mbase pagjumësia, lutjet e leximet natën. Ashtu i mpakur nën pallton e bardhë e të gjatë, ku renditeshin kopsat, edhe ato të bardha si varg i argjendtë yjesh, shtati sikur nuk ia pengonte shpirtin që të shtjellej edhe më, i përforcuar si me një si ethe përvëluese të ftohtë duke na dhënë dhe neve përreth forcë enigmatike. Filozof i Zotit, yll në teologji, shkruanin për të dhe “bashkë me Lessing, Kant dhe Beethhoven janë përfaqësuesit e fundit të gjenisë gjermane”, fat të jesh pranë tij, thoshin.

Ula kryet, nuk e vështroja dot. Pashë nga këmbët që Papa i Nderit tani mbante sandale murgu. Ne të tjerët ishim me këpucë të zeza. Eda kërkoi leje për të bërë ndonjë foto. Imzot Gänswein u tregua i gatshëm, e mori ai aparatin. Pas nesh ishte muri i mbushur me bimë kacavjerrëse. Më shkrepi t’i kërkoj Papës një autograf mbi librin e tij “Deus Caritas Est”… Më dridhen duart, tha shenjtërisht, kur të shkoj në shtëpi do ta shkruaj… Dhe do na e dërgonin bashkë me librin e tij më të fundit “Ultime conversazioni” dhe me dy kartolina brenda. Ja ç’kishte shkruar: “Con la mia benedizione. Benedetto XVI”. Po dhe atje në kopshtet parajsore të Vatikanit u lut për mbrojtjen tonë. Amen! Në ballinën e pasme të librit më tërhoqi citati i tij: “Kurrë nuk e kam përftuar pushtetin si një pozicion force, por gjithnjë si përgjegjësi, si një detyrë të rëndës e të vështirë. Një detyrë që të shtrëngon çdo ditë dhe të kërkon: a ishe në atë lartësi”?

Dhe tërheqja e Tij ishte po në atë lartësi, gjest historik për një papë, që ndryshoi rrënjësisht “ministrimin pjetrin” duke rifutur, krahas dimesionit njerëzor, edhe atë spiritual të origjinave. Iki se jam lodhur, të vijë ai që mund të bëjë më shumë. Dhe Papa i Nderit na mëson se nuk mund të japësh dorëheqjen në ditë të vështira e krizash, që t’u shmangesh detyrave, jo, por mund të ikësh, kur gjendjen e lë mirë që të bëhet më e mirë. Shikoja nga Papa dhe mbushesha me një lloj përdëllimi të tjetërsojtë, të ngjashëm me ato kur je para një kryqi të bukur. Vetmia e tij, pa vetmi. Kam Zotin, thotë. I mbyllur pa mbyllje. Është bota që s’e lë. Herë pas here i shkon pasardhësi, Papa Françesku, përqafohen, shkëlqejnë dhe kokë më kokë një Zot e di se ç’bisedojë, për një jetë pa luftëra e uri, por të begatë të mbarë njerëzimit, me paqe, dashuri e hirin e Hyut. Dhe përkushtimi i tyre, siperan e i përulur, është dritë shpresëdhënëse, udhërrëfyese.

Kishim parë në Pallatin Papal në Castel Gandolfo, në muzeun vatikanas divanin ku rrinin dy papët. Janë të shenjta miqësia, bashkëpunimi e vazhdimi. Fjala ka nevojë për frymëzim, thotë Ratzinger. Dhe Vepra e tij vlerësohet si themel në doktrinën e besimit për mijëvjeçarin e tretë. Shkronjat në autografin e Tij e jepnin dridhjen, që jo, nuk ishte vetëm e dorës. Gishtërinjtë e bardhë, të hollë e të gjatë të tij më ishin dukur sikur pikonin muzikë. Na kishin thënë të njohur se ai është dhe pianist i shkëlqyer, i apasionuar pas Mozartit. Dhe po ata na kishin treguar gjatë një darke në Selinë e Shenjtë një thënie të Papës së Nderit, lakonike, përmbledhëse, se kur kishte rënë njëherë fjala që dhe vëllai i tij, klerik dhe ai, i binte pianos a ndokush tjetër, s’kishte rëndësi dhe Ratzinger ishte përgjigjur: “Po, ashtu i duket”, – dhe kishin buzëqeshur përreth. Më bëri përshtypje, merrte më forcë qortuese se kishte dalë nga goja e atij që njihet si “bashkëpunëtor i të vërtetës”, guximtar i fjalës. Dukja sot është bërë një dukuri e padurueshme, po mendoja. Ashtu na duket, kjo është çështja. Sa shumë pësohet nga ata njerëz, qofshin dhe vëllezër apo dhe vetja, që u duket sikur dinë të bëjnë atë që pikërisht nuk munden, veç e tjetërsojnë dhe bëhen shkak prapësish të rënda, jo veç në arte e letërsi, por edhe në veprimtari të ndryshme shoqërore e politikë duke i kthyer ato shpesh në të kundër të vetvetes, fare brutalisht.

Poezia në kryq, m’u fanit, si Krishti, me dy hajdutë anash dhe turma që bërtiste: kryqëzojeni!… dhe këtë bëritmë ta quash poezi? Kjo po bëhet…

Po më vinte rëndë që e kapa veten duke përsiatur kësisojshëm, kur isha kaq pranë së shenjtës, me një Papë që dhe tërheqjen e kishte bërë shenjtërisht dhe që po më dukej se më shumë se sa toka, tani po e ndillte qielli i pafund.

Ai qiell ku ne kishim sytë, sepse të rënë në tragjedinë tonë si në një hum(b)nerë, vetëm lart mund të shikonim… Dhe ne nuk duruam pa e përqafuar Lartësinë e Tij të Shenjtë. Si për ta mbajtur sa më shumë pranë vetes. Kështu dhe Ai, na u duk. Pastaj, po kaq njëlloj, dhe me Imzot Gänswein. Mirënjohës, i mërmëritëm, që na i dha këtë mundësi, të një takimi që ndoshta vetëm një herë në jetë na ndodh. Pastaj erdhi një makinë e bardhë, e xhamtë. Papa Mobile.

Qerre moderne e apostujve, e vikarit të madh. Ndali pranë nesh. Papën Ratzinger e ndihmoi për të hipur në të Imzot Gänswein. Dhe askush tjetër. Ne s’guxuam të lëviznin, por zgjatëm krahë të padukshëm dëshirash. Papa vështroi nga ne qiellërisht. Kryqi i argjendtë mbi gjoksin e pakët vezulloi sërish si në fillim. Na e bëri me dorë, ndërsa Monsinjori buzëqeshte. Aq tërësore ishte ajo buzëqeshje, sa dukej sikur shkonte dhe te gjërat përreth. Makina e bardhë zbriti pa u ndjerë në rrugën me drurët e lartë cedër anash dhe mori për nga Manastiri “Mater Eçlesiae”, mes blerimeve, ku banonte Papa. Zhurma e lehtë e një porte do të ishte e fundit. Dhe dielli gjithë urtësi të perëndishme treti nga ana tjetër e qiellit, ku nuk shihej, nga rifillonte një botë e dimensioneve të tjera, mbase ajo e amshueshmërisë. Po kërkonim nëpër qiell se mos pikasnim ndonjë flatër, atë të djalit tonë, që na paraprinte. Kishim mbetur ashtu në këmbë, të mahnitur. S’di se sa kohë, deri më tani…

 

blank

blank

blank

PISK – Poezi nga VEHBI SKËNDERI

Pisk e ka deti, sot, këtij mëngjesi.
Keq! Shumë keq!

Nuk po e rreh me shkop Kserksi
Perçezjarrtë,
Po ky vogëlush dy vjeç
Me bile jashtë!

Durrës, 7 korrik 1992

(Nga libri “Bëjmë sikur” 1995)

 

blank

VITET FLUTUROJNË – Poezi nga VEHBI SKËNDERI

Thërras përmbi supet e mi të çlodhen

Bletë e flutura.

Por, posa ulen, shkojnë.

 

Kërkoj, çdo ditë, ditë më të bukura,

Po vitet fluturojnë.

 

Tiranë, 3 maj 1994

 

(Nga libri “Bëjmë sikur” 1995)

 

blank

PARA PORTAVA QIELLORE – ENIGMË – Cikël poetik nga MUSTAFA V. SPAHIU

 

                     PËLLUMBI I PAQES

 

Qiellit dakol, n’rreze oreol, i paqes simbol:

I butësisë, i pastërtisë, me syt’e lumturisë

Gugat n’kaltëri, me mjeshtëri, bukuri çdo agshol,

Tërë jetën, s’don tjetër, për t’vërtetën – këngëtar i lirisë…

 

Shtëpi më shtëpi, nga çdo kuvli gjakon lartësi!

Përtrit bulimin, zgjon blerimin, këndell trimin…

Shlodhet n’qetësi, ruan n’fshehtë, një dashuri:

Për pëllumbeshën, urteshën, trimëreshën – ndez gëzimin! –

 

Gëzimin shprush, fushë më fushë, n’çdo gëmushë,

Pëllumbi i shkruar, me sy t’praruar, duke kënduar,

Ndër mote, larg çdo sqote t’kësaj bote – hare mbush! –

Në këto troje, pa droje, nëpër kroje – zogu i

uruar…

 

 

PRANVERA S’KA MBARIM…

 

Paravera zbukuruese, kalikuse, mikluese, sikur nuse;

Ballëlartë – duarartë – sjell dhuratë me kartë:

Mijëra gëzime, vijnë me agime, ç’dëshirime-

Dolën n’ara, lulet lara-lara, te Lugu i Gjatë.

 

Paravera e bukur, belkëputur, pashkëputur

Me afsh mbretëron, brufullon, faqeve galdon.

Thërret dasmorët, dashnorët me këngëtorët,

Kush më trim, pa përtim, shëmbëllim kur vallëzon.

 

Sytë kaltërojnë, vigjëlojnë sa dashurojnë,

Buzëgjuha lëpinë gushë, prapa n’ gëmushë- syçka vogëlushë,

Rrotull-dritë, nga shëtit, plot jetë – rritë…

Zemërmirë, n’hapësirë, xhevahir me gjerdanushë…

 

Blerim – erë, përherë, dhuron derë më derë,

Lehtë trokiti, fëmijë rriti, kështu fjalë porositi:

– N’zemrën time eni, shende gjeni, përqafime keni,

Në lëndina, me okarina dhe violina vallen seliti…

 

ZOGËZA E SHIUT

 

Fugon luginave, shevarinave, rrafshinave,e

Paraverë mbjell, barin këndell, shiun shjell,

Shtigjeve t’reja, zdritë hareja, byçet qemaneja,

Breg më breg, shteg më shteg – rritën ndjell…

 

Në fshehtësi, ngjitesh në kaltërsi, në lartësi;

Zogëzëmirë – xhanin me hir – t’i sqepgjuhëdëlirë,

Si përherë, rève ua merr – shiun që ka vlerë,

E – freskon, s’vonon, brufullon fusha – shevahir…

 

Futesh n’valle, krenare, me zamare e dyjare,

Me furi fluturon, miqësi forcon, t’fala dërgon,

Gjatë-gjatë, përmbi çdo shpat, fshat më fshat,

Çdo mëngjes, pa përtesë, uratë – shpresë këndon.

 

Qosh më qosh, ku të këndosh, qofsg shëndosh,

Nga rafsh, t’i mos u vrafsh – t’uroj me afsh,

Çdo vend mbushe me gazmend, jetë e shend,

Zogëz-o jetofsh, u shtofsh, në fole me mëndafsh!…

 

 

SI NDILLET SHIU

 

Me qemanera, kambanera dhe fanfarera,

Zemërbardhë, radhë-radhë – këndojnë fëmija,

Ndjellin shiun, babashiun, pikëz vlerëfloriun,

Me klarineta, me basklarineta dhe trompeta.

 

Me të aguar, pa pushuar, fusha e eçtuar, e

Lulet përditë, të lashtat t’i rritë, me gaz – dritë;

Ooo!, pakëz ujë, këlthasin me bujë, bëjnë bujë:

Në pranverë – verë, çdoherë të joshin bukuritë.

 

Dhe vijnë rètë, lehtë-lehtë me shiun si det,

Me porosi, në gosti, erdhi përsëri – begaton;

Ktheu gjallërinë, freskinë, hire hijeshinë,

Shiu ligëron, dot s’pushon, ngado gjelbëron…

 

 

SHIU I VERËS

 

Rètë përkunden, tunden, shkunden…

Shiu i verës vesëveson, pikon, rigon;

Bie me nxitim, sixhim, nëpër gjelbërim,

Luadhet i freskon, zbukuron, sakaq galdon.

 

Pa shkëputur, krahëbukur, del një flutur

Shiun lajmëron, dashuron, hidhet e vallëzon,

Te lulja për gosti, me stoli, biçim nazeli,

Ditëlindjen shkon, ia uron dhe e përqafon.

 

Këngës sonë – seç ia thonë – brohori jehonë,

Bëhen gardh, i vogël e i madh, n’valle bardhë,

Uron fshati, buzagaz monopati, lulon fati –

Për të mira, begatira, qeshet fytyra – smarag…

 

Në qerre t’dritës, pika e ditës, n’shè të rritës,

Rrezet në galdim, sa gëzim, qëndisur shqim

Lahet natyra, ngjyra-ngjyra, në duar dëshira:

Në fushë, një vajzyshë, gjethe bari shprush…

 

 

                        GJYSHËRITË E URTË

 

Këmbëkryq, pleqërisht, burrërisht, trimërisht,

Gjyshërisht fjalëmirë, zemërmëshirë, fare mirë

Kuvendonin njerëzisht, logjikisht, krenarisht

Besën – dëshirë, plot hir, e peshonin me xhevahirë.

 

Jetuan t’etshëm, të pavdekshëm, të përhetshëm

Në tel të sharkisë, të rapsodisë, të bujarisë…

Të ndershëm, të vlershëm, e të sjellshëm,

Ruanin nderin e shtëpisë, gjitonisë, të miqësisë.

 

Ashtu të kalitur, të uritur, duarkrahëngritur,

Shtigjeve sulmonin, fitore gëzonin, këndonin,

Të çapitur, maleve ngjitur – duke pritur, dhe

Ngadi shkonin, burime zbulonin, vatra ndërtonin…

 

 

                         U R A T Ë

 

Maleve lashtësinë, lartësinë, krenarinë,

Fushave plleshmërinë, vlagështinë, hardhinë,

Deteve thellësinë, gjerësinë, madhështinë;

Njerëzve mirësinë, bujarinë, sofërtrimërinë.

 

Lumenjve pashtershmërinë, kaltërinë, lavdinë,

Gurrave të bardha amësinë, magjinë, freskinë,

Rrugëve pastërtinë, drejtësinë, pathyeshmërinë,

Nënave lindjeshmërinë, dashurinë, trashëgiminë…

 

Fëmijëve ardhmërinë, çiltërinë, diell-diturinë,

Poetëve poezinë, lirinë, artpërjetësinë…

Vashave bukurinë, stolinë, gëzimlumturinë,

Trollit qëndrueshmërinë, papërkulshmërinë, patundshmërinë…

 

 

MOS MË LENI ME LOT NË

                                     SY…

 

Dua të futem në plantacionet e fëmijëve, të

Njëjësohem me ngjyrën e tyre t’gjelbërimit!

Kanë shikime të ndritura si të purpur florinjve,

Me lojën e begatë i derdhin muret e trishtimit.

 

Dua të futem në plantacione thellë e më thellë,

Jam vjershëtar, në gazin e tyre të marr pjesë!

Dhe njê bilonjë t’brishtë si bujk e kam mbjellë,

Natyrisht fëmijët më hapin zemër e shpresë…

 

Dua të futem në plantacionet e fushës joshëse –

Dhe mos më leni me lot në sy, as buzëplasur,

Kam mallë të bëj një piknik luginës mahnitëse,

Se mbi veten time fëmijët i kam dashur!…

 

 

 

Strugë, korrik-gusht,

Anamoravë, shtator 1993


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend