Për të mbërritur në shtëpinë e dëshmorit më të ri të Policisë së Shtetit, Ibrahim Basha, i cili u vra dje në Lazarat, duhet të kalosh një varg të gjatë miqsh që me lot në sy presin mbërritjen e trupit të pajetë. Rruga nga qendra e zonës deri te shtëpia ku jetonte Ibrahim Basha është e mbushur në të dy anët e saj plot me njerëz.
Nga larg, teksa afrohesh, kupton se janë familjarë, banorë të zonës, të afërm, kushërinj dhe efektiva të Policisë dhe forcave të ushtrisë. Disa prej tyre janë me uniformën e forcave Komando. Ata takohen me vëllain e Ibrahim Bashës, përqafohen e ngushëllohen me lot në sy.
Në sfond dëgjohen gratë që kanë marrë kujën në banesën e familjes Basha që ndodhet në fshatin Bulqesh i Ri, në zonën e Kamzës. Të afërmit e tij, daja dhe i vëllai kanë vetëm një kërkesë për shtetin: Gjetjen e autorëve, kapjen e tyre dhe dërgimin para drejtësisë.
VËLLAI: TELEFONATA E FUNDIT
Denis Basha është vëllai i dëshmorit të Policisë, oficerit të repartit RENEA, Ibrahim Basha që ra dje në krye të detyrës. Për të dhimbja është e pakufishme, por Denisi gjen forcë të presë miqtë e shumë të vëllait që shkojnë për ngushëllim. “Për herë të fundit kam folur me të pak orë para ngjarjes që ka ndodhur. Më tha vetëm që ishte mirë”, tregon Denis Basha. Ai shpjegon se ka qenë shumë i lidhur me të vëllain që humbi jetën në krye të detyrës në Lazarat.
“Ishim shumë të lidhur, qëndronim shumë bashkë dhe kur nuk ishin bashkë flisnim në telefon. Kështu folëm në telefon edhe disa orë para ngjarjes”, tregon vëllai i dëshmorit të Policisë së Shtetit. Denis Basha thotë se u nda me të vëllain në orën 19:00 të datës 23 qershor.
“Ishim bashkë në Institutin e Kamzës, qëndruam deri nga ora 07:00 kur u ndamë te rrethrrotullimi. Ai iku me një shokun e vet të RENEA-s që kanë qenë në operacion. Më tha që do shkonte në repart se ishte i gatshëm dhe nuk do vononte në shtëpi”, tregon më tej Denis Basha, vëllai i 31- vjeçarit Ibrahim Basha që gjeti vdekjen dje nga një plumb në kokë në Lazarat. Vëllai i policit të vrarë shpjegon se Ibrahim Basha ka pasur një karrierë të gjatë në ushtri.
“E ka nisur ushtrinë me forcat Komando, më pas në fund kaloi te forcat speciale të ushtrisë. Ka punuar në Forcat e Armatosura 10-11 vjet, ka qenë në 5 misione paqeruajtëse jashtë Shqipërisë, në Irak e Afganistan”, tregon më tej i vëllai i oficerit të vrarë. Ai sqaroi se në datën 29 dhjetor 2014, Ibrahim Basha aplikoi te RENEA dhe fitoi konkursin e pranimit, duke nisur punën aty. Nëse e pyet si ka ndodhur ngjarja në Lazarat, vëllai i Ibrahim Bashës thotë se nuk di asgjë.
“Ngjarjen e morëm vesh në televizor, nuk dimë asgjë si ka ndodhur”, thotë Denis Basha. Ai nuk ka kërkesë tjetër për shtetin veç zbulimin të autorëve që i vranë të vëllain. “Çfarë kërkoj unë nga shteti?! Zbulimin e autorëve sa më parë dhe dënimin e tyre siç e meritojnë”, thotë vëllai i oficerit 31-vjeçar të RENEAS që u vra dje në Lazarat.
Kush është ish-komando që u qëllua për vdekje në Lazarat
Ibrahim Basha, 31-vjecari që mbeti i vrarë gjatë aksionit në Lazarat kishte vetëm 6 muaj që ishte bërë pjesë e forcave speciale RENEA.
Ai ka shërbyer si pjesë e forcave tona Komando, duke marrë pjesë për 5 vjet në misione të rëndësishme në Afganistan, së bashku me forcat ushtarake “Eagle”.
Afërsisht 6 muaj më parë ai u bë pjesë e forcave RENEA, ku në një ceremoni u certifikua së bashku me efektivë të tjerë nga kreu i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Cako.
Komentet