Zbulohet për herë të parë letra e klerikut Dom Simon Jubani në Burgun e Burrelit, e shkruar në vitin 1971 për Komitetin Qendror të Partisë së Punës. Letra është publikuar nga ish-drejtori i Arkivave në Ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi. Në letrën dërguar Komitetit Qendror, Dom Simon Jubani përshkruante torturat që ju bëheshin të burgosurve në Burrel. Dom Simon Jubani, i cili rridhte nga një familje e devotshme katolike nga Shkodra, vuajti 21 vite burg në burgjet e diktaturës, ndërsa në vitin 1991 mbajti meshën e parë në Kishën Katolike, pas rrëzimit të regjimit.
“Dom Simon Jubani ishte ndër të burgosurit politikë më të jashtëzakonshëm gjatë periudhës së regjimit komunist. U dënua radhazi 6 herë duke qëndruar në burg në vitet 1964-1989. Në letrat që drejtonte asnjëherë nuk shprehte lutje dhe nuk e fshihte faktin se ishte antikomunist e kundër regjimit. Më poshtë, do gjeni një letër në të cilën bëhen të njohura torturat anësore në burgun e Burrelit,” shkruan Kastriot Dervishi.
Letra e plotë e Dom Simon Jubanit
Komitetit Qendror
Tiranë
Nga torturat më shtazarake që pësojmë në burgun e Burrelit s’pari është tymi i druve ose i qymyrgurit që ndizet në mangall midis dhomës ku vuajmë dënimin. E dyta (është) zhurma që nuk pushon ditë as natë.
Nuk pretendoj të kem banjo ashtu sikurse thuhet se kemi, as nuk kërkoi me na çlirue prej shputave, grushteve, fyerje të përditshme, por u lutem shumë urdhëroni autoritetin e Burrelit të na çlirojnë prej tymit që na verboi sytë dhe na mori frymën, të na çlirojë prej zhurmave që na shkatërruan sistemin nervor, s’pakut mos të kena zhurmë kur flejmë.
Për arsyet e naltpërmenduna janë ba shumë greva urie, shumë vetë kanë dalë prej dhomave për të shkue me u shlodhë në birucë, pa tesha, në çimento për ditë dhe net, shumë protesta dhe ankesa janë drejtuar deri në Tiranë, por mjerisht, burgu i Burrelit, vazhdon të mbetet simboli i terrorit brenda e jashtë atdheut.
Kaq për njoftim
I burgosuri, Simon Jubani
Burrel, 16.12.1971
Marrë nga Observatori i Kujtesës
Nje leter me vlere te madhe Atdhetare, historike dhe burrnore.
Do t’ ishte mire qe kopja e kesaj Letre te vendosej mbi tavolinat e te gjithe klerikeve !
Jo per te mesue nga Ajo Leter, po per te njohe Don Simon Jubanin!
Ju falemnderes z. Dervishi.
Me keqardhje konstatohet se Kleri Italjan qi drejton Kishën tash 26 nuk ka aspak respekt për Brezin e Klerikve Martir!
Po ashtu konstatohet se brezi i studentve u ndalohet të studjojn veprat e atdhetarve!
Diktatura u la amanet kryeklerikut italjan në veçanti puljezit të kuq – angelo masafrës injorimin, poshtnimin dhe keqtrajtimin ndaj Martirit, atdhetarit – meshtarit Hero – Dom Simon Jubanit derisa mbylli sytë!
Populli i Shkodrës pa dallim feje e nderoi, e çmoi dhe ishte Mirnjohës për kryeveprën e Rihapjes të institucjoneve fetare si vllazën midis feve islamo-kristjane!
Masafra nuk gëzon aspak respekt nga populli i Shkodrës!