VOAL

VOAL

Top Channel: FBI nis hetimet për lobistin e PD-së

March 11, 2018

Komentet

Deklaratat për autikët, profesor Edmond Tupja: Çnjerëzore, Rama i vuri vulën përbindshmërisë së tij!

Tashmë po shihet qartë që limitet e lajthitjes së kryesocialistit Edi Rama nuk kanë të ndalur, gjatë takimeve të tij elektorale në qytetet e Shqipërisë.

Këtë të martë gjatë një aktiviteti politik në kuadër të fushatës elektorale të 11 majit, Rama fyeu rëndë njerëzit me aftësi ndryshe, teksa u shpreh se: ‘Të zgjedhësh midis BE dhe kënetës, kënetën domethënë nuk je mirë, politikisht je autik, s’je mirë”, duke përdorur termin “autik” në një kontekst përçmues e diskriminues për këtë kategori vulnerabël të shoqërisë.

Për profesorin Edmond Tupja, një deklaratë e tillë vetëm sa i ‘vë vulën’, monstruozitetit të kryeministrit, që tregon qartë se ai urren jo vetëm veten e tij por edhe njerëzit në përgjithësi.

Në një intervistë ekskluzive për Syri, Tupja thotë se Rama nuk ka dhembshuri për njeri, duke shtuar faktin se ai është një personazh o neveritshëm dhe i rrezikshëm për psikozën e tij, jo vetëm kombëtarisht por edhe ndërkombëtarisht.

‘Për ata që kanë mend për të kuptuar e gjykuar kjo tregon se kemi një kryeministër çnjerëzor, në përmasa të jashtëzakonshme, nuk ka dhembshuri për njeriun. Ai ka një problem të madh me vetveten, urren edhe vetveten, edhe të tjerët i urren. Është shoqërisht i rrezikshëm, ndërkombëtarisht i rrezikshëm. Nuk ka dhembshuri për tjetrin, është sadist. Kjo është një fyerje për mua dhe prindërve me fëmijë ndryshe, që kanë defekte fizike ose psikike. Zhgënjyese dhe çnjerëzore. Kur hapa fjalorin një ditë, te fjala një epitet, përbindësh. Monstër. Përkufizimi i fjalës përbindësh në fjalor: ‘Njeri i pashpirt, mizor dhe i neveritshëm’. Me këtë që ka bërë ai, Edi Rama është i neveritshëm, më vjen për të vjellë. I vuri vulën përbindshmërisë së tij’, u shpreh profesor Edmond Tupja gjatë intervistës dhënë për gazetaren e Syri.

Të respektohet vullneti i elektoratit!- Nga Florim Zeqa

 

Kushtetuta dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit i jep të drejt partisë fituese apo koalicionit parazgjedhor fitues që të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit, kurse partitë e tjera nuk e kanë të drejtën që t’ia rekomandojnë kandidatin, se cili bën e cili nuk bën të propozohet nga partia fituese.

 

Gracka në të cilën ranë të gjithë deputetët

 

Pra, askush nuk mund t’ia merrë të drejtën eksluzive partisë fituese kur është në pyetje zgjedhja e Kryeparlamentarit! Mirëpo partitë e tjera nuk duhet t’i përligjin gabimet që i bën pa vetëdije apo me rekomandim kryesuesi i seancës konstituive siq ndodhi herën e fundit (të henën e 21 priilit), kur ai e mbylli seancën pa e konsumuar të drejtën e votimit të deputetëve, duke e paragjykuar votimin pro apo kundër kandidates në fjalë!

Të gjithë deputetët pa dallime partiake u bënë bashkëpjesëmarrës me vetëdije në shkeljen e rëndë kushtetuese të kryesuesit provizor, z. Avndi Dehari, i cili edhe mund të ketë gabuar pavetëdije siq e ceka në fillim! Kjo le të mbetet në ndërgjegjën e tij njerëzore!

Por, kjo ishte gracka në të cilën ranë të gjithë deputetët pa dallim!

Në fakt, kjo e dëshmon qëllimin që e kanë të gjitha partitë politike-atë të shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme e jo të gjetjes së zgjidhjes konsesuale për zhbllokimin e ngërçit politik për formimin e shpejtë të institucioneve të reja shtetërore!

Për këtë “naivitet” të koordinuar, të gjitha partitë politike pa dallim duhet të ndëshkohen në zgjedhjet eventuale të jashtëzakonshme, per faktin se asnjëra prej tyre nuk është duke e mbrojtur interesin e shtetit dhe të qytetarëve, por vetëm interesat meskine të liderëve partiak!

 

T’i respektojmë rregullat demokratike

 

Pa dyshim, gjëja më e turpshme që është duke ndodhur në këtë interval kohor të vakumit institucional, është gara e pashëmbullt e partive politike me akuza të ndërsjella për ‘bashkëpunim të këtij apo të atij lideri partiakë me Serbinë’!

Leni këto përralla të shëmtuara politike. Kosova është tepër e vogël për të bërë krahasime të tilla! Secili njihemi në njëfarë mënyre me secilin, andaj është e turpshme të veprohet me lojën e pandershme të “patriotit” dhe “tradhtarit”, ngase dihet mirëfilli kontributi i secilit në të gjitha etapat historike, duke filluar nga periudha e shteformimit të viteve të ’90-ta, luftës së lavdishme çlirimtare dhe shtetndërtimit!

 

Të mësohemi ta dëgjojmë dhe ta respektojmë vullnetin e qytetarëve të dalë nga zgjedhjet e lira dhe demokratike. Cilën parti dhe cilin liderë e ka përzgjedhë populli ta respektojmë deri në zgjedhjet e radhës, siq e respektojmë zgjedhjen e secilit deputet pa dallime partiake.

 

Dom Gjergj Meta publikon videon: Fëmija i fundit që takoi Papa Françeskun është shqiptar

Fëmija i fundit që ka takuar Papa Françeskun në sheshin e Shën Pjetrit ditën e Pashkës quhet Hera Çoba, vajza e Nikoll Çobës dhe Franga Prengës, me origjinë nga fshati Jubë i Durrësit e që jetojnë në Gjermani.

Këtë e shkruan vetë Dom Gjergj Meta, i cili publikon edhe videon e postuar nga prindërit e Herës: “Vijnë nga një familje e nderuar me të cilën njihemi me qindra vjet, duke qenë se na ndan vetëm lumi Erzenit nga fshati ku kam jetuar edhe unë.

Ma dërgoi sot vetë babai i Herës, Niku, dhe më lejuan ta publikoj. I falënderoj dhe i urojmë jetë të gjatë Herës së vogël e pastë bekimet e Zotit…” bw

Si të dilet nga ngërçi në Kuvend?

Bekim Bislimi

Në rast se partitë politike nuk arrijnë një marrëveshje apo kompromis për votimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetarëve të tij, ato rrezikojnë ta bllokojnë konstituimin e këtij institucionit ligjvënës dhe ta fusin vendin në ngërç institucional, thonë njohësit e çështjeve politike dhe kushtetuese.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila nisi më 15 prill, këtë të hëne u ndërpre për herë të katërt dhe për pasojë është shtyrë për të mërkurën në orën 10:00.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), partia fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, si dhe tri partitë tjera, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e kanë fajësuar njëra-tjetrën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila këmbëngul në propozimin që deputetja e saj, Albulena Haxhiu, të jetë kryetare e Kuvendit, ka kërkuar marrëveshje me partitë e tjera politike për këtë çështje, si dhe për zgjedhjen e nënkryetarëve të legjislativit.

Propozimi i LVV-së është kundërshtuar në vazhdimësi nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja.

Kompromisi i mundshëm

Albert Krasniqi nga Demokraci Plus (D+) në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se në aspektin politik, konstituimi i Kuvendit gjendet në një bllokadë, për shkak të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk ka rritur t’i sigurojë 61 votat e domosdoshme nga deputetët, për ta miratuar propozimin e saj.

“Kur nuk i ke numrat, duket kompromis dhe nuk mund të imponosh kandidatë [për kryetar të Kuvendit]”, thekson Krasniqi.

Ai shton se, marrë parasysh refuzimin kategorik të propozimit të LVV-së nga tri partitë tjera, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, partia fituese do të duhej të lëshonte pe.

“Do të duhej që Lëvizja Vetëvendosje të bënte përpjekje për të dialoguar me partitë politike, në mënyrë që të ketë një kandidat të përshtatshëm – së paku për shumicën e deputetëve – në mënyrë që ta zhbllokojë situatën”, thotë Krasniqi.

Mendim të ngjashëm ka edhe profesori i të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu. Ai thekson se deri të mërkurën, kur pritet vazhdimi i seancës, partitë politike duhet ta gjejnë një kompromis, i cili do ta zhbllokonte ngërçin, në të cilin ka ngecur konstituimi i Kuvendit.

Kompromisi, sipas tij, nënkupton një marrëveshje që përfshin propozimet në pako, për kryetarin e Kuvendit dhe për pesë nënkryetarët, nga partitë shqiptare dhe të komuniteteve pakicë joserbe dhe serbe.

“Gjatë këtyre 48 orëve, të merren vesh [partitë politike] që në pako të gjejnë kompromis. Pra, nëse jo me këtë kandidat – që tri here i ka dështuar partisë apo koalicionit fitues – atëherë me ndonjë kandidat tjetër, i cili mund të jetë më i pranueshëm për partitë e tjera, si kryetar Kuvendi, si dhe për kandidatët për nënkryetarë”, thekson Baraliu.

Sipas Rregullores së Kuvendit të Kosovës, çdo ndërprerje e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, nuk mund të zgjasë më shumë se 48 ore.

Përderisa PDK-ja dhe AAK-ja kanë sugjeruar se Lëvizja Vetëvendosje duhet ta propozojë një kandidat tjetër të pranueshëm për partitë politike, LDK-ka ka theksuar se nuk do ta votojë asnjë kandidat të LVV-së për kryeparlamentar.

Pse po kundërshtohet Haxhiu?

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se Lëvizja Vetëvendosje duhet ta propozojë një kandidat tjetër të pranueshëm për partitë politike.

“Kandidatja Haxhiu nuk do ta ketë mbështetjen tonë, në asnjë rrethanë, në asnjë moment. Ajo është simbol i dështimit të kësaj qeverie në katërvjeçarin e kaluar. Krejt mandatin e ka pasur të përcjellë me skandale të ndryshme, prej zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit e deri te ulja e buxhetit për mbrojtjen e çlirimtarëve në Hagë. Ka shumë, shumë, shumë dështime – në mesin e të cilave edhe ky ligji banal për qeverinë, i cili e ka lidhur nyje pikërisht Vetëvendosjen. Rruga është e qartë: duhet të ndryshohet kandidati, pastaj ndoshta mund të bëhet shumica”, tha Krasniqi më 21 prill.

AAK-ja ka thënë se nuk do ta votojë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por do ta mbështeste Saranda Bogujevcin apo Shqipe Selimin.

Çfarë në rast se nuk ka kompromis ndërmjet partive politike?

Mungesa e marrëveshjeje eventuale ndërmjet partive politike që do ta zgjidhte situatën për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, do ta thellonte edhe më tej ngërçin institucional.

Të këtij mendimi janë Krasniqi dhe Baraliu.

Siç thonë ata, në rast se nuk ka pajtim ndërmjet partive politike për zgjedhjen e kryetarit i Kuvendit edhe të mërkurën, nuk ka ndonjë kufizim ligjor që seanca konstituive të vazhdojë çdo 48 orë pas secilës ndërprerje, “deri në pafundësi”.

Krasniqi shpreh mendimin se Lëvizja Vetëvendosje mund të vazhdojë të mos propozojë një emër tjetër për kryetar Kuvendi.

“Nëse LVV-ja nuk propozon emër, atëherë kjo mund të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se e drejta për të propozuar nuk nënkupton edhe të drejtën për të imponuar kandidat dhe, aq më pak, për të bllokuar konstituimin e Kuvendit”, thotë Krasniqi.

Por, të drejtën për t’iu drejtuar për çështje të caktuara Gjykatës Kushtetuese e kanë vetëm presidentja e Kosovës, avokati i popullit dhe Kuvendi i Kosovës.

Profesor Baraliu shpreh mendimin se para se ndonjëri nga institucionet eventualisht t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për çështjen e zhbllokimit të procesit të konstituimit të Kuvendit, mund të ndërhyjë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai thekson se presidentja Osmani ka kompetencë kushtetuese që të garantojë mbarëvajtjen dhe “funksionimin kushtetues të institucioneve”.

“Në këtë rast mbarëvajtja nënkupton – edhe proceduralisht – fillimi dhe vazhdimi i konstituimit të Kuvendit. Mbi këtë bazë, ajo mund të intervenojë në çdo kohë”, theksoi Baraliu.

Megjithatë, ndërhyrja e presidentes në këtë rast është vetëm një lloj ndërmjetësimi ose ftese për partitë politike që të merren vesh për ta çuar në fund procesin e konstituimit të Kuvendit.

Në të kundërtën, sipas Baraliut, presidentja Osmani, Avokati i Popullit ose një grup deputetësh të Kuvendit, mund ta dërgojnë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, “për vlerësim lidhur me kufizimin e afateve për konstituimin e Kuvendit, e sidomos për atë se a ka kufizime lidhur me përsëritjen e vazhdimit të seancës për çdo 48 orë”.

“Çfarë duhet bërë në këtë situatë? Gjykata [Kushtetuese] e ka pasur edhe një deklarim më herët që të mos bëhen pyetje të tilla ‘çka dhe si”. Por, duhet gjetur një formulim i duhur, në mënyrë që ta detyrojë Gjykatën që të japë një mendim adekuat dhe kompetent”, u shpreh Baraliu.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Presidencës së Kosovës lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.

Javën e kaluar, Osmani kishte shprehur gatishmërinë e saj për të biseduar me partitë politike për rrugën përpara, nëse ato e shohin këtë të nevojshme.

Duke marrë për bazë mospajtimet ndërmjet partive politike lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nga Lëvizja Vetëvendosje, të hënën është thënë se duhet të thirren grupet politike, të konstituohet Kuvendi dhe më pas, të arrihet pajtimi që ai të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

Radio Evropa e Lirë

Papa Françesku, kreu i parë jezuit i Kishës Katolike

Papa Françesku u njoh për thirrjet për “një Kishë të varfër për të varfrit” dhe për afrim me komunitetet e margjinalizuara.

 

Merkhat Sharibzhanov

Papa Françesku, i lindur si Jorge Mario Bergoglio në Buenos Aires të Argjentinës, ka vdekur më 21 prill në moshën 88-vjeçare.

“Të dashur vëllezër e motra, ju njoftojmë me pikëllim të thellë se Papa Françesku ka vdekur”, tha kardinali Kevin Farrell përmes një njoftimi në kanalin televiziv të Vatikanit.

“Në orën 7:34 mëngjesin e sotëm, peshkopi i Romës, Françesku, u kthye në shtëpinë e Atit”, tha ai.

Si Papa i 266-të i Kishës Katolike Romane, ai ishte i pari prej kontinentit amerikan, dhe i pari i lindur jashtë Evropësn që u ngjit në krye të Selisë së Shenjtë, në më shumë se një mijëvjeçar.

Bergoglio, i biri i emigrantëve italianë, kishte punuar si teknik kimik para se t’iu bashkohej jezuitëve më 1958.

Ai ishte shuguruar si prift më 1969 dhe ishte bërë udhëheqës superior i jezuitëve të një province të Argjentinës në periudhën 1973-1979.

Më 1988, ai ishte emëruar peshkop i Buenos Airesit. Tre vjet më vonë, Papa Gjon Pali II e kishte ngritur atë në Kolegjin e Kardinalëve.

I zgjedhur Papë më 2013, pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI, ai e zgjodhi emrin Françesk, për të nderuar Shën Françeskun e Asizit, duke pasqyruar angazhimin e tij ndaj përulësisë dhe të varfërve.

Pap duke kremtuar një meshë të shenjtë në një shesh të Budapestit.

Pap duke kremtuar një meshë të shenjtë në një shesh të Budapestit.

Periudha e tij në krye të Selisë së Shenjtë kujtohet për fokusin në mëshirë, në drejtësinë sociale dhe kujdesin mjedisor.

Më 2015, Papa Françesku publikoi enciklikën “Laudato si”, duke bërë thirrje për veprim global për t’i luftuar ndryshimet klimatike dhe për kujdes ndaj ambientit.

Ai i kushtoi rëndësi edhe dialogut ndërfetar, duke nënshkruar Dokumentin për Vëllazërinë Njerëzore, bashkë me imamin e Al-Azharit në Egjipt, Ahmed el-Tayebin, më 2019, një marrëveshje e rëndësishme për promovim të paqes dhe bashkekzistencës mes besimeve të ndryshme.

Papa Françesku u njoh për thirrjet për “një Kishë të varfër për të varfrit” dhe për afrim me komunitetet e margjinalizuara.

Ai bëri përpjekje për të reformuar sistemin financiar të Vatikanit dhe për t’i adresuar abuzimet seksuale të klerikëve brenda institucionit të Kishës.

Më 2025, ai publikoi autobiografinë “Shpresa”, duke ofruar më shumë hollësi për jetën e tij dhe misionin.

Në vitet e fundit, Papa Françesku ishte përballur me disa komplikime shëndetësore.

Papa në një takim me komunitetet indigjene në Kanada.

Papa në një takim me komunitetet indigjene në Kanada.

Më 2021, ai i ishte nënshtruar një operimi në zorrën e trashë, ndërsa më 2023 ka pasur një operim tjetër në abdomen për të trajtuar herninë.

Ai ishte përballur edhe me dhimbje kronike të gjurit dhe shpinës, dhe shpesh kishte përdorur karrige lëvizëse.

Pavarësisht këtyre komplikimeve, ai pati agjendë të ngarkuar, dhe i kreu detyrat e një pape, si dhe udhëtoi nëpër botë.

Në fillim të vitit 2025, ai u shtrua në spital për shkak të një infeksioni në traktin e frymëmarrjes, çka më vonë i rezultoi me pneumoni të dyfishtë.

Gjendja e tij ishte e rënduar, duke e detyruar të qëndronte ditë të tëra në spital.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Krenare Cubolli

“Mund të fillojë në Baltik”- Eksperti paralajmëron: Evropa duhet të përgatitet për luftë me Rusinë

Ed Arnold, ekspert ushtarak pranë Institutit Britanik të Shërbimeve Mbretërore të Bashkuara (RUSI) tha në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve dpa se vendet e NATO-s duhet të përgatiten për një konflikt ushtarak me Rusinë në vitin 2027.

Në lidhje me investimet masive që planifikon Gjermania në sektorin e armatimeve, Arnold paralajmëroi se, duke pasur parasysh kërcënimin nga Rusia, qeveria gjermane nuk ka kohë për t’i shpërndarë investimet në një periudhë dhjetëvjeçare. Në vend të kësaj ushtria gjermane, Bundeswehr, duhet së pari të fokusohet në zgjerimin e shpejtë dhe të ndjeshëm të rezervave të sistemeve të sprovuara të armëve dhe zë municioneve – veçanërisht të municioneve për artilerinë.

Bundeswehr-i duhet të pajiset me pajisje të rënda
Ndër sistemet e rekomanduara bëjnë pjesë raketat Taurus, tanke të tipit Leopard 2 A8 dhe automjete të blinduara transporti të tipit Boxer. Si tanket edhe atomjetet e brinduara përdoren edhe nga vende të tjera evropiane.

Sipas britanikut Bundeswehr-i mund ta “rrisë masivisht” prodhimin e tyre , të pajisë njësitë e veta me pajisje të rënda dhe të furnizojë edhe aleatët.

Jo gjithmonë nevojitet më e mira
Evropa duhet të heqë dorë nga ideja për të pasur gjithmonë armët teknologjikisht më të avancuara, tha Arnold. “Shembulli i Ukrainës tregon se nuk duhet të kesh gjithmonë më të mirat.”

E rëndësishme është të jesh thjesht pak më mirë se kundërshtari”, thotë eksperti. Po ashtu nuk është e këshillueshme që të shpenzohen shumë para për pajisje prej të cilave në rast rreziku mund të humbasësh dhjetë në ditë.

Sipas Ed Arnold sot ka ndryshime në mënyrën se zhvilliimit të luftimeve. Kjo lidhet me përdorimin e dronëve edhe në nivelin më të ulët të ulët të luftimeve. Dronët janë “të gjithëpranishëm në fushën e betejës” – tha Arnod.

Lufta me Rusinë mund të fillojë në Baltik
Nëse Rusia do të kërkojë qëllimisht të nisë një konflikt, eksperti beson se kjo ka shumë të ngjarë të ndodhte në Baltik, për shembull në Suvalki, e vetmja urë tokësore që lidh shtetet e NATO-s në Evropën Qendrore dhe aleatëve baltikë. Nisur nga aktivitetet e shumta ushtarake në Evropë Arnold paralajmëroi edhe për mundësinë që vendet e NATO-s dhe Rusia të përfshihen pa dashje në një konflikt diku tjetër./ DW

Bllokadë pas bllokade deri në marrëveshje politike!- Nga Florim Zeqa

 

 

Pas hedhjes së hapit të parë të verifikimit të mandateve, ju uroj nga zemra të gjithë të zgjedhurve të popullit postin e deputetit, jetëgjatësia politike e të cilëve varet nga Konstituimi i Kuvendit, përkatësisht nga zgjedhja e kryeministrit të ri!

 

Zgjedhjet e jashtëzakonshme, opsion real i daljes nga ngërçi politik

 

Dështimi dy herë radhazi i propozimit të LVV-së për zgjedhjen e znj. Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, e ka sjellë vendin në një nivel të ri të bllokadës politike!

Mbase është e vështirë të thuhet me saktësi, se edhe sa gjatë do të shkohet me këtë nivel të bllokadës politike, pasi paralajmërimi i Shefes së Grupit Parlamentar të LDK-së, znj. Hykmete Bajrami, se do të bëjë kallëzim penal, meqë nga data 27 mars 2025, në institucionet e Kosovës kanë marrë vendime qytetarët e thjeshtë dhe jo zyrtarët shtetërorë, përveq krizës parlamentare e ka hapur edhe një betejë ligjore, pa e përjashtuar Gjykatën Kushtetuese!

Në arsyetimet e zonjes Bajrami, anëtarët e Qeverisë që janë zgjedhur deputet, sipas Ligjit do të duhej të jepnin dorëheqje një ditë para certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së.

Kjo i bie se, pavarësisht rezultateve të seancës konstituive të ditës së hënë, të 21 prillit 2025, deponimi i kallëzimit penal nga zonja Hykmete Bajrami e LDK-së, gjithçka mund të kthehet në pikën zero dhe vendi me automatizëm mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme!

Pavarësisht kësaj, në zgjedhje të jashtëzakonshme mund të shkohet edhe pa vendim të gjykatës, pas konstituimit të Kuvendit, në rast të dështimit të zgjedhjes së kryeministrit me shumicë votash në Parlament!

 

Albin Kurtit i kanë mbetur vetëm dy rrugë: arritjen e pazareve politike me përfaqësuesit e partive minoritare dhe përmbushjen e orekseve pushtetore të Fatmir Limajt ose vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme! Alternativë tjetër nuk ka!

 

Nuk ka vend për akuza të ndërsjella partiake, pasi verdikti qytetar i zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 e prodhojë këtë situatë të paqartë politike, ku “të gjithë kanë të drejtë që gabojnë”!

Kriza e demokracisë në Kosovë – Vështrim nga Skënder MULLIQI

Disa vërtetë qëndrojnë mbi bazat e shëndosha të demokracisë, por një shumicë e shfrytëzojnë këtë fjalë për pushtet , dhe as që mendojnë ti përmbahen edhe pse jetojnë në parlamenetarizmin shumëpartiak.Demokracitë moderne bazohen në vullnetin e shumicës , në fakt në vullnetin e atyre qytetarëve që kanë të drejtën e votës.Kur po kalojnë zgjedhjet demokracisë sikur po i ngushtohet rrethi nga pakica në pushtet. E drejta e tyre demokratike po ezaurohet praktikisht , deri në rastin e radhës, apo në zgjedhjet që priten të mbahën.Ky fakt i rëndësishem e relativizon kategorinë e demokracisë modelin më të avansuar vendimarrës për të gjithë komunitetin. Çdo shtet demokratikë duhet të eliminon të metat, që demokracitë dhe liritë elementare njerëzore të zënë vendin e duhur.Në Kosovë por edhe në shumë shtete lehtësisht po shkelën në radhë të parë të drejtat dhe liritë njerëzore , civile , kombëtare etj.Kur shkelen të gjitha këto parime , atëherë nuk bëhët fjalë këtu më për demokracinë , por bëhët fjalë për sistemet e kaluara retrograde-jo demokratike.Ecuria e procedurës demokratike na qon në realizimin së vetë liria përsonale e zgjedhjeve dhe më pas zbatimi i programeve partiake dhe sjellja e atyre që kan marrë besimin e popullit.Në këtë mes në mënyrë jo demokratike po ndërhynë ndikimet shumështresore , si fushata , lobimi , mediet e pa kontrolluara , aktivitetet imorale , gënjeshtrat dhe mashtrimet , që për rrjedhojë kanë demagogjinë.Këtë po e shohim për shumë vite në Kosovë.Dhe, akti i fundit në Kuvendin e Kosovës ishte jashtë parimeve demokratike dhe jashtë zotimeve të kuvedarve të opozitës para elektoratit.Kjo për të mos e votuar vetën si parlamentarë në Kuvend, unë nuk kam ndëgjuar që ka ndodhur diku në ndonjë shtet më demokraci të avansuar.Sikur dikush nga kreret e partive politike opozitare nuk është i vetëdijshem së bëhët fjalë për shtëtndërtim, e jo për zhbërje të shtetit më të ri në Evropë.Kjo qasje është për çdo kritikë pa marrë parasysh se kush e pretendon pushtetin.Shteti dhe kombi janë para së gjithash, e kjo sikur po “harrohet”nga diletantet e politikës dhe të disa të mediave elektronike . Atdheu është i të gjithëve, për të cilin është sakrifikuar shumë në njerëz dhe në të mira materjale historikisht, që për teke të dikujt të vëhet në pëshore. Kurtheve dhe manipulimeve në kurriz të demokracisë dhe të popullit si përfaqësues i saj, duhet dhënë fund. Totalitarizmat e ndryshëm të shekullit të 20-të ishin variantet më ekstreme , që për fat të keq po na përseriten.Pikërisht në konceptin e lirisë, shoqëria si bashkësi njerëzish dhe njeriu si anëtar i një bashkësie shoqërore takohen në një dikotomi unike, në një diktomi të dy zgjedhjeve: të mirës dhe të keqes.Ndërtesa e demokracisë ka hy në një krizë, e cila mund të shëmbet në vetvete.Demokracia është vullnet i përbashkët të pjesmarrësve të saj , e ngritur mbi themelët e jetës së përbashkët, një besim në liri.Nese nuk mbrohen këto vlera, krijohet mundësia që të bëhët vonë kthimi në vlerat e saj…

Opinion – Çfarë thotë LaCivita për Berishën, Ramën dhe Trump? – 14 Prill 2025

Opinion – Çfarë thotë LaCivita për Berishën, Ramën dhe Trump? – 14 Prill 2025

Nga Legjislatura I tek Legjislatura IX- Kosova në labirintin e bllokadave

 

Janë kthyer në rutinë krizat institucionale – ato shpërfaqen pas çdo palë zgjedhjesh. Një vend që ka kaluar mbi një dekadë e gjysmë të shtetësisë, vijon të ngecë në hapin e parë të konstituimit të institucioneve – këtë herë shkaku i verifikimit të mandateve të deputetëve. Dy seanca radhazi kanë dështuar për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit për Verifikimin e Mandateve – një hap procedural që do të duhej të ishte formalitet, por që është shndërruar në arenë përballjeje politike mes dy taborëve në Kuvend.

Kosova ka hyrë sërish në qorrsokakun institucional që përsëritet pas pothuajse çdo cikli zgjedhor. Legjislatura e nëntë, e dalë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk u konstituua as pas dy tentativash, shkaku i betejës së hapur mes dy taborëve politikë, në lidhje me procedurat.

Dështimi i dy seancave konstituive në pikën që deri tash është konsideruar krejt formalitet – verifikimi i mandateve të deputetëve, sinjalizon një krizë të re politike dhe brishtësi të demokracisë institucionale në vend.

Ngërçi aktual

Seanca e parë konstituive u mbajt më 15 prill, por nuk përfundoi me sukses për shkak të mospajtimeve lidhur me raportin e Komisionit për Verifikimin e Mandateve.

Në të njëjtën mënyrë dështoi edhe seanca e dytë, e mbajtur më 17 prill, duke i shtyrë edhe më tej procedurat e nisjes së punës së Kuvendit të ri.

Në qendër të mosmarrëveshjes janë aktet e dorëheqjes nga funksionet e dyfishta të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kanë fituar mandat si deputetë, por mbajnë ende pozita qeveritare.

Ligjvënësit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë refuzuar të votojnë raportin duke kërkuar që këto dorëheqje të dorëzohen zyrtarisht dhe të jenë të dokumentuara në raport. Në mungesë të kësaj, ata pretendojnë se procesi përbën shkelje të kushtetutës e ligjeve dhe se do të krijonte precedent që në të ardhmen do të kontestohej edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Këto dorëheqje kabineti qeveritar i paraqiti në Kuvend pikërisht në ditën e seancës konstituive. Ligji për Qeverinë në nenin 26 parasheh që nëse anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet, ai duhet të japë dorëheqje nga kjo pozitë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Por neni 29 i të njëjtit ligj, thekson se mandati i anëtarit të Qeverisë përfundon, nëse ai zgjidhet deputet ose edhe kur i përfundon mandati i rregullt Qeverisë.

Në vazhdimin e dytë të seancës konstituive, opozita refuzoi konsultat e thirrura nga kryesuesi duke kërkuar prej tij që të procedojë me votimin e raportit që dy ditë përpara nuk kaloi.

Vetëvendosje i cilësoi këto argumente si pengesa të qëllimshme politike, duke theksuar se opozita refuzoi konsultimet e thirrura nga kryesuesi, për të tejkaluar krizën.

Verifikimi i mandateve është vetëm hapi i parë, pas të cilit duhet zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët, në mënyrë që Kuvendi të konsiderohet i konstituuar për t’i hapur rrugë krijimit të qeverisë.

Subjektet që ishin opozitë në legjislaturën e kaluar, insistojnë se Vetëvendosje po e bllokon konstituimin në mungesë të votave për ta votuar kryeparlamentarin dhe më pas qeverinë. Sipas tyre kjo u dëshmua me votimin pro raportit, që nuk mori më shumë se 52 vota.

Njohës të punës së Kuvendit thonë se kriza dhe tendencat për bllokadë po e shoqërojnë edhe këtë legjislaturë

“Formimi i institucioneve kalon nëpër shumë faza. Ndërsa nëpër të gjitha fazat, realisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës është shkruar në atë formë saqë do të duhej që akterët institucionalë, ose individët institucionalë të mos abuzojnë me të drejtën që ua kanë dhënë qytetarët. Në këtë drejtim mund të themi që është përgjegjësi e institucioneve, e akterëve institucionalë, që të veprojnë në atë mënyrë që të dalin vetë prej krizës, në mënyrë që të mos aktivizohet Gjykata Kushtetuese dhe që të mos kemi kriza. E, po ashtu të mos kemi praktika të rënda kushtetuese, për arsye që secila krizë vonon në formimin e institucioneve dhe në procedimin tutje. Për këtë arsye në momentin që ka ndonjë krizë është Gjykata Kushtetuese ajo që jep vendimin final”, ka thënë Melos Kolshi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).

Tek i komentoi dorëheqjet që shkaktuan ngërç në konstituimin e Kuvendit, Kolshi përmend kufizimet që i përshkruhen qeverisë në këso situata.

“Realisht jemi në situatën ku për herë të parë kur Qeveria e Republikës së Kosovës e ka kryer mandatin e saj katër vjeçar siç është e përcaktuar me Kushtetutë, ndërsa më 22 mars të po këtij viti janë bërë katër vjet kur edhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka kaluar në detyrë. Kështu që qeveria në detyrë nënkupton kufizimet që i ka të përgjegjësisë që të mos marrë vendime të cilat merren nga një qeveri e cila është e rregullt. Kështu që duhet të ketë kujdes, në mënyrë që të mos vazhdojë të marrë vendime qysh është emërimi i bordeve, e shumë vendime të tjera”, është shprehu ai.

Bllokadat në legjislaturat e kaluara

Kriza e tashme nuk përbën rast të izoluar në Kosovë. Legjislatura e vitit 2014 është një shembull emblematik.

Atëkohë blloku opozitar LDK-AAK-Nisma pati zgjedhur Isa Mustafën kryetar të Kuvendit. Por PDK-ja, e cila kishte dalë parti e parë, e kontestoi vendimmarrjen e Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese.

Kushtetuesja vendosi që vetëm partia fituese kishte të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetar, ndryshe prej rastit të mandatarit të qeverisë, ku presidentit i lihet mundësia t’ia kalojë mandatarin edhe partive të tjera, nëse partia fituese dështon ta zgjedhë në rastin e parë. Situata e vitit 2014 pati shkaktuar një ngërç institucional prej mbi gjashtë muajsh, derisa u arrit një marrëveshje ku Isa Mustafa i LDK-së u bë kryeministër dhe Kadri Veseli nga PDK-ja u zgjodh kryetar i Kuvendit.

Vonesa për shkak të mungesës së shumicës pati edhe në vitin 2017. Pas zgjedhjeve të 11 qershorit të atij viti, koalicioni PAN (PDK-AAK-Nisma) kishte dalë fitues, por nuk kishte shumicën e duhur për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Për tre muaj u vonua zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, derisa më 7 shtator 2017, pas disa tentativave të dështuara u arrit një marrëveshje me AKR-në e Behgjet Pacollit që në zgjedhje kishte garuar bashkë me LDK-në. Kadri Veseli ishte zgjedhur kryetar i Kuvendit e Ramush Haradinaj kryeministër.

Koalicionet

Bllokadat e paszgjedhjeve jo rrallë janë zgjidhur përmes presionit të kohës, kompromisit të pashmangshëm ose ndërhyrjeve të faktorëve ndërkombëtarë.

Në çdo rast, koalicionet janë formuar vetëm pasi partitë e përfshira kanë kaluar muaj të tërë në një lojë nervash e pazare të vështira politike.

2001: Legjislatura I – Pushtet për të gjithë

Polarizimi politik ishte në kulm në 2001-n kur u organizuan zgjedhjet e para pas çlirimit.

Ndërkombëtarët që prioritet e kishin stabilitetin në Kosovë, fillimisht ndërtuan një trupë bashkëqeverisëse të quajtur Këshilli Administrativ.

“Ky është fillimi i një procesi”, pati thënë Bernard Kushner, kryeadministrator i Kosovës.

Pas zgjedhjeve që u fituan nga LDK-ja, sërish donin bashkëqeverisje.

Ibrahim Rugova e pranoi këtë dhe vetë e mbajti postin e presidentit, ndërsa posti i kryeministrit iu dha PDK-së, ama jo liderit të saj Hashim Thaçi.

Bajram Rexhepi kishte treguar për “Kohën Ditore” historinë se si e kishte mësuar që ai do të jetë kryeministri.

“Në dy të natës zoti Shtajner më ka thirrur dhe më ka kumtuar se pas bisedave maratonike, ju jeni propozuar për mandatar”, pati treguar Rexhepi.

Rexhepi u bë kryeministri i parë i Kosovës, dhe krahas njerëzve të LDK-së e PDK-së, në kabinet pati ministra edhe nga AAK-ja e komunitetet.

2004: Legjislatura II – Qeveri e trazuar

Zgjedhjet e 2004-tës sërish e rikonfirmuan LDK-në parti fituese.

Rugova bëri koalicion veç me AAK-në dhe komunitetet.

Ishte qeveri e trazuar kjo.

Pak pa i mbushur 100 ditë, Haradinaj dha dorëheqje, për t’u përballur me akuzat e Gjykatës së Hagës. Në vend të tij u vu Bajram Kosumi.

Disa kohë më vonë, Rugova kumtoi për probleme serioze me shëndetin.

“Mjekët kanë gjetur se vuaj nga kanceri i lokalizuar në mushkëri. Andaj më kanë caktuar një terapi intensive shëruese”, pati bërë të ditur Ibrahim Rugova, president i Kosovës.

Në fund të 2006-s Rugova humbi betejën me sëmundjen.

Fatmir Sejdiu u bë president. Më pas, Kosumi u zëvendësua nga Agim Çeku.

2007: Legjislatura III – Qeveri për pavarësi

Para zgjedhjeve të nëntorit të 2007-s, LDK-ja u nda. Në atë që njihej kuvend i karrigeve, Sejdiu fitoi, ndërsa Daci që humbi, mblodhi disa eksponentë të LDK-së dhe krijoi parti të re.

Nga kjo situatë përfitoi PDK-ja. U bë partia më e votuar. E, LDK-ja humbi primatin.

Thaçi arriti marrëveshje koalicioni me LDK-në, së cilës ia la postin e presidentit, ku u vu Sejdiu.

Koalicioni ishte bërë nën arsyen për unitetin që kërkohej në mandatin kur do të shpallej pavarësia e Kosovës.

Kur ishte konsumuar më shumë se gjysma e mandatit të rregullt, Sejdiu qe detyruar të japë dorëheqje, pasi Gjykata Kushtetuese dha verdiktin se ai po e shkelte Kushtetutën duke mbajtur njëkohësisht edhe funksionin e presidentit e edhe të kreut të LDK-së. Pas kësaj, LDK u tërhoq nga Qeveria.

2010: Legjislatura IV – Koalicioni i pakicës popullore

Kosova shkoi në zgjedhje të parakohshme në fund të 2010-s, pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, i iniciuar me bekimin e Thaçit.

PDK-ja fitoi sërish dhe ia doli të bëjë një shumicë të ulëseve në Kuvend. Marrëveshja e koalicionit me AKR-në dhe komunitetet, ia siguroi Thaçit mandatin e dytë si kryeministër, ndërsa Behgjet Pacolli u bë president. President për 30 ditë, meqë Kushtetuesja gjeti se ishte zgjedhur pa kuorumin e nevojshëm.

Jetëgjatësinë e koalicionit e shpëtoi ambasadori amerikan Christopher Dell, i cili e propozoi për presidente Atifete Jahjagën, një personalitet pak i njohur deri atëherë.

Megjithëkëtë, Thaçi nuk arriti ta përmbyllë as mandatin e dytë. Meqë Kushtetuesja ia njohu Jahjagës mandatin e plotë, u prish marrëveshja rreth një reforme zgjedhore, që ishte me Isa Mustafën e LDK-së. Kuvendi u shpërnda.

2014: Legjislatura V – Koalicion “tradhtish”

Shpërndarja e Kuvendit prodhoi zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit të 2014-s, në të cilat sërish PDK-ja mori vota më së shumti.

Por, partitë refuzonin t’i bashkoheshin në koalicion. LDK-ja dhe AAK-ja, por edhe Nisma, një parti e dalë pas çarjeve në PDK, u morën vesh ta nominonin Haradinajn për kryeministër. Më vonë marrëveshjes iu bashkëngjit edhe LVV-ja.

Planet i prishi Kushtetuesja. Ajo dha interpretimin se edhe për kryeparlamentarin e edhe për mandatarin për Qeverinë PDK-ja duhet ta japë propozimin, meqë ishte parti e parë.

Pas kësaj, LDK-ja bëri një marrëveshje me PDK-në, dhe për herë të parë do ta drejtonte Qeverinë. Marrëveshja e bëri Mustafën kryeministër e Thaçin president.

Koalicioni funksionoi pak më shumë se dy vjet. Në majin e 2017-s PDK-ja e përkrahu mocionin e mosbesimit kundër Qeverisë Mustafa.

2017: Legjislatura VI – Koalicioni parazgjedhor

Në zgjedhjet që pasuan, ato të 2017-s, shumë nga partitë bënë koalicione parazgjedhore. AAK-ja e Nisma iu ofruan PDK-së, dhe garuan me Haradinajn për kandidat për kryeministër, i cili u bë, por vetëm për gjysmë mandati.

U dorëhoq, pas një ftese që ia bëri Gjykata Speciale.

“Nderi i kryeministrit dhe i shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë shkoj si Ramush Haradinaj”, ka thënë Haradinaj.

Pas dorëheqjes, Thaçi e shpërndau Kuvendin dhe vendi shkoi në zgjedhje.

2019: Legjislatura VII – Dy koalicione

Gjatë legjislaturës së gjashtë, Vetëvendosje e LDK ishin përafruar, duke qenë në opozitë. E pas zgjedhjeve të 2019-s, bënë koalicion. Albin Kurti u bë kryeministër e Vjosa Osmani kryeparlamentare.

Kurti drejtoi qeverinë më jetëshkurtre. Vetë LDK-ja inicioi mocion mosbesimi, diku 50 ditë pas bashkëqeverisjes me LVV-në. Sebep u bë shkarkimi i Agim Veliut nga Kurti, shkaku i mbështetjes së nismës së presidentit Thaçi për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.

“Nuk mund ta mbështetësh shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme të paralajmëruar nga presidenti, pa u konsultuar me partnerin tënd të koalicionit. Nuk mundesh. Ose, edhe mundesh, por pastaj nuk mundesh, sepse të shkarkojnë”, ishte deklarata e Kurtit pas shkarkimit të Veliut.

LDK-ja s’e përpiu dot dhe u hakmor, por kundër kësaj ishte Osmani.

“Kemi vendosur që LDK-ja të iniciojë mocionin e mosbesimit për rrëzimin e qeverisë Kurti”, kishte njoftuar Isa Mustafa, kryetar i LDK-së.

Mocioni kaloi, edhe me mbështetjen e partive në opozitë.

LDK-ja u vu në lëvizje për ta bërë Qeverinë. Mbërriti marrëveshje me AAK-në, më Nismën e me komunitetet, dhe deputetët e të gjithave nuk e bën shumicën. Shumica prej 61 votash u mbërri me votën e dy deputetëve të AKR-së, që vendosën të rrinin në opozitë.

Por, një votë e koalicionit u bë sebep që Qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti, të bjerë. Gjykata gjeti se vota e Etem Arifit ishte jokushtetuese e vendi shkoi në zgjedhje.

2021: Legjislatura VIII – Qeveri pa koalicion

Zgjedhjet e 2021-s, për herë të parë pas lufte prodhuan fitues absolut. Vetëvendosje, me Vjosa Osmanin pjesë të listës së kandidatëve për deputetë, mbërritën 50.28 për qind të votave. Kjo ua siguroi 58 ulëse në Kuvend. Shumicën në Kuvend për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe qeverisë e siguroi nga vota e disa prej deputetëve të komuniteteve pakicë joserbe.

Kësisoj, Vetëvendosje qeverisi pa koalicion me ndonjë parti shqiptare, duke u bërë qeveria e parë pas shpalljes së pavarësisë që e përmbyll një mandat të plotë.

Pasojat e bllokadës aktuale

E zgjedhjet e fundit, këto të 2025-s, u përshkruan me akuza dhe përplasje të mëdha, të cilat vijuan edhe pas mbylljes së kutive të votimit. Kurti si fitues i zgjedhjeve prej partive shqiptare i dërgoi ftesë për konsulta vetëm Lidhjes Demokratike që doli e treta me 20 deputetë, por që u refuzua. Si arsyetim u përmend diskursi përçarës dhe akuzat e Kurtit duke i lidhur edhe me Serbinë kundër interesave të shtetit.

Përtej përplasjes procedurale ngërçi mund të prodhojë pasoja të thella politike dhe institucionale.

Në aspektin ndërkombëtar, kriza përçoi sinjal negativ te partnerët perëndimorë që vazhdojnë të kërkojnë funksionalitet institucional, stabilitet dhe qeverisje të mirë nga Kosova./ Koha.Net

Analisti amerikan: Dritëhijet e kompanisë që menaxhon Portin e Durrësit. Roli i dyshimtë i Ballukut dhe si po tentohet të pengohet lufta kundër drogës

Nga Ivan Sascha Sheehan

Administrata e presidentit Donald Trump ka ndërmarrë një qëndrim të ashpër kundër fluksit të drogave të paligjshme që hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Në kuadër të masave të fundit në politikën tregtare, është vendosur një tarifë prej 25% për të gjitha mallrat që importohen nga Meksika. Kjo masë u mor si përgjigje ndaj, siç u shpreh Trump, “fluksit të papranueshëm të drogave ilegale” që hyjnë nga kufiri jugor. Një ndër shqetësimet më të mëdha për administratën ka qenë fentanili.

Zyrtarë të lartë në Shtëpinë e Bardhë janë zotuar se do të “shpallin luftë” ndaj karteleve ndërkombëtare të drogës që kontrollojnë rrjetet globale të trafikut.

Ndërkohë që ndalimi i tregtisë së fentanilit dhe forcimi i sigurisë kufitare mbeten prioritete kryesore të administratës Trump, zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësim për qasjen e Bashkimit Europian, të cilin e akuzojnë se po “mbyll sytë” ndaj trafikut të paligjshëm të narkotikëve në kontinentin europian. Kjo mungesë reagimi, sipas tyre, po ndihmon në zgjerimin e perandorive të drogës në Amerikën Latine dhe më gjerë.

Ndërkohë që trafiku i drogës është një çështje e njohur në shumë vende evropiane, vendi ballkanik i Shqipërisë së fundmi është vënë në qendër të kritikave, pas një hetimi të ri që ka nxjerrë në pah praninë e mafies shqiptare në Ekuador. Në mënyrë shqetësuese, krimi i organizuar shqiptar tashmë kontrollon pjesën më të madhe të rrjedhës së kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.

Megjithëse Ekuadori nuk është prodhues i drogës, sot 70% e kokainës në botë kalon përmes porteve të tij, kryesisht nga Kolumbia dhe Peruja. Ata që kapen në zinxhirin e furnizimit si dhe ata që preken nga pasojat e dhunshme të këtij tregu, besojnë se përgjegjësia qëndron te vendet konsumuese, pasi rritja e kërkesës nxit kontrabandën.

Ajo që është e sigurt, është se pa një luftë të vendosur të Evropës kundër trafikut të narkotikëve brenda territorit të saj, përpjekjet e SHBA për të luftuar substancat e ndaluara në Amerikën e Veriut do të bëhen gjithnjë e më të vështira.

Përveç nevojës për të ulur kërkesën për konsum droge, vendet evropiane duhet të marrin gjithashtu përgjegjësi për sigurinë e kufijve të tyre, pasi portet e Evropës janë veçanërisht të prekshme ndaj kontrabandës së drogës. Në dekadën e fundit, është shënuar një rritje e konsiderueshme e përdorimit të transportit me kontejnerë për trafik droge drejt kontinentit.

Situata ndërlikohet më tej nga shqetësimet për sigurinë që lidhen me pronësinë kineze të shumë porteve evropiane, përfshirë ato në Spanjë, Gjermani, Belgjikë, Poloni, Suedi, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Europol është në një luftë të vazhdueshme me organizatat kriminale që transportojnë me shpejtësi sasi të mëdha kokaine me kontejnerë nga Amerika e Jugut drejt BE-së, përmes porteve kryesore si Hamburg, Antwerp dhe Roterdam. Gjatë një hetimi të vitit të kaluar, Europol sekuestroi 35 ton metrikë kokainë në këto porte të gjitha të nisura nga Ekuadori dhe dërguara nga Kolumbia, Surinami, Guajana dhe Paraguaj.

Portet shqiptare nuk bëjnë përjashtim. Përveç hetimit të fundit të publikuar nga BBC, edhe politikanët vendas shqiptarë kanë shprehur shqetësime lidhur me përfshirjen e mundshme të vendit në aktivitete të paligjshme. Si një shembull ilustrues, ish-ministri i Drejtësisë së Shqipërisë ka theksuar veçanërisht problemin e korrupsionit që shoqëron menaxhimin e porteve në vend, duke përmendur rastin e Portit strategjik të Durrësit, i cili u përfshi në polemika ndërkombëtare pas shitjes së tij ndaj një subjekti kroat (Schapha doo), me qëllim kontrollin e portit.

Ai pretendon se në këtë transaksion ishte e përfshirë edhe Ministrja Shqiptare e Energjisë, Infrastrukturës dhe Transportit, znj. Belinda Balluku, e cila sipas tij ka udhëzuar ish-drejtuesit e portit të bashkëpunonin me kompaninë shumëkombëshe MAERSK.

Nëse kjo rezulton e vërtetë, atëherë drejtuesit rajonalë të MAERSK mund t’i kenë dorëzuar në mënyrë efektive të drejtat për operimin 45-vjeçar të portit një oligarku shqiptar, nën emrin e kompanisë kroate.

Sigurisht, çdo individ, kompani apo shtet meriton prezumimin e pafajësisë derisa të sigurohen prova konkrete dhe të vërtetohen faktet. Nuk mund të pretendohet faj vetëm mbi bazën e dyshimeve.

Megjithatë, nëse kompania në fjalë ka lidhje me Ekuadorin dhe Kolumbinë, siç është pretenduar, atëherë rrjeti i trafikut të drogës në Shqipëri dhe situata përkatëse e sigurisë mund të jenë më të ndërlikuara dhe më të komprometuara sesa mendojnë disa.

Qëndrimi i ashpër i administratës Trump ndaj tregtisë së paligjshme të drogës tregon synimin e qartë për të goditur kartelet dhe për të ndërprerë rrjedhën e drogave të paligjshme drejt SHBA-së.

Megjithatë, këto përpjekje pengohen nga mungesa e bashkëpunimit nga ana e Evropës, e cila vazhdon të shërbejë si një pikë kyçe tranziti për narkotikët që vijnë nga Amerika Latine. Dominimi i mafies shqiptare në rrugët e trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës thekson seriozitetin e kësaj çështjeje.

Lufta kundër tregtisë së drogës kërkon përgjegjësi të përbashkët dhe angazhim të plotë. Kontributi i Evropës nuk mund të mbetet më pasiv, autoritetet e BE-së duhet të ndërmarrin hapa të vendosur për të forcuar kufijtë, për të luftuar korrupsionin dhe për të ulur konsumin e drogës. Ka ardhur koha që Evropa të veprojë me vendosmëri, duke u bërë një partnere aktive dhe jo pengesë në përpjekjet globale për të luftuar pasojat shkatërruese të trafikut të drogës.

***
Townhall është një media amerikane me orientim të qartë konservator, e njohur për mbështetjen e saj të hapur ndaj Presidentit Donald Trump dhe politikave të tij.

Platforma transmeton edicione lajmesh të përditshme përmes rrjetit Salem Radio Network dhe kanalit Sirius XM Patriot Channel 125, duke ofruar analiza dhe komentime nga kolumnistë të djathtë dhe politikanë të profilit të lartë republikan.

Ndër kontribuesit e saj të rregullt apo të ftuar kanë qenë emra të afërt me familjen Trump, si Eric Trump, Donald Trump Jr. dhe Lara Trump./ Townhall sn

STOP krizës institucionale!- Nga Florim Zeqa

 

Në të kaluarën dita e zgjedhjeve dhe dita e formimit të institucioneve ishin festë për qytetarët e Kosovës dhe jo stres dhe pritje, jo ankth dhe shqetësim se çfarë do të bëhet me të ardhmen e vendit!

 

E treta e vërteta apo e treta e zezë për Kosovën?!

 

Pas dy dështimeve të njëpasnjëshme dhe të qëllimshme të seancës konstituive të institucioneve të reja të shtetit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, përpjekja e tretë duhet të jetë vendimtare për dhënjën fund të krizës artificiale.

Spektaklet mediatike në Kuvend janë kthyer në tragjikomedi për votuesit, përkatësisht për qytetarët e zhgënjyer dhe të thyer shpirtërisht nga kjo klasë e papërgjegjshme politike.

Në vazhdimin e tretë të Seancës Konstituive deputetët e zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve duhet të jenë në nivelin e detyrës dhe të vendosur në tejkalimin e kësaj krize artificiale të krijuar nga liderët e partive politike për interesat e tyre personale!

Në rast se tentohet të përseritet repriza e ditës së enjtë të 17 prillit, duhet të kundërshtohet me çdo kusht nga deputetët me qëndrim në Sallën e Parlamentit, qoftë edhe pa prezencën e kryesuesit kortezual, me caktimin e një kryesuesi të ri nga shumica e deputetëve për të proceduar tutje me votimin e mandateve të deputetëve pavarësisht (mos) dorëheqjes faktike të Qeverisë!

Ngase askush nuk e ka të drejtën e mbajtjes peng të Konstituimit të Kuvendit, përkatësisht të zgjedhjes së organit të ri ligjvënës në vend, si hapë të parë drejtë mandatarit të Qeverisë, pavarësisht kampit politik!

Qyetarët e vendit kanë votuar për zgjedhjen e një Qeverie të Re, e jo për vazhdimësi dhe as “Status Quo” politike në Kuvend!

Pra, dita e shtunë, e 19 prillit 2025 duhet të jetë dita “D” e formimit të institucioneve shtetërore.

Nëse ka vullnet politik nga partitë parlamentare zgjidhja është fare e thjeshtë! Pengesa teknike e votimimit të mandateve të deputetëve evitohet fare lehtë, për të kaluar në pikën e dytë sipas rendit dhe ligjit.

Fillimisht le ta provon partia fituese me kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit, nëse nuk i ka numrat, pa asnjë pengesë duhet t’i lëshojë rrugë partisë së dytë që ta provojë sigurimin e shumicës në Kuvend.

Në të kundërtën, nëse edhe partia e dytë nuk e siguron shumicën parlamentare, atëherë me automatizëm duhet të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme sipas afateve kushtetuese, pa e humbur më asnjë ditë të vetme.

Askush nuk guxon të luaj me fatin popullit, edhe ashtu me shpresa të thyera për jetë në këtë vend, e aq më pak t’a vënë në pikëpyetje funksionalitetin dhe ekzistencën e shtetit të pakonsoliduar në aspektin ndërkombëtar.

Ata që nuk e kanë vullnetin dhe guximin për të marrë përgjegjësitë konformë rrethanave të krijuara politike, përkatësisht pushtetin në këto rrethana të vështira gjeo-strategjike, le të tërhiqen, por assesi nuk guxojnë të bëhen pengesë e formimit të institucioneve shtetërore!

 

Pavarësisht numrit të votave dhe pozicionit paszgjedhor, të gjitha partitë janë njëjtë përgjegjëse për mos(formimin) e shpejtë të institucioneve të reja shtetërore. Këtë e kanë obligim para qytetarëve dhe para më shumë se 900 mijë zgjedhësve kosovarë dhe atyre në mërgatë!

STOP dyftyrësisë politike në Kuvend!

STOP pazareve për intersa personale të liderëve partiakë!

STOP krizës institucionale!


Send this to a friend