Me kërkesën e motrave, po publikoj nji shkrim të vitit 2008, për vitin e parë të internimit. Në mungesën e bindjes që të kisha arrijtë të shpreh osé të pasqyroj, me fjalën time jo të mirkultivueme, vështirsitë që i u paraqitën Nonës tonë, më mungoi shtytja e domosdoshme për ta vazhdu shkrimin e mësipërm të cilin po ju a paraqes miqve që ta lexojnë kur të munden:
Meremja dhe…shtatë fëmijtë e saj…..
KUJTIME O.J.KACELI
Jo më kot i vuna këtë titull këtij shkrimi. Ne të shtatë fëmijtë me të vërtete ishim shumë të vegjël, si nga mosha ashtu edhe nga trupi. Edhe Nona jonë ishte si Hirushja, por me një ndryshim të madh. Ajo nuk po kërkonte princin e kaltërt, ajo princin e kishte. Mirpo atë natë ndodhi ngjarja e llahtarshme. Bishat e urryera u vërsulën me tërbim dhe ja rrëmbyen atë! Po, po, i a rrëmbyen Princin –Jonuz Kaceli -, babën tonë të dashur. Ishte nata e 20 Shkurtit të vitit 1951.
Unë atëhere isha 9 vjeç. Merret me mend që n’ate moshë nuk mund t’a kisha lexu Dante Aligierin. Por kur e lexova, pashë ose si me thanë vuna re shume ngjasime te FERRIT të tij me atë tonin. Po Nona jonë, heroina e ketij shkrimi, çfarë nuk kishte të drejtë të bluante në mëndjen e saj?!.. Vetë Dantja i jepte te drejtë në vargjet e famshme:
….që nuk ka dhimbje ma të madhe se
te kujtojsh jetën e lumtun
në vuajtje të skajshme e mjerim.
Me thanë të drejtën ajo nuk i kishte lexù ato, por n’ato momente te tmerrshme me siguri diçka do të ketë ndodh me intuitën e arsyen e saj. Nuk ka se si të shpjegohet xhesti i saj që ndodhi pas plot 9 ditësh:
Ndodhi ç’ka ajo as që nuk mundej edhe ta imagjinonte. E vërteta asht, se në ditët që pasuan arrestimin e tij, dashamirësit dhe familjarët, siç e don zakoni, pa pushim i kishin qenë pranë. Pa dyshim ajo priste kthimin e princit të saj. Po kështu mendonin dhe të gjithë të tjerët. Por ja që s’qè e thanë ashtu. Ato ditë qarkullojshin lajme të ndryshme që në më të shumtën e rasteve binin ne kundërshtim njani me tjetrin. Megjithatë shpresat ishin të mdhaja dhe ne të gjithë prisnim lirimin e Babës tonë. Mirëpo të martën me 27 Shkurt kur u kthyen plaçkat që Nona ja kishte çu në burgun e ri të Tiranës, vumë rè, që tenxherja e boshatisun e ushqimit ishte shtërngu aq shumë me kapakun, sa që e patëm të vështirë t’a zgjidhnim. Ai kishte përdor nji copë pëlhure të grisun. Nona e njofti me nji herë; ajo ishte gris nga këmisha e trupit që ai kishte vesh atë natë mënxyrezezë, kur xhelatët i dhunuen folenë e lumturisë së tij familjare. Dukej qartë që ai kishte nji siklet të madh. Shpresat u zbehën; iluzionet filluan të “humbin”.
Të ejten me 1 Mars bishat u kthyen përsëri, por këtë rradhë me lajmin e kobshëm. Nona thuejse nuk i kishte ndigju ata, por nji fjalë i ishte ngulitun në trù. Ashtu e shastisun dhe e trullosun, kishte dalë në oborr duke thirr:
–Zotni Hamdi, zotni Hamdi! – i ishte drejtu ajo Hamdi Karazit , që aso kohe banonte në shtëpinë e xhaj-Romës, -ç’do me thonë fjala “egzekutim?-.
Unë nuk e dij me saktësi përgjigjen e tij por veprimi që desh te kryej ajo e shpjegon më së miri gjëndjen e saj të rëndueme morale e shpirtnore. Ajo në nji farë mënyre deshi ti japë fund jetës. Por për fat u gjind moma e Prokop Mimës që me ambëlsine e fjalës që e karakterizonte i pru koshiencën në vend, duke i kujtù asaj detyrën e madhe që përveç përballimit të dhimbjes, ishte dhe rritja e 7 fëmijve të saj. Lej të nënkuptohet se këto rreshta që po shkruej, nuk shprehin as edhe nji përqind, ate qe ndodhi n’ato çaste që do te shënonin nisjen e atij kalvari të gjatë…..
Aso kohe unë sapo kisha kalu 9 vjeçët. Ishim në pushimin e madh ne shkollën “Ismail Qemali” ku ndiqsha klasën e katërt. Ishte rreth orës tre e gjysëm të mbasditës kur më afrohet Nevini –çuni i daj-Metit, që në mënyrë qortuese më boni të njoftun ngjarjen:
-Si të bohet me luejt?- mu drejtù me ashpërsi, e sikur po me zinte në faj. Ato ditë ai do të mbushte 13 vjeç. –A nuk e dì që ta kanë vrà Babën?!..
Mu errën sytë e kështu që nuk mbaj mend se si jam largu nga shkolla e jam gjind tek porta e shtëpisë, në anën e majtë të së cilës ishte xhaj-Sadiku që po vendoste në tè nji shirit letre ku ishte shkruejt: “NUK PRESIM VIZITA”. Megjithatè, me që lajmi ishte perhap me shpejtsi rrufeje, si rrugica e quejtun e Kacelve ashtu dhe oborri i shtëpisë së xhaj-Romës ku ne banonim që prej 2 vjetesh, ishte plot me njerëz, të cilët me siguri do të më kenë drejtù për në vendin që ndodhej Nona. Nuk më kujtohet se kush i rrinte pranë, vetëm se nuk më hiqet nga sytë e nuk do ta harroj kurrë pamjen e saj. Ishte vesh në të zeza, e kishte hudh në kokë nji napë të bardhë që i mbulonte krejtësisht flokët, por që ja nxirrte në dukje mjaft qartë fytyrën e saj të pastër e të bukur. I kishte rà nji hije e randë që të ipte me kuptu se e dinte fare mirë hallin që e kishte zanë. Më vështroi me dashni e me keqardhje por –ndoshta mu duk mù,-edhe me bindjen që unë do t’i isha pranë gjithmonë. Ajo nuk fliste por qante me nje note mallëngjimi të shoqnueme. Unë gjithashtu. Natyrisht vështrimi im do të ketë qenë aprovues. Që n’atë çast u zotova në heshtje:-Nonës do ti rrijsha pranë gjithë jetën-. E shkreta nonë, e ndjeu si duket e duke psherëtì thellë, më ledhatoi kokën që pa dashje i a kisha përplas në gjoksin e saj… ….Aty pranë me siguri do të ketë qenë gjyshja, që më donte pa masë. Unë kisha emrin e gjyshit,-Osman Kaceli. Ajo ,vetkuptohet me lot ne sy,e bashkë me të gjithë të pranishmit, mundohej të më ngrohte zemrën. Pa vetëdije u gjinda përsëri jashtë në oborr e po instiktivisht u drejtova nga porta. Aty binte tashma në sy, shiriti me shkronjat e zeza: “NUK PRE….”.Fillova të bluej në mendje domethanien. Sado i vogël që isha, -aq gjà ma priste mendja-. Neve na kishte ra një gjamë e madhe; pra ne duhej të pritnim vizita, jo vetëm se e donte zakoni, por edhe pse kishim nevojë për ngushullimin e familjarëve e të dashamirëve! Si rrjedhim, ne nuk duhet as të qajshim!!!!!
Unë me sa duket mendova ndryshe, përderisa që të nesërmen në mëngjes, ju drejtova, dorë për dore me motrën time të madhe Verën, zyravet të sigurimit famkeq. Nè në nji farë mënyre duhej, që në mos revoltë, të paktën ankesë duhej të banim.
T’egzaltuemit sigurimsa-komunistë, përveç lajmit të kobshëm të egzekutimit të babës tonë Jonuz Kaceli, e kishin urdhnù Nonën që të mos lëvizte nga shtëpija ajo e bashkë me té edhe të shtatë fëmijtë. Ditën e shtunë kishin thanë ato,do të internoheni në Tropojë. Kështu, siç thashë ma nalt, bashkë me Verën, i morëm me rradhë zyrat e policisë e të sigurimit. Ne përveç të tjerave kërkojshim të na çonin në nji vend ma të afërt, mbasi kishim ndigju që bashkëvuejtsit tanë ishin caktu në Berat, Vlonë, Lushnjë etj. Ankesa ose po të duem të themi protesta jonë ra në vesh të shurdhër tek pothuajse të gjithë, kur ma në fund Vera më mori për dore me dashni e më boni të ditun se kriminelët e kishin bò zemrën gur, e do t’na internonin në Corovodë te Skraparit. Ishte e para herë që i ndigjojsha këto dy emna vendesh.
Ndërkohë në shtëpi kishin ba vizitën e tyne edhe nëpunsit e përmbarimit të cilët zbatuen urdhnin tjetër; sekuestrimin e konfiskimin e të gjithë pasunisë së Babës e të Nonës, përveç plaçkave të trupit.Të gjitha këto i mbyllën në nji nga ambientet e shtëpisë dhe përveç drynave, i vunë dhe dyllë të kuq me vulën famëkeqe të konfiskimit. Mbaj mend që Vera u mërzit kur mori vesh per sa më sipër, e shprehu indinjatën e thellë, për këte plaçkitje barbare të pasunisë atnore e per ma shumë edhe ate të Nonës. Plaçkitsit nuk kishin harru komplet pajën e saj.
Të shtunën me 3 Mars 1951 në mëngjes rreth orës tetë e gjysëm, u ndigjù të hynte me zhurmë në rrugicë kamjoni mbi të cilin do të ngarkoheshim ne të gjithë së bashku me ato pak plaçka. Në disa minuta dhe nën mbikqyrjen e policve shoqnues u kryen këto veprime. Nuk dij se kush kishte mujt me nxjerrë nga vendi ku ishin plaçkat e konfiskueme,( ndoshta L. Fezolli që siç u tha nga dikush aty kishte shpreh keqardhje për ne) dy susta e dy krevate të vegjël portative, që ju shtuan atyne pak gjanave që ishin ngarku. Bashkë me ne po vinte me jetu në internim gjyshja Zyhra,e xhaj-Liu vllai i madh i Babës, që ishte lirù nga burgu pak kohë më parë. Ai u leju vetëm për të na shoqnu deri në Skrapar. Kur hipëm të gjithë, e kamjoni po bante manovrën e daljes nga rrugica, vuna ré xhaj-Sadikun që na u drejtonte me fjalët: -Gajret e Sabër-, kuptimin e të cilave e mora vesh ma vonë. ( Forcë e Durim ) Asgjë tjetër nuk mbaj mend. As nuk përfytyroj njeri. Xhaj-Roma ishte akoma i burgos dhe sigurisht nuk më shkonte mendja me e kërku në grumbullin e madh që kisha para syve. Nondaja, Haxhire Katroshi (Tagani) e gjyshi Salih Efendi Tagani me siguri kanë qenë. Si duket tronditja ka qenë e tepërt, sa që në turmën e madhe të njerzve, nuk arrijsha me dallù shokët, miqtë, apo të afërmit. Ndoshta ndokush kishte ndonji brejtje të ndergjegjes që po tregohej kaq indiferent kundrejt këtij dhunimi aq të përbindshëm të të drejtave të njeriut, apo ndonje brejtje tjetër që kishte të bante me ndonjë pendim.!.?…………e kështu as nuk përpiqej të na tërhiqte vëmendjen…….
Ma në fund kamjoni u nis por për çudinë tonë për të ndalu përsëri pa dalë tek kryet e rrugës së Pishës. Së bashku me ne do të udhëtonin edhe dy familje të tjera, ato ishin familjarët e Zotrijve të nderuar Manush Peshkëpia e Reis Selfo, qe kishin pësuar të njejtën humbje. Nuk më kujtohet në ç’rrugë, në kamjonin në fjalë u ngarkuen edhe familjarët e të ndjerit Anton Delhysa,me ato pak plaçka. Meret me mend situata që na doli para syve. Edhe këtu u ndjente dhimbja e mjerimi i njerzve, që jo vetem se dy ditë ma parë kishin marrë nji lajm kobzi, por edhe po i përzenin me dhunë të papame, nga foletë e tyne të ngrohta familjare. Dhimbje të kësaj natyre mendoj unë, asht absolutisht e pamundun të përshkruhen. Përndryshe penat e talentueme do të kishin ba ndonji tentativë!!!!.. Ato vetëm ndjehen. Dhe i ndjejnë vetëm ato që i kanë pësù. Kaq dhe mjaft. Ndoshta më parë gabova që i vlersova me 1 përqind ato që kisha shpreh për dhimbjen……
Kamjoni ndërkohë filloi lëvizjen dhe më pas u turr me uturimë në drejtim të rrugës së Durrsit. Bante të ftohtë acar. Ne të gjithë ishim të strukun nëpër boshlliqet që lejshin plaçkat e ngarkueme në kamjon. Mundohej gjithsekush të mbulohej me diçka, për t’evitu në një farë mase këte të ftohtë. Më kujtohet që në çezmen e Vorës, kamjoni ndaloi për një kohë që mu duk rreth dy orë. Pastaj përsëri lëvizi. E njëjta gjëndje për nja dy orë të tjera, kur papritmas filloi nji shi që nuk na la plaçkë të trupit pa lag. Në afërsi të Lushnjës pushoi pak, për të ndalu fare, kur mbrritëm në ate qytet. Këtu zbritën familjarët e të ndjerit Z. Reis Selfo. Ne të tjerët vazhduem. Ndërsa arritëm ne Berat, po binte muzgu. Aty do të ndalej familja e të ndjerit Z. Manush Peshkëpia dhe ajo e të ndjerit Anton Delhysa. Kur ne mbetëm vetëm morëm vesh se nuk mund të udhtonim mò me ate kamjon, mbasi rruga ishte e ngushtë dhe u bò tepër vonë. E me që në policinë e qytetit nuk kishin vend me na lanë, kishin vendos me na shkarku bashkë me plaçkat në hanin me të njejtin emër me vendin që do të qëndrojshim të internu. Quhesh “HAN SKRAPARI”. Me sa duket xhaj-Liu do te ketë pagu ndonji lek, që të paktën të futshim kokën mbrenda, mbas atij udhëtimi të gjatë e të vështirë. Ishte e shtunë, ditë pazari. Rreth e mbrenda oborrit të asaj ndërtese lëviznin shumë njerëz e kafshë. Kryesisht vinin nga malësitë e Tomorricës e pjesë të krahinës së Skraparit, mbasi kishin ba rreth dy ditë rrugë. Aty si me thanë u sistemuem.
Hani ishte jashtzakonisht i pisët e plot me morra, pleshta e çimka. Kushedi sa të vështirë do ta ketë pas e mjera Nona jonë. Ajo ishte shumë meraklie nga të gjitha pikpamjet. Sidoqofte meqenese aty na u desh me ndejt dy netë, ajo boni çmos qe te na “izolonte” nga ajo mungese e theksueme e shprehjeve mo elementare te higjenes. Të hanën në mëngjes herët filluem t’i ngarkojmë plackat në kamjonin që quhesh “Posta” e Corovodës, natyrisht duke hyp dhe ne vetë. Ky ishte nji kamjon i vogël ,për fat i mbuluem, që bante 3-4 herë në javë rrugën Berat-Corovodë –Berat, dhe shërbente për trasportin e postës dhe të udhtarëve. Nga dreka mbrritëm në vendin e caktuem për né, në ate qendër të vogël të banueme. Ne na vendosën në nji ndërtesë të vjetër që shërbente si depo xhamash e vjetersinash te policise. Mbasi spostuem disa syresh dhe gocat –Vera, Berina e Drita- banë aq sa mundën nji farë pastrimi në ate pak hapsinë të lirueme, vendosëm të dy sustat dhe mbi tò plaçkat e tjera. Mbas pak xhaj-Liu që kishte qenë duke sistemù edhe problemin e dokumentave në policì u kthy, e për çudinë tonë së bashku me nji burrë tjetër- që menjherë e me nji farë kënaqsije na e paraqiti si mikun e vet. Ky ishte Zoti Pjetri. Këte zotni- Pjetër Dedën-për tridhjet muej rresht do ta kishim gjithmonë pranë.
Xhaj-Liu, pra na e prezantoi si mikun e familjes, e me të vërtet ai ta linte nji përshtypje të tillë. Na përshëndeti të gjithve e në veçanti dy binjaket Alaskën e Dhuratën të cilat i ledhatoi me dashuni. Pas pak xhaj-Liu na përqafoi, e duke i dhanë porositë e rastit Kannës, (nonës së vet) e nonës tonë Mereme, u drejtu nga sheshi para policisë, ku e priste makina e Postës. Ai i mallngjy e i dëshpëru u nda edhe me Z.Pjetrin, të cilit me siguri i u lut që të kishte kujdes per ne……………..
Bante shumë ftohtë. Nona sajoi nji si lloj furnelle, e me ca copa qymyri që i gjetëm në grumbullin e hinit ku si dukej zbrazshin mangallat policët e burgut, ndezi nji zjarr që na shërbeu për me u ngrof pak, por më duket se po aty na gatoi diçka për me hangër. Dalngadalë po afrohej mbromja, kur vuna ré që po vinte Z. Pjetër. Në dorë kishte nji gavetë të vjetër të cilën e kishte të mbushun përgjysëm me çorbën që siç na tha ai, e kishte për rracionin e darkës. Me xhentilesën që e karakterizonte, na ofroi dhe neve ate, por natyrisht që të paktën për ate mbramje, ne nuk deshëm. Pas pak na përshëndeti dhe shkoi në “dhomën” e tij tek mullini.
Ndërkaq kuptohet që ra nata dhe nuk mbetesh gja tjetër veçse me u pregatit me flejtë. U sistemuem në nji farë mënyre. Berina dhe Kanna (gjyshja Zyhra) në dy shtratet portativë që ishin vendos në dy qoshet, ndërsa ne të shtatë u sajuem kush te kambët e kush te kryet në shtratin që u formù nga bashkimi i dy sustave metalike e që i vendosëm në mes. Nga koka Nona, Miri, unë e Vera, nga kambët Drita,Alaska, e Dhuri. Meret me mend që shtresat e mbulesat që na kishin leju me marrë ishin të ftohta , por të paktën ishin të pastra, kështu që me ngrohtësinë që u kriju nga ky grumbull njerzish, do të kem gjet nji si lloj rehati e kshtu do të më ketë zanë gjumi menjiherë…….
……..U zgjova 2-3 orë para se të zbardhi dita. Ishte errsinë e megjithatë ngaqë Miri kishte rrëshqit pak nga jestiku, më ra në sy silueta e Nonës që flente në anën e djathtë të shtratit, e matanë Kanna që ishte mbledh nën mbulesa. E kuptova që ishte herët dhe duhet të flejsha përsëri, por mesa duket më ishte e pamundun. Fillova të kaloj në mendje thuajse të gjitha çastet e ndodhitë e tmerrshme të atyne ditëve e netëve. Ndërkohë vuna re se po u gdhinte. Siper nesh u dukshin trenët e çatisë, që në vetvete ishte e mbulueme me pllaka guri dhe nga shume plasa te saj filloi të hynte nji dritë e zbehtë, që më lejonte tashmà t’i shifsha të gjithë. Nona e shkretë menjeherë sapo u zgju, u kujdes që t’i rregullonte mbulesat që na kishin leviz gjatë natës, e mbasi nejti pak e palëvizun, vuni rè që unë isha me sy hap. Më foli me zà të ulët natyrisht mos me shqetësu të tjerët që ende po flenin: ,
– Flej te keqen nona se asht herët ndjeva që më tha ajo ambëlsisht. E unë në nji farë mase i gëzuem që Nona më vu rè i u përgjigja shpejt:
-S’ka gjò None s’ka gjò,- fola me zo të ulët –kam flejtë gjithë notën, desha ta bind unë. Vuna rè që ajo më zgjati dorën me kujdes për të më përkëdhel kokën e mbulueme përgjysëm. Ndjeva jo vetëm nji kënaqësi te veçantë por edhe nji si lehtësim. Siç duket e kisha pas të nevojshëm këtë gjo pas atyne dy-tre orëve pagjumsije.
Sakaq u doli gjumi të gjithëve. Normalisht duhet të thuhet që merret me mend se çfarë flisnim ne me njani tjetrin, ne ditën e parë të internimit. Ndërsa unë them që jo. E paimagjinueshme ishte. Nuk më hiqet nga mendja. Të gjithë rrijshim pa lëviz nga shtrati, e rrallë duke nxjerrë ndonji fjalë. Si Nona ashtu dhe Kanna i kishin syte e perlotun e mundoheshin t’ja mshihnin njana-tjetrës. E para u ngrejtë Vera. Ajo na kujtoi ate që kishin thanë të djeshmen në polici. Ne nuk do ta kishim ushqimin të garantu si Z. Pjetri, duhet ta siguronim vetë ate. Pra Vera e Berina perkatësisht 16 vjeç e gjysëm, e 15 vjeç do të punonin bashkë me Nonën në ndërtim, Drita dhe unë do të vazhdojshim shkollën; ndërsa Miri 6 vjeçar, me Laskën e Dhurin –binjaket- 3 vjeçare do të rrijshin me Kannën në ate që duhet ta quejmë banesën tonë. Keshtu kishin urdhnu. Nuk dij a munda te shprehem mirë, për me vu në dukje, që Vera i kishte vu vetes për detyrë me zanë vendin e Babës tonë të shtrenjtë, si në kujdesin për ne ma të vegjëlit ashtu dhe me i qenë Nonës pranë në çdo hall a problem. Ishim 9 njerëz që do ta fillonim jetën nga e para. Natyrisht jo në kuptimin aritmetik, se po t’ishte ashtu do të kisha thanë që do t’fillonim nga zero, megjithë komplikimet që do te kishte nji lloj i shprehuni i tillë. Përveç asaj që do te kishte pasaktësi, sepse ç’ka na mungonte e kalonte realisht ate që zotnojshim. E vërteta ishte se do të përballeshim me vështirësi e mangësi te panumurta………
…..Që në ate mëngjes ne s’do të kishim mo xhaj-Liun, i cili, kishte bo sa mundej për të na lehtësu disi qenien me fjalët e ambla e lutjet e panumurta si besimtar në Zotin që ishte. Ai na la nanën e tij 76 vjeçare për t’na nejt pranë e për t’na ngroh zemrat tona të njoma që kishin aq nevojë. E kam përmend dhe herë të tjera gjyshen tonë, Kannën e dashun. Ajo ishte një zonjë e madhe e me personalitet të veçantë. Ishte e dashtun sa s’bohet. Buzëqeshja e saj ishte e gjallë, e natyrshme, e për mënyrën që ne ishim rrit, e domosdoshme, në këto momente të vështira. Kishte provu edhe dhimbje te tjera e shkreta gjyshe. Kishte pa vdekjen e vllait të vetëm, ate të burrit, e per ma tepër ate të djalit të saj Xhaj-Ismailit, që u ndà nga jeta në moshën tridheteshtat-tetvjeçare, pa lanë së paku nji fëmijë për trashëgim. Pra asaj i lejohej edhe të qante me zà, për ç’ka i kishte rà me provù deri atëherë. Por ishte aq e ambël, sa që edhe me sytë e mbushun me lot, ajo dukej sikur ishte me buzë në gaz. Përlotje dhe buzëqeshje. Sa mesazhe transmetonte ajo në këte mënyrë?!.. Por kjo që i ngjau së fundi qe për tè mo e randa. Humbjen e Babës e kishte ndì thellë në shpirt. “-Kjo e Nuzit ma dogji e ma pervëloi shpirtin.-“ persëriste ajo herë pas-here kur qante e mallëngjehej. –Vdekjen të gjithë e kemi hak por në mënyrën e natyrshme e si do Zoti i madh! Lotët i rridhnin çurk e pa pushim, dhe shamija e dorës, mindili, siç i thonte ajo, i rrinte gjithmonë qullë, sadoqë Nona ja lante e thante vazhdimisht. E sërishmi ajo prap na trasmetonte shpresë e besim .
Me ne në internim mbeti plot 9 muej ajo. Kushtet skajshmërisht të vështira ja keqësuen më tej shëndetin. E pra xhaj-Liu vendosi me e morë me vete, mbas njanës nga vizitat e shumta që na ka bo pa ndërpreje gjatë gjithë periudhës së internimit. Ne e ndjemë shume mungesën, e sidomos Nona e cila gjente kurdoherë bekimet e saj. Ato të dyja kishin marëdhanie shembullore dhe e stimojshin reciprokisht njana tjetrën. Nuk mbaj mend ndonji herë që të kishin ndrru fjalë. Ndarja me te sikur e thelloi më tej hendekun për tu shpreh në mënyrë figurative. E ndjenim veten ma të vetmù.
Nona megjithate e përballoi si burrneshë. Ajo përpos përkushtimit të madh që kishte për rritjen e në përgjithësi për mbarvajtjen tonë, i shërbente me nji zell të veçantë edhe Kannës. Nuk e harroj kurrë sidomos në rastin që i u derdh në kambën e saj nji gjym me ujë të vluem. Me sa kujdes e durim i shërbeu Nona edhe këte rast. Unë u gjinda aty në çastin që ajo po hiqte çorapin e leshtë që i ishte ngjit krejtësisht me lëkurën. Po shifsha me keqardhje të madhe këte skenë, kur ajo, me dhimshuni mu lut që të shkojsha ke Nasi –farmacisti për me marrë vaj peshku. E natyrshme për mù, por ksaj rradhe fluturova me të vërtetë e me siguri po ashtu do të jem kthy, se ndëgjova Nonën që më bekoi me fjalë të ambla që veç goja e saj dinte të nxirrte. Kanna po e duronte dhimbjen dhe vetëm ndonji ankim me zà të ulët e për mo tepër se i vinte keq për Nonen që po i jepte aq zahmet,- siç thonte ajo.- Natyrisht vetë asaj nuk i dukej ashtu sepse shërbimin i a bani me nji kujdes të veçantë dhe duke e shoqnu me fjalë qetsuese. Edhe momente të tjera të ngjashme ose jo, kjo ishte sjellja e saj. Pra Nonës po ju largonte nji shoqe, jo siç do t’ishte për nji nuse tjetër, e kështu ajo nuk kishte mo njeri të afërt që të diskutonte për hallet e problemet e shumta, që meret me mend, ka nji femën në moshë të re, siç ishte Nona e jonë. Megjithse nuk ishim të rrethu me tela me gjemba, ne ishim krejtësisht të izoluem nga të gjitha pikpamjet. Tek banesa e jonë u afronte vetëm Z.Pjetër kur vinte tek guzhina e policisë për me marrë gjellën e mbramjes, dhe asnji tjetër. Kështu e kalonte jetën Nona. Ishte një pastërtore e madhe dhe gjithçka shkelqente kur binte ne dorën e saj. Na shërbente me nji devocion te veçantë. Kujdesohej për rritjen e shëndetshme sidomos të Laskës e Dhurit që ishin fare të vogla. Me nji kujdes te jashtzakonshem, ne mungesen e plote te barnave dhe te medikamenteve mjeksore, ajo mjekoi dhe kuroi dy voglushet 3 vjeç e gjysem, nga smundja e “flames se pulave”, qe thuejse i la te verbera Lasken e Dhurin. Ajo gjithashtu kujdesej veçanerisht per Mirin 6 vjeçar, qe kishte pesu tronditjen e thelle, pa lanë mbas dore kujdesin për ne ma të rritunit. E dinte mirë Nona lodhjen e madhe të Verës e Berinës në punët e randa të krahut ku punojshin ato, se i kishte provù vetë e shkreta. Ajo punoi për pesë-gjashtë muej së bashku me tò për deri sa u këput në mes nga nji spondelio-artroze e randë e shtyllës së kurrizit. Megjithë dhimbjet që ka kjo sëmundje, fare nuk u ankonte e shkreta Nona jonë. U desh ndërhyrja e guximshme e nji mjeku të zot e mjaft humanitar, me e shpëtù ate nga puna e detyrueshme dhe me i lehtësù dhimbjet me disa inxheksione. Quhej Ihsan Cabej ky njeri i mrekullueshëm që do t’na u gjindte e ndihmonte edhe në shumë raste të ngjashme e jo. Nona pra nuk shkonte mo në punë, e gjithë kohën bante gjithçka të nevojshme per jetesën ose mbijetesën e përditëshme. Pastrim e higjenë si kusht kryesor për ruejtjen e shëndetit si ajo dinte por edhe si porositte Baba çdo ditë në të gjallë të tij. Nona e Kanna ushqenin iluzionin e gjallesës. Baba jonë ishte me siguri gjallë, na kujtonin vazhdimisht. Prandaj ajo rrinte me shpresën se ndonji ditë kur ai të kthehej, do ta falenderonte për kujdesin që kishte tregù për ne. Ajo sigurisht e meritonte ate falenderim. E theksova higjenën sepse jam i sigurtë që edhe lexuesit ma t’vëmendshëm ende nuk i ka shku në mend te pyesi, se ku e në ç’mënyrë, (këte rradhë nuk kam ndërmend ta tregoj nji gja të tillë) ne kryenim nevojat personale. Për punë të tjera si gatimin, arnimin e rrobave të punës të gocave (kjo punë i ha rrobet me “dhambë” përsëriste Nona, herë mbas here), e gjithçka tjetër ajo i quante e i kryente si art më vehte.
Ajo kishte fillu të bojë që në moshën 8-9 vjeçe punë shtëpijake dhe ishte artiste e vërtetë. Po kështu ishte dhe tezja Bakushe. Ato të dyja e natyrisht edhe Daj-Metin i kishte lanë nona jetimë mbas nji sëmundje të shkurtën. Duhije Mjolli quhesh ajo. Nona jonë e kujtonte vazhdimisht ate dhe nuk lente rast pa përshkru hijeshinë e edukatën e saj. Gjyshi Salih Tagani pas do kohe, e me kshillën e të afërmve i a zevendsojë nanën fëmijve të vet, duke u martu me nji gru të mrekullueshme. Unë jam i sigurtë që nuk hyjë në gjynaf apo ndoshta duhet të them mëkatë, po ta quej Haxhirè Katroshin, nonë e shku nonës. Këtu, me që mu dha rasti po baj nji parantezë. Ajo, nuk qe e tillë vetëm për jetimët e Duhije Mjollit. Asaj ju dha rasti ta tregojë zotsinë, shpirtmirsinë, gatishmërinë, butësinë, e saj edhe në rritjen e fëmijve të Daj-Metit, mbasi Daja ndrroi jetë në Stamboll, por edhe për ne, e sidomos në periudhën e qëndrimit tonë në internim, ku mbas xhaj-Liut, ajo ka qenë mo e pranishmja. Ajo, pra Nondaja, na vizitoi katër herë. Herën e parë erdhi bashkë me teze Bakushin e me Shyqyriun, ndërsa të fundit me Hakiun. Prania e saj ka qenë gjithmonë nji motiv plus për lehtësimin e dhimbjeve e vuejtjeve tona në internim. Gjatë verës së tretë në Skrapar na vizitoi nji herë edhe Xhaj-Roma që sapo ishte liru nga burgu, si edhe gjyshi Salih efendi Tagani. Ndërsa xhaja e përballoi mundimin e kësaj vizite ma me lehtësi si ma i ri e energjik, gjyshi e pat shumë të vështirë, dhe me kthimin e tij në Tiranë u detyru të qëndrojë disa kohë në shtrat. Sigurisht ai nuk mundi, ose ma mirë të them, e pati të vështirë të durojë pa u prek thellë si në shpirt po ashtu dhe në fizikun e tij, kur jetoi me ne gjatë atyne ditëve të vizitës së tij. Unë tashti që jam në moshë madhore, e kam të lehtë të jap mendime a opinione. Po e lumtuna Nona janë ku e gjente atë forcë të madhe vullneti, karakteri, e mirëdashje, që mbante në ekuilibër të gjitha problemet ekonomike, pra ushqim e veshmbathje, si dhe ato shnetsore e morale me përballimin apo më mirë të them, me zgjidhjen e tyne?.. Të rrisish shtatë fëmijë, të shëndetshëm e pa as ma të voglin cen, në ato kushte, nuk besoj që të ketë qenë gja e lehtë!….
…..Nona pra e kishte kthy në art dashninë e kujdesin për ne. Kështu që Verës e Berinës mundohej t’ja bante sa ma të rehatshëm ambientin ku ishim të detyru me jetu. Po kështu për mù e për Dritën, kur na pregatiste për shkollë çdo mëngjes. Në Tiranë ajo e kishte zakon të na spërkaste me ujë banjoje (që të mos na mernin sysh), kurse ktu nuk kishim, .. banjo…. Për fat ne të dyve na ishte njoft e drejta e shkollës. Ndërsa më vonë kur Drita e mbaroi ate shtat-vjeçare që në vitin e parë të internimit, ne me ndihmën e Z.Pjetrit i drejtuem nji lutje policisë, që ajo të vazhdonte të mesmen në Tiranë pranë të afërmve .( Skrapari nuk kishte shkollë të tillë!…) Lutja u refuzu thuejse pa u shqyrtu fare. Asaj që nga ai moment i rà për detyrë furnizimi i shtëpise me ujë e me dru. Deri n’ate kohë mo i privilegjiumi mbeta unë.
Detyra ime e vetme ishte mësimi në shkollë. Kam qenë shumë i vogël me trup e kështu mbeta nji kohë mjaft të gjatë. Nuk e dij çfarë fenomeni asht e as si shpjegohet, por unë në koshiencën time e kam quejt vehten shumë ma të madh se sa isha në të vërtetë, pa pas aftësinë me i a bà të qartë të tjerëve. Më duket se Nona e kuptonte këte tendencë, që unë gjithë jetën jam përpjek ta manifestoj me veprime pozitive. E pra megjthse nuk ishin detyra për mù, jam mundu ta ndihmoj Nonën e nëpërmjet saj edhe motrat në të gjitha drejtimet. Kam mbajtë ujë që e merrshim nga nji përru që rridhte rrëmbyeshëm dy-treqind metra afër nesh, kam pre dru në pyll dhe i kam mbajtë në shpinë së bashku me Dritën. Në shkollë rezultatet i kam pas shumë të mira, gjà që e kënaqte Nonën e të tjerët. Mësuesi i fillores Polizoi Gjika, e më vonë ato të shtat-vjeçares Selim Gjeli, Mustafa Janina, Niazi Petrela, Liri Mehqemeja e Parashqevi Sahatci, i a bojshin me dijtë asaj këto rezultate, me dashamirësi e me sigurinë që Nonës do t’i pëlqente. Unë personalisht kisha kënaqësi të madhe që kisha këto mësues të mrekullueshëm. Natyrisht pak pregatitje më duhesh por jo shumë. Më pëlqejshin të gjitha mësimet e në veçanti fizika, ndoshta sepse në shkollën e Corovodës erdhi nji laborator mësimor i kompletuem për këte landë. Unë megjithse isha 10 vjeç isha në gjendje të zhvillojsha të gjitha llojet e eksperimenteve të optikës, të mekanikës, të elektricitetit etj.
E kështu kalonin ditët, e pikërisht mbas pak më shumë se nji viti në internim, pati nji ndryshim si të thuejsh të konsiderueshëm sasior përsa i përket numrit të internuemve. Aty pra, rreth Datës 15 Mars të vitit 1952, erdhën disa të internuem të kampit famëkeq të Tepelenës, që u instaluen në Skrapar. Ishin 57 burra, që si rezultuen ma vonë, ishin në ma të shumtën, njani ma i mirë se tjetri.
Por ndër emnat që kam në mend, ma i shquemi për mu ishte prifti katolik, Dom Nikoll Mazrreku. Me siguri e them që unë pa e kuptu jam mundu, që në vija të përgjithshme ti ngjaj atij. Kuptohet që nuk jam aq i aftë që t’ja përshkruej portretin, në atë mënyrë që dhe të tjerët ta perceptojnë sa edhe unë, natyrën e tij pozitive e mirëdashëse. Që në fillim, ai na u afru shumë, dhe e manifestoi qartë si simpatinë e tij drejt nesh, ashtu dhe keqardhjen e skajshme për ngjarjen tragjike që i kishte ndodh Babës tonë e familjes së tij. Ai si prift nga nji anë, por dhe si njeri shumë i kulturuem, pozitiv e optimist nga ana tjetër, ka ba ç’mos që të na e lehtësojë atë dhimbje të madhe që na kishin shkaktu kriminelët komunistë, me sjelljet e tyne arrogante e barbare. E sidomos për Alaskën e Dhurin kishte dashni të veçantë, e shpesh i kallxonte prralla e historina shumë të bukura. Përveç asaj që mundohej ti sajonte lloj-lloj lojnash me ato mjete rrethanore që kishte në dispozicion. Pra ishte dhe nji mjeshtër artizan i shkëlqyeshëm. Përveç tij erdhën në Corovodë, Fatbardh Kupi, Valentin Pervizi, etj., etj. Por ai që mbeti jo vetëm në kujtesën tonë ishte Gjovalin Vasija.
Ai ishte një djalë i ri rreth 20 vjeçar, e që demostronte nji gjallni e shkathtësi të veçantë. Kishte nji natyrë gazmore dhe që në pamjen e parë ta jepte përshtypjen e njeriut që e ka dhuntì humorin. Rasti e dha që ai të hyjë nji herë e përgjithmonë në jetën tonë. Nga afër unë e pashë për herë të parë, me 15 Qershor 1952. Atë ditë kishte ardhë në Skrapar foto Xhimitiku nga Berati. Ndodhesha në sheshin ku ishin vendos fotografët së bashku me Mirin. Ai së bashku me nji shokun e vet sapo kishte dalë në fotografi. Në këte çast si duket i u përgjigj fotografit dhe ndigjova që tha: – Xhovalin Vasija më quejnë. Nga e foluna e kuptova me njiherë që ky ishte shkodroni që po u përmendte vazhdimisht në familjen tonë. Kuptohet që përveç gëzimit që paraqiste nji gja e tillë ndjeva dhe nji lloj kënaqësije që u shtu dhe nji tjetër dashamirës i familjes. Le që ndërmjet tij e Berinës lindi nji idil dashunie që mbeti i tillë edhe sot e kësaj dite. Unë këte gja e mora vesh rastësisht kur ndigjova nji bisedë ndërmjet Nonës e Berinës, në të cilën, kjo e fundit po i shpjegonte Nonës, me fjalë shumë të përmallshme, për ç’ka po ngjiste në jetën e saj. E ndërsa ajo fliste, mundohej ti mbushte mendjen Nonës, që ta ndihmonte në ndonji farë mënyre apo si me thanë të jepte nji farë pëlqimi. Ndërsa fliste ajo i kishte sytë të përlotuem edhe zanin të butë e lutës. Nuk e ndigjova se çfar’ i tha Nona, por vetëm se e pashë që e afroi dhe e përkdheli me ngrohtësi. Ndërkohë ajo me siguri i ka dhanë këshillat e rastit, të domosdoshme per nji vajzë të re, n’ate kohë veç 16 vjeçare siç ishte Berina. Nona ma vonë lujti dhe rrolin zbutës në lidhje me Verën, e cila me ta vu ré, sjelljen e re të së motrës, e kishte vu në dijeni ate. Vera mbajti gjithmonë nji qëndrim kritik, por me nji dashamirësi që të lente me kuptu, që ky lloj qëndrimi ishte për të mirën e saj, e se ajo ishte e detyrueme si ma e madhja të ishte edhe si zevendësuesja e Babës.
Unë nga ana ime, e pashë pozitivisht këte ndryshim në rrjedhën e jetës sonë familjare. Natyrisht si vogël në moshë, as nuk mund ti mendojsha, e as ti parashikojsha, vështirësitë e pengesat që do të na paraqiteshin gjatë viteve. Por unë me intuitën time, që në të vërtetë e kam të zhvillueme, formova bindjen që me vullnetin e mirë e me ndihmën e Zotit, ky idil do të kunorzohej nji ditë. Ashtu edhe siç ndodhi……..
….Po ashtu i kam nejt pranë Mirit, Laskës e Dhurit sa herë që gjindesha i lirë. Me sa mbaj mend pregatitja per shkollë, siç e thashë, nuk më merte shumë kohë pra isha gjithmonë në dispozicjon…..
…. Afër kishim Osumin –“Koloradon”- e Shqipnisë siç thonte Selim Gjeli profesori im i 7 vjeçares, pikërisht në pjesën që del nga kanionet dhe rrjedh në një luginë ma të gjanë. Shpesh herë shkojshim me notù, por vetëm me Mirin, se aty vetëm meshkujt bonin not e banjo dielli dhe kryesisht lakuriq. Unë u mësova të hudhem nga nji shkamb që luejte rrolin e trampolinit e që i thonin –skela-. Nona e dinte këte gjo dhe më porosiste shpesh që të kisha kujdes.Nji ditë kur po ktheheshim me Mirin nga lumi na zu rrugën nji mushkë dhe duke na gjujtë me shqelma na hudhi matanë sipër disa ferrave. Trembja qe e madhe, po për fat shpëtuem vetëm me gërricje të vogla. Interesant ishte se kur lumi binte ujë të turbullt si rezultat i shinave që kishin ra në pellgun e sipërm të tij, binte edhe peshq të shumtë që notojshin në sipërfaqe duke tund kreshtën e kurrizit. Sipas mësuesit tim të fillores një tjetër njeri i mrekullueshëm nga Berati Polizoi Gjika, e bonin nji gjo të tillë për të thith sado pak oksigjen për arsye se ai i nevojshmi që asimilojne ato nga uji i pastër në kushte turbullimi mungonte fare. Ne e çfrytzojshim këte rast dhe me nje hu të gjatë mundoheshim me i godit. Në shumë raste edhe kapshim ndonji. Megjithse në breg, kjo ishte shumë e rrezikshme dhe ne nuk e teprojshim për mos me shqetsu Kannën, Nonën e të tjerët, sidomos Verën e cila preokupohesh shumë. Ato e dinin rrezikun që na kërcënohej sepse së bashku me peshqit, lumi i rrëmbyeshëm binte dhe kërcuj pemësh të shkuluna megjithë rranjë, gurë, etj. E sa e sa të tilla halle kishte e shkreta Nonë. Sa u tristuem ate ditë kur Laska e Dhuri, të dyja me nji herë, ranë në vijën e ujit të mullinit, tamam në pjesën përpara se uji të thithej nga nji tub çimentoje 3-4 metra të gjatë e me diametër 60 cm., mbi të cilin kalonte rruga. Ato kishin pa Verën e Berinën që po ktheheshin nga puna e dojshin t’i dilshin përpara duke i shpëtu kontrollit të Nonës. Pa dashje rrëshqitën. Fati që këto ishin fare pranë kësaj skene të tmerrshme, kështu që i pritën në anën tjetër duke i nxjerrë nga uji i rrëmbyer se ndryshe dihet se çfarë do të kishte ndodh! Të kujdesesh e të rrisish të shëndetshëm shtatë fëmijë nga 17 deri 4 vjeç!!!!….Për mu që i di kushtet çnjerzore të jetës tonë në internim kjo duhet të shpjegohet si një mrekullì. Kur pata mësù në histori nga mësuesi i nderuar Niazi Petrela për të shtatë mrekullitë e botës, e po ta dijsha mirë çfarë veshtirësie sjell qoftë dhe rritja e një fëmije të vetëm në kushte normale, do ti kisha propozu mësuesit që ta quejshim Nonën tonë “MREKULLIA E 8”. Në foton përbri asht Dhuri e Laska në 15 Qershor 1952. Fotot e kësaj dite janë dhuratë e Foto Xhimitikut nga Berati. Këto janë të vetmet që paraqesin pak a shumë gjendjen tonë nga pikpamja fizike. Asht për të ardhë keq se nuk qe e mundun që të fotografohet Nona. Në nji foto tjetër duket ajo në një moment interesant, duke mbledh lule në baçen e shpisë në Tiranë, e natyrisht nënkuptohet që megjithse kishin kalu pak vite, ndryshimi në pamjen e jashtme të saj, patjetër ishte i madh.. ….Ajo megjitate ruente ate freskinë, hijeshinë e pastërtinë e fytyrës e të trupit që e karakterizonte edhe më parë. Por spondelio-artrosa e shkaktueme nga stresi e stërmundimi, e kishte detyru trupin e saj e pra, shtyllën kurrizore të formonte nji hark të dukshëm. Ajo i duronte dhimbjet e shkaktueme me nji stoiçizëm për tu admiru. Preokupimi i saj kryesor ishin kujdesi për shnetin e fëmijve dhe edukimi i gjithanshëm i tyne………..
………Më kujtohet qe shpesh natën vonë, kur të gjithë shtriheshim për me flejtë, ajo fillonte të lexonte nji libër që na e kishte pru Xhaj Liu dhe që përmbante këshilla me moral fetar.Ajo ulte fitilin e llambës së vaj-gurit për mos me na shqetsu e me harxhu mo pak, dhe na e lexonte me zò të ulët. Kur i lodheshin sytë nga drita e dobët e llambës, ma kalonte mu për me e vazhdù ma tej. Unë kisha qejf të madh se jo vetëm më pëlqente të lexoj, por dhe pse dojsha të përfitoj e me siguri kam përfitu shumë nga këshillat shumë të dobishme të atij libri. Shpesh herë më zente gjumi duke lexù, e atehere ndjejsha Nonën që tërhiqte me kujdes librin nga dora ime duke më ledhatu. Unë e pranojsha në heshtje këte ledhatim. Për ate njeri që njef e vlerson heqjet e mundimet e nonave këto janë momente magjepse. Për mù, të tilla ishin……..
….Një ditë Tetori të vitit 1951 teksa po mblidhsha shkarpa (i thojshin vendasit karthijavet) në një kodër, pak ma larg se zakonisht, vuna rè nji grumbull letrash që ngjajshin si gazeta. Si natyrë kuriozi që jam desha të dij përmbajtjen. Pra me një herë u përkula dhe desha ti marr në dorë. Me gjithse me një farë kujdesi një pjesë e letrave mbeti e ngjitun në tokën e lagun nga shiu, që kishte rà disa ditë me parë. Mbeta i habitun nga përmbajtja. Kishin qenë broshura që i kishte hudh ndonji aeroplan. Aty u shajshin me fjalë udhëheqësit komunistë natyrisht me emnat e tyne famëkeq, por ajo që tërhiqte menjëherë vëmendjen ishte mjeshtria e ngyrat me të cilën ishin vizatu karikaturat. Gjatë leximit dhe shikimit të figurave në të gjitha faqet ndjeva një lloj kënaqësije që nuk dijsha me e përcaktu. Sidoqoftë më pëlqeu që mu dha një rast i tillë. Kuptohet që u tregova shumë i vemendshëm, në mënyrë që të mos bijsha në sy të ndokuj kur i lexova dhe me po atë vëmendje i vendosa sërishmi në vendin ku i gjeta. Mbasi ngarkova shkarpat në shpinë, u ktheva për në shtëpi. Pa e vu re ishte bo vonë prandaj e shpejtova të hecunin në mënyrë që të mbërrijsha pa u err. Jo për mburrje që më duhet ta them, por mo tepër me justifiku ndonjë veprim timin që nuk asht i zakonshëm për të tjerë, unë nuk kam pas frikë. Ndoshta në këte rast ishte dhe dëshira me i tregù sa ma pare të tjerve ngjarjen që përshkrova. Kur u afrova pashë Noneën që po më priste dhe e shkreta duke më urù me fjalët –Bofsh hajër etj., më ndihmoi të shkarkojsha drutë. Vera e Berina sapo ishin kthy nga puna dhe të gjithë së bashku ishin grumbullu rreth zjarrit që ishte ndez në mes të dyshemes. Nuk e pata thanë, por herë mbas here polictë vijshin e merrshin xhama për nevojat e tyne, kështu që qè lirù nji farë vendi në mes të kësaj t’ashtuquajtune banesë, që ne e përdorshim si vatër zjarri. Sipër saj ulej nga trenët e çatisë, nji çengel ku varej gjymi i ujit të ngrohtë. Më bonë vend edhe mu, e unë pa humb kohë fillova të tregoj për karikaturat që kisha pa në pyll. Më ndëgjuen me interes e me vëmendje. Natyrisht të gjithë menduen që i ka hudh ndonji aeroplan. Bile Nona kishte ndigju para disa netësh zhurmën e uturimën e tij. Sa shpresa ushqejshim kur ndëgjojshim zhurmë aeroplani. E sa iluzione!! Mjerisht ato nuk na erdhën kurrë! Pas pak erdhi Z.Pjetri. E kuptueshme që edhe ai u çudit për sa i tregova dhe me kërkoi edhe ndonjë hollësi, e unë me za te ulët ja sqarojsha. Atij me sa duket i kishte ra ne vesh kjo gjo për arsye se pytjet e tij përkojshin direkt me ato që ishin shkru apo vizatù në ato trakte. Mbasi na këshilloi që të ruheshim, e të mos e diskutojshim me kërkend, ai na uroi natën e mirë e u largu në drejtim nga mullini.Ai flinte mbi gurët e mullinit të Corovodës. Mullini kishte 4 gurë që punojshin ditë e natë. Merret me mend me ç’zhurmë ishte i detyru të përshtatej Z.Pjetri. Ai në kohën e lirë, në ato kushte mësonte gjuhën ruse me 2 metodat e Nina Potapovës, që ja kishte pru e shoqja, Zoja Roza, që në muejt e parë. Zoti Pjetri na tregonte histori e ngjarje nga ma të ndryshmet, por për vehten e vet thuejse aspak. Një mbramje,kur po ilustronte një ngjarje të jetuar na boni me ditë se kishte marrë pjesë në luftën e Spanjës në 1936 bashkë me M. Shehun që aktualisht ishte ministër i mbrendshëm. Dhe kaq. Ai nuk i mëshoi –si themi ne tironsit-, argumentit. Kur një ditë Zoja Roza që u leju të na bonte një vizitë na tregoi shkakun e internimit të tij.Një ditë në Bankën e Shtetit ku ai qè nëndrejtor, i paska bo vizitë krimineli qe përmenda. Në bisedë e sipër Z. Pjetri i ka bo të ditun që e kishte të vështirë të mohonte ZOTIN e si rezultat edhe egzistencën e tij. Ai e kishte pa me përbuzje dhe ishte largu duke përdor shprehje banale që kishin përfundu me një :
-Ma zhdukni këte m…-. Shoqnuesit i kishin shku mbrapa atij duke e pa Z. Pjetrin me urrejtje e përçmim. Megjithse gjëndja kishte arritun në këte pikë, ky nuk ishte pendù për ato që kishte shpreh edhe pse pak a shumë i mori me mend pasojat që në fakt nuk vonuen.
Nuk du të zgjatem me përshkru këte përbindesh. Vetë, çdo person me ndjenja normale njerzore, mund ta gjykojë llojin e veçantë që përfaqson një qënie e tillë. Megjithate nuk mund të mos e them. Më kujtohet i ndjeri Gzim Kaceli kur tregoi per ç’ka i kishte kallxu një nga oficeret e sigurimit gjatë nji turneu jashtë shtetit; ai pa i nxjerrë emnin kishte dhanë me kuptu, që ky (M.Shehu) e kishte godit Babën tonë të shtrenjtë Jonuz Kaceli, me grushta e shkelma sa qe gjaku i rridhte pa pushim nga goja e hundet, pa i nda sharjet e fyerjet. Ne momentin qe ai e kishte kercenu me fjalet: “…do te te pushkatojme Nuz Kaceli se ke pi gjakun e popullit..”, baba i ishte pergjigj se i vetmi gjak qe une kam pi asht ky, e duke thith gjakun qe i rridhte papushim nga hundet e kishte peshty ne surrat kriminelin, i cili me qytën e revolverit qe mbante vazhdimisht ne dore, e kisht godit per vdekje në kokë. Natyrisht kjo, mbas nje qëndrimi burrnor të tij në kohën që përbindshi, bashkë me klyshin e tij Rasim Deden e kishin marrë në pyetje n’ato ditë mynxyrë-zeza pas arrestimit. Nuk e kam besu kurrë prrallën e Pandeli Përmetit për hudhjen e tij nga dritarja gjoja, për ti shpëtu torturave ç’njerzore që po pësonte. Jonuzi më i dobët se të ndjerët e tjerë?!!.. Apo ato të mjera viktima të pafajshme, ishin përkedhel e jo torturu barbarisht?!.. Duhet të jeshë mendje lehtë, ose të keshë nji ose disa qëllime perverse që të mbrojsh nji teori të kësaj natyre. Më vonë, kur e intervistova ate duke e rregjistru me nji kamera televizive ai vetë e më tregoi që e vërteta ishte ndryshe: Bisha me fytyrë njeriu, kur pa produktin e egërsisë së tij kishte urdhnu ta hudhnin nga ajo dritare e mallkuar sigurisht për të mos i dalë ndonjë problem me Ministrin e Drejtsisë Manol Konomi, që me siguri për kulturën e për edukatën që kishte, nuk mund të lejonte këte mënyrë ç’njerzore hetimi. Kjo, mendova me vehte, edhe mund të besohet. Përveç asaj qe mendonte Pandeliu unë supozoj që im ate mund të ketë kërku ballafaqim me Manolin nga që kishte pas miqësi me te, nëpërmjet Paskal Harxhit qe ishte qeraxhi tek ne dhe që kishte konsideratë për Nonën e Babën tonë. Ai kishte ndiku pozitivisht pak kohë më parë për lirimin e Xhaj-Liut nga kampi i përqëndrimit nga fundi 1950 –tës. Si tinzar, dinak, M. Shehu ka dash te evitojë një përplasje me Manolin.
Ky ishte M.Shehu, nxansi i zellshem i Satanit shqiptar E.Hoxha.
-Nuk kishin kalu shume ditë,-vazhdoi të tregonte Zoja Rozë, -e nga ministria e mrendshme i kishte ardhë Pjetrit në zyrë një oficer, që pa as ma të voglën ndrojtje i kishte komuniku me gojë një vendim që kishte të bonte me pushimin e menjëhershëm nga puna, e dënimin e tij me internim ne Skrapar. Miku e shoku i ngushtë i luftës së Spanjës për nji fjalë goje, po e ndante nga grueja dhe vajza e tij Terezina dhe po e degdiste në internim-. Këto mujtëm me more vesh nga e shoqja.
Natyrisht përveç keqardhjes shprehem edhe habi, që duhet të nënkuptohet. Ne atëhere nuk mund te dishim apo te kishim ndigju kësisoj poshtërsishë. Aq mo tepër edukata familjare dhe e rrethit miqsor nuk i përmbante këto kode pabesije e ligësije.
O tempora, o mores……..
Përsëriste herë mas herë Z.Pjetri dhe natyrisht shpesh herë edhe në shqip, “o kohra, o zakone”. Kjo natyrisht do të kishte të bante me pendesën për prejardhjen e tij komuniste.
Po afronte Shtatori i 1951-shit. Unë kalojsha në të pestën, ndërsa Miri do t’fillonte në klasën e parë. Mirpo ai s’po na kishte as qejf as dëshire. Donte te rrinte gjithmonë afër Nonës dhe si i thonë “s’kishte sy për qabe”. Tristimi i asaj nate të 20 shkurtit kishte bò efektin e vet. Per fat i u afru shumë ish msuesi im Polizoi, që e tregoi vehten edhe këte rradhë se ç’njeri i sjellshëm e bujar ishte. Ai e boni Mirin që jo vetëm të shkojë por edhe të mësojë ma mirë se të tjerët. Edhe nji ndodhi tjetër ato ditë. Kur erdhi Xhaj-Liu, veç gjanave ushqimore që na sillte zakonisht si makarona, vaj,sheqer,etj.,pru dhe një paketë të mbyllun,që me njëherë na e nxiti kurreshtjen tonë.
–Gëzimi ishte në Moskë,- na shpjegoi ai, ndërsa po hapte ate.—Atje kishte taku mikun e Nuzit, Tuk Jakovën- vazhdoi, duke u mundu me përmbajt emocionet e veta pa ja dalë të ndalonte ngashërimet e Nonës e të Kannës, që qanin me zò- të ulët. Ndërkaq paketa u hap dhe ne u gëzuem shumë per sendet që e përbonin. Aty ishin nji palë tuta, nji palë çizme gome të zeza me push përmbrenda, nji top i bukur llastiku, karramele, e ndonjë gjo tjetër qe s’me bì ndërmend.
–Tuku-filloi të fliste përsëri xhaja –i kishte shpreh Gëzimit keqardhjen e tij të thellë, për fatkeqsinë e madhe, duke i shpreh konsideratat e tij me të nalta për babën tuej. Ai kishte ndigju edhe për tristimin e Mirit ne çastin e arrestimit të tij, e bashkë me te, i kishte ble këto gjona në nji dyqan te Moskës. “Nji gjo e vogël për djalin” kishte thanë ai ndërsa, Gzimi e kishte falenderu.
Un me Mirin ndërkohë kishim dalë në nji shesh te vogël aty pranë dhe filluem te luejmë me topin e bukur duke ngjall kërshërinë e disa femijve vendës që na shifnin nga larg. Miri bile veshi me njiherë çizmet, e kështu kjo ngjarje u bo nji motiv plus për me shku në shkollë ma me dëshirë.
Xhaj-Liu pru gjithashtu per Verën e Berinën 2-3 palë opinga gome nga ato që u shisnin tek reciproku, nja dy xhakovente doku për punë etj. Puna ishte e tillë, siç thonte Nona kur i arnonte rrobet e tyne të punës, që i hante ato. Merret me mend vështirësia.
Kujtoj nji nga ditët që kishim pushim në shkollë. Vendosa të shkoj me i pa e me i ndihmu motrat. Të shkretat po nxirrnin nga lumi Vlushë gurë të mëdhej, që duhet t’i grumbullonin ne stiva me gjansi e naltësi 1 metër, në mënyrë që gjatsia të përcaktonte direkt volumin në metra kub. Norma ishte shumë e madhe. Fillova ti ndihmoj. Un me Verën nxirrshim gurët nga lumi në breg. Berina i thyente me varé dhe i stivonte. Gurët ishin te limuem prej fërkimit me njeni tjetrin. Mezi i kapsha me durët mjaft të vogla dhe shpesh më rrëshqitshin. Vlusha ishte nji perrù i rrëmbyeshem që rridhte, apo më mire të them vërshonte nga mali i Tomorricës. Uji i ftoftë brisk, mbas nja 2 orësh kishte bo efektin në kambët e mija. Ishin mbush me flluska të të njejtit lloj si ato që formohen nga djegia. Un i pashë, po nuk desha ta boj vehten. Me që me shqetsonin, natyrisht do të kem dhanë ndonjë shenjë, se të dyja ato bashkë filluen të më bojnë thirrje që të lejsha punën se isha lodh. Por kur panë flluskat u preokupuen shumë dhe menjëherë më tërhoqën ne breg dhe me shamijat e tyne të kokës me mblodhën kombet për të mi thà e ngrof sadopak. Afronte pushimi i drekës, e kryepuntori, i dha leje që të më shoqnonin në shtëpi. Ja shpjeguen Nonës, e cila më mori në dorë e si me thonë, më boni derman. E kam harru sa kohë u desh për me e kalu kte shqetsim, por nuk do t’harroj kurrë se sa lodheshin ato të shkreta motra në atë punë të mundimshme. Për fat kur filloi te ndertohet nji hotel i ri me tetë dhoma në dy kate, për ndërtimin duhesh nji lloj guri tjetër, që e bijshin nga gurorja. Ato filluen të punojë në ndërtim ku puna ishte e rondë, por të paktën nuk kishte efektin e lagshtinës si rezultat i së cilës ju saju Nonës spondelio-artroza, e Berinës, i shkaktonte dhimbje të vazhdueshme shpine nga reumatizma, e lodhja e madhe. Për sëmundjen e Nonës kam lexu tashti vonë në nji revistë shkencore. Arsyeja kryesore qe shkaktonte ate, ishte stresi. Në rastin e Nonës tonë nuk ka vend për dyshim, lagshtina, lodhja etj., paskan qenë favorizuesit!…
Ditët e muejët kalonin. E ja, në nandor na ndrruen banesën. Me që erdhi nji makinë me xhama, na detyruen ta lirojmë ate e ti ngrejmë ato pak plaçka, për tu strehu në nji kthinë që ishte ngjitun me burgun. Ajo kishte shërby për stallë derrash që polictë e kishin si ekonomi ndihmëse. Meret me mend se çfar pune ju desh Nonës me e pastru dhe me e ly me gëlqere ate të ashtquejtunën banesë të re. Gëlqeren e gjeta unë në nji gropë që shërbente për shuemjen e saj e që ishte në afërsi të lumit. Natyrisht u desh ndihma e gocave që të përfundonte pastrimi e sistemimi i plaçkave. Natën e parë thuejse nuk flejtëm fare. Ca lagshtina e ca era e derrave luejtën rrolin në këte drejtim. Sidoqoftë u mësuem shpejt me gjendjen e re. Ndërkaq me 6 Nandor unë mbusha 10 vjeç, e Nona na pregatiti diçka për me e “festu”. Erdhi dhe Z. Pjetri, i cili bile më dha rracionin e tij të makaronave peshqesh. Mbas tre ditësh ishte ditlindja e Mirit. Për fat atë ditë erdhi teze Bakushi me Shyqyriun, e kështu u shtru në sofër diçka ma tepër se zakonisht. Tezja nuk i besonte syve për çfarë shifte. Ma se nji herë qau e shkreta teze kur e pa se ku ishim të detyru me ngrys ditët ne fëmjtë e Jonuz Kacelit, ish kunatit të saj. (Ajo kishte qenë e martueme me Xhaj-Ismolin e mbas vdekjes së tij, Daj Meti e kishte martu teze Bakushin me Shaqir Petrelën me të cilin kishte tre djemtë e saj: Shyqyriun, Hakiun e Bedriun). Tezja ndejti vetëm tre ditë, por për ne qe nji gzim i madh…
Komentet