Në kasafortën e ish-kryeministrit socialist u gjetën mbi 100 objekte luksi me vlerë deri në 3 milionë euro. Hetuesit dyshojnë për korrupsion, trafik influence dhe pastrim parash në një rrjet që shtrihet nga Madridi në Amerikën Latine e deri në Kinë.
Njëqind e tre objekte luksi, mes tyre bizhuteri të çmuara dhe ora koleksioni me një vlerë totale mes 2 dhe 3 milionë eurove. Parure me rubinë, smeralde dhe safirë, varëse të punuara me diamantë, vathë, byzylykë, unaza luksoze, si dhe ora prestigjioze Omega dhe Longines.
Sipas hetuesve spanjollë, ky mund të jetë vetëm një pjesë e “thesarit” të ish-kryeministrit socialist José Luis Rodríguez Zapatero, tashmë në qendër të një skandali politik dhe gjyqësor që rrezikon të tronditë qeverinë e Pedro Sánchez.
Sipas mediave spanjolle, dosja hetimore e dorëzuar në gjykatë është voluminoze, mbi 4 mijë faqe, dhe përfshin dyshime për trafik influence, ryshfete, kontrata fiktive dhe pastrim parash në bashkëpunim me qarqe të lidhura me regjimin venezuelian.
Zapatero, i cili drejtoi qeverinë spanjolle nga viti 2004 deri në 2011 dhe për vite u konsiderua simbol i reformizmit progresist europian, akuzohet tani se mund të ketë qenë në krye të një rrjeti të paligjshëm që shtrihej nga Spanja në Amerikën Latine dhe deri në Kinë.
Sipas hetuesve, ish-kryeministri ka marrë të paktën 2.6 milionë euro gjatë pesë viteve të fundit nga kompani nën hetim ose të lidhura me kapital kinez.
Kasaforta me bizhuteri luksi
Njësia për Krimet Ekonomike dhe Fiskale ka dorëzuar materialet hetimore te gjyqtari José Luis Calama, i cili po drejton hetimin e njohur si “Çështja Plus Ultra”, që lidhet me shpëtimin financiar të kompanisë ajrore Plus Ultra Líneas Aéreas dhe me lidhjet e saj të dyshuara me Venezuelën.
Në kasafortën e zyrës së Zapateros, policia gjeti:
41 palë vathë,
15 varëse,
11 byzylykë,
8 ora luksoze,
dhe rreth 20 aksesorë të tjerë.
Mes sendeve që kanë tërhequr vëmendjen e hetuesve është një gargantillë e madhe me 14 rubinë të cilësisë shumë të lartë. Origjina e objekteve mbetet ende e paqartë.
Sekretarja e ish-kryeministrit deklaroi se kasaforta “i përket shtëpisë së Zapateros” dhe se disa prej bizhuterive ishin “trashëgimi familjare ose dhurata udhëtimesh”, raportoi televizioni publik RTVE.
“Operacioni Tibet”
Javën e kaluar, policia spanjolle nisi “Operacionin Tibet”.
Agjentët mbërritën në orët e para të mëngjesit në banesën e Zapateros për ta njoftuar zyrtarisht për statusin e tij si i hetuar në çështjen Plus Ultra.
Në të njëjtën kohë, një ekip tjetër kontrolloi zyrën e tij profesionale në rrugën Ferraz në Madrid, aty ku ndodhet edhe selia qendrore e Partisë Socialiste.
Kontrolle u kryen edhe në zyrat e “Whathefav S.L.”, agjencisë së komunikimit në pronësi të vajzave të tij Laura dhe Alba Rodríguez Espinosa.
Sipas mediave spanjolle, Zapatero mund të ketë qenë gati të largohej nga vendi.
“Është e mundur që ish-kryeministri të ishte përgatitur për arratisje”, shkruan shtypi spanjoll.
Sipas “El Confidencial”, ai kishte blerë një biletë avioni për Santo Domingo dhe më pas planifikonte të vazhdonte drejt Karakasit me avion privat.
Mediat e përshkruajnë udhëtimin si një “lëvizje private”, të pa regjistruar në agjendat zyrtare dhe të organizuar me urgjencë.
Hetimi për 53 milionë euro
Origjina e hetimit lidhet me një kallëzim të Prokurorisë Antikorrupsion të Spanjës në tetor 2024, pas sinjalizimeve të autoriteteve zvicerane dhe franceze për lëvizje të dyshimta parash nga Venezuela.
Në qendër të çështjes ndodhet përdorimi i dyshuar i 53 milionë eurove fonde publike të akorduara për shpëtimin e kompanisë ajrore Plus Ultra gjatë pandemisë.
Sipas hetuesve, biznesmeni Julio Martínez, i arrestuar në dhjetor 2025, përfitoi mbi 300 mijë euro përmes kompanisë “Analisis Relevante” nga Plus Ultra.
Më pas, sipas prokurorisë:
490.780 euro u transferuan te Zapatero;
239.755 euro te kompania e vajzave të tij;
ndërsa pagesat dyshohet se u justifikuan me fatura fiktive.
Avokatët e Zapateros i mohojnë akuzat dhe insistojnë se bëhej fjalë për punë reale konsulence të kryera nga ish-kryeministri dhe vajzat e tij.
Lidhjet me Venezuelën dhe Kinën
Hetuesit po ndjekin edhe pistën e kompanisë “Inteligencia Prospectiva”, e krijuar në vitin 2020 nga dy vëllezër venezuelianë.
Sipas dosjes hetimore, kompania ka transferuar rreth 1 milion euro drejt kompanisë së vajzave të Zapateros, kompanisë “Analisis Relevante” dhe think tank-ut “Gate Center”, i drejtuar nga vetë ish-kryeministri socialist.
Njësia për Krimet Ekonomike dyshon se kompania kishte lidhje me Partinë Komuniste dhe me sipërmarrës kinezë.
Sipas hetuesve, Zapatero, i cili zyrtarisht ishte i angazhuar në ndërmjetësim politik për tranzicionin demokratik në Venezuelë, mund të ketë vepruar në të vërtetë si ndërmjetës për negociata mbi shitjen dhe blerjen e naftës venezueliane.
Sánchez mbron Zapateron
Pavarësisht skandalit, kryeministri aktual Pedro Sánchez vazhdon të mbrojë paraardhësin e tij socialist.
Gjatë vizitës së tij në Romë, Sánchez deklaroi para gazetarëve se ndihej “i qetë”.
Megjithatë, sipas mediave spanjolle, tensioni po rritet brenda kampit progresist dhe mes partive nacionaliste që mbështesin qeverinë e brishtë të Sánchezit.
Skandali konsiderohet një nga goditjet më të rënda politike për socialistët spanjollë në vitet e fundit dhe rrezikon të hapë një krizë të re politike në Spanjë./ Pamfleti