–
U përballa me flakët
Dhe ia dola,
Kur komandën zjarr e kish një
Që më donte të pjekur.
Llava e vullkanit imagjinar
Shkaktoi vuajtje më tepër nga një Vezuv.
Dhe ai që kërcënohej me zjarr
Në turrën e druve
Do ishte një i urtë.
–
Sa herë sëmuresha
Nëna dyshonte tek syri i keq
Dhe për ta gjetur
Hidhte thëngjijë në ujë,
Por, thëngjillit të mbuluar s`i shpëtova,
Atëherë kur u bëra burrë.
Kur kurthin
Ma ngriti e rëndomta,
Me një shtresë hiri gri
Si jetët monotone të qytetit pa ngjyrë,
Vetëm ngaqë e nënvleftësova gjynahqarin
Duke më hedhur hi në fytyrë.
–
Fatbardh Amursi