Vendimi i Iranit për t’u hakmarrë ndaj sulmeve ajrore të SHBA-Izrael ka përfshirë një pjesë të madhe të rajonit në konflikt të hapur. Teherani ka vijuar goditjet ndaj bazave ushtarake që strehojnë trupa amerikane në Lindjen e Mesme, por nuk ka shmangur as objektivat civile, duke goditur aeroporte, porte, ndërtesa të larta dhe anije tregtare.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, Irani ka shënjestruar 12 vende, mes tyre Bahrain, Kuëait dhe United Arab Emirates, ndërsa janë përfshirë edhe objektiva të lidhura me Francën dhe Britaninë e Madhe, përfshirë bazën ajrore RAF Akrotiri në Qipro. Mendohet se qëllimi i Teheranit është të ushtrojë presion ndaj administratës amerikane për të ndalur sulmet e mëtejshme.
The Telegraph, në një artikull, përshkruan se si Irani e ka çuar luftën në nivel global në 72 orët e fundit.
Portet dhe bazat detare
Sulmet e para u regjistruan ndaj portit Mina Salman në Bahrein, në skajin verior të Gjirit Persik. Ky port përpunon miliona ton naftë dhe ngarkesa çdo vit dhe strehon selinë e Flotës së Pestë të Marinës Amerikane, si dhe struktura mbështetëse britanike. Zona u godit disa herë me dronë dhe raketa, ndërsa u raportua për viktima dhe dëme materiale.
Në të njëjtën kohë, sulmet u zgjeruan drejt Portit të Bahreinit dhe Port Zayed në Abu Dhabi. Një tjetër objektiv ishte porti Duqm në Oman, që përfshin edhe një rafineri nafte. Disa nga këto zona strehojnë prani ushtarake perëndimore, çka e bën përshkallëzimin edhe më të ndjeshëm.
Objektivat civile
Goditjet iraniane prekën edhe ndërtesa civile me profil të lartë. Në Emiratet e Bashkuara Arabe, një dron ra pranë kullës Burj Khalifa, ndërsa zjarre shpërthyen në hotelin Burj Al Arab pas një tjetër sulmi. U raportua për të plagosur nga mbeturinat që ranë gjatë shpërthimeve.
Në Izrael, u shënjestruan Bashkia e Tel Avivit dhe Sinagoga e Madhe e Jerusalemit, ku një municion ajror ra pranë objektit fetar. Në Bahrein, një tjetër predhë goditi ambientet e një hoteli ku ndodhen përfaqësi diplomatike.
Ngushtica e Hormuzit dhe transporti detar
Përshkallëzimi ka rritur frikën për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe për transportin global të naftës. Të paktën pesë anije cisternë u raportuan të goditura, ndërsa disa kompani detare pezulluan operacionet në zonë.
Raportimet sugjeruan se Irani paralajmëroi ekuipazhet përmes transmetimeve radiofonike se kalimi nëpër ngushticë “nuk lejohej”. Ndërkohë, të dhënat e gjurmimit detar treguan grumbullim të cisternave në të dyja anët e ngushticës, duke rritur shqetësimet për furnizimin global me energji.
Infrastruktura energjetike
Irani shënjestroi edhe rafineri dhe fusha energjetike. Rafineria Ras Tanura në Arabinë Saudite u mbyll përkohësisht si masë paraprake pas një sulmi. Në Kuvajt, mbeturinat nga sulmet ajrore ranë mbi rafinerinë Ahmadi, duke shkaktuar të plagosur.
Po ashtu, u raportuan goditje ndaj fushave të gazit në Katar, duke detyruar pezullimin e përkohshëm të prodhimit të gazit natyror të lëngshëm. Si pasojë, çmimet e naftës Brent u rritën ndjeshëm, ndërsa tregjet e gazit reaguan me rritje të menjëhershme.
Aeroportet civile dhe ushtarake
Sulmet prekën edhe aeroporte strategjike në rajon. Fluturimet u pezulluan në Dubai dhe Bahrein pas goditjeve me dronë. Në Abu Dhabi u raportuan viktima dhe të plagosur pas një incidenti në aeroport.
Municione ajrore goditën gjithashtu aeroporte në Irak, përfshirë Nasiriya dhe Erbil. Objektiva ishin edhe baza ushtarake amerikane në Katar, Jordani dhe Kuvajt, si dhe baza britanike RAF Akrotiri në Qipro. Panorama