VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Tetova është qyteti më i ndotur në botë!

By | October 31, 2015
blank

Komentet

blank

Edhe Maqedonia e Veriut zhvillon sot zgjedhjet lokale

Në Maqedoninë e Veriut për të shtatën herë që nga historia e pavarësisë së vendit mbahen zgjedhjet lokale. Sot zhvillohet procesi zgjedhor. Në garë për 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit janë 299 kandidatë, ndërsa mbi 10,600 kandidatë për këshilltarë komunal dhe këshillin e Qytetit të Shkupit.

Më së shumti kandidatë për kryetar ka për Shkupin, respektivisht 12, ndërsa Struga dhe Dollneni kanë nga 8 kandidat. 24 janë kandidatë të pavarur. Nga kandidatët për kryetar komune vetëm 25 prej tyre janë femra.

Të drejtë vote kanë 1 824 864 qytetarë. Për herë të parë në Maqedoni të Veriut do të votohet me “fingerprint” ose aparate që detektojnë vijat papilare të votuesve. Autoritetet theksojnë se për mirëmbajtjen dhe kujdesin e procesit të votimit janë angazhuar 400 IT ekspert dhe janë vënë në funksion dy “Call Centre”.

Gjatë ditës së djeshme të drejtë vote kanë pasur 10.653, një ditë para votimit zyrtar. Procesi u zhvillua në 13 burgje të karakterit hetues dhe ndëshkues. Gjithashtu të drejtën e tyre të votës dje e ushtruan edhe qytetarët e sëmurë, të pafuqishëm, personat e prekur nga kovid dhe ata në izolim, si dhe qytetarët që gjenden në shtëpitë e të moshuarve. .

Procesin zgjedhor do ta monitorojnë 1.247 vëzhgues. Prej tyre 870 vendas dhe 367 të huaj. Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 31 tetor.

blank

Zaev: E përsëris, Procesi i Berlinit është gjëja më e mirë në Ballkanin Perëndimor

Isuf Kadriu

Presidentja e Komisionit Evropia, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj të martën në Shkup, ka theksuar brengën e saj për gjendjen në Kosovë, duke kërkuar nga palët shtensionimin e situatën në veri të Kosovës.

“Unë jam e shqetësuar për krizën aktuale midis Serbisë dhe Kosovës. Është e rëndësishme tani që gjërat të mos përshkallëzohen dhe palët të ulen në tryezën e negociatave. BE ka një histori të gjatë dhe është ndërtuar mbi dialog dhe bashkëpunim të ngushtë ekonomik. Kur filluam 70 vjet më parë dhe pas një pjese të tmerrshme të historisë sonë në Luftën e Dytë Botërore, duhej shumë dialog dhe bashkëpunim që plagët të shëroheshin për të ndërtuar miqësinë dhe bazuar në besimin erdhi pajtimi. Nevojitet një tryezë negociatash ku të flasim për probleme”, tha Ursula von der Leyen pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Ajo mirëpriti një deklaratë të kryeministrit maqedonas, i cili tha se dialogu mund të jetë i dobishëm për të ardhmen e njerëzve.

“Unë mbetem një mbështetës i fuqishëm i dialogut. Udhëheqësit duhet të ulen në tryezë dhe diskutojnë për zgjidhjen e problemeve. Unë jam i bindur se ne duhet t’i përdorim të gjitha mundësitë për bisedime, partneritet, bashkëpunim dypalësh. E përsëris, Procesi i Berlinit është gjëja më e mirë në Ballkanin Perëndimor. Më vjen mirë që Presidentja e Komisionit do të ketë fokus të agjendës së saj Ballkanin Perëndimor. Ne gjithmonë mund të bëjmë diçka në shtëpi. Ne jemi miq me të gjithë fqinjët dhe kështu do të vazhdojmë”, ka deklaruar Zaev.

Presidentja e Komisionit Evropian, edhe në Shkup përsëriti mbështetjen e saj për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Unë mbështes plotësisht hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sa më shpejt të jetë e mundur. Unë dua që ato të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, deri në fund të vitit. Unë ju bëj thirrje: Mos e humbni besimin. Ju keni bërë dhe keni arritur shumë, le të bëjmë një hap tjetër përpara. Ju keni shumë miq dhe mbështetje në Komisionin Evropian”, ka deklaruar von der Leyen.

Ajo dhe kryeministri Zaev theksuan besimin e tyre se Samiti i ardhshëm i Ballkanit Perëndimor në Slloveni, më 6 tetor, do të ecë përpara me zgjerimin e BE -së duke shënuar mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare deri në fund të vitit.

Në pyetjen nëse Komisioni Evropian do të nisë negociatat vetëm me Shqipërinë, nëse Bullgaria vazhdon të bllokojë Maqedoninë e Veriut, shefja e BE-së tha se dëshiron që të dyja vendet, njëkohësisht, të fillojnë negociatat dhe procesin e pranimit sa më shpejt të jetë e mundur.

Bullgaria, shtet anëtar i BE-së, ka vendosur veto ndaj Shkupit zyrtar, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin.

blank

Zaev: Nuk kemi opinion të njëjtë me Kurtin për Open Balkan, por s’na pengon që të bashkëpunojmë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në konferencën për media pas mbledhjes së dy qeverive ka thënë se me kryeministrin Kurti nuk e ndajnë opinionin e njëjtë për “Open Balkan” por që nuk e pengon në bashkëpunimin ndërshtetëror. Ndërkaq, kryeministri Kurti tha se Kosova mbështet iniciativat rajonale që kanë BE-në brenda tyre, raporton Gazeta Express.

“Sa i përket “Open Balkan”, kemi opinione të ndryshme por kjo nuk na pengon në bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve. Unë mund të them se Kosova është e pavarur dhe i ka qëndrimet e veta”, tha Zaev para gazetarëve.

Ndërkaq, sa i përket iniciativës “Ballkani i Hapur”, Kryeministri Kurti ripërsëriti atë që tha në Tiranë para dy ditësh, se iniciativat rajonale që kanë BE-në brenda përkrahen nga Kosova.

“Ne dëshirojmë sa më shumë bashkëpunim dhe zbatim të marrëveshjeve në aspektin bilateral me Maqedoninë e Veriut, jemi të orientuar kah e ardhmja e për neve e ardhmja është Bashkimi Evropian. Pra BE është fati ynë, anda edhe si republikë e Kosovës ne i mbështesim iniciativat rajonale që janë nga Bashkimi Evropian . Asnjëra nga marrëveshjet e nënshkruara nuk mund të cenohen në zbatim pavarësisht dallimeve që mund të kemi”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti tutje foli edhe për marrëveshjet e nënshkruara mes dy qeverive.

“Mbajtëm mbledhjen e përbashkët e cila është shprehje e vullnetit për të shënuar një etapë të re të bashkëpunimit të ndërsjellë.  Deri tani kemi pasur 42 marrëveshje, sot nënshkruam 11 marrëveshje bashkëpunimi në ekonomi, bujqësi, turizëm, siguri, kontrollin e transportit hekurudhor, lidhjen e Brezovicës me Kodrën e Diellit, bashkëpunimi ndërkufitar”, tha Kurti.

blank

Vazhdon procesi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut

Isak Ramadani

Në Maqedoninë e Veriut po vazhon procesi regjistrimit të popullsisë që ka filluar më 5 shtator. Sipas autoriteteve, ka pasur përpjekje për sulme kibernetike por deri tani ato nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit. Njëkohësisht po regjistrohet edhe diaspora përmes aplikacionit në internet. Enti i Statistikave në vend thotë se nga pesë shtatori deri tani janë regjistruar rreth gjysmë milioni banorë.

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet me një ritëm të kënaqshëm për drejtuesit e Entit Shtetëror të Statistikave, ndërkohë që vetëm para pak ditësh sistemi, përkatësisht aplikacioni mezi funksiononte.

Zëvendës-drejtori i Entit, Ilmi Selami në një bisedë përmes Skype me Zërin e Amerikës thotë se inxhinierët e teknologjisë dhe ekspertët e angazhuar vërejtën se pati sulme kibernetike ndaj sistemit por se hakerët nuk arritën të hyjnë tek të dhënat:

“Kjo ishte arsyeja e cila neve na bëri shumë problem gjatë ditëve të kaluara, ndërkohë ne me ekipin e ekspertëve e tejkaluam atë problem të inxhinierisë digjitale dhe bëmë një mburojë me të cilën hakerët nuk do të mund të bënin sulme kibernetike, dhe kështu që dje ishte gjithashtu një ditë e suksesshme; gjatë vetëm një dite kishim 120,000 regjistrime”, thekson Z. Selami.

Autoritetet përkatëse nuk kanë dhënë shpjegime se prej nga vinin këto sulme kibernetike.

Procesi i filluar më 5 shtator po shkon mbarë, sipas autoriteteve. Opozita maqedonase, e cila në fillim e kundërshtonte censusin për arësye të pandemisë së koronavirusit e më pas nga shqetësimet lidhur me numrat që sipas saj mund të manipuloheshin nga partitë në pushtet, tani nuk ka bërë komente. Maqedonia e Veriut është ndër vendet e rralla në Evropë që nuk ka bërë censusin për 20 vjet.

Zoti Selami, ndërkohë flet me optimizëm për censusin që po zhvillohet.

“Të bësh një operacion statistikor që është më i madhi në vend, është vërtetë një periudhë ku çdo shtet e llogarit si të rëndësishme, si diçka festive, si diçka e mirë që po i ndodh shtetit, vetëm tek ne u paraqit një atmosferë e zymtë para se të fillojë regjistrimi, por kjo atmosferë e zymtë nuk u reflektua në realitet edhe gjatë zbatimit praktik në terren. Të bëhet një regjistrim i suksseshëm duhet të gjithë të jemi pjesë e regjistrimit, edhe qytetarët, edhe institucionet që zbatojnë, edhe njerëzit tanë që janë të autorizuar në terren si regjistrues dhe instuktorët rajonal, dhe nuk ka asnjë arsye pse mos të jetë kështu, sepse me regjistrimin fitojnë të gjithë, me një regjistrim të dështuar dështojnë të gjithë; Dhe si duket qytetarët nuk i kanë dëgjuar thirrjet e partive politike, grupeve të ndryshme të interesit, duke e ditur se ato po e bëjnë vetëm për arritjet e tyre dhe për pikë në politikë”, thotë z. Selami.

Regjistrimi i popullsisë po bëhet edhe në diasporë, ku në të vërtetë ka filluar më 1 mars në aplikacion të internetit dhe deri më tani janë regjistruar rreth 200 mijë shtetas.

Në bazë të censusit të fundit, që ishte ai vitit 2002 shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përbënin 25.1% të popullsisë së pëgjithshme. Njohësit thonë se për këto njëzet vjet ka pasur mjaft lëvizje demografike, teksa të dhënat e Bankës Botërore flasin për rreth 400 mijë shtetas të Maqedonisë së Veriut të shpërngulur për një jetë më të mirë në dhjetë vitet e fundit.

blank

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ofroi dorëheqje pas zjarrit në qendrën për COVID në Tetovë

Shkup

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, ofroi dorëheqje për arsye morale pas zjarrit në qendrën për COVID në Tetovë ku humbën jetën 14 persona, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media, ministri Filipçe edhe një herë shprehi keqardhje dhe tha se kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i ka ofruar dorëheqje me shkrim.

“Tragjedia e fundit në Tetovë më preku shumë, më vjen shumë keq për viktimat, bashkëndjej me familjet e tyre. Nuk ka fjalë për ta përshkruar atë ose një mënyrë për të kompensuar humbjen. Zonja dhe zotërinj, si mjek dhe ministër, kam integritet. Prandaj, sot për arsye morale i ofrova një dorëheqje me shkrim kryeministrit Zoran Zaev”, tha Filipçe.

Përpos tij, më herët dorëheqjen e njoftoi edhe zv/ministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani, i cili në rrjetet sociale shkroi se “dorëheqja është akti më i vogël që mund ta bëj në këto momente, për të respektuar viktimat, të lënduarit, opinionit dhe më së shumti veten”.

Gjithashtu, dorëheqje kanë ofruar edhe drejtori i spitalit të Tetovës dhe drejtori për çështje ekonomike i spitalit.

Në zjarrin që shpërtheu të mërkurën në qendrën ku trajtohen pacientët me COVID-19 në Tetovë humbën jetën 14 persona, ndërsa 12 të tjerë janë plagosur.

Institucionet e vendit ende po hetojnë rastin, ndërsa Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi se edhe ekspertë gjermanë nga Kriminalistika Federale (Bundeskriminalamt) do të vijnë këto ditë për të ndihmuar në hetimin e fatkeqësisë në Tetovë.

blank

Filipçe: Nuk i ik përgjegjësisë, të presim hetimin për tragjedinë në Tetovë

Isuf Kadriu

Ministri maqedonas i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka hedhur poshtë dyshimet mbi cilësinë e ndërtimit të spitalit modular në Tetovë, i cili të mërkurën në mbrëmje u dogj tërësisht duke lënë të vdekur 14 pacientë ndërsa 12 të tjerë me lëndime trupore.

Ai tha se të mërkurën dhe të enjten është hetuar i gjithë dokumentacioni për prokurimin dhe instalimin e spitalit modular dhe nuk janë vërejtur lëshime, ndërsa hetimet, sipas tij, do të dëshmojnë se si është menaxhuar objekti pas vënies në punë.

“Unë me vete kam këtu gjithë dokumentacionin për prokurimin dhe instalimet për spitalet modulare dhe i tëri është në përputhje me standardet dhe procedurat strikte, bazuar në projekte të tilla të mbështetura nga Banka Botërore. Hetimi duhet të përcaktojë nëse është përdorur siç duhet pas dorëzimit,” tha Filipçe.

Ai nuk dha hollësi mbi detajet e hetimit, duke thënë se në momentin e shpërthimit në spital ishin 26 pacientë, dy mjekë dhe katër infermierë. Autopsia gjithashtu saktësoi edhe moshën e të vdekurve, trupat e të cilëve u dërguan në mjekësinë ligjore.

“Të vdekurit janë të moshës nga 29 deri në 79 vjeç. Dymbëdhjetë pacientë që ishin në spitalin modular tani janë shtruar në spitalin e Tetovës dhe janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Nuk ka punonjës shëndetësorë të vdekur”, deklaroi Ministri i Shëndetësisë.

Lidhur me praninë e familjarëve të ngushtë të pacientëve në spitalin modular, Filipçe tha se kjo nuk është në përputhje me protokollet dhe hetimi do të duhet të përcaktojë se çfarë ka ndodhur.

Ai siguroi qytetarët se të gjitha spitalet janë të sigurta andaj edhe bëri thirrje që të mos krijohet huti dhe pasiguri në opinion mbi trajtimin e pacientëve të sëmurë me koronavirus.

“Askush nuk do të përjashtohet nga përgjegjësia nëse hetimi e përcakton këtë”, tha Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.

“Pasi të ketë përfunduar hetimi, unë do të marr vendimin nëse do të jap dorëheqje. E kam të vështirë ta përshkruaj ndjenjën dhe dhimbjen që kam me familjet e viktimave. Unë nuk po ik nga përgjegjësia dhe gjetjet e hetimit, as nga aspekti moral, por le të përfundojë hetimi”, ka deklaruar Filipçe.

Zjarri i së mërkurës besohet të jetë përhapur nga shpërthimi i bombolave të gazit apo oksigjenit.

Autoritetet kanë shpallur tri ditë zie si pasojë e këtij incidenti.

blank

30 vite nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut

Shkup

Furkan Abdula

Republika e Maqedonisë së Veriut shënon 30-vjetorin e pavarësisë si shtet anëtar i NATO-s dhe si shtet që është i përkushtuar në aspiratën për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian (BE).

Shpërbërja e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, pjesë e së cilës ishte vendi, ndodhi si rezultat i një vargu trazirash politike në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të 20-të.

Rruga drejt pavarësisë

Pasi ish-shteti RSF e Jugosllavisë u shpërbë, u formuan shtete të mëvetësishme, në mesin e të cilave edhe Republika e atëhershme e Maqedonisë, sot Republika e Maqedonisë së Veriut, që shënon 30-vjetorin e pavarësisë, pas referendumit që u mbajt më 8 shtator të vitit 1991, në të cilin qytetarët u prononcuan për shtet të pavarur dhe sovran.

Mbi 95 për qind e qytetarëve që dolën në referendum pozitivisht iu përgjigjën pyetjes: “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në një aleancë të ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë?”. Paraprakisht, më 25 janar të vitit 1991, u miratua Deklarata për Pavarësi e Parlamentit të parë shumë-partiak të Maqedonisë. Si një hap i rëndësishëm për shtetin vijoi miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor të vitit 1991.

Pas shpalljes së pavarësisë, shtetësinë e Maqedonisë, ndër shtetet e para, e pranuan Turqia dhe Bullgaria, si dhe Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë dhe Hercegovina, e më pas edhe shtetet e tjera.

Pas votimit të deklaratës për sovranitet të shtetit, Kiro Gligorov u zgjodh presidenti i parë i Republikës së pavarur të Maqedonisë nga ana e Kuvendit më 27 janar të vitit 1991.

Në aspektin monetar shteti u pavarësua me vendosjen e denarit më 26 prill të vitit 1991, ndërsa më pas bëri edhe armatën, të cilën e shënon më 18 gusht.

Subjektiviteti juridiko-ndërkombëtar i shtetit përfundimisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia u pranua si anëtarja e 181-të e plotfuqishme e organizatës botërore.

Për shkak të kundërshtimit dhe presionit nga ana e Greqisë, që nuk e pranonte emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë, anëtarësimi në Kombet e Bashkuara u bë nën referencën e përkohshme: Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Negociatat me Greqinë për zgjidhjen e kontestit për emrin

Përgjatë viteve negociatat për zgjidhjen e problemit me emrin me Greqinë kohëpaskohe vazhdonin dhe ndalonin, ndërsa u përtërinë pas ndryshimit të pushtetit në vend, kur në vitin 2017 në qeveri erdhi partia e Lidhjes Socialdemokrate (LSDM), e kryesuar nga kryeministri aktual Zoran Zaev.

Negociatat mes Shkupit dhe Athinës u aktualizuan pas takimit të parë të kryeministrit Zaev me kryeministrin e atëhershëm grek Alexis Tsipras, gjatë Samtit në Davos në janar të vitit 2018.

Pas mbajtjes së negociatave për zgjidhjen e kontestit për emrin që u zhvilluan nën sponsorizim të Kombeve të Bashkuara (OKB), u arrit Marrëveshja e Prespës, e cila u nënshkrua në qershor të vitit 2018 në anën greke të Liqenit të Prespës.

Sipas marrëveshjes, Maqedonia ndërroi emrin nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa pas nënshkrimit të marrëveshjes vijuan hapat e zbatimit të tij, siç janë mbajtja e referendumit në Maqedoninë e Veriut, që u zhvillua në shtator të vitit 2018. Pyetja e referendumit ishte “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë?”.

Në referendum, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), dolën 36,91 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve, me çka nuk u arrit censusi i nevojshëm për daljen e 50 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar. Nga votuesit që dolën në referendum, 91,46 për qind votuan “për”. Më pas, në kuvend, me një shumicë prej dy të tretave u votuan ndryshimet kushtetuese, me qëllim të ndryshimit të emrit kushtetues.

Po ashtu, marrëveshja u ratifikua edhe në Parlamentin e Greqisë, kurse më pas vijuan edhe fazat e tjera të parapara nga marrëveshja dhe avancimi i marrëdhënieve të dy vendeve fqinjë, të cilat me Marrëveshjen e Prespës e zgjodhën kontestin shumëvjeçar.

Rruga drejt NATO-s

Anëtarësimi në aleancën më të madhe ushtarako-politike në botë, NATO, ishte qëllim strategjik i vendit për shumë vite. Në vitin 1999, në Samitin në Washington, Maqedonia u bë kandidate për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO.

Që kur u bë kandidat, vendi më afër hyrjes ka qenë në Samitin e Bukureshtit. Atëherë, në vitin 2008, Maqedonia u vlerësua se është tërësisht e përgatitur ta marrë ftesën, por Greqia përdori të drejtën e vetos dhe kushtëzoi Maqedoninë me zgjidhjen e kontestit për emrin.

Pas arritjes së Marrëveshjes së Prespës u hapën dyert e vendit për përparim në rrugën euroatlantike.

Vendet anëtare të NATO-s në shkurt të vitit 2019 e nënshkruan Protokollin për Anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, e më pas atë e ratifikuan parlamentet e të gjitha anëtareve të aleancës, me çka vendi më 27 mars të vitit 2020 zyrtarisht u bë anëtari i 30-të i NATO-s.

Përveç marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit për emrin me Greqinë, në gusht të vitit 2017 u nënshkrua Marrëveshja për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim me Bullgarinë.

Marrëveshja ka për qëllim ta zhvillojë bashkëpunimin mes dy vendeve fqinje, si dhe për të ardhur deri te harmonizimi i disa çështjeve të historisë.

Anëtarësimi në BE si qëllim strategjik

Po ashtu, edhe anëtarësimi në BE për Maqedoninë e Veriut është prioritet kulmor. Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim e cila i rregullon marrëdhëniet e vendit me Bashkimin Evropian u nënshkrua më 9 prill të vitit 2001.

Në vitin 2005, vendi mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa në vitin 2008 edhe rekomandimin e Komisionit Evropian për fillimin e negociatave aderuese me Unionin.

Me fokusin shumëvjeçar të politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në BE si qëllim strategjik, veçmas pas firmosjes së marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit për emrin me Greqinë, autoritetet në Maqedoninë e Veriut paralajmëruan se vendi do të marrë vendim për fillimin e negociatave aderuese në BE në samitin e tetorit të vitit të kaluar, por kjo nuk ndodhi.

Vendimi i tillë i BE-së hasi në dëshpërim tek aktorët politikë në Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Zoran Zaev vendimin për mosdhënien e vendimit për fillimin e negociatave e karakterizoi si një padrejtësi e madhe, duke theksuar se Maqedonia e Veriut është “viktimë e gabimit historik të BE-së”.

Ky vendim i BE-së, i cili ishte rezultat i mospasjes së konsensusit mes vendeve anëtare të Unionit dhe veçmas kundërshtimit të theksuar të Francës, e cila kundërshtonte marrjen e vendimit për fillimin e negociatave aderuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, çoi deri te ndryshimi i metodologjisë për udhëheqjen e negociatave aderuese për anëtarësim në BE. Më pas, vetëm disa muaj më vonë, gjegjësisht në mars të këtij viti, BE-ja shpalosi vendimin e saj zyrtar për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Tani mbetet që BE-ja ta caktojë datën e saktë për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë e Veriut dhe hapjen e kapitujve të parë të negociatave.

Vetoja e Bullgarisë

Në pritje të vendimit të Maqedonisë së Veriut për të filluar negociatat me BE-në në shtator të vitit të kaluar, Bullgaria u dërgoi një memorandum shpjegues shteteve anëtare të BE-së, i përbërë nga gjashtë faqe, me shpjegime të gjata historike të “ideologjisë shtetërore anti-bullgare” në Maqedoninë e Veriut. Sofja zyrtare kërkoi mbështetjen e tyre për qëndrimin e saj ndaj identitetit dhe gjuhës maqedonase.

Në memorandum thuhet se vendet kandidate nuk duhet të sjellin mosmarrëveshje të hapura në BE dhe konsiderohet se mosmarrëveshjet me Shkupin janë një konflikt i pazgjidhur që “mund të ndikojnë negativisht në vendimmarrjen në BE pas pranimit të Maqedonisë së Veriut”.

Autoritetet bullgare i kërkojnë Maqedonisë së Veriut që të gjejë zgjidhje afatgjate me vullnet dhe guxim të sinqertë politik, dhe, siç thuhet në memorandum, të shkëputet nga trashëgimia ideologjike e Jugosllavisë komuniste.

Sa i përket gjuhës maqedonase, Bullgaria në memorandum thekson se “gjuha maqedonase ose identiteti nuk ekzistonte deri më 2 gusht 1944”, dhe se ato u krijuan për të shkëputur marrëdhëniet midis popujve në Republikën Socialiste të Maqedonisë dhe Bullgarisë. Sofja e konsideron gjuhën maqedonase si një dialekt rajonal të gjuhës bullgare.

Më 17 nëntor të vitit të kaluar, pas një konference online të ministrave të Jashtëm të BE-së, ministrja e atëhershme bullgare Ekaterina Zaharieva tha se vendi i saj kishte vënë veton mbi kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave për anëtarësimin në BE. Ndër të tjera, ajo tha: “Një shtet i bazuar në një ideologji armiqësie ndaj Bullgarisë nuk ka vend në BE”.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e vlerësoi veton nga Bullgaria në fillim të negociatave të vendit me Bashkimin Evropian si një “gabim gjeostrategjik të papërgjegjshëm”, duke thënë se e ardhmja e vendit është evropiane.

Kryeministri Zoran Zaev bëri një vizitë në Bullgari në korrik të këtij viti, gjatë së cilës u takua me kryeministrin e Bullgarisë, Stefan Janev.

Në konferencën e përbashkët për media, Zaev theksoi se ky takim është një hap drejt gjetjes së një zgjidhjeje dhe ka për qëllim të jetë në interes të të dyja palëve, duke i bërë thirrje popullit të Bullgarisë përmes udhëheqësve të tyre që të vazhdojnë të mbështesin Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

Ndërkohë, Janev theksoi se Bullgaria mbështet Maqedoninë e Veriut në rrugëtimin drejt familjes evropiane dhe se për momentin ekziston një dritare e mundësisë për dialog të hapur dhe të sinqertë.

Pas 19 vitesh bëhet regjistrimi i popullsisë

Më 21 janar 2021, me 62 vota “për”, pa “abstenime” dhe pa “kundër”, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë, Amvisërive dhe Banesave, i cili synohej të bëhej në periudhën nga 1 deri në 21 prill 2021.

Regjistrimi filloi më 1 mars në misionet konsullore me regjistrimin e diplomatëve dhe familjeve të tyre, ndërsa në gjysmën e parë të muajit mars filloi edhe procesi i vetë-regjistrimit të qytetarëve që janë pjesë e diasporës, pra që janë jashtë vendit, dhe të cilët do të regjistrohen si popullsi jorezidente e shtetit.

Kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zaev, dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, më 29 mars arritën një marrëveshje për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë, për shkak të pandemisë, nga muaji prilli në shtator, respektivisht nga 5 deri më 30 shtator, ndërsa Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 2 prill miratoi ndryshimet ligjore për shtyrjen e regjistrimit.

Regjistrimi filloi më 5 shtator, duke përfshirë 5.000 regjistrues, 500 instruktorë rajonalë dhe 150 instruktorë shtetërorë, ndërsa vendi është i ndarë në 50 rajone të regjistrimit.

Nga ana tjetër, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, më 6 gusht shpalli zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor 2021.

Iniciativa “Ballkani i hapur”

Pas Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal të mbajtur në Shkup më 27 korrik, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mbajtën një konferencë të përbashkët për media, ku emëruan “Ballkani i hapur” nismën e ashtuquajtur “mini-Schengen”.

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina aktualisht nuk e mbështesin këtë nismë, pasi e konsiderojnë atë pa synime të qarta për rajonin, ndërsa tre vendet pjesëmarrëse në këtë nismë thonë se synimi përfundimtar i kësaj nisme është angazhimi i përbashkët në eliminimin e të gjitha pengesave për lëvizjen e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.

Situata me COVID-19 dhe vaksinimi kundër pandemisë

Më 17 shkurt të vitit 2021 në Maqedoninë e Veriut filloi procesi i vaksinimit kundër pandemisë COVID-19. Deri më tani, në vend janë administruar mbi 1,3 milion doza kundër virusit nga prodhues të ndryshëm të vaksinës COVID-19.

Maqedonia e Veriut gjatë kësaj periudhe pranoi donacione të vaksinave nga vende dhe organizata të ndryshme, përfshirë nga Turqia. Autoritetet në vend vazhdojnë të luftojnë me pandeminë COVID-19.

Strehimi i civilëve afganë

Më 19 gusht, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se procesi i evakuimit i të gjithë qytetarëve të saj nga Afganistani ka përfunduar me sukses.

Grupi i parë i shtetasve afganë të vendosur përkohësisht në Maqedoninë e Veriut mbërriti më 31 gusht përmes kryeqytetit gjeorgjian Tbilisi. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit mbërritën 149 afganë, përfshirë gra dhe fëmijë. Këta janë afganë që kanë punuar për organizatat ndërkombëtare dhe familjet e tyre.

Pas 30-vitesh pavarësi, Maqedonia e Veriut është anëtare aktive e NATO-s, duke përmbushur kështu njërin nga dy qëllimet strategjike të vendit, ndërkohë mbetet e hapur për rrugën e integrimit në BE, që është qëllimi i dytë strategjik i vendit.

EURO 2020

Reprezentacioni i Maqedonisë së Veriut në futboll për herë të parë në histori u kualifikua në Kampionatin Evropian të Futbollit (EURO 2020).

Maqedonia e Veriut u gjet në grupin C bashkë me Holandën, Ukrainën dhe Austrinë. Reprezentacioni pësoi humbje në tre ndeshjet dhe përfundoi garën në vendin e fundit të grupit.

blank

Maqedoni e Veriut, fillon regjistrimi i popullsisë

Regjistrimi i popullsisë dhe amvisërive do të zgjasë deri më 30 shtator. Regjistrimi fillimisht duhej të mbahej në datat 1-21 prill, por u prolongua për shkak të situatës së rënduar me COVID-19

Abdula Berisha   |05.09.2021
Shkup

Në Maqedoninë e Veriut filloi regjistrimi i popullsisë dhe amvisërive i cili do të zgjasë deri më 30 shtator, raporton Anadolu Agency (AA).

Regjistrimi fillimisht duhej të mbahej në datat 1-21 prill, por u prolongua për shkak të situatës së rënduar me koronavirusin e ri (COVID-19).

Më 2 prill, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi ndryshimet ligjore për të shtyrë regjistrimin nga muaji prill në shtator.

95 deputetë votuan për ndryshimet e Ligjit të Regjistrimin të Popullsisë, Amvisërive dhe Banesave, ndërsa 12 ishin kundër.

Kjo paraprakisht ishte dakorduar në takimin e mbajtur në fund të muajit mars mes kryeministrit dhe njëherësh kryetarit të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev dhe kryetarit të VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski.

Krahas shtetasve të vendit që janë të pranishëm në shtet gjatë kohës së regjistrimit, tek të cilët regjistruesit do të përdorin një kompjuter dhe një aplikacion të veçantë, vijon vetë-regjistrimi online edhe për shtetasit që janë qytetarë jorezident. Bëhet fjalë për personat që kanë vendqëndrim në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe janë shtetas të saj, ndërsa gjatë regjistrimit qëndrojnë jashtë vendit më pak se 12 muaj (një vit) për shkak të punës ose për ndonjë arsye tjetër.

Maqedonia e Veriut për herë të fundit ka mbajtur regjistrim në vitin 2002. Në vitin 2011 filloi të realizohet regjistrimi, por ndërpre, pasi anëtarët e Komisionit të regjistrimit dhanë dorëheqje kolektive dhe të parevokueshme.

Sipas të dhënave nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2002, vendi numëronte 2.022.547 banorë ndërsa struktura etnike e popullsisë ishte: maqedonas – 1.297.981 (64.18 për qind), shqiptarë – 509.083 (25.17 për qind), turq – 77.959 (3.85 për qind), romë – 53.879 (2.66 për qind) serbë – 35.939 (1.78 për qind), boshnjakë – 17.018 (0.84 për qind), vllahë – 9.695 (0.48 për qind), të tjerët – 20.993 (1.04 për qind).

blank

Simovski në ditën e parë të regjistrimit të popullsisë: Gjithçka funksionon siç duhet

Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, Apostol Simovski, uroi që procesi i regjistrimit në terren të vijojë në rregull, duke theksuar se deri tani nuk është hasur asnjë problem

Abdula Berisha   |05.09.2021

Në ditën e parë të regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe banesave në Maqedoninë e Veriut, krerët e Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS) vizituan Komunën Gjorçe Petrov në Shkup, për të parë nga afër mbarëvajtjen e regjistrimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën për media, drejtori i ESHS-së, Apostoll Simovski, uroi që procesi i regjistrimit në terren të vijojë në rregull, duke theksuar se deri më tani nuk është hasur asnjë problem.

“Sot regjistrimi ka filluar në gjithë shtetin, gjithkund procesi ka filluar me sukses. Deri tani askund nuk ka refuzime për t’u regjistruar. Nuk ka pasur askund probleme teknike, pasi megjithatë ky regjistrim është më i sofistikuar se të mëparshmit, gjithçka funksionon siç duhet”, tha Simovski.

Regjistrimi i popullsisë dhe amvisërive në terren do të zgjasë deri më 30 shtator ndërsa territori i shtetit është ndarë në 50 rajone të regjistrimit.

“Të gjithë regjistruesit janë në terren. Në këtë organizim janë përfshirë 5.000 regjistrues, 500 instruktorë rajonal dhe 150 instruktorë shtetërorë”, tha Simovski.

Ai gjithashtu tha se regjistruesit do të zbatojnë protokollet për mbrojtje nga koronavirusi i ri (COVID-19), duke bërë thirrje që edhe qytetarët të jenë të kujdesshëm.

Krahas shtetasve të vendit që janë të pranishëm në shtet gjatë kohës së regjistrimit, tek të cilët regjistruesit do të përdorin një kompjuter dhe një aplikacion të veçantë, vijon vetë-regjistrimi online edhe për shtetasit që janë qytetarë jorezident. Bëhet fjalë për personat që kanë vendqëndrim në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe janë shtetas të saj, ndërsa gjatë regjistrimit qëndrojnë jashtë vendit më pak se 12 muaj (një vit) për shkak të punës ose për ndonjë arsye tjetër. Sipas faqes zyrtare të ESHS-së, deri më tani janë vetë-regjistruar 191.118 persona.

Regjistrimi i popullsisë fillimisht duhej të mbahej në datat 1-21 prill, por u prolongua për shkak të situatës së rënduar me pandeminë e koronavirusit.

Maqedonia e Veriut për herë të fundit ka mbajtur regjistrim në vitin 2002. Në vitin 2011 filloi të realizohet regjistrimi, por u ndërpre, pasi anëtarët e Komisionit të Regjistrimit dhanë dorëheqje kolektive dhe të parevokueshme.

blank

Kryediplomati grek vizitë në Shkup: Ballkani Perëndimor nuk duhet të bëhet më kurrë fuçi baruti i Evropës

Shkup

Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias, i cili është për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të vendit, Bujar Osmani, raporton Anadolu Agency (AA).

Osmani dhe Dendias mbajtën një takim kokë më kokë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, pas të cilit vijoi takimi midis delegacioneve të dy vendeve. Pas këtij takimi, Osmani dhe Dendias mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.

Ministri Osmani theksoi se ka falënderuar homologun Dendias për hapat konkret që u bënë në këtë periudhë, të cilat sipas tij pasqyrojnë miqësinë mes dy vendeve, kryesisht për dhurimin e 20.000 vaksinave kundër koronavirusit të ri (COVID-19) dhe ndërhyrjen e shërbimit zjarrfikës kufitar në zonat kufitare rreth Gjevgjelisë me qëllim të shuarjes së zjarreve.

“Treguesi më i mirë që marrëdhëniet politike po zhvillohen në një drejtim të mirë janë treguesit ekonomikë. Ishte kënaqësi të komunikoja shifrat e këtyre tetë muajve të këtij viti, të cilat tregojnë rritje deri në 20 për qind në shkëmbimin tregtar midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke arritur në 400 milionë euro në shkëmbimin tregtar”, tha Osmani.

Ai theksoi se po ashtu kanë diskutuar edhe për potencialet e tjera për avancimin e bashkëpunimit, modernizimin e trafikut hekurudhor, hapjen e pikave të reja kufitare dhe zbatimin e Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik, e njohur si Marrëveshja e Prespës.

Osmani theksoi se në takimin me Dendias diskutuan edhe çështjen e perspektivës evropiane të rajonit, veçanërisht Maqedonisë së Veriut si model i cili, sipas tij, plotëson kriteret politike dhe ekonomike për fillimin e negociatave.

“Ne gjithashtu folëm për ngjarjet aktuale që rëndojnë botën, krizën në Afganistan, mundësinë e një krize të mundshme humanitare, krizën e migrantëve, dhe këtu u zotuam për bashkëpunim të ngushtë jo vetëm si fqinjët më të afërt, por edhe si partnerë të NATO-s për të punuar së bashku në përballjen me të gjitha sfidat e mundshme në të ardhmen”, shtoi Osmani.

“Ballkani Perëndimor nuk duhet të bëhet më kurrë fuçi baruti i Evropës”

Ministri grek Dendias tha se këto takime janë një tregues i dëshirës së qeverisë së kryeministrit Mitsotakis për të thelluar lidhjet dypalëshe midis dy vendeve dhe një tregues i mbështetjes së plotë për Maqedoninë e Veriut në të ardhmen e saj evropiane.

“Greqia është dhe mund të jetë bashkëpunëtori më i ngushtë i Maqedonisë së Veriut dhe miku i saj më i mirë. Greqia si një fqinj i drejtpërdrejtë ka çdo arsye për të siguruar stabilitet dhe prosperitet. Dhe gjithmonë u themi partnerëve tanë evropianë se Ballkani Perëndimor nuk duhet të bëhet më kurrë fuçi baruti i Evropës. Ne punojmë në çdo mënyrë të mundshme për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, tha Dendias.

Ai theksoi se bashkëpunojnë në fushën e ministrive të mbrojtjes, për mbrojtjen e hapësirës ajrore të Maqedonisë së Veriut, mbrojtjen e informacionit dhe mbrojtjen e monumenteve bizantine dhe postbizantine.

Sipas tij, Greqia mbështet rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian (BE), dhe se do të vazhdojnë të punojnë sa më shumë që të munden në mënyrë që seanca e parë reciproke midis qeverive të jetë sa më shpejt të jetë e mundur.

Dendias u shpreh i kënaqur me hapat e ndërmarrë nga Maqedonia e Veriut për t’u bashkuar me familjen evropiane.

“Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës nuk është një gjë burokratike, por çdo shkronjë duhet të zbatohet. Besojmë se keni bërë zgjedhjen për të qenë me ne, me Greqinë, me rrugën drejt familjes së madhe evropiane”, tha Dendias.

Ai theksoi se Qeveria e Greqisë do të punojë ngushtë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për të arritur qëllimet e vendit fqinj.​​​​​​​

blank

Opozita maqedonase dhe shqiptare arrijnë koalicion parazgjedhor

Isuf Kadriu

Opozita maqedonase dhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ka arritur koalicion parazgjedhor për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor.

VMRO-DPMNE, Aleanca për Shqiptare dhe Alternative e kanë quajtur historike marrëveshjen e arritur për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet lokale, kundër siç kanë thënë, “krimit dhe korrupsioni të Lidhjes Social Demokrate (LSDM) dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI)”.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski tha më 28 gusht se “ky koalicion do të mposhtë partitë në pushtet që kanë shkatërruar vendin gjatë qeverisjes së tyre kriminale”.

“Pres që ky koalicion të kapërcejë ndarjet, pashpresën, krimin, korrupsionin, mungesën e ideve, paaftësinë dhe mungesën e vizionit dhe strategjisë për zhvillimin e Maqedonisë. Është një moment historik për të gjithë qytetarët pavarësisht nga përkatësia etnike për të treguar se Maqedonia vërtet ka mundësi me politikanët e tjerë që janë jashtë matricës së LSDM-së dhe BDI-së”, tha Mickovski.

Koalicioni parazgjedhor mes VMRO DPMNE-së me opozitën shqiptare shënon koalicionin e parë të saj parazgjedhor me partitë shqiptare.

Ajo ka bërë koalicioni me partitë shqiptare, por vetëm pas zgjedhjeve edhe atë për formimin e qeverisë.

Për dallim nga VMRO-ja, partia tjetër maqedonase në pushtet LSDM-ja e kryeministrit Zoran Zaev, në zgjedhjet e fundit lokale ishte në koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) që drejtohet nga Ali Ahmeti.

Këto parti edhe në zgjedhjet e tetorit kanë bërë koalicion për në rrethin e dytë, kur do të mbështesin njëra-tjetrën.

Koalicioni mes opozitës shqiptare dhe asaj maqedonase nga LSDM-ja është vlerësuar si “koalicion i frikës”.

“I ballafaquar me humbjen e shtatë me radhë nga populli, Mickovski është aq i frikësuar sa që promovon koalicion me njerëzit që i quajti tradhtarë, me ata që sipas VMRO-DPMNE-së nuk e njohin identitetin maqedonas”, thuhet në komunikatën e LSDM-së e cila kujton edhe ngjarjet e dhunshme në kuvend më 27 prill 2017, kur anëtarët e VMRO-së kishin sulmuar fizikisht Zijadin Selën e Aleancës për Shqiptarët.

Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar duke e quajtur “koalicion për interesa personale”.

BDI-ja, para koalicionit me LSDM-së ishte për gati dhjetë vjet në koalicion më VMRO-DPMNE-n, që udhëhiqej nga ish-kryeministri, Nikolla Gruevski.

Nga Aleanca për Shqiptarët kanë thënë se reagimi i BDI-së ka të bëjë me “shqetësimin e saj për humbjen e partnerit të saj të dikurshëm dhe humbjen që e pret në zgjedhjet lokale në tetor”.

blank

Koalicione ndëretnike në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut

Isuf Kadriu

Në zgjedhjet lokale në vjeshtë, Maqedonia e Veriut do të hyjë me dy koalicione të mëdha ndëretnike, maqedono-shqiptare, bazuar në aktivitetet e partive që janë afër arritjes së koalicioneve parazgjedhore.

Partitë në pushtet, Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) tashmë kanë bërë të ditur se në shumë komuna do ta mbështesin njëra-tjetrën, që në rrethin e parë zgjedhor, ndërsa në Shkup do të kenë kandidat të përbashkët.

Të njëjtën e paralajmërojnë edhe partitë opozitare, VMRO-DPMNE, Aleanca për Shqiptarë dhe Alternativa.

Nëse kjo realizohet, atëherë do të jetë hera e parë që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, që në zgjedhje të marrin pjesë blloqe politike, maqedono-shqiptare.

“Ditëve në vijim mund të prisni rezultate konkrete sa i përket koalicionit me partitë shqiptare që janë në opozitë, por edhe me parti tjera që duan të jenë pjesë e koalicionit të madh opozitar, i cili do t’i shkaktojë disfatë të thellë qeverisë së paaftë të udhëhequr nga LSDM-ja”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Nga opozita shqiptare thonë se koalicioni me VMRO-në është kundërpërgjigje ndaj koalicionit mes BDI-së dhe LSDM-së.

“Sipas të gjitha gjasave, Aleanca dhe Alternativa së bashku do të kenë bashkëpunim me VMRO-në në disa komuna në raundin e parë, në disa komuna në raundin e dytë, në bazë të vlerësimeve të komunave ku ka arsye dhe matematika, që na bashkojnë për t’i fituar komunat”, ka deklaruar Arben Taravari, sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët dhe kryetar i Komunës së Gostivarit.

VMRO-ja dhe Aleanca për Shqiptarët, më parë nuk kanë pasur raporte të mira për shkak të ngjarjeve në kuvend më 27 prill të vitit 2017, kur militantët e VMRO-së kishin sulmuar gati për vdekje kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Selën.

VMRO-DPMNE-ja një parti e djathtë në skenën politike, njihet për qëndrimet e saja nacionaliste për të gjitha çështjet që kanë pasur të bëjnë me shqiptarët. Edhe Aleanca për Shqiptarët ka kundërshtuar të gjitha projektet e qeverisë, duke i vlerësuar të dëmshme për shqiptarët.

VMRO-ja gjatë qeverisjes me vendin për gati dhjetë vjet, në koalicion ka qenë me BDI-në e Ali Ahmetit.

Kryeministri socialdemokrat, Zoran Zaev udhëheq një politikë ndryshe nga VMRO-ja, duke promovuar konceptin “Një shoqëri për të gjithë” dhe në përbërjen e saj ka ministra dhe deputetë shqiptarë, të cilët u mungojnë VMRO-së.

“Në hapësirat shumetnike, politika, jeta dhe puna janë sikur të drejtoni biçikletën. Nëse ndaloni ta ngisni, atëherë do të bini nga biçikleta, pra duhet në vazhdimësi ta ngisni. Unë shpresoj se Mickovski do të hipë në biçikletë dhe do t’ia sjellë rrotat”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev, duke komentuar paralajmërimet për koalicion të mundshëm mes VMRO-së dhe opozitës shqiptare.

Xhelal Neziri, analist, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka asgjë të keqe nga koalicionet e tilla, duke marrë parasysh koalicionet që bëhen pas zgjedhjeve qoftë në nivel lokal apo qendror.

“Është shumë normale që në një shtet multientik siç është Maqedonia e Veriut, ku qeveria është multietnike, pushteti është multientik, ku po ashtu edhe në pushtetin lokal qeverisjet arrihen duket për koalicione në komunat ku ka më shumë se një enti, pra ky realitet imponon edhe këto koalicione. Tani, nëse marrim aspektin etik apo moral të këtyre koalicioneve, raportet mes partive, retorikën e përdorur, retorikën e ashpër nacionaliste ose retorikën që është në kundërshtim me idenë dhe idealet e një partie me të cilën lidhen koalicionet, pra nëse këto i marrim parasysh, asnjëherë nuk mund të lidhen koalicione. Duhet të dihet se në politikë asnjëherë nuk ka as miqësi e as armiqësi të përhershme, por ka interesa të përhershme”, ka deklaruar analisti Xhelal Neziri.

Analisti Vlladimir Bozhinovski, thotë se VMRO-ja dhe Aleanca tashmë janë të vetëdijshme se pa një koalicion, nuk do të mund të fitojnë partitë në pushtet.

“Nëse ky koalicion ndodh, atëherë kjo nuk do të ishte aspak e lehtë për LSDM-në dhe BDI-në, sikur në vitin 2017, pasi përballë do të kenë një kundërshtar shumë më të fortë dhe serioz. Ky do të ishte një koalicion i parë në vend mes dy blloqeve opozitare maqedonase dhe shqiptare”, thotë Vlladimir Bozhinovski.

Të gjitha qeveritë në Maqedoninë e Veriut janë formuar nga parti shqiptare dhe maqedonase. Ato në fushatat elektorale kanë marrë me programe etnike që edhe kanë ngritur tensione e debate të shumta, me shumë prej tyre janë lënë në harresë me përfundimin e zgjedhjeve dhe arritjen e koalicioneve për bashkëqeverisje.


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend