DETI
I vogël, me pantallona të shkurtra,
Me këmbë të zbathura e një këmishë humaie,
që e qepte vetë gjyshja…
Ashtu darkë për darkë dilja në breg.
Ndër gishtërinj të këmbës së ftohtë me rridhte rëra,
Unë prisja me orë të tëra,
Gjersa përnjëherësh, tutje nëpër fushat e gjëra të natës,
Ngriheshin kope të çuditshme, të panumërta kuajsh të bardhë.
Nëpër hapësirat e pafundme suleshin aradhë – aradhë.
Turfullonin.
Binin me këmbë të thyera,
Rrokulliseshin duke gulçuar nëpër të zezat humnera.
Mbi ta fluturonin të tjerë.
Jelet e hakërruara dallgë-dallgë fushën e qiellit fshihnin.
Hingëllimat e frikshme para tyre bridhnin.
Ata vinin afroheshin drejt meje.
Gjokset e mëdha e të bardha
Lëshonin përpjetë; këmbët e para rrihnin në erë…
Sytë u flakëronin.
Një çast, dhe nën thundrat e tyre do të më copëtonin.
Kur ja, me potere,
si një gjëmim i madhërishëm përplaseshin
te këmbët e mia. Nga flegrat gjigante
miliarda grimcëza të kristalta shfrynin
për të fundit herë.
Të tjerë
hingëllinin nëpër fushën e gjërë të natës.
Me gëzim e frikë, orë të tëra
unë shihja kuajt e bardhë
të suleshin nëpër furtunë.
Thyenin këmbët, rrokulliseshin,
që të vinin sa më parë tek unë
shkelnin
fluturonin njeri mbi tjetrin.
Dhe tani, kudo që jam,
Ashtu fantastik e i madhërishëm,
më ndjek pas deti…
—
SI S’TË DESHA PAK MË SHUMË
Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prapë s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…
Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.
Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër,-
Asaj që më rri mes Zotave:
“Si s’të desha pak më tepër…”.
—
NUK MBYLLEN DOT
S’kam fuqi më as të trishtohem
Jemi anije pa spirancë
Mes erërave të egra të kundërta.
Peshqit Ilafazanë shurdhojnë qiellin
Më jepni ju një copë ironie,
Se nuk e gjej dot në veten time,-
Një copëz ironie
Sa gjysmëz e krahut të zogut,-
Të mbrohem nga shirat e verdhë
Të predikimeve të apostujve të lajthitur.
Të gjithë na kanë faj dhe askush:
Deshëm të krijohemi në asgjësimin tonë
Tani gjithë dritaret e shpirtit
Janë hapur, bymyer e kalbur
Nga shirat e lotëve,-
Dhe s’mbyllen më dot.
Mund të hyjë kush të dojë.
—
NË TIRANË KA VETËM TIRANË
Në Tiranë ka vetëm tiranë,
Në Tiranë të vrasin të gjithë
një shëtitje me veten të vret.
Mos e ndill kujtimin ne Tirane,
është tmerrësisht i pamëshirshëm.-Të vret.
Mos guxo ta shohësh në sy lirinë në Tiranë,-
dielli i syrit shuhet, shkërmoqet e zbehet.
Ti i barabartë me lirinë? – Mos e beso!
Liria te vret.
Hipokrite shpresa sy-picigjate e Tiranes
ti i vdekur-e ajo me gojën e saj të jep frymë,
të ngjall që sërish ty të vrasë-të vret.
Është tjetër,tjetër trishtimi i tetorit ne Tirane,
vjen duke ikur-te vret.
Si krye-engjëlli, Sovrani i zymte, ferrin e tij-
e dua Tiranen se te vret.
—
ALARME TË PËRGJAKURA (kënga e parë)
Shtrova
Dashurinë time…
Po prapë, brinjët t’i vret toka, plisi,
E prapë i fortë është te koka
Trungu prej lisi.
Mbi rrogozin prej kashte,
Ku netëve fle,
Hej, vend!
Plot diell e pa dritë!
Pagan dhe fron për perënditë!
Jetojmë nër male të lartë,
Ku qiellin me dorë mund të zëmë
Dhe prapë:
Në ç’humnera kemi rënë!
Hej, vend!
Që ngjyrat e Jonit,
Erërat e portokallit me lule
Mbyll
Në një vorbë fasule.
Dhe ndihesh
I pasur në varfërinë tënde
I lirë në robërinë tënde…
Hej, vend,
Që prej dhimbjes po më bën të çmendem.
—
ELEGJI PËR BABANË…
Ti nuk je më.
As do te na shohësh,
as do të shohim, baba, më kurrë.
Ti nuk je më..
Emrin tënd e mori ky gur,
Vdekja – si vdekje ,
gjithmonë e dhimbshme,
gjithmonë e verdhë…
Me një kordele
tufa kujtimesh ne zemër na lidh.
Tufa kujtimesh
edhe elegjish.
Jam i trishtuar dhe me mori malli.
Dhe mbi trishtime e mall duke ecur,
ngjita rrugën e ngushte te fshatit.
Shtyva derën e varrezës së vogël
dhe t’erdha te varri…
Ç’fjalë të pathëna do të më flasësh?
Ç’fjalë të reja dëshiron të dëgjosh?
Prej kétij varri
tani, baba, ç’do të më japësh?
Atë ditë të thatë janari:
përpara teje Halil Alija
e mercenari.
Prapa shtëpia në zjarr e flakë
Duart e tua në pranga,
plak i ngratë?
Erdha të marr
çfarë përket prei këtij varri.
Kujtime të dhimbshme.
Vuajtje krenare.
Ti mos mé thuaj:
“Biro… janë të trishtuara”.
Baba i gjoré!
Unë, pa ato,
do t’isha në jetë edhe më i trishtuar.
Dhe kur të vdes
s’dua asgjë
veç një varr të thjeshtë.
Atje në bregdet,
ku nëpër net
bisedojnë yjet me qiparisat.
Dhe fjalë të kaltra
flet e shpërndan
deti matanë.
Fjalët që i njohim,
që i kuptojmë,
unë
me babanë…
—
VDEKJA E GJYSHES…
Ja, edhe gjyshja né arkëz,
kukull e vogël né kartëz,
Është… dhe prapé s’është e tëra,
sikur nuk është si përhera.
Gjithë karfica, gjilpëra
kapur satenet në kokë,
lidhur këpuckat përposh,
shami e lule në gjoks.
Mbyllur kapakët e syve
ç’ndjej u shua brenda tyre?).
E sheh… dhe të duket heshtja
pe gjasme e pe gjasme vdekja.
Gjyshja e vogël, e bukur, e pastër…
Në arkëz kukull.
Gjithë karfica, gjilpëra,
qepur vite të tëra,
lidhur kujtime e malle,
dhembje, që duken si përrallë.
E sheh… dhe të duket heshtja
—
GLORIA VICTIS (LAVI HUMBËSVE)
Sepse jemi ne humbësit e mëdhenj.
Artin e shkëlqyer të humbjes
Ne e kemi ngritur në fat.
Sepse ne, vetëm ne, dimë të gabojmë.
Ne gabojmë në miqësi, dhe humbasim.
Ne gabojmë në dashuri, dhe humbasim.
Ne gabojmë në shpresat tona, dhe humbasim
Zaret e bardhë të fateve tona
Ne i hedhim para – dhe vazhdojmë
T’i hedhim ato edhe mbasi ta kemi kaluar Rubikonin.
Të gjithë na kanë faj dhe askush.
Të tjerët vetëm fitojnë,
Ndërsa ne jemi populli humbës
I humbjeve të mëdha. Zemra jonë
Është një mollë e artë dhimbjeje.
Nuk duam të njohim pushtetin e errët të smirës,
Dhe gabojmë, nuk e njohim
Lakminë akrep të pushtetit, dhe gabojmë.
Sepse ne-vetëm ne! Dimë të gabojmë.
Këmbët tona të zbathura janë ato gjethe vjeshte
Që bien dhe ecin në rrugë; shpirti ynë
Është prej lënde të brymtë trishtimi,
Të gjithë mund ta vrasin.
Të tjerët jo, ata janë fitonjës të përjetshëm,
Ata s’humbasin kurrë, sepse
Kurrë nuk gabojnë.
Ndërsa ne gabojmë – ashtu siç dimë vetëm ne!
Artin e shkëlqyer të humbjes
Ne e kemi ngritur në fat.
Dhe i kemi kthyer krahët lavdisë fitonjëse.
Ne njohim vetëm lavdinë e popullit
Të humbjeve të mëdha. Sepse ne
– po vetëm ne!-
Jemi të vërtetë.
—
ATDHEU
Atdheu është dhembje, është dhembje,
Një prill i pikëlluar në shpirt.
Atdheu është kryqi, është kryqi.
E mban – edhe të mban ty – në shpirt.
Atdheu është toka e premtuar.
Ti shkel si një zot dhe s’e ke ndën këmbë.
Atdheu s’ka fjalë, ka sy të trishtuar.
Vdes dashuria në dashuri që të çmend.
Atdheu është buka e uritur:
Të ikën nga duart e dot nuk e ngop.
Ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur.
Me sytë n’errësirë vetveten kërkon.
Atdheu është varr i hapur, është varr.
Një jetë drejt tij shkon me besë që bind.
Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë.
Në një pikë loti lirinë e lind.
Atdheu yt i vogli, i vogli,
ai hyjnori, i pavdekshmi – loti.
Komentet