Versnikët e mi,
shokë të rinisë kur miqtë kishin duk,
që u rritëm para se atdheu të hidhte shtat.
Që t’mos na hedhin bashkë me shtatoren
hajd të bëhemi si dikur bashkë!
.
Bashkë,
në mbrojtje të dashurive tona,
që sot po i quajnë demode,
Të dashurat,
që u kushtuam lirikat me dell romantikë,
S’është rastësi
që në sarhosh janë kthyer sot
poetët e dikurshëm lirikë.
.
U tallëm me shkesët,
që sot janë kthyer në sekserë,
Me prepotentët që tridhnin në zyra të pabindurit
dhe sot kërkojnë favore seksuale,
Na quajtën vagabondë eunukët,
na akuzuan për aventurierë karieristët,
gagarelë në modë,
Por të dashurat tona
na shihnin si princër të kaltër
përkundër gardistëve të kuq,
që bënin ligjin si të fortët sot.
.
Përkundër impotentëve,
që hiqnin të puthurat në kinostudio,
erotikën na e kyçnin në sirtarë redaksish,
Ku s’munguan asnjëherë ca kuçka,
që mburreshin me djersën proletare
duke zbuluar me erën e parfumit armiq.
.
Bukuroshet tona zbutën diktaturën,
mos ia njihni shkrimtarëve këtë atribut,
Falë aromës së tyre dehëse
brezi ynë s’ra era barut.
Me këna i lyenin flokët
erë mollë binte dollapi,
era borzilok oda,
Ndonëse u veshën me basme kombinati
ato ditën të dukeshin si zonja.
.
Fatbardh Amursi