VOAL

VOAL

TAKSISTI – Tregim nga LIRI BELE

June 27, 2020

Komentet

Mërgimi kjo plagë e vjetër dhe e trishtë! ( fragment romani DHIMBJA E IKONËS)- Nga KRISTAQ TURTULLI  

 Ekzistonte një tmerr i shenjtë për gjithçka të panjohur dhe fatale. Është e lehtë të admirosh mediokritetin, injorancën dhe të ëndërrosh kodrat e së nesërmes të mbuluara nga gjelbërimi e mbi to endet një re delikate pupëlore. Gjithçka mendohej dhe dëshirohej se e nesërmja mund ish madhështore, me rahje gjoksit dhe dy gishta përpjetë, mbase dhe skandaloze, si një çmendinë foshnjore. Një enigmë ashtu si një univers i magjishëm, por pa kuptuar mund të degdisesh në gropat e errëta të pafundësisë. Një ansambël ndehur rrëmujshëm në kometën e përflakur, ngjan si një kryevepër e çmendur, por nëse afrohesh, shohësh nga afër llahtarisesh prej së tmerrshmes lemeri.
Në qiellin e vrenjtur fluturonin rrëmujshëm tufa të mëdha zogjsh, duke krrokëritur drejt perëndimit të mjegullt që ngjante sikur lëpihej nga dallgët e rebeluar të detit. Prej dritës së mpakur diellore, për shkak të sklepave në sy, shpendët herë ngjasin si korba dhe herë si çafka zë çjerra.
Deti s’kish parë kurrë një tumë të tillë, dyndej e çakërdisur, në angështi drejt tij, ndaj i trazuar kollitej, dallgëzonte, gromësinte si plak dhe flakte drejt bregut të ndryshkur gëlbaza dallgë mëdha shkumëzuar.
Qyteti bregdetar ngjante i gërmuqur, mbështetur në paterica të ndryshkura, mbështjellë me kapotën e zgjyrosur të frikës, pështjellimit dhe llahtarës. Turma e madhe, laramane, gjuhë tharë, shtyhej e shkapërdarë drejt bregdetit të irnosur duke çarë mjegullën e dendur me ankthin e së panjohurës, anomalisë dhe pasigurisë. Ajri i rënduar ish ndehur mbi turmën e çakërdisur. Ngado ndjehej amullia e tmerrshme, ankthi, angështia, provokimi dhe çmenduria.Qyteti bregdetar ngjante i gërmuqur, mbështetur në paterica të ndryshkura,
Qyteti bregdetar ngjante i gërmuqur, mbështetur në paterica të ndryshkura, mbështjellë me kapotën e zgjyrosur të frikës, pështjellimit dhe llahtarës. Turma e madhe, laramane, gjuhë tharë, shtyhej e shkapërdarë drejt bregdetit të irnosur duke çarë mjegullën e dendur me ankthin e së panjohurës, anomalisë dhe pasigurisë. Ajri i rënduar ish ndehur mbi turmën e çakërdisur. Ngado ndjehej amullia e tmerrshme, ankthi, angështia, provokimi dhe çmenduria.
                                                      .-.
Fatbardh Ananezi udhëtoi gjithë natën me makinat e qymyrit të mbërrinte sa më parë në qytetin bregdetar. Lajmi i hapjes së dyerve të portit, ikjes, e la pa mend dhe e shkundi të gjithin. Ai kish ëndërruar këtë ditë, edhe pse i lodhur i pagjumë u sul si shigjete drejt bregut, i cili nxinte nga mizëria e njerëzve, në pritje të ikjes nga toka mëmë nga sytë këmbët. Fatbardhi u dredhoi gardhit të policëve, të cilët nuk vendosnin se çfarë të bënin, në pritje të urdhrit të veprimit. Oficerët e policisë tymosin duhan, godisnin me majat e çizmeve bordurën e betontë dhe grindeshin me njëri tjetrin. Për dreq urdhri nga lart vononte të zbriste në bazën e çakërdisur.
Fatbardhi si gjithë ikanakët vraponte me kuturisje të çmendur drejt vaporit të ankoruar në port që mbushej me njerëz të cilët kërkonin të largoheshin prej atdheut nga sytë këmbët. Ai është shumë preokupuar të hipë në vapor. Një tjetër vapor i ngarkuar me ikanakë largohet, bëhet pikë e vogël dhe më pas tretet në horizontit e detit. Fatbardhi vrapon të mbërrijë në vaporin tjetër. Turma e njerëzve kacavirren në litarët e vaporit, dikush bie duke klithur në ujë. Ngado dëgjohen të bërtitura të lodhura, klithma gëzimi nga ata ikanakë që kishin mundur të hipnin në vapor.
Anija mbushur plot e përplot me ikanakë të pataksur ndezi motorët të vijonte udhëtimin e pazakontë sa ekzistonte, drejt brigjeve italiane. Në bordin e saj mbante plot 20 mijë ikanakë kapicë mbi njëri-tjetrin, me zorrët që u gërryenin nga uria, po shijonin ëndrrën trembur dhe pasigurte të rendjes drejt perëndimit.
Befas vapori tundet dhe shkundet i ngarkuar me refugjatë, fërshëllen me nervozizëm dhe fillon ngadalë lundrimin. Fatbardhi psherëtiu dhe vështroi njerëzit përqark tij në kabinë dhe më pas hodhi vështrimin në peron të portit; atje qëndronin të gozhduar, të trishtuar, të përlotur burra, gra, fëmijë.
Fatbardhi i menduar mbështeti ballin në dritaren e vogël, të pistë të vaporit. Shikimin e treti tutje, vapori çante me shpejtësi ujin e errët. Bregu i mëmëdheut sa vinte dhe humbiste derisa  tretet, vetëm ujë të trazuar të rëndë, të errët dhe dallgë që ngrihen dhe det.
Anija çante me shpejtësi ujin e dendur të detit. Bregu i atdheut ikën nga sytë e Fatbardhit. Ai bregu i dashur i atdheut ku lindi, dhe u rrit. Ku janë varret e të parëve. Bregu vinte e shkonte, valëzohej, vijëzohej, derisa u tret në mjegullën e dendur.
 Vetëm re të rënda dhe dallgë. Qielli i pafund i mbushur me re të dendura. Në ironi ndaj ikanakëve deti i errët dhe dallgët e mëdha filluan të ngrihen si male të mbushur me egërsira, që ulërinin të tërbuara. Anija tundej andej-këtej, ikanakët e pa stërvitur me udhëtime në det të hapur klithnin me lebeti.
Fatbardhi volli dy herë dhe ndërkohë mendoi një moment:
‘Të gjitha qeniet njerëzore janë të mërguar. Jemi lindur dhe nuk dimë përse. Do vdesim përsëri nuk e dimë përse. Secili është shtegtar  ngaqë asnjë nga ne nuk e di misionin e tij mbi këtë tokë.’
Atë moment dikush pëshpëriti pranë Fatbardhit zë lodhur:
‘Ne lamë pas një atdhe që u sjell bijve të vet vetëm vuajtje mundime, tortura, vdekjeje, nuk është atdheu i zemrës, ndaj duhet të braktiset me lot në sy…’
Fatbardhi i nervozuar u kthye nga njeriu që foli, kujtoi se tjetri i bleu mendimet dhe u mat ti shfrynte:
‘Si guxon që flet kështu për atdheun tonë?’
Një pëllëmbë larg fytyrës ës tij, pa një fytyrë lëkurë errët, rreshkur nga dielli si letër e zhubravitur nga rrudhat e shumta, sy të çapëluar si bretkosë, të përskuqur, të rrëmbushur nga lotët.
Në anije kish refugjatë nga vendlindja e tij, njerëz të zhytur në mendime, asnjëri prej tyre nuk e di çfarë fati i pret në emigracion. Një mërgimtar është një njeri që nuk ka humbur asgjë, sepse aty ku jetonte nuk kishte asgjë dhe qëllimi i vetëm i tij është që të jetojë pak më mirë.
Mërgimi kjo plagë e vjetër s’ka të ndalur për shqiptarët, sa vjen e thellohet akoma më shumë. Emigrimi është zgjidhja e fundit në jetën e njeriut. Kur humbën të gjitha shpresat për jetë në vendin amë, kur e vetmja rrugë e shpëtimit mbetët largimi nga vendlindja. Por jo të gjithë e gjejnë shpëtimin në rrugën e pa fund të mërgimit!
Fatbardhi me trishtim ngriti sytë drejt qiellit ku një shqiponjë krenare fluturonte mes reve, mendueshëm mbështeti ballin te dritarja e vogël e pistë të anijes dhe foli me vete;
‘Unë në emigracion dua të jem shqiponjë. Por nuk e di nëse mundem. Kur nuk ndihesh mirë në shtëpinë tënde, dhe atdheu të bie ngushtë, atëherë detyrohesh të endesh rrugëve të botës si lugat…
O zot perse ky fat i yni, përse ne duhet te ikim nga sytë këmbët, nga mëmëdheu ynë i dashur’, flet Fatbardhi me vete:’ Perse, përse? Përse të jetë kështu ky fati yni? Vetëm ikje, ikje, ikje? Përse vallë?
Ishte një udhëtim i lodhshëm, në kufi të çmendjes, zgjati gjatë gjithë natës.
Dallgët male, egërsira të tërbuara ulërinin me lebeti…
KRISTAQ@TURTULLI
DHIMBJA E IKONËS, roman Tiranë, 2025

Prend BUZHALA POETI I URTIANËS

(Kantatë në 74-vjetorin e lindjes së krijuesit letrar Mehmetali Rexhepit)

1.
Atë mund ta gjeni vetëm në Urtianë,
nëpër shtigjet e fshehura të urtësisë e nëpër vargjet e jetës.
Ai është poeti që na tregon se urdhrat e jashtme nuk kanë fuqi,
nuk i vlejnë neneve për ta thyer shpirtin; poeti ka një Kanun tjetër,
i farkëtuar si urtësi e lindur nga vuajtjet e dhe nga kapërcimi i pragut të saj.
I mësuar ta gjente atë dritë mendjeje në errësirën e burgut,
një dritë që e udhëzon përmes secilës natë të gjatë
e, nëpër plagë, ligjëronte një mësim të ri, një rrugë të re drejt lirisë.
Edhe në aso çastesh poeti vishet me misterin e gjuhës,
shtron rrugën e tij përmes dritës së zbehtë.

Në duar mban fjalët, si pishtarë nëpër kohë,
si gur të shtrenjtë për ta krijuar Mozaikun e Historisë së Shpirtit,
Hartën e Vendlindjes dhe Buzëqeshjen e Amshueshme të fëmijëve.

Mos e kërkoni aty ku asgjë s’mund të shihni,
do të dëgjoni vetëm rrëfimin për të si udhëtar i thellë,
që kalon përmes shkretëtirave të mendimit, për të gjetur oazën e urtisë,
një vend ku uji është ajër, është dritë.
Ai, poet i urtë, është një ndjekës i universit dhe një dashnor i diellit të lirisë,
ai mund të kuptohet vetëm nga ata që janë të gatshëm të shohin pa frikë.

Do ta gjeni kërkues në secilën fjalë
e, me secilin varg ai krijon një botë të re, të paprekshme:
të mbijetosh e të përjetosh çdo ndjesi në thellësinë e saj.

2.

Vargjet thurin rrathë jete, rrathë të paprekshëm,
aty ku armiku s’mund të depërtojë,
mandej do të hidhet në betejë për t’i rrëzuar ngrehinat e jashtme armike,
për t’i krijuar ato të brendshmet, aq të pazhdukshme:
se urdhrat e jetës nuk janë të shkruara në fletët e grishura të kohës,
ato janë të dhëna në kundrimet që ai sheh
përmes shikimit të tij të thellë dhe të pasionuar.
Ai flet me një gjuhë të thjeshtë, por secili varg është një rrugë e labirintuar
për të arritur te ajo që ai kërkon të gjejë — diçka më të madhe se vetvetja.
Në mendjen e Poetit të Urtianës, të vërtetat kanë maska që duhet të hiqen,
atëherë shfaqet jeta si në Shuplakën e Botës.

Poezia e Poetit të Urtianës nuk lexohet, ajo vetëm jetohet e përjetohet
si luftëtar e shtegtar i saj. Iu përkulet vetëm urdhrave të shpirtit,
vetëm gjeneralëve të Fjalës në Urtianë.
Dhe, kur e përfundon një udhëtim, ai e gjen një tjetër, me pyetje përgjigje të reja.
Në një qeli të errët, ku drita nuk depërton dhe heshtja është më e fortë se zërat,

Poeti i Urtianës shkruan me gjakun e mendjes, me plagët e shpirtit të torturuar.
përtej çdo kufiri të vuajtjes. Harruan: shpirti s’ke si vësh pranga.

3.

Fjalët janë të lidhura e të mbështjella me dhimbje të heshtura
e mandej marrin udhë nëpër poezi, me secilën pikë djerse e mundimi
që pikon në fytyrën e tij gjatë torturave të natës,
me lëndimet që kanë ngelur në trupin e tij, e mendja mbetej e pamposhtur.
Poeti është i burgosur, por urtësia e tij është e çliruar;
Urtiana, atdhe i poetit, s’kishte si të poshtohej,
ende nuk janë gjetur armët as armatat
Hija e Mendimeve rritet siç fryhen vullkanet që shpërthejnë
me dritën e metaforave që e nxjerr brenda terratisjeve të ekzistencës
me valët e jetës e të mendjes në shpërthim: e krijojnë një Diell Tjetër,
kur të tjerëve iu mungon Ai Diell.

Poeti e kërkon Urtianën, atë udhë që nuk shihet, por ndihet
si një yll që lundron në qiellin e mendimeve, pa një rrugë të qartë, pa një cak.
një udhëtim që lind dhe vdes çdo ditë, duke lëvizur midis dritës dhe errësirës,
midis dashurisë dhe vuajtjes, midis lirisë dhe dyshimit.

E zorshme ta kuptoni: si do të ruhet urtësia, kur një botë e ke kundër?
Nuk qenka vetëm vuajtje, kjo është Shkolla e Urtësisë si një Univers më vete.
Do ta gjeni duke i daltuar fjalët e veprat, si një artist
që i përpunon mundimet e dhimbjet në Shenja të Pavdekshme,
ashtu siç ia dhuron këto shenja artisti drurit të zvargur,
ashtu siç merr shenja guri i goditur nga motet me shi e furtunë.
Ai shkruan për jetën si për një betejë, meqë fjalët janë ushtarë
janë Roje e Mburoje e Shpirtit dhe e Atdheut.

(4 korrik 2025)

LINEARI IM I GJAKUT- Poezi nga ATDHE GECI

 

 

Në truallin e muzave më artdhënëse

është shkruar libri “Iliada shqiptare”

“Kanuni poetik” dhe  libri  ”Flatrat”,

“Pasha këtë tokë” si dhe “Shqipëria

është më e madhe se Shqipëria” etj.

Kam bërë shkollë të vështirë të jetës

jam një banor në shtëpinë e popullit

Antikë quhej dashuria ime, Rilindje

quhen ndërtuesit e atdheut tim, unë

dhe Antika qemë  miq udhe e kauzë

ne që e shkruajmë fjalë për shqipen

jeta shkruan tregime, romane, poezi

koha në fjalë është  një truall i jetës.

Mike, në vendin tim dhe vendit tuaj,

poezia është art i përjetësisë letrare,

qetësisht e dehur, qetësisht e bukur!

Në truallin e muzave më artdhënëse

me germa prushi dhe  me furi zjarri

është shkruar libri “Iliada shqiptare”

dhe mija vargje  të  farës  shqiptare!…

 

Atdhe Geci – Poezi nga libri im “Iliada shqiptare”, faqe, 1035

Kthimi dhe përzënia e babait nga atdheu- Nga ALBANA LIFSCHIN

(Fragment nga libri “Bota me nje sy” -rrefen motra e Pal Melyshit)
.
Ishte Dhjetor 1989. Një e njohura ime që punonte në postën qëndrore të Tiranës, më erdhi në shtëpi me një zarf në dorë. Pasi pimë kafen, më tha:
-Marie, ty nuk të besohet se përse kam ardhur.
Ajo s’kish patur rast të vinte më parë.
-Shpresoj të kesh ardhur për të mirë , -i thashë.
Hapa zarfin që më zgjati. Lexoj në të telegramin që na kishte ardhur nga babai nga Amerika.
“U bana 90 vjeç. A mundëm me ardhë me vdekë në vendin tim? Baba juaj, Nikolla”.
Pas 45 vjetësh, i vdekur për të gjithë ne, Babai qe ngjallur përsëri.
U mendova shumë atë natë. Të nesërmen vendosa të shkoj në Presidiumin e Kuvendit Popullor, në degën e ligjeve, kryetare e së cilës ishte Liri Gjoliku, mikesha ime. Me vete mora edhe djalin, Kastriotin. Ju luta Lirisë të më nxirrte listën e emigrantëve politikë, që s’kishin të drejtë të ktheheshin në Shqipëri. Ajo më vështroi me vëmendje dhe më pyeti:
-Ç’kërkon të dish Marie?
I kërkova me insistim të gjente emrin e babait tonë, e të më thosh se nëqoftëse ai do të ekzekutohej ose jo, po të kthehej në atdhe.
Ajo hapi listat , gjeti emrin e babait e tha:
-Jo, nuk ekzekutohet. Ai është i falur. Se nuk ka bërë krime.
U qetësova. Nxorra kopjen e telegramit të babait dhe i a dhashë ta lexonte. Ajo më tha të kem kujdes, edhe pse babai ynë figuronte në listën e të falurve. Lirisë i mora numrin e dekretit të faljes si edhe datën dhe shkova në postë për t‘i dhënë babait përgjigjen e vonuar.
“Babë, je i falur me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Eja kur të duash në Shqipëri. Më njofto mbërritjen në Rinas. Vajza, Maria”.
Kush mund të qëndronte indiferent para asaj thirrje të madhe që i bën babai fëmijës, pas 45 vjetësh i mërguar.
Në të vërtetë , unë këtë përgjigje ia bëra babait për ta qetësuar, por edhe për të qetësuar veten, se në fakt nuk besoja se ai do të vinte.
Pas disa ditësh ra zilja e telefonit nga Roma. Një zë shqiptari më pyeti:
-Maria, je?
-Po.
-Të flas nga ambasada jonë në Romë. A erdhi Nikolla?
-Jo, s’më ka njoftuar njeri.
-Do të ketë mbetur në Rinas, – tha shqiptari.
Lajmet që nga Rinasi u përhapën se në Tiranë ka mbërritur babai i Pal Melyshit. Organeve të brendëshme u hynë ethet, edhe sepse ambasadori ynë në Romë i kishte dhënë vizën edhe sepse Nikolla ishte i falur, por edhe sepse ai tani ishte 90 vjeç. Hekuran Isaj qysh të nesërmen e asaj dite më thirri mua dhe Lekën. Na priti rreth një tavoline të madhe, në distancë si për të më gjykuar që kisha bërë krim që kisha ftuar babain tim në shtëpinë time.
-Mirë me mua që po merreni, po me Lekën , ç’keni?- i thashë
-Me ty e kemi,-tha ai- Ky është një guxim i marrë që ke bërë ti shoqja Marie. Ne do të mbajmë qëndrim. Ai na e ka hedhur. Ambasadori ynë në Romë do të përgjigjet për këtë, etj, etj. paralajmërime e kërcënime si këto.
-Për ardhjen e babait tim në Shqipëri, nuk ka pse të mbajë askush përgjegjsi veç meje, thashë unë,- ju e keni fare kollaj: Shikoni ligjet në presidium, shikoni edhe shkëmbimin e telegrameve se ç’thonë dhe e gjeni që fajtore jam vetëm unë. Pastaj, s’është problem. E përzini babanë 90 vjeçar dhe unë vetë shkoj përsëri në internim,- i thashë ministrit të brendshëm.
-Nikolla të kthehet nga ka ardhur, atje në Nju Jork, atje ku ka jetuar gjithë këto vite.
-Prit , shoku ministër se kemi ca probleme për të sqaruar se nuk është politikë njerëzore kjo që thoni, as trimëri për fëmijët t’i thonë babait në atë moshë: ” Del nga shtëpia e merr rrugët e botës, sepse nuk të do qeveria shqiptare”.
U ngritëm dhe dolëm nga zyra e ministrit të brendshëm.
Një komuniste aktiviste, që kishim në bllok, më ndali kur po hyja në shtëpi.
-Dale, Marie, se do të them diçka.
-Çfarë… se po më dhimb koka. Vërtet po më dilte tym nga koka. Mu kujtua episodi I hershëm kur i premtova nanës se do të lidheshim me Palin. Ishim në internim dhe Lekën e kishim të sëmurë. S’kishim as për të blerë bukë e jo më ilaçe. Bëmë një përpjekje të dëshpëruar. Me mendjen time dhe na u duk se ramë në humnerë. Edhe tani përsëri me inisiativën time po helmoheshim.
-Ta dish se pallati ku banon ti, është me roje qosh më qosh.
M’u kujtua rrethimi i Kullës sonë, atë natë që kishin vendosur të na internonin.
Telefoni ynë kishte filluar të binte disa herë në ditë. Me të degjuar zilen, e merrnim me mend se kush ishte. “Kur do të iki plaku?” pyesnin. Ishin ata të Hekuran Isajit dhe nga dega e vizave. Babai nuhaste çdo shqetësim timin, e një ditë për t’i dhënë fund kësaj gjendje më tha:
-Shkruaj një letër Ramiz Alisë, në emrin tim, se ai më njeh. Kemi qënë bashkë në luftë deri në Jugosllavi. Ai do të japë ndonjë orientim.
Përpilova një letër në emër të babait dhe e çova dorazi në Komitetin Qëndror të Partisë.
Sh. Ramiz nuk na dha përgjigje, por ja kishte përcjellë për kopetencë Ministrisë së Brendëshme duke vënë këtë shënim: “Nikolla të kthehet në SHBA. Familja të mos të preket”.
Babai që ishte i mirënformuar për situatat në Shqipëri, më pyeti:
-Akoma nuk ka kthyer përgjigje Ramizi? Ai e ka vështirë me këtë byronë e re, edhe po të dojë të bëjë diçka të mirë, se s’e le Hekurani.
Hekurani më thirri përsëri sëbashku me tim vella,a Lekën.
Ai i binte fyellit në një brimë: Akoma s’ka ikur plaku?
-Kaq frikë keni xhanëm,nga një plak 90 vjeçar, që ka ardhur për të vdekur? Edhe kur ka qënë i ri nuk ka vrarë njeri. Për një javë vjen viti i ri. Le ta kalojë me ne këtë ditë, pas dyzet e pesë vjetësh në mërgim, e pastaj do të kthehet vetë.
Im vëlla nuk fliste. E ndjeja veten fajtore ndaj tij. E kishin ndaluar tre ditë nga puna.
-Nuk është e drejtë që e keni ndaluar Lekën nga puna, ai s’është fajtor – fola prapë. Korigjojeni këtë veprim dhe më dënoni mua.
Ai thirri zëvëndministrin:
-Ore, që nesër të fillojë punë ky Leka, duket çun i urtë.
Këtë fjalor kishte Hekuran Isaj.
-Kurse ai plaku juj , duhet të niset se na ka sha neve si komunista. Po ti shoqja Marie, nuk e di se ç’kemi ne nëpër sirtare.
Kur u ktheva në shtëpi, isha e dërmuar shpirtërisht. Babai më priste. Ai s’kishte nevojë të na pyeste. Dukej se ishte më i qartë se ne dhe sikur i parashikonte të gjitha.
-Sa t’u internojnë prapë,bij-o, unë më mirë po kthehem në Amerikë. Dhe u siguroj që edhe një herë do të vij, por me lejen e tjetërkuj.
Dy ditë më pas erdhën në shtëpi dy oficerë të tjerë të Minstrisë së punëve të brendëshme. Ata i kishte dërguar Hekurani të takoheshin me plakun, për të parë moshën dhe fizikun e tij. Ata pasi u takuan me të, u ulën në tavolinë dhe takuan gotat me babën.
-Këta nuk qënkan ushtarët e Hekuranit,- tha baba pasi ata u larguan.
-Marie ma ban gati valixhen se duhet të nisem për në Nju Jork. Unë erdha këtu si lajmëtar i lirisë e demokracisë.Për këtë jam i kënaqun”.
E përcollëm deri brenda në Rinas. Pasi u ndamë i thamë të na njoftonte mbërritjen. Ai fshiu lotët dhe duke u mbështetur në shkop hyri në holl.
Babai, siç e mbanim mënd,- trupgjatë dhe elegant nuk ishte deformuar, nuk kishte as kurrizin të dalë, por mbi të gjitha kishte një memorje të saktë, saqë shtjelloi hollësisht të gjithë zinxhirin e ngjarjeve që kur nuk ishte arratisur ende. Ai tha shumë gjëra që ne nuk i dinim.Të gjitha i kisha rregjistruar në magnetofon.
Babai pasi mbërriti në Nju Jork informoi të birin në Kanada dhe të vëllanë në Bufalo. Nga babai unë mësova për vëllain tim në Kanada, London- Ontario, Gjonin. Ai ishte shëndosh e mirë, i martuar me një napolitane me origjinë shqiptare dhe kishte tre vajza të rritura.
Pergatiti per botim Albana Melyshi Lifschin, Shkurt, 2019

MEMORIE-“ZOSIMEA”, KU STUDIOI NJË PLEJADË E SHQUAR E RILINDASVE DHE PATRIOTË TË TJERË SHQIPTARË…- Nga SHKËLQIM HAJNO, Janinë. 03.07.25

-Gjimnazi “Zosimea” i Janinës, i themeluar më 1828 nga vëllezërit Zosimeai, ishte një nga shkollat më të njohura në Ballkan në shek.XIX dhe fillimet e shek XX.
U bë qendër arsimimi dhe formimi për shumë rilindas dhe patriotë shqiptarë, sidomos ata që u angazhuan më pas në lëvizjen kombëtare shqiptare si:

1. NAIM FRASHËRI…Poeti i madh i Rlindjes Kombëtare Shqiptare. Studioi në “Zosimea” para se të shkonte në Stamboll.

2. ABDYL FRASHËRI….Veprimtar politik, një nga organizatorët e Lidhjes së Prizrenit. (Valla i Naimit dhe Samiut).

3. SAMI FRASHËRI…Enciklopedist, dijetar, autor i “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”. I shkolluar në “Zosimea”, më pas në Stamboll.

4. PETRO NINI LUARASI…Mësues, publicist dhe luftëtar për shkollat shqipe. Lindi në Luaras dhe ndoqi mësimet në këtë gjimnaz.

5. JANI VRETO…Shkrimtar, përkthyes dhe një nga themeluesit e Shoqërisë patriotike të Stambollit.

6. PANDELI SOTIRI…Mësues dhe patriot, i njohur për botimin e Abetares se parë shqipe. Ishte ndër studentët e “Zosimeas”.

7. KOTO HOXHI…Mësues i shquar, nismëtar i mësimit të shqipes në jug të Shqipërisë. (Vdiq në burg për shkak të veprimtarisë kombëtare)…..

8. EQREM BEJ VLORA…Politikan, diplomat dhe historian. (E përmend “Zosimean” si një nga shkollat më të mira të kohës.). E vlerëson për disiplinën dhe nivelin e lartë të mësimdhënies dhe të dijeve.

9. IDHOMENE KOSTURI…Patriot e politikan i njohur. Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit dhe në qeverinë e përkohshme shqiptare.

10. SOTIR PECI…Lindi nël Dardhë të Korçës-një nga qendrat më të njohura të arsimit dhe kulturës shqiptare ne fund të shek XIX. Ndër themeluesit e arsimit kombëtar shqiptar. Mori një formim të shkëlqyer klasik.(Më vonë studjoi për shkenca të natyrës në Unversitetin e Athinës.)

11. THIMI MITKO….Publicist dhe mbledhës i folklorit shqiptar (Autor i veprës “Bleta shqiptare”.

12. VANGJEL KOÇA…Publicist dhe veprimtar i fillim. shek.XX.Aktiv në shtypin dhe çështjet kombëtare dhe identitetin kombëtar.

13. JORGJI DILO…Aktivist dhe përhapës i ideve të Rilindjes Kombëtare, Më pas bashkëpunoi me diasporën shqiptare në Bukuresht.

14. ZOTO TASHO…Mësues dhe përkrahës i shkollave shqipe në Korçë. Studjoi në “Zosimea”dhe ndihmoi në përhapjen e arsimit kombëtar.

-FOTOT e datës 03.,07.2025 janë si një kujtesë dhe homazh për ish strudentët e këtij Gjimnazi me emër dhe gjurmë ne ndërgjegjen kombëtare.…………/shh..

Triptik poetik nga THANI NAQO

PIKËRISHT TANI JAM DUKE QESHUR

Nostalgjia ime është një mal i heshtur,
është pyll, edhe këngë e fllad kujtimesh.
E sotmja më ofron një vend për t’u prehur,
e ardhmja dyshime e pandehma përjetimesh.

Por tani, (pikërisht tani!), jam duke qeshur,
kam një derë dhe muret me drite e hije .
(Jo, nuk ka shkak për hamendje e për t’u trembur!)
Në dëshiron, hyrë; jam tempull mirësie.

PAS SHIUT

Pas shiut gjallojnë e shfaqen butë-butë,
Hëna e yjet e rrjedha e ujshme.
Ndërsa flladi flladon kujtesën e ngurtë,
tulatet kryeneçësia ime, e bujshme.

Hijet e pikëlluara e imazhet e fshehura,
edhe qirinjtë e përzhitur atje janë fikur.
Plakat gazmore, flok’pakrehura,
të pushojë shiu mezi kanë pritur.

Varka e Hënës që vozit mbi mal,
më nxit të rindez qirinjtë e kandilet me vaj.
E imja, pret me padurim në liman,
të erërohet flladi e fryjë velat e saj.

OSE ME GËRMADHAT GUROHEM

Çfarë tjetër gjë më nxit të shkoj atje,
përveç gërmadhave mbuluar me ferra?
Majat e aheve që përshëndetin përtej,
apo tufa e reve si dhen e shqera?

Fijet e barit tregojnë se po kalon flladi,
është pararoja e Erës të Perëndimit të Largët.
E di se era më ndjek hap pas hapi,
e bëhet fllad e flladon kur gërvishten plagët.

Ajo do më ndjekë edhe herën e fundit,
sikur nga Perëndimi fshehurazi të largohem.
Pandeh se pritem kur mpreh kosën a plorin,
ose, mes gërmadheve, gurohem.

AMANETI QE I LA VILSONI RUSTEM DASHIT PARA PUSHKATIMIT- Nga BEDRI BLLOSHMI

Në foto: Rustem Dashi
Mbas të fiktit, i hapa sytë me shumë vështirësi, më dhimbte gjithë trupi; koka sa nuk po më pëlciste, kyçet e duarve dhe të këmbëve nuk i ndjeja. Në birucën që më kishin çuar, për të mos dëgjuar për të fundit herë zërin e dy të dënuarve, Rustem Dashi po më rrinte tek koka i shqetësuar. Jemi nga i njëjti fshat dhe të dënuar bashkë. Lëviza me zor dhe munda të mbështetesha në mur. E dija se, Rustemi kishte qenë në birucë në 30 ditët e fundit me Vilsonin. Isha i shqetësuar të dija se çfarë amaneti mund të kishte lënë Vilsoni dhe çfarë ka përjetuar në momentet e fundit kur erdhën ta merrnin. Nuk prita dot derisa e takova Rustemin. Ai u përlot. “Bedri, të rrish shtrirë 35 ditë lidhur kokë e këmbë është shumë e vështirë. Trupi të bëhet plagë, duart më keq; nga era e rëndë e helmetës në kokë, trullosesh. Djersa i rridhte mbi plagë, prej vapës përvëlonjëse. Dorën e majtë e kishte gati të nxirë nga prangat, qysh prej hetuesisë në Tiranë. Kërkonin ta dërgonin në Belgjikë me mision te daja juaj. Këtë më tha. Disa herë, kishte ardhur vetë Kadri Hazbiu në birucë, por Vilsoni nuk pranoi asnjëherë.”
“Rustem, këto i di se kam folur në mur me Vilsonin dhe Gencin; unë dua çastet e fundit, kur e morën nga biruca.” Rustemi më tregoi: “Atë natë nuk hëngri edhe pse iu luta, pasi i kishte ardhur ushqim nga familja. Ha pak Vili nga dora e mamasë tënde e mos u mërzit, s`dihet çfarë ka vendosur Zoti, – i thashë. Ai ma preu jo, më tha se do të hante më vonë. Dhe kështu, e ktheva me kurriz nga dera. Rrinte i heshtur, i mpirë. Pas ca orësh u dëgjua fishkëllima e hekurave të derës së korridorit.
Unë kisha filluar të dremitja por sa i dëgjova që erdhën, brofa në këmbë. Korridori zhurmonte nga hapat e tyre; në fillim hapën derën e Gencit. U dëgjua zhurma e prangave. Mendova se i kishte ardhur falja dhe po e zgjidhnin. U mbyll biruca e tij e, u hap dera përballë. Aty vetëm heshtje; as fjalë, as lëvizje, asgjë! Pas pak hapat u drejtuan nga ne, hapet biruca jonë dhe me vete u binda se erdhi falja.
Tek dera doli shefi i hetuesisë, Selimi. Brenda u futën dy policë. Kryetari i Degës, Merdar Hasa nuk hyri, qëndroi në korridor, i shoqëruar nga disa civilë. U ngrita në këmbë dhe u tërhoqa pas murit. “Zgjoje”, më thërret polici. “Nuk po fle”, i thashë unë. Atëhere foli Vilsoni. “Rustem, më kthe pak. E mora vesh pse kanë ardhur, sot mbushen 35 ditë, dhe kështu sot më mbarojnë torturat së qëndruari shtrirë i prangosur kokë e këmbë”. Axhemi (përgjegjësi i policëve) me çelës në dorë, ia hoqi prangat e këmbëve, ia hoqi dhe zinxhirin që bashkonte këmbët me duart.
E ngritën në këmbë, i vendosën një litar tek prangat e duarve dhe ia kaluan rreth trupit. Unë vetëm dridhesha. Cepin tjetër të litarit e mbante dikush tjetër. “Hajde”, thirri një nga ata. I mora xhaketën dhe ia hodha krahëve. Vilsoni bëri një gjysëm hapi, u ndal e, u kthye nga unë: ‘Rustem, – më thotë me atë zërin e tij burrëror, – ma bëj hallall, më ke shërbyer kaq ditë. Do të lë një amanet, se ti do dalësh më shpejt nga burgu se Bedriu. Ti e pe gjyqin si u bë e, si vajti. Unë s`kam pranuar asgjë pasi nuk bëra asnjë krim.
Thuaju në shtëpi se nuk i turpërova. Diana me gocën të shikojnë punën e tyre. Ky qe fati im. Nuk e zgjodha unë. Lamtumirë Rustem’. Unë shtanga i mbërthyer pas murit. Ikën. Kërciti përsëri dera e jashtme ndërsa veshët e mi gumëzhinin papushim: ‘Rustem ma bëj hallall…thuaju….që nuk i kam turpëruar… Diana të shohë punën e saj… me vajzën… që s`e kishte parë me sy. Kishin kaluar ca kohë me këto zëra në vesh, kur papritur hapet biruca për të marrë mëngjesin. Nuk më hahej. I lutem policit që të më largonte nga ajo birucë, nuk rrija dot më. Më nxorrën duke lënë pas Vilsonin me fjalët e tij, batanijen dhe tasin e supës në cep të birucës”.
Me njerën dorë Rustemi mbante cigaren e me tjetrën fshinte lotët që i rridhnin mbi faqe; dhe, unë, që e dëgjoja, kisha dalldisur fare nga kjo botë. Rustemi më tregoi se kishte qenë 5 ditë në birucë me Gencin. Ishte i llahtarisur ngase nuk kishte parë asnjëherë një njeri të lidhur kokë e këmbë ashtu si Gencin. “Edhe pse ishte i tronditur, Gencit i thashë: ‘çfarë the ashtu në gjyq, pse e bëre këtë?’ Ai ishte i lotuar dhe nuk më ktheu asnjë përgjigje. Kërkoi nja dy a tri herë rojes t’i sillnin shefin e hetuesisë, Selim Cakën, por ai nuk u duk asnjëherë. Këto fjalë m’i tha me lot në sy.”
Shkëputur nga libri “Dosja formulare 1594” i Bedri Blloshmit

Pusho, mos fol! Poezi nga Azis Nesin Përktheu Saimir Kadiu

“Hesht njëri, hesht tjetri,
Hesht ata lart, hesht ata poshtë.
Hesht, gjithë pallati.
e gjithë rrugica, Hesht.
Hesht rrugët paralele dhe rrugët vertikale.
Gëlltitëm gjuhët.
Gojë kishim e s’kishim fjalë.
Themeluam shoqatën tonë të Hesht-jes
Dhe u mblodhëm të gjithë
Një popull i tërë, një forcë e madhe, por të gjithë memecë.
Arritëm shumë, gjer majat,
Na dhanë dekorata,
Çdo gjë e gjith’ më shumë.
Lehtësisht, vetëm me Hesht
Art i madh kjo Hesht-ja.”

Alarm Luftarak – Tregim nga Përparim Hysi

 

Sefer Bezati është mësues.Sapo mbaruan provimet e lirimit(është mësues në një shkollë 8-vjeçare) dhe do fillojë pushimet. Vendosi të shkojë në TIRANË,se ka një teze atje dhe,kur thonë,një rrugë e dy punë; ngaqë do shkojë në Tiranë,përfiton nga rasti që rrugës të ndalojë në fshatin N… ku banon shoku i tij,Petrit Seferi. Me Petritin,Seferi ka mbaruar të mesmen dhe ,ndërsa Seferi u emërua mësues,Petriti vazhdoi Shkollën e Bashkuar për oficer.Petriti doli me nota shumë të mira dhe doli me gradën toger,i specializuar për artileri kundra ajërore. Bateria kundraajërore qe vendosur në një fshat kodrinor dhe, për fat të mirë, tek ky fshat kishte dhe një stacion treni. Pra,për Seferin ndalesa për vizitë tek miku i tij,Petriti,qe paksa si shkurtim rruge. Seferi i hipi trenit në Rrogozhinë dhe ndaloli mu tek ndalesa e parë.Zbriti dhe u nis ngadalë drejt shtëpisë së mikut. Nuk kishte qenë më parë aty,por e dinte nga letërkëmbimi që miku i tij,banonte në një pallat. Dhe aty ku po shkonte tani veç një pallat kishte. Kështu që,me të mbrritur tek shkallët e pallatit,trokiti mu tek dera e parë. E hapi vet Petriti dhe,kur pa mikun e tij,Seferin,mend ia thirri me zë të lartë:-Po ku je,or mik,se kemi kaq vjet pa u parë? Ndërkaq,u afrua dhe Dilia,gruaja e Petritit dhe atmosfera u bë aq intime,sa t’ia thërrisje asaj këngës”Ne tani jemi tre”. Mbaruan përqafimet dhe pasi pyetën për familjarët,Petriti thirri:-Dilo(kështu i thërriste të shoqes),ja ky është ai ,Seferi që ti më thuaj si nuk e heq njëherë nga goja? Nuk e heq,se me Seferin kemi ngrënë nga një thes me kripë. Mirë,mirë,- e mbështeti e shoqja,-por ne kemi tri vjet këtu dhe herë e parë që e shoh.
Në vend të fliste Seferi,foli Petriti:-Seferi është si ujë i ndenjur. Mezalla s’e lëviz.Por ja tani erdhi. Erdhi,mirëse erdhi,po ka për t’i”paguar” ato trivjet që s’ka ardhur,- shtoi si me romuz DILIA. Mjedisi u bë gazmor dhe,ndërsa Petriti shkoi nga kuzhina për ndonjë porosi,DILIA e kish vënë një pulëshqirake në sobë. Kur gjitthçka qe gati,Dilia shtroi tavolinën. Tavolina qe plot dhe për pije një shishe verë. Pinin,ngrinin shëndete dhe një nga shëndetet që ngriti Seferi qe:-Me një djalë se boll janë trivjet si çift i lumtur. Ndërsa Petriti e flnderoi për urimin,Dilia uli kokën,skur të kish bërë turp. Seferi e vuri re,por nuk e bëri veten. Kur ishin duke i dhënë fund kësaj gostie kaq miqësore dhe qe gati ora 10 e natës,trokiti dera. U çua Petriti dhe,siç po dëgjonin dy të brendshmit,kish ardhur një ushtarak që qe nënoficer dhe i thotë Petritit:- Shoku toger,ka ardhur komandanti i brigadës dhe reparti ka kaluar në gadismëri nr.1,Alarm Luftarak.
Petriti,sdo që kish një mik në shtëpi,duhet të nisej si me vrap në repart.Dhe ashtu bëri. I kërkoi ndjesë mikut dhe Dilisë i la porosi:-Si të jem unë. U vesh dhe,thuaj,se fluturoi.
*
Dilia si zonjë shtëpie,iu drejtua mikut. E shoh sikur të ka zënë gërçi. Rri i qetë dhe,ndërsa iu afrua, i hodhi një vështrim epshndjellës. Dilia dhe,kur qe i shoqi, qe veshur me një fustan dekolte dhe,tek vinte rrotull,si për të shërbyer shpërndante erën e saj të mirë prej gruaje. Nuk kish bërë ndonjë tualet të veçantë, se ka ca femra (Dilia qe një nga ato) që tualeti i rëndë ua prish bukurinë. Sado mysafir,Seferi nuk e kish humbur nuhatjen dhe,për nusen e mikut,tha:-Vjen era mollë dhe pak erënuseje. Tek shihte trupin e shëndoshë të Dilisë,thoshte;-Trupi i saj,i shëndosh,si një tokë e papunuar. Këto i mendonte fshehurazi dhe po,fshehurazi,mendonte:-Po ky,Petriti që ka trivjet martuar,ç’bën me këtë”tokë të papunuar”? Shkundi kokën sikur donte të dëbonte ndonjë hamendësi tjetër dhe,për të treguar që u çlirua nga këto hamendësira të mbrapshta, i tha Dilicës. Ma bëj gati divanin se dua të fle.
Divanin,-shpotiti ajo. Ti nuk je mik për në divan,po drejt e tek krevati ynë. Jo,-kundërshtoi ai me politesë,por DILIA e bënte mirë të zonjën e shtëpisë. Seferi u zhvesh dhe e dinte mirë që nuk do mbyllte sy tërë natës.Kurrë nuk e zinte gjumi,kur ndërronte banesë. Megjithatë,fiku dritën dhe mbylli sytë me zor. Mbyllur pa mbyllur sy, u hap dera dhe,ndërsa Seferi mendonte se Dilia kërkonte diçka të harruar në dhomën e gjumit,por ajo qe dhe,jo vetëm nuk kish harruar gjë,por kërceu drejt e në krevat duke iu hedhur Seferit mu mbi kokë.
-Ç’bën?- sikur kundërshtoi ky,por DILIA s’qe e fjalëve.Ia mbylli gojën me puthje përvëluese të saj dhe pastaj në atë”lojën e vështirë” e të vjetër sa bota,bën dy-tri herë sex krejt të lirë. Në një nga ndalesat,sa për t’u mbushur me frymë, ajo nisi të tregoj…
*
Kemi plor tri vjet që jemi martuar,Miku yt,Petriti,sa i zoti si ushtarak dhe sa i mirë si njeri,por në detyrën e një burri
është krejt”jashtëluftimit”. Mundohet,por nuk qullos dot gjë. Unë e dua dhe kurrë nuk mendoj që të ndahem prej tij. Goxha djalë,po kur thoshte gjyshja ime e ndjerë:”Djalë,djalë,po xhëç i mungon ndër shalë!”. Seferi.kur dëgjoi ato që tha gjyshja,nuk e mbajti të qeshurit. Kurse Dilia e pushtoi Seferin me afshin e një gruaje të rriskuar nga një fat i keq dhe”beteja” e Alarmit Luftarak vazhdoi,sa zbardhi dita. Aty nga ore 9 e mëngjesit,ndërsa Seferi po bëhej gati të
zinte trenin e orës 10,mbrriti dhe Petriti.U përqafua me mikun dhe Dilia,ngaqë nuk ngopej qoftë dhe me të parë,i thotë Petritit. Mos e lërë të ikë as sot. I shtrova tek krevati ynë dhe e lashë enkas pa rregulluar.Është lodhur tërë natës dhe nuk ka mbyllur sy.Shikoje çarçafin mbledhur “shuk” sikur ka luftuar me”dushmënin”. Dhe Petriti që qe aq i mirë nuk e la mikun që të ikte. Seferi fjeti në kuzhinë,por sytë i mbetën hapur. E përcollën që të dy tek treni dhe DILIA i tha:-Të presim përsëri se dhe në ndodhtë që prapë do ketë Alarm luftarak,ti prapë se prapë je miku i PETRITIT dhe nga ai kam mësuar se si t’i trajtojë miqët në mungesë të tij.
Ti je,e mrekullueshme,-foli ai dhe PETRITi është me fat që ka një grua si ty. Fshehurazi ajo vuri dorën tek buza si shenjë mirënjohjeje.
*
Kaluan rreth tri muaj dhe në adresë të Seferit erdhi një letër. E dërgonte Petriti. E hapi dhe u çudit:e kish shkruar DILIA. Vura emrin e Petriti që mos ngjallë dyshime. Ta dish se sa mall kam për ty,por janë ca gjëra që njeriu nuk i bën dot. Nuk harroj kurrë atë kënaqësi që më dhe,por unë po të shkruaj për të dhënë një sihariq: jam shtatëzënë dhe vetëm unë e ti,e dimë të vërtetën. Petriti nuk mbahet nga gëzimi. Po dhe unë… dhe aq,aq nuk e mbaj dot mallin për ty, sa i thashë Petritit. Sa këmbëmbarë ai miku yt,Seferi,sikur na bekoi me atë”vizitën” e tij.Dhe Petriti:-Po ku ka si Seferi!!! Dëgjo,- i thashë,- në lindtë djalë,do ia vëmë emrin Sefer dhe,në lindtë çupë,Sefere.-Pse,- më pyeti ai,aq të ka hyrë në zemër?
Jo vetëm më ka hyrë,po,kur të lindë,do ta thërresim për gosti.
*
Kaluan 9 -muaj dhe lindi djalë. E ftuan Seferin. Sa erdhi Seferi,u përqafuan dhe DILIA e solli djalin paraduarësh dhe tha:-Seferi i vogël i nënës,shko tek Seferi i “madh”. U shtrua gostia si atje. Në një moment,kur ishin vetëm,Seferi e pyeti;-Nga e di ti që është imi?
Atë puçrën e vogël që ke prapa veshit e ta mbulojnë flokët e ka dhe Seferi i”vogël”. Dhe gostia u kthye si në një dasëm. Eh,sa të fshehta që ka jeta! A nuk luhet teatër në jetë?!!!

Tiranë,5 korrik 2025

U zgjova kёtё mёngjes me mendimin tёnd- Poezi nga ARTUR SPANJOLLI

 

U zgjova kёtё mёngjes me mendimin tёnd

si vazhdё e vagonave qё lokomotiva i tёrheq

mes jetёs dhe gjumit kur mendja ende disi e fjetur

hija jote qё mё ndjek besnike dhe e pamundur, s je

formё, as fytyrё, as zё, as tingull, as ngjyrё, s je

fjalё, as mike qё shfaqesh me njё mesazh, me njё telefonatё,

s je figurё me mish dhe me shpirt, s je as nostalgji,

e viteve qё shkuan, s dua t’ja di ç je, ndoshta

deshira e thellё e njeriut tё duhet nga dikush,

po, tani mё duan edhe fort fare, s jam mё djali i poshtёruar,

i injoruar, refuzimi tragjik i adoleshentit qё gjurmё i ka lёnё,

ndoshta mё ndjek fshehurazi nё rrjet,

ku i dihet? Rrugёt e Zotit janё tё pafunda

ndoshta mё ndjek fshehurazi dhe vё buzёt nё gaz. I shkreti

djalё thua, nuk e superoi kurrё traumёn. Po. Sot u

zgjova me mendimin tёnd çuditshёm, drejt

asgjёsё shkonte treni i dёshirave, e di rrugёn pёr tek ti,

por nuk kam kurajo tё vij. Kam frikё se t’i futesh njё ёndёrre

nё kёmbё ёshtё tё ecёsh si Dante nё ferr!

Nga zhgёnjimi do tё shkёrrmoqet krejt ёndёrra, ndaj

e ushqej kёshtu vetveten me hirin e zjarrit tё ndezur nё gji.

Ku i dihet, ndoshta jetojmё gjatё dhe kam fat, si

personazh i kohrave tё kolerёs, ku i dihet?! Pritja

ёshtё njё art, mё i stёrrlashtё se njeriu vetё! Ndoshta

ti shtrembёron turitё. S di se ç mendon, kur njё i largёt,

i panjohur, tё mendon kaq egёr, kaq, fort, kaq dёshpёrueshem,

se di ç mendon! Ndoshta eshte triumf thjeshtё fakti

qё ende kam zjarr nё gji, pёr diçka qё kurrё nuk shuhet

si flakё e njё kortometrazhi qё vazhdueshёm rrjedhshmёrinё

e tij nё ekran s’e ndal. Sot u zgjova me mendimin tёnd

ёshtё triumf qё ti diku egziston, dhe e njeh tё vёrtetёn e shpirtit tim,

prushin e sekretit tim, kaq me mjafton!!!

 

Natën e mirë me poezinë- Nga Mirjeta Vulaj

Natën e mirë me poezinë.
.
Ikin vitet, pa kuptuar
Shpejt, vika viti tjetër
Si na ikën nëpër duar
Si të grisin një cop letër,
Edhe koha shpejt vrapon
Dhe akrepat gjithashtu
Në kalendar majtë shënon
Në fund, koha s’na mjafton
Nuk na doli pa asgjë
Jeta shum na shijon
Sepse kemi veç atë.
.
Mirmbrema
Do shkruaj vargje të reja
Se mendimet me burojnë
Këtë herë me rreshta tjera
Një poezi plotësoj.
Sa kap lapsin dhe fletën
Fjalët lidhi si ujë varë
S’di si lidhin njëra tjetrën
E plotësojnë një ditar.
Kënaqësia e pa përshkruar
Kur një poezi mbaroj
Ku mendimet kam e shkruar
Në këtë faqe ti postoj.
.
Ashtu kam zemrën
Mund të vrasësh ti një shpirt,
Sa herë do dhe si të duash.
Por t’a dish,do vijë një ditë,
Çfar ke bërë do t’a paguash!
Të gjithë dinë të flasin shumë,
E mbas shpinë të godasin.
E sheh zoti ç’ka s’mund të bëj
Llogari le mos t’më japin.
Kush më vrau kësaj jete,
Dhe mbi varrin tim mos hedhi.
Vetëm kujt i dhemb kjo vdekje.
Të vijë ballin të më preki.
Kupë e dheut s’më rëndon
Veç të mira bëra në jet
Koha shkon e vërteton,
E di zoti qe na ka krijuar
Çfar të bëjmë ne jetë kemi për t’a paguar.!
.
Sytë
Ç’me duhen syte
kur nuk shihemi?
Ç’me duhen kembet
kur nuk takohemi?
Ç’me duhen krahet
kur nuk perqafohemi?
Ç’me duhet zemra kur
nuk dashurohemi ??
Zemra jote me ben te vuaj
syri yt me ben te shkruaj,
trupi yt me ben poet,
fjala jote zemren ma djeg
te dua për jet.
Kur te dashurohesh
ulu dhe mendo
thuaj vetvetes,
ruaju e mos gabo !!!
Fjala dashuri
shume leht shqiptoet
por dashuri te vertet
është vështirë të fitohet.
Mos kerko falje,
mos me thirr në emer,
mos me shiko në sy,
kur më vrave në zemër
Mos me thuj gabova mos e mashtro veten
Njerëzit gabojnë por jo si ti ter jetën.!
.
Pse
Pse jetojmë?
Kur çdo ditë njejtë veprojmë.
Pse jetojmë?
Kur gjërat gjithmonë ndryshojnë.
Pse na zë gjumi?
kur prapë kemi për tu zgjuar.
Pse kur humbim diqka?
mendojmë prapë per ta fituar.
Pse lind dielli?
kur prap do perëndon.
Pse gjëja e njejtë?
për çdo ditë vazhdon.
Pse njerëzit lindin?
kur një ditë kan për të vdekur.
Pse gjithmonë kjo botë?
askujt ska për ti mbetur.
As toka, as dheu, as varfëria,
nuk është më e rënd se pleqëria.
Gjithçka me kohë kalon
e kjo kohë gjithçka ndryshon.
Meqenëse koha ka kaluar
pleqëria t’ka deformuar.
Të gjitha vijnë pak nga pak
se kjo jetë kështu e pat..!
.
Një gotë lotë
Në rrugën e jetës t’ime.
Më ka ndjerë shpirti shumë i ftohtë
Ndër gjithë përpjekjet për një zgjidhje,
M’u desh të pi një gotë me lot.
Po sigurisht që i’a kam dalë
Kur lotin t’im s’e piva më.
Gjata një cep i ndeza zjarrë
Dënova sytë për atë.
E tashmë sa herë që ndjejë ftohtë
E gjejë një skutë e i ndez zjarrë
Diku e pi dhe ndonjë gotë,
Kur sytë me lodhën duke qarë.
.
Jeta jetohet
Çou moj nuse laj kot enët
Prit o vjehrr po bej koment
Çou moj çupë se do hamë bukë
Prit o bab jam në Facebook
Ngrihet vjehrra çalë e çalë
Dhe lan enët dal nga dalë
Ngrihet babi merr buk vetë
Nuk luan çupa për kiamet
Nuk luan njeri nga interneti
Se ka hedhur statusin në veti
Jemi bër shum puntor
Tër ditën e mbajmë në dorë
Ju lutem mos u keqkuptoni
Fjala është tek telefoni
Na ka bër ky internet
Katandisur për hibret
Dy tre fjalë du me j’au thënë
Na del plaka krejt pa dhëmb
Kërkon burrin torrovoj
A je i aftë të bësh gol.!

Cili ishte amaneti i fundit i Kadaresë? Bujar Hudhri: Progresi i popullit shqiptar dhe shqetësimi për atdheun…

30 vite në krah të Kadaresë! Bujar Hudhri në “Kjo javë”: Ja kë kishte vepër të preferuar! Si e takova për herë të parë më 1995

Botuesi Bujar Hudhri, i ftuar në emisionin “Kjo javë” në News 24 të moderatores Nisifa Tufa, rrëfeu kujtimet e tij personale dhe profesionale me shkrimtarin Ismail Kadare.

Ai tregoi se kishte 30 vite në krah të tij dhe e konsideron një fat të rrallë të ketë ndjekur nga afër krijimtarinë e mjeshtrit të letrave shqipe.

Hudhri zbuloi se Kadare ishte jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj kritikave dhe gjithmonë kërkonte përsosmëri në veprën e tij. Takimin e parë me të, në vitin 1995, e kujton si të sikletshëm për shkak të një keqkuptimi në orarin e takimit, por që më pas u shndërrua në një bashkëpunim të gjatë e të ngushtë.

Botuesi i shkrimtarit Ismail Kadare, Bujar Hudhri: Njeriu që ka qëndruar më pranë tij ka qenë bashkëshortja e tij, Helena Kadare. Shtëpia e shkrimtarit është shtëpia botuese, është shtëpia e dytë ose shtëpia e vërtetë. Jam munduar të jem pranë shkrimtarit të madh. Për mua ka qenë një fat i madh, teksa kam parë nga pranë sesi krijohet një vepër. Dhimbja e madhe tek të tjerët do të kalojë, tek të afërmit nuk do të kalojë. Kur lexoja një libër të Kadaresë në vendet që ai ka qëndruar në Tiranë, nuk mund ta vazhdoja, sepse ai më dilte në çdo rresht. Kam 30 vite në krah të Kadaresë. Ismail Kadarenë e kam takuar për herë të parë më 1995. Im vëlla ka qenë tek Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe në ato ambiente e kam takuar. Jam rritur gjithë jetën me adhurimin për Kadarenë. Çdo gjë e tij më duket e përkryer.

Takimi i parë s’ka qenë kaq i bukur. Takimi ishte lënë në orën 14:00 dhe në këtë orë zakonisht hahet dreka e mu duk orar i çuditshëm. Nuk shkova dhe im vëlla më tha pse nuk shkova në takim. Kaloi ora e nuk e takova dhe Kadare ishte një person që e kishte problem korrektesën. E kishte, sepse disiplina e tij ishte e hekurt. Kadare kishte marrë informacion se kush isha unë para takimit, patjetër. Kadare kishte heshtje, arrogancë, mister, vetminë. Ky njeri që të duket kaq shpërfillës, ka një zemër të ngrohtë, është shumë i dashur, shumë i ndershëm në marrëdhënien që ti krijon dhe shumë korrekt në gjithçka. Ai ishte shumë i ndjeshëm ndaj dashurisë njerëzore. Kadare, kur iu botua vepra e plotë, ai e ka parë nga ana gjuhësore dhe artistike, me qëllim për ta përsosur atë.

Ismail Kadare e ka riparë veprën, për të sjellë një diamant. Kadare ishte tepër i ndjeshëm nga vërejtjet e të tjerëve. Ismail Kadare e vlerësonte shumë lexuesin. Veprën e tij të preferuar kishte “Pallatin e Ëndrrave”. Një studiues ka thënë se Kadare e meritonte Nobelin vetëm pse ka shkruar këtë vepër. Është një libër që tronditi regjimin, për këtë libër iu bë Plenium më 1982, e mos të kishte qenë ambasada franceze, mund t’i kishte ndodhur diçka e keqe. Vepra u botua e cunguar në monizëm dhe e plotë është botuar pas vitit 1990. Kjo mungesë tregon se çfarë rezervash kishte regjimi për veprën e tij.

“Kadare e humbi interesin për Nobelin në vitet e fundit”/ Hudhri: Shkrimtari ynë i madh ka fituar çmime të rëndësishme profesionale. Shqipëria humbi shansin historik për të…

Botuesi Bujar Hudhri, i ftuar në emisionin “Kjo javë” në News 24, deklaroi se Ismail Kadare me kalimin e viteve humbi interesin për Çmimin Nobel.

Ai theksoi se Kadare ka fituar çmime prestigjioze ndërkombëtare si “Princesa e Asturias” dhe “Man Booker Prize”.

Sipas Hudhrit, ndikimi i politikës tek Nobel-i e bëri atë më pak të rëndësishëm për vetë shkrimtarin. Ai shtoi se humbja më e madhe ishte për Shqipërinë, që e humbi shansin ta ketë një Nobel përjetësisht.

Botuesi i shkrimtarit Ismail Kadare, Bujar Hudhri: Me kalimin e viteve, Kadare e humbi interesin për Nobelin, nuk interesohej, i bindur se ndoshta ai ishte çmim shumë i rëndësishëm, por edhe politik (edhe paraja e bën të rëndësishëm si çmim se janë gati 1 milionë dollarë e nuk janë pak). Por Kadare ka marrë çmime serioze si Nobel siç është Princi i Asturias, Men Bookers Prize, janë çmime profesionale, kurse tek Çmimi Nobel ndërhyn shumë politika.

Njerëzit, kur Kadare nuk e fitonte Nobelin, sikur ia linin fajin Ismail Kadaresë se përse nuk e merrte këtë çmim. Nuk kishte asnjë faj Kadare. Por, Shqipëria humbi shansin të merrte Nobelin përjetë.

“Gjeni dhe i papërsëritshëm”/ Bujar Hudhri tregon momentet e fundit të Kadaresë: Më përshëndeti dhe më falënderoi…

Botuesi dhe miku i ngushtë i shkrimtarit të madh Ismail Kadare, Bujar Hudhri, ka ndarë emocionet dhe kujtimet e tij të fundit me autorin e shquar.

Në një intervistë për emisionin Kjo javë në News 24, ai tregoi për përkeqësimin e shëndetit të Kadaresë në muajt e fundit, për përshëndetjen e fundit prekëse dhe për dhimbjen e humbjes së shkrimtarit të madh.

Hudhri e përshkroi Kadarenë si një njeri të jashtëzakonshëm, të ndershëm dhe të përkushtuar ndaj kombit dhe letërsisë.

Bujar Hudhri, botuesi i shkrimtarit Ismail Kadare: Në vitin e tij të fundit, ai u rëndua shumë ç’është e vërteta. Donte të shkonte 90 vjeç. Ai ra shumë fizikisht, nuk kishte interes. Nuk shfaqte interes dhe për biseda shumë. Kadare informohej se çfarë ndodhte në Shqipëri dhe e kishte të zgjuar kureshtjen. Ai donte të ishte i mirëinformuar. Letërsia e tij e madhe ishte një univers i tillë, që nuk mund ta shohësh të shkëputur nga ajo që ndodhte në vend. Kadare jetonte aktivisht jetën. Kur piva kafe për herë të fundit me të, e ndjeva se ishte dita e fundit e Kadaresë. E ndjeja se ishte shumë i lodhur, me disa njerëz dhe nuk fliste fare, kur të gjithë ikën e më tha mua “Do të ulem përsëri”. Më thoshte që më lër këtu. Im bir Davidi ishte shofer i mirë, e dërguam te makina dhe ishte shumë i lodhur.

Unë e lija te Sky Touer te hyrja, e priste aty një vajzë bionde, e bukur dhe ajo i sillte gjithmonë gëzim. Këtë herë, më tha do më çosh ti deri në shtëpi. E çova në shtëpi, u ul në kolltukun e tij, e dëgjova që më falënderoi, por nuk kam dashur që Kadare të më falënderojë. Unë duhet ta falënderoja atë, jo ai mua. Të gjithë ne duhet ta falënderonim atë. Në këtë kohë, Kadare foli diçka dhe unë nuk iu përgjigja e në këtë kohë, një grua që shërbente aty më tha “Bujar kthehu pak se shiko se çfarë po thotë zoti Kadare”. U ktheva dhe Kadare më pa e më tha “Bujar, shumë faleminderit” më falënderoi duke përshëndetur me duar dhe kjo është pamja e fundit. Kjo është shumë e dhimbshme. Lajmin që iku nga kjo botë e mora vesh në zyrën time, më telefonoi një njeri i afërt, që rrinte në shtëpinë e Kadaresë dhe më tha që shkrimtari nuk është mirë. U nisa me makinën time.

Shpesh i thosha që ti nuk je nga ky planet dhe gëzohej shumë. Ismail Kadare nuk ishte njeri fort shoqëror, vetë puna e bënte të mos kishte shumë miq, vetmia e tij nuk e bënte të kishte shumë miq. Ai thoshte se një shkrimtar është vetë një diktator, nuk pranon këshilla, nuk pranon ta mësosh dhe i bie që në krye të shtetit mos pyeste njeri, pra shkurt ai nuk ishte për atë punë. Ai ishte shumë korrekt dhe i ndershëm. Kadare bënte shumë shaka. Kadare ka pasur histori jete, por Helena Kadare ishte dashuria e jetës së tij. Kadare ishte i ndershëm, gjeni, i papërsëritshëm. Politika e ka shqetësuar deri në fund, ai interesohej për fatet e kombet.

“Kadare e nderonte shumë Alfred Moisiun”/ Hudhri: E ka futur në një poemë, i pëlqente rregulli në shtet

Botuesi Bujar Hudhri ka treguar në emisionin Kjo javë në News 24 se Ismail Kadare kishte një respekt të veçantë për ish-presidentin Alfred Moisiu.

Sipas Hudhrit, Kadare e ka përfshirë Moisiun edhe në poemën “Tiranë në dimër”, duke e veçuar për korrektësinë dhe pasionin për rregullin në shtet.

Shkrimtari gjenial, i njohur për disiplinën e tij, shprehte shpesh shqetësim për kaosin dhe mungesën e seriozitetit në politikën shqiptare.

Bujar Hudhri, botues i shkrimtarit Ismail Kadare: Kadare e nderonte shumë Alfred Moisiun. Madje e ka futur edhe në një poemë “Tiranë në dimër”. Ndoshta atë e veçonte krejtësisht. Ndoshta e pëlqente nga rregulli.

Kjo, sepse vetë Kadare, duke qenë shkrimtar gjenial me një disiplinë të hekurt, ndoshta shikon tek ai atë që shteti duhet të jetë korrekt, donte të ketë disiplinë në shtet. Te politika shqiptare ai shikonte edhe kakofoninë, interesat e ngushta, servilizmat ose interesat e çastit dhe ka qenë përherë i shqetësuar.

 

Në një rrëfim prekës në emisionin Kjo javë në News 24, botuesi Bujar Hudhri foli për amanetin e fundit të shkrimtarit të madh Ismail Kadare.

Sipas tij, Kadare kishte në zemër progresin e popullit shqiptar, dashurinë për gjuhën shqipe dhe një shqetësim të vazhdueshëm për fatet e kombit.

Këto ndjenja janë mishëruar në veprën “Mosmarrëveshja”, që Hudhri e cilëson si një udhërrëfyes për politikën e jashtme shqiptare. Ai tha se Kadare e deshi atdheun deri në fund dhe ia la si amanet brezave të ardhshëm.

Bujar Hudhri, botuesi i shkrimtarit Ismail Kadare: Amaneti i tij ishte progresi i popullit shqiptar, dashuria për gjuhën shqipe, shqetësimi i madh për kombin shqiptar, që e ka tek “Mosmarrëveshja”. Ky libër mund të ishte material për Ministrinë e Jashtme sesi duhet të mendohet për Shqipërinë përballë botës.


Send this to a friend