Një takim katërpalësh i rëndësishëm u zhvillua në Downing Street, ku presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua me kryeministrin britanik Keir Starmer, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz.
Liderët perëndimorë po përpiqen të përcaktojnë një qëndrim të përbashkët mbi planin e ri të paqes, i cili u diskutua javën e kaluar në Florida gjatë negociatave intensive mes zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë.
Qëllimi i takimit ishte forcimi i unitetit mes aleatëve në mbështetje të Kievit, në një kohë kur SHBA po shton presionin ndaj qeverisë ukrainase për të pranuar marrëveshjen e propozuar të paqes me Rusinë.
Keir Starmer e hapi takimin duke theksuar nevojën për një “marrëveshje të drejtë dhe të qëndrueshme paqeje” për Ukrainën, duke nënvizuar se vendimet që lidhen me Ukrainën duhet të merren nga vetë ukrainasit.
Zelensky, duke falënderuar Starmer për organizimin e takimit, e përshkroi momentin si “vendimtar” për të diskutuar të gjitha çështjet “e ndjeshme”, ndërsa theksoi rëndësinë e unitetit mes Evropës, Ukrainës dhe SHBA-ve. “Ka gjëra që nuk mund t’i menaxhojmë pa amerikanët… dhe as pa Evropën,” tha ai.
Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se “të gjithë mbështesim Ukrainën dhe paqen” dhe se Evropa ka “shumë mekanizma në dorë” për të ndikuar në rrjedhën e zhvillimeve, në një periudhë kur ekonomia ruse po përballet me presion të shtuar nga sanksionet. Ai nënvizoi nevojën që Evropa dhe SHBA të gjejnë një linjë të përbashkët për hapat e ardhshëm.
“Sfidë kryesore është arritja e një qëndrimi të përbashkët mes nesh Evropës, Ukrainës dhe SHBA-së për përfundimin e negociatave të paqes,” shtoi Macron.
Kancelari gjerman Friedrich Merz i quajti ditët e ardhshme “vendimtare për të gjithë ne” lidhur me çështjen e Ukrainës. Ai theksoi se “Gjermania qëndron fort në krah të Ukrainës”, duke shtuar se “fati i saj është fati i Evropës”. Megjithatë, ai pranoi se ka “skepticizëm” për disa detaje të dokumenteve të ardhura nga pala amerikane, të cilat kërkon t’i diskutojë me liderët e tjerë. gsh