VOAL

VOAL

Tageszeitung: Investimet evropiane në Ballkan, parandalojnë emigrimin ilegal

August 28, 2015

Komentet

Fjala e kryeministrit Albin Kurti në konferencën e përbashkët për media me Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos

 

 

Prishtinë, 15 maj 2026

 

 

Të nderuar gazetarë
Të dashur qytetarë,

 

Komisionere Kos, mirë se erdhët në Prishtinë, në vizitën tuaj të parë në Kosovë që nga marrja e mandatit. Me Komisioneren Kos patëm një takim produktiv dhe të drejtpërdrejtë dhe më lejoni që të ndaj me ju temat dhe mesazhet kryesore.

 

Me Komisioneren Kos kemi ndarë progresin që ka bërë Kosova në vitet e fundit në avancimin e demokracisë dhe të rritjes ekonomike, si dhe në kapitujt e anëtarësimit.

 

Në gjashtë vitet e fundit kemi avancuar 28 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, ndërkohë që këtë vit avancuam 15 pozita në Indeksin e Lirisë së mediave. Jemi të tretët në mesin e 15 shteteve të Evropës Juglindore dhe të dytët në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për avancim në sundimin e ligjit. Ekonomia jonë ka shënuar rritje vazhdimisht dhe është stabile në progres, me ngritje prej 4% të bruto produktit vendor.

 

Ndajmë vlera të përbashkëta me Bashkimin Evropian dhe jemi plotësisht të rreshtuar me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së. E kemi dënuar agresionin rus në Ukrainë në termat më të ashpër; kemi ofruar mbështetje ushtarake dhe humanitare për Ukrainën, kemi ofruar strehim për gazetarët ukrainas dhe i jemi bashkuar të gjitha sanksioneve kundër Federatës Ruse.

 

Kemi ratifikuar marrëveshjet e Planit të Rritjes, e miratuam edhe vendimin për sistemin e zbatimit dhe më 16 prill filluam të marrim para-financimin në vlerë prej 61.8 milionë euro. Gjashtë hapa të reformave janë konfirmuar nga Komisioni Evropian dhe presim hapa të mëtejshëm deri në afatin e qershorit.

 

Megjithëkëto, mungesa e Kuvendit funksional gjatë vitit që shkoi, por edhe tani, ka bërë që disa reforma të vonohen e tashmë po rrezikohen edhe për afatin e qershorit. Jemi duke punuar maksimalisht për të minimizuar ndikimin në reforma që po shkakton bllokada në Kuvend.

 

Në vitet e fundit, Kosova ka avancuar në përgatitje në shumë kapituj. Kemi shënuar progres në nivel të moderuar të përgatitjes në 5 kapituj dhe në nivel të caktuar të përgatitjes në 8 kapituj të tjerë. Po ashtu, nga progresi i kufizuar në progres të theksuar kemi kaluar në 18 kapituj dhe nga progresi i theksuar në progres të mirë në 5 kapituj të tjerë. Pra, kemi përparim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm.

 

Kemi kuadrin kushtetues më të avancuar për të drejtat e pakicave në rajon. Raporti i Këshillit të Evropës, për vlerësimin e aplikimit tonë për anëtarësim, thekson se kuadri ligjor i Kosovës, në rastin e Kushtetutës, shkon edhe përtej standardeve ndërkombëtare.

 

Kemi marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, gëzojmë liberalizimin e vizave që nga 1 janari 2024, jemi pjesë e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si dhe jemi pjesë e instrumenteve të para-anëtarësimit të Bashkimit Evropian, për çfarë e falënderova Komisioneren Kos.

 

Me Komisioneren Marta Kos, kemi ngritur edhe çështjen e statusit kandidat dhe të hapjes së negociatave. Janë bërë mbi 40 muaj që kur kemi aplikuar dhe momenti i ripërtrirë i zgjerimit nga ana e Bashkimit Evropian duhet të rezultojë me avancimin e merituar të Kosovës.

 

Mbështetja publike për Bashkimin Evropian, për anëtarësimin në BE qëndron vazhdimisht rreth 90%, në vendin tonë dhe është ndër më të lartat nga të gjitha vendet kandidate.

 

Jemi të vetëdijshëm për sfidat që ekzistojnë por kërkohet unitet në angazhim. Gjetja e unitetit brenda Bashkimit Evropian për të marrë vendime karshi Kosovës është detyrë e përbashkët. Sigurisht që ne po punojmë me shtetet anëtare por kërkohet që edhe Institucionet e Bashkimit Evropian të shtyjnë këtë unitet përpara. Zgjerimi është mjeti më i suksesshëm i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Vakumi që len Bashkimi Evropian po synohet që të mbushet nga akterë të tjerë dashakëqij të cilët i minojnë vlerat e Bashkimit Evropian dhe rrezikojnë sigurinë tonë të përbashkët, prandaj është përgjegjësia e të gjithë neve që Kosova të avancojë në procesin e integrimit.

 

Biseduam edhe për bashkëpunimin rajonal. Çelësi kryesor për bashkëpunim të suksesshëm rajonal është fqinjësia e mirë evropiane. Kosova ka përjetuar dy sulme terroriste në tri vitet e fundit, në Banjskë, më 24 shtator 2023, dhe në kanalin Iber-Lepenc, në infrastrukturë kritike më 29 nëntor 2024. Që të dyja këto të dirigjuara e financuara nga fqinji ynë verior.

 

Llogaridhënia për këto sulme është thelbësore, pasi pa llogaridhënie rreziku ndaj sigurisë sonë mbetet i lartë. E kemi një fqinjë agresor e agresiv që të sulmon në vend që të bashkëpunojë. Kjo është sfidë sa për sigurinë po aq edhe për bashkëpunimin rajonal.

 

Megjithatë ne jemi pro-aktiv dhe kemi kontribuar në integrimin ekonomik të rajonit. Në CEFTA, në përfaqësimin tonë direkt për herë të parë, e kryesuam me sukses ndërkohë që edhe kaluam të gjitha protokollet e mbetura në Kuvend. Kemi pesë marrëveshje që kemi nënshkruar në Proces të Berlinit i cili tashmë është i lidhur ngushtë me Tregun e Përbashkët Rajonal. Ato marrëveshje duhen zbatuar. Bosnja dhe Hercegovina, siç e dini, ende nuk ka hequr vizat për Kosovën, ndërkohë që Serbia po mban të bllokuar marrëveshjen për njohjen e diplomave e cila është në përputhje të plotë me standardet dhe me direktivat e Bashkimit Evropian.

 

Pak ditë më parë festuam 9 Majin – Ditën e Evropës. Bashkimi Evropian është projekt i paqes edhe i prosperitetit, është më i madhi e më i suksesshmi projekt i këtillë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Dhe, Kosova ka përfituar nga Bashkimi Evropian, për çfarë ne jemi thellësisht mirënjohës.

 

Ne jemi gjithashtu falënderues për mbështetjen e Bashkimit Evropian, të cilin e kemi partneri strategjik dhe njëherësh donatorin më të madh. Që nga viti 1999, kur u çliruam Bashkimi Evropian ka investuar në Kosovë mbi 3.7 miliardë euro.

 

Kemi bërë progres në shtylla themelore dhe kjo jemi të bindur që meriton të njihet nga Bashkimi Evropian në kontekst të zgjerimit. Nuk po kërkojmë as rrugë të shkurtra as derë të pasme, vetëm proces meritor.

 

Ju faleminderit!

(Zyra e Kryeministrit)

 

UGSHPD: SHQIPËRIA- ÇORODITJE E ORGANIZUAR

 
 
 
I parë në vështrimin se sa e organizuar është çoroditja që sjell propaganda së partisë shtet dita e 14 Majit, 2026 hyri në rekordet më të mëdha të dëmit që media mund t’i sjellë njohjes mbi faktet dhe problemet që po përjeton Shqipëria në përgjithësi dhe vetëdija e qytetarëve (shtetasve shqiptar), për të vërtetën në veçanti. Duke i ndjekur jo thjeshtë titujt e lajmeve, por duke vëzhguar dinamikën e tyre ajo që u provua prej propagandës zyrtare të qeverisë shqiptare thuajse gjatë gjithë ditës ishin disa ngurtësime fotografish ilustruese në ballinën e ATSH-s.
Nuk sjell ndonjë të re për to vëzhgimi jo vetëm kur orët kalojnë, por as edhe për orët zonale botërore ku shqiptarët emigrantë jetojnë dhe punojnë të marrin mirinformim. 
Media e qeverisë si për ironi të fatit që ndodhet në javën e ekspozitës dokumentare “Një Rrugëtim në Historinë e Lajmit”, tregon vërtetë se ATSH-ja dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave pikërisht në “Ditën e Evropës” shtuar këtu edhe Autoritetin e Mediave Audiovizive ishin kujdesur për ta marrë kalanë (Kalanë e Tiranës), vendi ku ekspozimet kanë preferuar ndër të tjera periudhën 1945-1990. Kjo përshtypje e parë për t’u kuptuar nga gjeneratat e shekullit të ri konceptohet ndryshe. Të përshkruara nga një njohës më i vjetër i historisë pa u futur në profesionin e gazetarëve që kanë menduar se punuan të lirë dhe me përgjegjësi edhe pasi diktatura komuniste u shemb mund të përshtatej më mirë me fjalët “Nga Mbyllja Në Mbyllje”, pikërisht për këtë kufizim kohor ideologjik 45 vjeçar nga ku kjo ekspozitë dhe kuratorët e saj  kanë koqitur vitet nga 1945-1990.
Po sot me  14 Maj çfarë kishte ballina?
Në fund të ditës kryelajmin e hyrjes në Evropë e dha fusha e muzikës. Ishte këngëtari Alis me këngën “Nan” që e kualifikoi Shqipërinë në finalen e Eurovizionit 2026.
Ishte një lajm i gëzuar për t’u përshëndetur dhe i urojmë fitore dhe sukses në renditje.
Por çfarë ndodhi gjatë gjithë ditës?
Lajmet nga fronti i luftës, apo takimi i dy presidentëve Trump dhe Xi të SHBA-së dhe Kinës ishin të periferisë së lajmit ndërkombëtar sepse më në krye ishte për nga rëndësia një postim në rrjetet sociale i kryeministri Rama i cili ndodhej në Aachen të Gjermanisë ku sipas ATSH-s ai ishte:-“… si pjesë e grupit të miqve të nderit të ceremonisë prestigjioze të Charlemagne Prize (Çmimi i Karlit të Madh).” Në foton e përzgjedhur me rastin e dekorimit të ish kryeministrit të Republikës së Italisë Mario Draghi, është Rama që pozon me gishtin tregues dhe në krah Ursula von der Leyen

Presidente i Komisionit Evropian.

Ndërsa në Tiranë Kuvendi i Shqipërisë ishte i mbledhur në një seancë plenare për rreth 12 orë që prej orës 10:00 të mëngjesit mes 11 pikave të rendit të ditës mbajti diskutimet dhe votimin për miratimin e rezolutës “Për procesin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.
A mund ta çojë dot njeri në mendje… një njeri “jo do si do”, por nga ata që jetojnë vetëm me lajme dhe propagandë se Rama, si kryeministër që e ka udhëhequr shtetin dhe mezi pret ta vërë Flamurin Shqiptar “në oborrin e BE-së-Bruksel”, do t’a humbiste një shans të tillë në Tiranë?
Përse e zhvleftësoi kryeministri xhanëm këtë rast?!
Përse nuk veproi kryeministri sikurse në një të Enjte të ngjashme si kjo e Majit me seancën plenare të 22 Janarit u kërkua votimi për projektligjin për aderimin e Shqipërisë në “Bordin e Paqes”?!
Shumë njerëz e mbajnë mend zhurmën në Kuvendin e Shqipërisë dhe sidomos në media dhe televizione kombëtare, për ditë me rradhë. Madje mungesa e takimeve të rëndësishme të Ramës në Forumin e 56 Global Ekonomik të Davos-it për shkak të izolimit ndërkombëtar në po ato ditë u mbulua me një çorientim mediatik të mirë organizuar.
Anëtarët e Parlamentit gjatë 14 Majit, vendosën një rekord pune dhe qetësie të përkohshme me miratimin e rezolutës “Për procesin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian” me 114 vota pro dhe 1 abstenim. Por çështje të rëndësishme si interpelancat me disa ministra dhe kryeministrin (kjo e fundit e pa zhvilluar), rrodhi në rutinën e njohur të forcës së kartonit nga ana e mazhorancës ku shpesh herë për çështjet e krimit dhe korrupsionit, vështirësinë ekonomike të popullsisë, shpopullimin, veprimin e ligjit, dy standardet e drejtësisë, çensurën dhe lirinë e medias, etj mbeten të pazgjidhura demokratisht dhe vijohet me imponimin politik që nuk reflekton kulturë dhe vlera për kah drejtimit evropian që Shqipëria dhe mbi 90% e shqiptarëve duan ta shpien.
Në një rast si ky, vëzhgimi veç ATSH-s që fragmentonte lajme dhe pjesë të rëndësisë partiake të zhvillimeve në kuvend, në dhjetra tituj gjatë ditës dhe për shkak të transparencës disa detaje se si informacioni përcillet në publik nga mediat bëhet i një rëndësie të veçantë kur flitet për Kuvendin e Shqipërisë, mediat e shkruara dhe Radio-Televizionet kombëtare.
Kuvendi në YouTube (stream-online) në rreth 12 orë seancë plenare po këqyrej nga 5-6-7 deri në 9 mijë shikues. Të pajtuar, ndjekës apo ‘subscribers” në të gjatë 10 viteve që ky shërbim ofrohet një numër prej diçka më shumë se 700 personash i ndjekin ose janë të interesuara për punimet e Kuvendit, në një kohë kur çdo anëtar i tij ka një llogari dhe i shfrytëzon për mrekulli rrjetet sociale, padyshim me një numër disa mijëshe përkrahësish.
Por do të lindte pyetja se ku po duam të dalim ose ku na shpie kjo analizë dhe vëzhgim i ditës mbi mediat?
Thelbi është i njëjti.
Jemi po aty tek çoroditja e organizuar!
Një Televizion Kombëtar (TCh), në formatin prime të pararegjistruar, njërën gjysmë të programit ja kishte kushtuar pyetjeve mbi ish-drejtoreshën e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj rreth kushteve e shkaqeve të arrestimit nga SPAK ku zyrtarisht akuzohet Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’, (e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal), ‘Grup i strukturuar kriminal’, ‘Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal’ dhe ‘Pastrim parash’.
 
Në qoftë se ende Kuvendi i Shqipërisë vijonte punimet dhe mazhoranca e kishte rrëzuar me forcën e kartonave një interpelancë të kryeministrit Rama të thirrur nga  PD (Gazment Bardhi), për AKSHI-n, mediat e shkruara dhe televizionet që bëhen të pranishme në situata ligjore shumë të nxehta shpesh të bëjnë të dyshosh se këto zhvillime janë sa të papritura, por kanë kthesat që merren si pa u kuptuar në përballjen e vendimeve të fajësisë apo pafajësisë mbi subjektet/individë të veçantë apo grupet e individëve me drejtësinë.
Vetëm gjatë javës së fundit kemi tre raste interesante me drejtësinë.
Në të parën, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka kërkuar pavlefshmërinë e emërimit të prokurorit Olsi Dado dhe transmetimin live të seancës për publikun.
Në një rast i dytë, është kthimi për vazhdimin e muajve të mbetur të dënimit të ish Ministrit të Mjedisit Lefter Koka për çështjen e inceneratorëve.
Dhe i treti, mbetet ky i ish drejtoreshës së AKSHI-t Mirlinda Karçanaj në një orë të zgjedhur të mbrëmjes që ndoshta e bëri audiencën të humbasë interesimin nga Kuvendi dhe ndoshta edhe sallën me më pak pjesëmarrës se orët e mëngjezit.
Për rastin e tretë media zyrtare ATSH ende nuk është shprehur.
 
Arrestimet dhe masat shtrënguese nga SPAK deri në dhënien e vendimit të formës së prerë nga Gjykata për dy nga subjektet e mësipërme Veliaj dhe Karçanaj rezervon atë që:-Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë”, por rikthimi i ish ministrit Koka tregon se ky prag pafajësie tashmë është djegur për shkak të çështjes së inceneratorëve.
Pyetja që mund të shtrohet deri sa kryeministri të kthehet nga udhëtimi ose në boshllëkun e çoroditjes së organizuar mbetet:-“A dihet se kush do të arrestohet?”
Për SPAK të tjerë subjekte që lidhin qeverisjen dhe politikën me korrupsionin, favorizimin e dhënies së tenderave, pastrimin e parave e deri tek format e grupeve të strukturuara kriminale mbeten në kërkim, çka do të thotë se “çoroditja e organizuar” deri në këtë përmasë ku një ish ministër kërkohet për të vazhduar burgun, disa artistë dhe simpatizantë të Veliajt shfaqen në një seancë gjyqësore si mbështetës, ndërsa në një program televiziv që vendos standardin “fton dhe nuk shkon” tek subjekti Karçanaj duke ruajtur formatin e programit brenda në studio. Në ndjesinë e parë janë situata të sforcuara, inskenime ose regjistrimi paraprake që i humbasin vlerat e shërbimit të ndërsjellët për të vërtetën.  Këto janë situata me porosi për të cilat gazetarë dhe profesionistë të televizionit teknikisht kanë shumë për të thënë në shërbim të publikut. Ndoshta edhe mësime që mund të nxirren për të kuptuar, njohur se çfarë gjëje të bukur sjell liria e shprehjes në shërbim të së  dhe sa të ndjekshëm pa propagandë mund të jenë mediat në tërësi në dobi të pavarësisë së tyre që do të quheshin vetëdije e gazetarëve.
Megjithatë këto janë zgjedhje të cilat tregojnë një udhëkryq të ri ku shoqëria shqiptare, politika, mediat dhe burimet financiare kanë mbërritur.
14 Maj, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Kos bën thirrje për institucione të qëndrueshme, në mënyrë që Kosova të ecë përpara drejt BE-së

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, në Prishtinë, 15 maj.

 

Radio Evropa e Lirë

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, i ka bërë thirrje spektrit politikë në Kosovë gjatë një vizite në Prishtinë të gjejë gjuhë të përbashkët për t’i dhënë fund ngërçit të gjatë institucional dhe të formojë institucione të qëndrueshme, në mënyrë që vendi të ecë përpara drejt bllokut evropian.

Kos – në vizitën e saj të parë në Kosovë pas marrjes së detyrës më 2024 – u prit të premten nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, para se të takohej me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, takohet me ushtruesen e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, takohet me ushtruesen e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Duke folur në një konferencë për media përkrah Kurtit, Kos tha se “nuk ka siguri në Evropë pa Kosovën”.

Por, ajo tha se Kosova – e cila ende nuk e ka statusit e vendit kandidat për t’u anëtarësuar në bllok, duhet të ketë sa më parë institucione të qëndrueshme dhe funksionale.

“Thirrja ime e qartë në këtë vizitë është për të gjithë aktorët politikë për ta gjetur një mënyrë për ta kthyer stabilitetin institucional”, tha Kos.

Vizita e saj po zhvillohet në një kohë kur vendi ka institucione në detyrë pasi është në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të caktuara për 7 qershor.

Këto janë zgjedhjet e treta të njëpasnjëshme pas atyre në shkurt dhe dhjetor 2025, të cilat kanë gadalësuar reformat kyç dhe kanë krijuar kosto të vazhdueshme financiare për buxhetin e shtetit.

Kos tha se shumë reforma kanë ngecur për shkak të përsëritjes së zgjedhjeve dhe Kosova duhet ta zërë hapin pas një vitit të humbur më 2025.

“Është e rëndësishme që pasi të bëhet Kuvendi i ri, liderët politikë në Kosovë të bashkohen dhe t’i themelojnë të gjitha institucionet, përfshirë zgjedhjen e presidentit të ri përmes kompromisit dhe t’i japin fund këtij ngërçi të gjatë institucional”, tha ajo.

“Kosova ka një perspektivë të madhe evropiane. Dhe për mua personalisht, unë jam e etur për ta rritur intensitetin e punës me Kosovën pasi të jenë formuar institucionet e reja”, theksoi Kos.

Kurti, në anën tjetër, tha se “patëm një takim produktiv dhe të drejtpërdrejtë”.

Ai tha se në takim me Kosin e ngriti çështjen e statusit të vendit kandidat për Kosovën dhe të hapjes së negociatave me bllokun.

“Janë bërë mbi 40 muaj që kur kemi aplikuar dhe momenti i ripërtërirë i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të reflektojë me avancimin e merituar të Kosovës. Mbështetja publike për Bashkimin Evropian për anëtarësim në BE qëndron vazhdimisht rreth 90% në vendin tonë dhe është ndër më të lartat nga të gjitha vendet kandidate”, tha Kurti.

Kurti theksoi se vendi po punon me shtetet anëtare, por kërkoi nga BE-ja ta shtyjë përpara unitetin brenda bllokut për çështjen e Kosovës.

“Zgjerimi është mjeti më i suksesshëm i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Vakumi që lë Bashkimi Evropian po synohet që të mbushet nga akterë të tjerë dashakeq, të cilët i minojnë vlerat e Bashkimit Evropian dhe rrezikojnë sigurinë tonë të përbashkët, prandaj është përgjegjësi e të gjithë neve që Kosova të avancojë në procesin e integrimit”, tha ai.

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, pritet nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë, 15 maj.

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, pritet nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë, 15 maj.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqyrtuar ende, dhe si rrjedhojë ajo është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.

Ndër pengesat kryesore për përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së është edhe mosnjohja e pavarësisë së saj nga katër vendet anëtare, Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.

Ndërkohë, kjo ishte vizita e parë e Kosit në Kosovë qëkurse ajo e mori detyrën në Komisionin Evropian, më 1 dhjetor 2024.

Që prej marrjes së mandatit, ajo ka vizituar të gjitha shtetet e tjera të përfshira në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, si në Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe në Partneritetin Lindor, disa prej tyre edhe më shumë se një herë.

Gjatë vitit 2025, mungesa e vizitës së saj në Kosovë është arsyetuar nga zyrtarët evropianë me mungesën e institucioneve funksionale në vend, për shkak të krizës politike që e ka shoqëruar Kosovën gjatë muajve të fundit.

Një vizitë e Kosit në Prishtinë ishte planifikuar për 12 mars, por ajo u anulua pasi ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 6 mars vendosi shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Megjithatë, javën e kaluar burime në Bruksel i thanë Radios Evropa e Lirë se tani vlerësohet se vizita duhet të zhvillohet pavarësisht gjendjes politike, pasi nuk pritet që ajo të ndryshojë thellësisht në një periudhë të shkurtër.

Shqipëria në finalen e Eurovision, Alis Kallaçi shkëlqen në Vjenë me këngën ‘Nan’

Shqipëria do të jetë pjesë e finales së Eurovision. Alis me këngën “Nan”, si i 13-ti në radhë për të performuar, arriti ta çojë vendin tonë në finale.

 

Këngëtari nga Shkodra dhuroi një performancë spektakolare, duke elektrizuar skenën e madhe të Vjenës. Performancën e bëri akoma më interesante edhe prania e aktores Rajmonda Bulku në skenë. Në atmosferën elektrizuese të gjysmëfinales së dytë të “Eurosong 2026”, publiku europian përjetoi një moment krenarie shqiptare, teksa në skenën madhështore u ngjit artisti Alis, duke sjellë një performancë plot emocion, energji dhe identitet artistik. Gjysmëfinalja e dytë e “Eurovision Song Contest 2026” nisi me një performancë të jashtëzakonshme, që ngjiti në skenë këngën fituese të vitit të kaluar, “Wasted Love” nga JJ.

Ndërsa, kënga “Nan”, e vlerësuar edhe nga mediet ndërkombëtare si një nga performancat më të forta, më emocionale, mori vëmendjen e të pranishmëve në këtë skenë evropiane të muzikës. Alis u duartrokit për performancën drithëruese, ndërsa në sfond të skenës shfaqej imazhi i artistes Rajmonda Bulku, një gjetje kjo e skenografisë që lidhet me portretin e nënës shqiptare dhe mesazhin thelbësor të kësaj kënge. Hiti i Alis erdhi mes flamurit kuqezi dhe atmosferës elektrizuese të “Wiener Stadthalle”, gjatë gjysmëfinales së dytë të “Eurovizion 2026”.

Për Shqipërinë, pjesëmarrja në Eurosong mbetet jo vetëm një garë muzikore, por edhe një mundësi për të prezantuar kulturën, talentin dhe frymën artistike shqiptare në arenën ndërkombëtare. Më herët gjatë ditës së djeshme Kryeministri, Edi Rama, bëri thirrje publike për mbështetjen e përfaqësuesit shqiptar në “Eurovision Song Contest 2026”. Kënga “Nan” sjell një mesazh emocional dhe të fuqishëm mbi figurën e nënës në familjen shqiptare, duke ndërthurur motive moderne me elemente autentike shqiptare. Mbrëmja e djeshme përcolli emocione nga shqiptarët që panë performancën e artistit shqiptar në një prej skenave prestigjioze të muzikës.

Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) ka vendosur masa më të forta për votimin, pas kritikave dhe akuzave për manipulime në edicionet e kaluara. Numri maksimal i votave për çdo person është reduktuar në 10. gsh

SHBA-ja drejt furnizimit të Kosovës me armatim me vlerë prej 14 milionë dollarësh, merr vesh Radio Evropa e Lirë

Një ushtar amerikan duke biseduar me një pjesëtar të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas një stërvitjeje më 2021.

Alex Raufoglu

Departamenti amerikan i Shtetit e ka njoftuar Kongresin amerikan për një leje të propozuar për eksportimin e artikujve të mbrojtjes, të dhënave teknike dhe shërbimeve të mbrojtjes drejt Kosovës, në vlerë prej 14 milionë dollarësh apo më shumë, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë disa burime brenda Kongresit.

Njoftimi është dërguar nga Byroja për Çështje Legjislative e Departamentit amerikan të Shtetit, në përputhje me nenin 36(c) të Ligjit për Kontrollin e Eksportit të Armëve.

I njëjti i është përcjellë Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit.

Neni 36(c) kërkon që administrata amerikane ta njoftojë Kongresin për disa shitje apo leje të propozuara të artikujve dhe shërbimeve të mbrojtjes për shtete të huaja.

Në dokumentin e Kongresit nuk jepen hollësi publike për llojin e pajisjeve apo shërbimeve që përfshihen në këtë leje.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës për më shumë hollësi, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga zyrtarët e saj.

Njoftimi për furnizimin e Kosovës me armatim të ri amerikan vjen në kohën kur kongresistë amerikanë po bëjnë thirrje që Uashingtoni ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

Kosova nuk ka bërë ende kërkesë formale për t’u anëtarësuar në NATO, pasi përballet me pengesa të mëdha, siç është mungesa e njohjes së saj nga katër vendet anëtare: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Kosova edhe në të kaluarën ka blerë pajisje ushtarake nga Uashingtoni.

Në shkurtin e vitit 2025, Kosova pranoi dronë të blerë nga SHBA-ja. Muaj më vonë, Kosova u furnizua me autoblinda të blera në SHBA.

Në vitin 2024, Kosova bëri kërkesë për blerjen e 200 raketave kundërtanke “Javelin”.

Asokohe, Departamenti amerikan i Shtetit kishte konfirmuar për REL-in se vlera e raketave që Kosova kërkonte t’i blinte ishte rreth 75 milionë dollarë.

Më 2018, nga SHBA-ja, në Kosovë kishin ardhur automjete ushtarake, të tipit Humvee. Për furnizimin me 51 automjete të këtij tipi, Qeveria e Kosovës në vitin 2018 kishte nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane, AM General.

Dy vjet më vonë, Kosova bleu edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërkaq më 2021, Qeveria amerikane i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) aktualisht është në proces të shndërrimit në ushtri. Procesi i transformimit të FSK-së në forca të armatosura nisi më 2018, pas miratimit të ndryshimeve ligjore. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet.

Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur nga fillimi transformimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), e cila insiston që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile.

Aktualisht, FSK-ja po përgatitet të bashkohet me Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, e cila është pjesë e planit për paqe në këtë rajon, të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Një ekip i FSK-së mbërriti muajin e kaluar në Rripin e Gazës për të bërë një vlerësim të vendit ku pritet të veprojnë trupat kosovare si pjesë e një force ndërkombëtare në territorin palestinez.

Përbërja e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese nuk është përcaktuar ende plotësisht, por, sipas Rezolutës 2803 të OKB-së, ajo pritet të veprojë në koordinim me Izraelin dhe Egjiptin, si dhe me një forcë policore palestineze të trajnuar rishtas.

Nuk është ende e qartë se kur do të dislokohen kontingjentet e para, por, sipas disa raportimeve, kjo mund të ndodhë në muajin maj.

Në SHBA riafirmohet mbështetja për Kosovën në NATO – dështon kushtëzimi i Greqisë për mosnjohje

Radio Evropa e Lirë

Një propozim i kongresistit republikan amerikan, Keith Self, që Shtetet e Bashkuara të ushtrojnë presion ndaj Greqisë për ta rishqyrtuar qëndrimin ndaj Kosovës dhe për të mos i penguar për anëtarësim në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), nuk arriti të merrte mbështetjen e kolegëve të tij në një mbledhje të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit.

Më 13 maj, Self propozoi ndërprerjen e 1.8 milion dollarëve të paraparë për trajnime ushtarake ndërkombëtare për Greqinë, për shkak të refuzimit të Athinës për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

Propozimi, në formën e një amendamenti ndaj një projektligji për mbështetje për Greqinë, u kundërshtua nga kongresistët demokratë, Gregory Meeks dhe Dina Titus, si dhe nga kryesuesi republikan i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Brian Mast.

Meeks tha se projektligji synon riautorizimin e një programi me mbështetje dypartiake për Greqinë, ndërsa Titus tha se çështja e Kosovës duhet të trajtohet veçmas, dhe jo të lidhet me programin e trajnimeve ushtarake për Athinën. Mast, po ashtu, rekomandoi votë kundër amendamentit të Selfit.

Sipas njoftimit të Komitetit, projektligji për autorizimin e ndihmës për edukim dhe trajnime ushtarake ndërkombëtare për Greqinë – H.R. 8019 – mori aprovimin e tij më 13 maj.

Self argumentoi se mosnjohja e Kosovës nga Athina po e pengon stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.

“Derisa ekzistojnë përpjekje të fuqishme të përbashkëta ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Greqisë, ajo mbetet në listën e shkurtër të katër aleatëve të NATO-s që refuzojnë ta njohin sovranitetin e Kosovës”, tha Self.

“Këta partnerë të NATO-s i bashkohen Kinës, Rusisë dhe Serbisë në refuzimin për ta njohur pavarësinë e Kosovës — një partnere e ngushtë që kundërshtarët tanë refuzojnë ta njohin, sepse e dinë se Kosova është shtyllë kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, shtoi Self.

Spanja, Rumania dhe Sllovakia janë tri shtetet e tjera anëtare të NATO-s që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Për shkak se anëtarësimi në NATO kërkon pajtimin unanim të të gjitha vendeve anëtare, mosnjohja nga këto shtete mbetet pengesë kryesore për Kosovën.

Self paralajmëroi se rajoni i Ballkanit Perëndimor përballet me paqëndrueshmëri dhe se ndikimi rus në rajon “është i njohur dhe po rritet”.

Self tha se administrata Trump ka vendosur standardin që paratë e taksapaguesve amerikanë duhet të përdoren në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara dhe se kjo është një çështje themelore sot.

Sipas tij, Kosova ka dëshmuar përkushtim ndaj qeverisjes demokratike, kontrollit civil mbi forcat e sigurisë dhe bashkëjetesës shumetnike – elemente që, siç tha ai, përbëjnë argument bindës për anëtarësimin e saj në NATO.

“Përderisa Greqia, Rumania, Spanja dhe Sllovakia refuzojnë ta njohin aleaten tonë ballkanike, nuk do të ketë rrugë për anëtarësimin e Kosovës në NATO”, tha Self.

Ai shtoi se anëtarësimi i Kosovës në aleancë do të shërbente si kundërpeshë ndaj kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara dhe do të ndihmonte në parandalimin e një krize tjetër në Ballkan.

“Derisa e vlerësoj kontributin aktual të Greqisë në [misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë] KFOR, stabiliteti i vërtetë në Ballkan do të forcohej nëse Kosovës do t’i jepej anëtarësimi në NATO”, tha Self.

Mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për vazhdimin e pranisë amerikane në KFOR ka shprehur edhe kongresisti demokrat, Ritchie Torres.

“Kongresi shpreson që të shohë anëtarësimin e Kosovës në NATO, mbështetje dypartiake për të mbajtur nivelin e forcave në KFOR, dhe një proces dialogu që nuk e shpërblen Serbinë për lëshime dhe kokëfortësi”, tha Benny Stanislawski, zëdhënës i kongresistit Torres, në një prononcim për korrespondentin e Radios Evropa e Lirë në Uashington, Alex Raufoglu.

Self, së bashku me Torresin dhe kongresistin republikan Mike Lawler, paraqitën në fund të prillit një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve, përmes së cilës kërkohet që Uashingtoni ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Ivana Stradner, nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington, i tha Radios Evropa e Lirë se rezoluta është “sinjal i fortë politik”, sepse e afron Kosovën më shumë me NATO-n në kuptimin strategjik.

Sipas saj, integrimi i Kosovës në NATO do të mbyllte një “boshllëk strategjik në Evropën Juglindore që kundërshtarët kërkojnë ta shfrytëzojnë”.

Rezoluta është mirëpritur nga zyrtarë në Kosovë, por është kundërshtuar nga Serbia.

Tre kongresistët amerikanë kanë paraqitur edhe një rezolutë tjetër, po më 30 prill, përmes së cilës kërkohet që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë pjesëmarrjen në KFOR, misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

Kjo rezolutë vjen pas raportimeve dhe diskutimeve në muajt e fundit për mundësinë që Uashingtoni të rishqyrtojë praninë e trupave amerikane në misionet e NATO-s, përfshirë KFOR-in.

Pentagoni i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se nuk ka ndonjë njoftim për ndryshim të vendosjes së forcave amerikane.

Rreth 590 ushtarë amerikanë shërbejnë aktualisht në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s.

“Pa kapacitetet amerikane, KFOR-i humb shumicën e forcës dhe efikasitetit operacional. Kjo është e qartë në rajon. Sulmi në Banjskë ishte një përkujtues se tani është momenti më i gabuar për SHBA-në që të tërhiqet nga KFOR-i dhe nga skena globale”, tha zëdhënësi i kongresistit Torres.

Ai shtoi se rezoluta për KFOR-in synon ta mbajë Kosovën në agjendën e Uashingtonit, në një kohë kur zhvillimet politike mund ta zhvendosin vëmendjen amerikane në çështje të tjera.

Kosova synon të bëhet pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian. Por, shtetet që nuk e njohin pavarësinë e saj, të shpallur më 2008, vazhdojnë të jenë pengesë në integrimin euroatlantik të Prishtinës.

Kosova është në proces të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të plotë, proces që pritet të përfundojë në vitin 2028. Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur këtë transformim, ndërsa NATO-ja ka kërkuar që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si reagimi ndaj krizave dhe mbrojtja civile.

Kosova blen pajisje ushtarake të prodhuara në SHBA dhe është vendi ku ndodhet baza më e madhe amerikane në Ballkan, Bondsteel.

Marta Kos viziton nesër Kosovën, takime me Kurtin dhe Haxhiun në prag të zgjedhjeve

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, do të zhvillojë këtë të premte vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë që prej marrjes së detyrës në vitin 2024.

Zyrtarja sllovene pritet të mbërrijë në Prishtinë mbrëmjen e sotme, direkt nga Londra, ku gjatë ditës ka në axhendë dy takime zyrtare. Sipas agjendës së publikuar nga Komisioni Evropian, Kos do të zhvillojë nesër tre takime në Kosovë.

Ajo do të takohet fillimisht me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ndërsa më pas me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Pas takimit me Kurtin është parashikuar edhe një deklaratë për mediat, në orën 11:30.

Takimi i tretë i komisioneres europiane do të jetë me përfaqësues të shoqërisë civile, ndërsa në axhendë nuk figurojnë takime me partitë opozitare.

Vizita e Marta Kos vjen vetëm tre javë përpara zgjedhjeve të reja në Kosovë, të planifikuara për më 7 qershor, në një moment delikat politik për vendin.

Një vizitë e ngjashme ishte planifikuar më 12 mars, por u anulua për shkak të zhvillimeve politike në Kosovë, pasi presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin më 6 mars, pas dështimit të zgjedhjes së kreut të shtetit brenda afatit kushtetues.

Vizita e komisioneres europiane zhvillohet gjithashtu pak ditë pas deklaratave të saj në Bratislavë, gjatë takimit të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, ku theksoi rëndësinë strategjike të integrimit të rajonit në BE.

“Siguria europiane është e lidhur ngushtë me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Kos, duke paralajmëruar edhe për rrezikun e ndikimeve destabilizuese nga aktorë të jashtëm si Rusia. syri.net

Gjermani: Kryeministri Kurti zhvilloi takim bilateral me Zyrtaren për Kosovën në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dr. Klimes

 

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të konferencës ndërkombëtare “Future Industry Minds 2026” në Gjermani, zhvilloi një takim bilateral me Zyrtaren për Kosovën në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Dr. Micong Klimes.

 

Duke shprehur mirënjohjen ndaj Gjermanisë, si një partner i palëkundur për dekada, kryeministri në detyrë Kurti përmendi kontributin e madh në zhvillimin e shoqërisë, infrastrukturës, shërbimeve dhe institucioneve nëpërmjet BMZ-së, GIZ-it, KfW-së, si dhe financimit të organizatave të shoqërisë civile.

 

Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se është e rëndësishme që të kalohet në një nivel të ri bashkëpunimi, nga ndihma tek investimi i përbashkët. Në këtë kontekst, ai nënvizoi se përtej granteve financiare nga Gjermania, Kosova ka nevojë për qasje në treg, në investime dhe bartje të njohurive industriale që krijojnë vende pune dhe gjenerojnë të ardhura.

 

Teksa përmendi se mërgata kosovare në Gjermani veçse po ndërton ura ndërmjet dy vendeve, kryeministri në detyrë Kurti theksoi nevojën për një bashkëpunim të strukturuar bilateral dhe një platformë që mundëson investime./Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti bëri hapjen e konferencës ndërkombëtare “Future Industry Minds 2026“

 

 

Schloss Bensberg, Gjermani, 11 maj 2026

 

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri hapjen e konferencës ndërkombëtare “Future Industry Minds 2026“, në Schloss Bensberg në Gjermani, ngjarje që ofron një platformë për shkëmbime profesionale, inovacion dhe dialog të nivelit të lartë për industrinë, digjitalizimin dhe transformimin.

 

Në edicionin e sivjetmë, Republika e Kosovës është mirëpritur si Shtet Partner i “Future Industry Minds”, me ç’rast përfaqësues të institucioneve dhe kompanive kosovare po marrin pjesë në këtë konferencë dy ditore.

 

Në fjalën hapëse të konferencës, kryeministri në detyrë Kurti foli për historinë e lidhjes së ngushtë ndërmjet dy vendeve, ndërsa shprehu falënderime e mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Gjermanisë ndaj Kosovës. Në këtë kontekst ai përmendi se në Gjermani jetojnë rreth 600 mijë pjesëtarë të mërgatës nga Kosova, të cilët janë mirë të integruar dhe të suksesshëm, përfshirë doktorë, inxhinierë, ndërmarrës, punëtorë të aftë e të zellshëm etj.

 

Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se duke qenë një nga vendet me popullsinë më të re në Evropë, me moshë mesatare rreth 34 vjeç, dhe me shumicën e të rinjve që flasim së paku një gjuhë të huaj, Kosova ka një potencial të madh të fuqisë punëtore.

 

“Dekada të migrimit kanë krijuar një gjeneratë të kosovarëve që janë rritur si bilingualë, që flasin shqip dhe gjermanisht, të cilët kanë studiuar në Gjermani, janë trajnuar në Gjermani dhe në shumë raste kanë punuar në Gjermani para se të kthehen në shtëpi. Kur ekipi juaj në Prishtinë bashkohet në një video-lidhje me selinë qendrore në Köln ose Frankfurt, nuk ka nevojë për përkthyes. Krejt çfarë duhet është interneti i mirë, dhe jam i lumtur ta them, me një nga mbulueshmëritë më të mira me internet në Evropë, nuk është fare problem”, tha ai.

 

Në kontekst ekonomik ai nënvizoi se qarkullimi i përgjithshëm ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë aktualisht është 1.8 miliardë euro, duke veçuar sektorin e shërbimeve si komponent kryesore me 1 miliard euro, por edhe remitencat që kalojnë shifrën prej gjysmë miliardi eurosh. Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se në përgjithësi kompanitë gjermane kanë investuar rreth 1.5 miliardë euro në Kosovë, 62% prej të cilave vetëm në pesë vjetët e fundit.

 

Duke folur për kompanitë pjesëmarrëse nga Kosova si partnere serioze dhe duke bërë thirrje për thellim të bashkëpunimit, kryeministri në detyrë Kurti vëmendje të veçantë i kushtoi potencialit të jashtëzakonshëm të Kosovës në sektorin e teknologjisë së informacionit, zhvillimit softuerik, shërbimeve, logjistikës etj.

 

“Dua të jem specifik. Kompanitë në këtë dhomë tashmë janë dëshmuar për klientë ndërkombëtarë. Ato kanë përmbushur afatet evropiane, kanë punuar me standardet e cilësisë evropiane dhe në shumë raste kanë ndërtuar ekipe që komunikojnë rrjedhshëm në gjermanisht. Ato nuk janë në fillim të rrugëtimit të tyre. Ato janë në një pikë të rrugëtimit ku partneriteti i duhur do të përshpejtonte gjithçka”, tha kryeministri në detyrë Kurti./Zyra e Kryeministrit

UGSHPD: “NJË LLOJ SPECJE” DHE “NJERIU ME BISHT”

(Dy cilësime që shpërthejnë nga brumosja ideologjike e Ramës për shqiptarët në BE-në e grupkapitujve)
 
Brenda një dite, më 11 Maj, 2026 kryeministri për rilindësit në këtë fazë të tranzicionit, shqiptarët kundërshtarë të politikave të tij i vë epitetin specie sikurse edhe ata të fillimeve të tranzicionit i përforcon gjatë një ceremonie hua për t’i cilësuar si “njerëz me bisht”. Të dy përcaktimet brenda një dite vijnë nga dy veprimtari të ndryshme ku në qendër është Evropa jo ashtu siç është, por ashtu siç fryma përjashtuese ideologjike dhe gjuha e urrejtjes së Ramës e do edhe Evropën.
Shqiptarët si specie, janë opozita ose ata rreth 600 mijë shtetas që e votuan kundër një vit më parë e ca më shumë të tjerë që çdo ditë po e kritikojnë drejtimin e një qeverisje të korruptuar që nuk ka fund me skandalet në çdo drejtim të jetës. Ndërsa shqiptarët si njerëz me bisht, vjen nga një huazim sa racist aq edhe dashakeqës që prej shtet formimit dhe shpien Ramën bashkë me verbërinë e propagandës së tij në faqet e ATSH-s që të njëjtat ngjarje, të përmbledhura si lajme zyrtare të qeverisë të lexohen ndryshe nga shqipfolësit, anglisht dhe franko folësit (dy gjuhët e huaja në të cilat ATSH i publikon lajmet). Pra shtirja dhe standardi i nënshtrimit përpara të vërtetës me të huajt. Ndryshe nga dëshira për t’i vënë në lojë vend e pa vend kundërshtarët e tanishëm politik, pasi ata të artit dhe të sportit e kanë lënë kryeministrin në delirin e ekspozitave ndërkombëtare dhe stilimin me këpucë të lehta, shpesh herë ai shpërthen me gjuhën e urrejtjes nga Kuvendi i Shqipërisë, në fjalimet e asambleve politike, në programet e sociale vetë prodhuara, e deri tek ndeshja me median duke i etiketuar ato pafundësisht duke mbledhur së bashku mllefin* e një njeriu që nuk e kontrollon dot më pushtetin e kalbur nga korrupsioni.
Edhe humor sikur të duash të eksperimentosh nga bëmat e çdo dite nga propaganda e parti shtetit e ke të pamundur zgjedhjen sepse padyshim do të ndeshesh me ngurtësimin e administratës shtetërore, me bllokun e ligjvënësve socialist në Kuvendin e Shqipërisë, sikurse edhe në të gjitha mediat e anuara apo të blera nga qeveria për të mos lejuar dallimin e disa nuancave shumë të holla që e zhveshin pushtetin e rilindësve.
Çfarë vendi do të zinte në një veprimtari ku artisti Tedi Papavrami që po nderohej me një dekoratë të lartë shtetërore duhej ta merrte atë në thjeshtësinë e ‘Parkut të Eden-it’ brenda ndërtesës së kryeministrisë, ku “spontanisht artistë”, qeveritarë, akademikë dhe përfaqësues ambasadash, ishin ulur në shkallët e instalacionit prej 3.7 milion € të cilit vazhdimisht i shtohen fonde. Por nuk qendron vetëm këtu thjeshtë vështrimi kritik sikur mezi presim të gjejmë kleçka. Vështrimi kritik qendron tek fryma e urdhrave që parti shteti jep dhe kontrollon në gjithshka. Një gjë e tillë sikurse në anglisht është shprehja “stole the show”. Pra të bëhesh qendra e vëmendjes dhe t’ua marrësh të tjerëve shkëlqimin.  Dhe si e tillë kjo u pa tek formulimi propagandistik dhe i pa sqarueshëm i ATSH-s që në krye të lajmit shkruan:-“Kryeministri Edi Rama dekoroi sot muzikantin dhe instrumentistin virtuoz Tedi Papavrami me ‘Yllin e Oficerit të Urdhrit Suprem të Shqiponjës’, në emër të Presidentit të Republikës.” 
 A ka vend ku të rrijë kjo?
 O kryeministër, lëre Tedin të flasë!
Sigurisht që përvetësimi i shfaqjes pa e lënë një talent të bërë vetë si Tedi të flasë diçka që përse u bë ai që është, Rama me huanë e dekoratës së Begajt ka rastin e mirë të vemendjes dhe të shkëlqimit bashkë për veten e tij. Ai e bën audiencën të qeshë e të gëlltisë njëkohësisht cilësimin se “shqiptarët janë njerëz me bisht”. Një shprehje mbi 100 vjeçare e vjetër e atyre qarqeve politike e diplomatike që Shqipërinë e shihnin si një tokë për t’u copëtuar të destinuar për t’u shpërbërë si komb nga asimilimi i popullsisë, e cila as e ka vendin sot për t’u thënë dhe as për të bërë krahasimin e zhvillimeve të Shqipërisë afër me Evropën sidomos në vitin e parë të mandatit të katërt. Pra plot pas 13 vitesh.
Sikur të mos mjaftonte një individ si Tedi, talenti i Ramës zbuloi gjatë paradites së 11 Majit edhe një tjetër “grep të ngecur”, kur gjatë një konference për shtyp “Shqipëria, ecuri pozitive në fushën e prokurimeve publike” edhe pse ai po përpiqej të sqaronte rreth një ligji të ri për resortet turistike dhe portet private, shqetësimi doli vetiu tek roli i opozitës dhe cilësimi i saj një lloj “specieje”. Ngado që ta sjellësh, mos përgatitja e këtij ligji jo vetëm gjatë 12 viteve të tre mandateve të Rilindjes Socialiste, por edhe në ato të njëpasnjëshmet e rritjes së numrit të turistëve me mbi 10 milion çdo vit sipas shifrave të qeverisë, i bie të kuptosh se thelbi i çështjeve të pronësisë në raport me korrupsionin dhe klientelizmin e partneritetit publik-privat janë disi më të dobëta sot pas goditjeve që prokuroria speciale dhe drejtësia kanë ndërmarrë. Titulli i ATSH-s në një konferencë shtypi kryesisht për ekonominë dhe prokurimet publike në vend që t’i përmbahet shpjegimeve të kësaj rëndësie për lexuesin dhe publikun, del me “argumentin” se:-Rama: Ne kemi një specie që lutet në Evropë që Shqipëria të mos anëtarësohet në BE”.
Cilado që të ketë qenë pyetja, marrja në konsideratë e fjalëve të Ramës se paskemi një opozitë që e pengon anëtarësimin në BE, vjen më pas se sa kritikat dhe tërheqja e vemendjes së institucioneve ndërkombëtare mbi mjedisin. Po të kujtonim fundin e vitit 2022 kur ndërtimi i aeroportit në Lagunën e Nartës u cilësua në mungesë të dukshme të respektimit të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare”, çështja aty ishte pikërisht për speciet, llojet e gjallesës së florës dhe faunës më të pasur në Evropë në natyrën shqiptare që u kërcënua nga korrupsioni dhe etja e fitimeve të partneritetit publik-privat të qeverisë së Ramës. Ndërsa sot pas katër vitesh, janë jo vetëm bregdeti me portet, por edhe zhdukja me fuqinë e kartonit në Kuvendin e Shqipërisë të Zonave të Mbrojtura, Agroturizmi, Paketa e Maleve etj. si këto që kanë larguar banorët e zonave përmes falimentimit ekonomik duke sjellë shpopullimin, emigracionin, mungesën e investimeve dhe erozionin e natyrës bashkë me kërcënimin e gjallesës dhe me të vërtetë të atyre specieve të rralla të natyrës shqiptare. Le ta shohim nga ky këndvështrim vlerësues për gjallesën “llojin e species” që shqetëson sot Ramën. Një Aeroport në Vlorë, në zemër të Lagunës së Nartës, që ka filluar edhe të përmbytet sa herë që bien rreshje të vrullshme jo vetëm që ka prishur deri tani ekosistemin, por në rastin e fillimit të fluturimit të avionëve ajo larmi gjallese aty do të kërcënohet deri në shfarosje.
 
Nga këta dy shembuj vetëm brenda një dite, pa ndihmën e propagandës dhe pa mbështetjen e saj nga mediat e kapura dhe të blera prej qeverisë, shtetasit shqiptarë e kanë fare të lehtë të kuptojnë se kush vuan sot për protagonizëm, kush e merr shkëlqimin nga arritjet e shqiptarëve për të mbuluar korrupsionin dhe së fundmi se kush po mashtron se po e çon në BE Shqipërinë, përpara se ta copëtojë dhe ja hequr pasuritë nga duart pronarëve të ligjshëm dhe “dhuruar” investitorëve strategjikë.
Pas gjithë këtij shikimi duke lënë me një anë propagandën mund të thuhet se në fare pak vend mediat i kushtuan vend gjuhës fyese të kryeministrit dhe cilësimeve të tij për shqiptarët. Në të dyja rastet qoftë Kuvendi i Shqipërisë dhe qoftë media përmes normave të etikës dhe komisioneve përkatëse, duhet të mbajnë qëndrim të fortë kritik dhe masa administrative (me gjobë),  për rastet e përsëritura.
Në qoftë se këto nuk bëhen atëherë edhe ATSH-ja le ta jetojë larg së vërtetës dhe brenda hipokrizisë kryeministrore, kur në të njëjtën kohë ka çelur në kryeqytet një ekspozitë të titulluar “Një rrugëtim në historinë e lajmit” që ka tërhequr interesin e vizitorëve vendas dhe turistëve të shumtë sipas citimit të propagandës shtetërore.
_____________
 
 
11 Maj, 2026
 
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Donika Gërvalla: Sulmet e tilla nuk na lëkundin, nuk na frikësojnë e as nuk na ndalin, sepse e vërteta nuk blihet me profile fallso

VOAL- Zonja Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, në një reagim bën të ditur se faqja e saj në facebook është sulmuar nga disa mijëra profile të rreme. “Sulmet e tilla nuk na lëkundin, nuk na frikësojnë e as nuk na ndalin, sepse e vërteta nuk blihet me profile fallso dhe as nuk rrëzohet nga klikime patetike e të fabrikuara. Ne vazhdojmë. Edhe më të fortë. Edhe më të vendosur. Edhe më të palëkundur. Bashkë!”, shkruan në reagimin e saj onja Gërvalla.
Më poshtë teksti i plotë i reagimit:
Të nderuar miq,
ma paskan sulmuar sot faqen e Facebook-ut me disa mijëra profile të rreme.
Me „zemra“ fallso po përpiqen të cënojnë reputacionin tim dhe të krijojnë përshtypjen edhe në raport me vizitorët e faqes sime, por edhe me vet Facebook-un, sikur qenkemi shërbyer me këto profile fallso.
Profilet e rreme janë bllokuar, Facebook-u është informuar dhe po presim marrjen e masave adekuate nga ana e tyre.
Nëse keni faqe me shtrirje të gjerë në Facebook, ndoshta nuk është keq të kontrolloni edhe ju „zemrat“ në postimet tuaja. Profilet fallso dallohen sepse kanë emra, të cilët nuk përputhen me vizitorët dhe lexuesit e zakonshëm të postimeve tuaja.
Sulmet e tilla nuk na lëkundin, nuk na frikësojnë e as nuk na ndalin, sepse e vërteta nuk blihet me profile fallso dhe as nuk rrëzohet nga klikime patetike e të fabrikuara.
Ne vazhdojmë. Edhe më të fortë. Edhe më të vendosur. Edhe më të palëkundur. Bashkë!

Raporti- Nuk ka më as punë online, Shqipëria me rënien më të madhe të numrit të punëtorëve “freelance”

 

Shqipëria po përballet me një tkurrje të ndjeshme të punonjësve në platformat online, etj.

Sipas raportit të fundit rajonal “Gigmetar” për vitin 2025, Shqipëria rezulton vendi me rënien më të madhe të numrit të punëtorëve freelance (profesionistë të lirë online) në platformat upwork, Freelance, Guru etj, nga të gjithë vendet e Rajonit të Europës Juglindore.

Ndërkohë që rajoni në tërësi ka pësuar një tkurrje të lehtë prej 0.7% nga korriku 2024 në maj 2025, Shqipëria regjistron rënien me të madhe prej 5.3% të numrit total të punëtorëve aktivë në platformat kryesore.

Ky trend është veçanërisht i dukshëm në platformën Upwork, ku numri i shqiptarëve të angazhuar u ul me 7.5%, dhe në Freelancer, ku ndryshe nga vendet e tjera të rajonit që patën rritje, Shqipëria shënoi një rënie prej 1%.

Raporti nxjerr në pah një tjetër Shqipëria ka popullsinë më pak aktive të freelancer në rajon, me vetëm 28.2% të punëtorëve që janë realisht të angazhuar me projekte, krahasuar me Maqedoninë e Veriut e cila kryeson me mbi 40%.

Ekspertët e raportit sugjerojnë se, ulja po vjen nga pasiguria në sektorin teknologjik global dhe efektet që ka dhënë rritja e inteligjencës Artificiale që po ndryshon kërkesën për shërbime.

Megjithatë, për rastin e Shqipërisë, faktorë si migrimi i të rinjve dhe mungesa e aftësive digjitale të specifikuara janë shkaqe kyçe që po dekurajojnë punëtorët e rinj të hyjnë ose të qëndrojnë në këtë treg.

Të dhënat nga Gigmetar tregojnë se në 2025 po punojnë në platforma 4108 shqiptare, me tkurrje 5.3 për qind nga viti 2024.

Pavarësisht rënies, Upwork mbetet platforma kryesore për shqiptarët, duke mbajtur 68.2% të tregut vendas. Tkurrja më e madhe vjen nga profesionet e zhvillimit të software-ve dhe dizajnit kreativ.

Ndërkohë që Shqipëria po braktis punën në platforma që lulëzoi gjatë pandemisë, vende si Rumania dhe Hungaria kanë shënuar stabilitet ose rritje të lehtë./Monitor


Send this to a friend