(Arroganca tjetër e Ramës-“Nga qeverisja te besimi”)
Nuk duket normal ky vetëbesim, por arroganca e kryeministrit shqiptar, nuk u ndalka (?!)
Dhuna policore mbi protestuesit dhe kërkesa e kryeministrit gjoja për dialog, janë qoshja e fundit ku i paralajmëruari për dorëheqje Rama, është ngjeshur. Në 36 ditë protestë konstantja e lajmeve të propagandës e thjeshtëzuar në shumicën e tyre si një renditje, vetëm me cilësinë si një grumbullim njerëzish ka titullin e përsëritur si; “Protesta për investimin në Zvërnec në Ditën e… të saj”. Ky ka qenë synimi kryesor i qeverisë për t’i ulur vlerat kërkesave legjitime të qytetarëve si dhe ka mbetur një tentativë e mediave pranë qeverisë për të zvogëluar gjithçka, numrin e protestuesve, kohëzgjatjen e saj si dhe duke fshehur veprime të qëllimshme për të demoralizuar rininë. Por mes gjithë këtyre duhet pohuar se falë shterpësisë së ideve të pushtetit dhe të politikës mbi këtë situatë dalja me kërkesa të vakëta e të ndrojtura pa e kuptuar thelbin e protestës po tregon pafuqishmërinë shtetit dhe paaftësinë e një sistemi në tranzicionin e gjatë 36 vjeçar. Pafuqishmërinë e tyre po e tregojnë konkretisht me heshtjen çdo ditë “zyrat” e përfaqësuesve të shtetit që nga presidenca, kryeministria, ministritë, kuvendi etj. si dhe sistemi i drejtësisë që e kontrollon disi ndryshe protestën duke “liruar çka kap policia”. Një lojë e lodhshme si ‘macja me miun’, pikërisht për ta dobësuar pjesëmarrjen e protestuesve çdo ditë.
Por krejt ndryshe nga sa më lart shfaqet rinia e cila është e vendosur dhe e kujdesshme, me plot energji që nuk e ndërpret protestën ‘pa dalë e keqja. ‘
Rinia ka gjetur çdo pasdite jo thjeshtë si “punën e dytë të saj” protestën në Tiranë, por ajo e ka kthyer atë në qëllimin kryesor duke investuar kohë dhe energji. Prej andej rrezaton shpesë, ngrihet humori dhe jepen me plot thjeshtësi kërkesat e arsyetohet se përse duhen sjellë ndryshimet. Edhe pse disa pika të rëndësishme që gjatë këtyre ditëve vërtetë do të përbënin lajme në përcjelljen e të rejave, gazetarisë së tulatur* i ka mbetur fryma dhe ende po mendohet se:- A i shërben kjo stabilitetit (?),… A i shërben apo jo kjo protestë “ujit të ndenjur” të qeverisë (?).
Ndoshta do të ishte mirë që media të ishte ajo që do ta kishte ndërtuar me kohë dialogun. Në qoftë se këto 35-36 ditë u pa “the big picture” (pamja e plotë), nuk ka se si çdo ditë të jetë dhe të mbetet vetëm një konstatim ngjarjeve dhe i vendosjes së kamerave live thjeshtë në shesh. Nuk ka se si studiot që ndërmjet reklamave dhe programeve të paravendosura ta thyejnë heshtjen me ndonjë “breaking news”, vetëm atëherë kur diçka që qeveria bëhet e ndjeshme apo edhe se një zile e pushtetit, një telefon i tijë i kujton orientimet ekraneve. Nuk ka se si që për të njëjtin objekt, protestën, studiot televizive të synojnë vetëm duke gjetur pikat e forta dhe të dobëta të protestës. Të japin argumente me filozofinë e vjetruar se si kryhet rotacioni, sikurse edhe të gjejnë shtrembërime të qëllimshme e t’i kapin gjërat nga fundi i listës etj. në një kohë kur rinia protestuese ka paralajmëruar herë pas here se; 1- Po kërkohet e vërteta për korrupsionin, 2- Po distancohet kjo protestë në çdo rast nga provokimet e dhuna dhe, 3- Po kërkon bojkotin e atyre mediave dhe analistëve pro qeverisë që nuk e përcjellin të vërtetën.
Pra së fundmi, në këto 36-37 ditë rinia po tregon atë që e ka kuptuar më së miri, propagandën e pushtetit 13-14 vjeçar si edhe të gjithë politikën së tranzicionit që ndodhet në një krizë të thellë. Ky muaj proteste ishte koha e mjaftueshme e përballjes dhe në vijim po tregon se po mbeten ditë të numëruara për makinerinë e propagandës e cila po përpiqet të pengojë në çdo rast dhe në çdo mënyrë realitetin. Në këtë betejë mes propagandës dhe komunikimit të mediave sociale që rinia po përdor, shteti ka treguar anën e errët të vet ku ka gjurmuar dhe e ka etiketuar këtë protestë si një veprimtari që frymëzohet nga elementë armiq, që bashkëpunojnë me agjentura të huaja, etj. Por si ndodh dhe nuk faktohet dot kjo kur në një kohë jo të largët shteti pretendon dhe ka deklaruar se ndodhet në top-listën e luftës kibernetike botërore. Si mundet që nga kjo cilësi e inteligjencës ky shtet nuk jep dot një fakt të argumentuar dhe shterues, përveç se sa censuron dhe merr masa represive përmes institucioneve dhe agjencive që i ka ngritur mbi kriterin e kontrollit politik. Madje qeverisja bën të kundërtën, bën më ndryshe dhe me hamendjen e goditjes i ka shndërruar tani edhe ministrat dhe deputetët në shënjestrues të rrjeteve sociale që e kanë ‘rritur cilësinë‘ dhe orientimin e ideve të patronazhimit. Jemi pra në kohën kur nga java në javë edhe forumet politike të partisë në pushtet nuk thirren dot. Kryetari i Rilindjes Socialiste i cili harxhoi dy javë më parë këshillat mes GPS për t’i gjetur të çara protestës, sot nuk e gjen as rastin që betejën ta zhvillojë në kuvend, madje ka humbur dhe qetësinë e përjavshme me podkastin ‘Flasim’ të cilin gjatë fundjavës e prodhoi si nxjerrje mësimesh nga protestat. Pra gjithçka në ngërç. Edhe sulmi verbal apo përdorimi i forcës dhe i dhunës nuk shmanget, por si zakonisht janë të gatshme për t’u përdorin në rastin më të parë.
Por për sa kohë që kjo luftë po bëhet interesante mes dy kampeve Rini dhe Qeveri, le të rendisim disa prirje që ngecin në raport me propagandën dhe si mund ta shohë media atë;
Së pari, turistët. Ishin 12-14 milion pritshmëritë në vitin elektoral dhe në vitin pas zgjedhjeve. Askush nuk i po e bën sot shumatoren nga qeveria. Numri i turistëve që e frekuentojnë Shqipërinë në muajt e verës gjatë viteve të shkuara i hapte edicionet e lajmeve dhe kryesonte me titujt mediat online. Sot fjala turist mezi po përmendet sepse Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është një pikë tërheqëse e re për turizmin. Kjo ka tejkaluar moton propagandistike të Rilindjes Socialiste ‘Albania: All Senses’ (Shqipëria: E gjithë shqisave), tek kjo protestë gjen shqisat edhe shembullin për të ndjerë energjinë e një bashkimi paqësor që kërkon ndryshim. Një qëndresë jo vetëm ditore, por e pandalshme po të jetë nevoja derisa dorëheqja e padiskutueshme të realizohet. Kjo protestë ka pikësynimin jo vetëm të të gjitha shqisave dhe në të 365 ditët e vitit dhe në se filloi me Zvërnecin, me mbrojtjen e natyrës, me mbrojtjen e pronës si pasuri dhe trashëgimi për brezat e sotëm dhe të ardhshëm të shqiptarëve në tokën e tyre dhe mirëqenia e popullsisë nuk mund të nëpërkëmben. Kjo shkallë e korrupsionit ishte dhe pika e fundit.
Së dyti, këmbimi i euros dhe dollarit. Askush nuk po e përmend se po shënohen rekordet më të ulëta të valutës këto ditë. (1 € blihet me 93,4 lekë, 1$ blihet me 81,3 lekë, £ BM blihet me 108.5 lekë, S.Fr blihet me 101,2 lekë, dollari kanadez blihet me 57 lekë etj.). Disa nga pyetjet që shtrohen sa më poshtë janë:
A është kaq i fortë leku shqiptar kundrejt prodhimit në vend dhe i veprimtarisë ekonomike të orientuar me bazë prodhimin bujqësor e blegtoral si dhe peshkimin që ta mbështesin turizmin?
A janë arsimi dhe shkollat profesionale ato që në 13 vite do të kishin nxjerrë një brez të punësuarish të specializuar dhe të mirëpaguar në këto shërbime apo në ekonomi?
A janë cilësore dhe të pa shpërdoruara fondet në bujqësi, infrastrukturë dhe energji ato që do të mundësonin një zhvillim të qëndrueshëm në ekonomi, apo ato përvetësohen nga shteti dhe klientët afër me të?
Po të kishim një qeverisje që mendonte për qytetarët, sigurisht që PO.
Por disa nga pyetjet e ngritura sikurse edhe shumë të tjera për fat të keq marrin përgjigje negative sikurse edhe ato ku shëndetësia, arsimi, kultura dhe trashëgimia, natyra dhe burimet natyrore përdoren sipas nevojave klienteliste apo shpenzimeve që të ardhurat e shtetasve nuk i përballojnë. Le të kujtojmë këtu vlerën e dobësuar të remitancave për familjet shqiptare, të cilat në të kundërt vlerësohen si të ardhura për shtetin. Dhe në qoftë se këto çështje nuk janë të mjaftueshme, qeveria dhe politikanët këto do të dëgjojnë nga sheshi i i protestës në se do t’i shërbenin qytetarëve.
Së treti, temperaturat e larta. Ato nuk janë dëshpërim dhe as pengesa pasi protesta motivohet nga përgjegjësitë dhe jo nga shpërblimi patronazhist. Kujtoni përplasjen e parë. Protestën në ditën e 11 dhe festën e 35 vjetorit të PS.
I njëjti shesh.
E njëjta ‘mikroklimë’.
Një rezistencë e pakrahasueshme dhe qytetari aty ku ‘patronazhisti më i gjatë’ e duroi garën vetëm në një orë apo mos më pak. Protesta qytetare paqësore qëndroi e paprovokuar dhe thirri edhe diasporën edhe për ditët e pandërprera më pas. Një mobilizim dhe energji që e ndërkombëtarizoi çështjen për mbrojtjen e natyrës dhe për luftën ndaj korrupsionit në një nivel të ri që përfaqëson tashmë politikën e inkriminuar në një betejë të pashmangshme me ligjin dhe drejtësinë.
Së katërti, diaspora. Do të përmblidhej përmes një shpjegimi situate se; Kush mund ta bëjë bashkë diasporën? Kjo përgjigje del vetiu nga mënyra se si u përdor ajo nga zgjedhjet e shkuara. Kush qëndroi në pushtet përmes manipulimit është vetëm njëri aspekt i dëmit. Por përgjigjes se kush do ta bëjë atë bashkë veç çështjes kombëtare, familjes, besimit nuk mund t’ja japë dot asnjë forcë politike sot. Asnjë parti politike nuk do të ishte e suksesshme në reputacionin e vet sikur sot po të shpalleshin zgjedhjet dhe të kërkonte tubime në diasporë. Kombi ka dalë mbi partitë, ndaj çështja është ndërkombëtarizuar sa edhe ndihma e botës së qytetëruar pritet të vijë e të veprojë për të ndryshuar gjendjen dhe për t’i hapur rrugë të resë.
Së pesti, provokimi. Ka treguar se ai kapet dhe dështon në çdo rast. Është përcaktuar si një zgjim i forcës së dhunës që është i gatshëm ta përdorë pushteti dhe mungesa e tolerancës edhe për një të drejtë që është protesta. Një protestë e vendosur dhe që nuk ndërpritet deri në dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Së gjashti, anti-bullizimi. Kryeministri në rezistencë ose në ikje, siç protesta e përsërit çdo ditë e më shumë, e ka humbur qetësinë, bën gabime, largohet jashtë shtetit për t’ju shmangur përballjes me protestën, gjen mënyra të thumbojë deri aty sa e ka shteruar fjalorin duke rënë në nivelin e CV-së së anëtarëve të mazhorancës së Kuvendit të cilët vetë i ka përzgjedhur në shërbim të vetin. Ndaj sheshi i protestës ka plot material. Çdo ditë ka edhe të reja që nuk janë të papritura, por aty ata po tregojnë se gjinden shumë pjesë të kalbura të një sistemi të cilat duhen pastruar pasi më nuk funksionojnë.
Së shtati, kjo është protestë që kryeministri ende nuk di si ta quaj. Edhe në ditën e Ditëlindjes së Vet, me qënë se punët e shtetit i shkojnë vaj, ndodhi që kryeministri nga larg t’i drejtohej protestës me fjalët “Të dashur Flamingo”. Përpos halleve dhe vuajtjeve që ta çojë sa më shpejtë Shqipërinë në BE, Rama ende ka kohë e nge të shkruajë të gjitha etiketimet për protestën një muaj pasi zhvillimit të saj. Ky është rekordi i mbërritur dhe që çdo ditë do të thyhet duke shënuar një më të ri, sepse kryeministri i vendit dhe kryetari i një partie politike me përfaqësimin më të madh as në parlament nuk e kupton marrëzinë e vet. Pushtetin absolut që i ka dhënë korrupsioni.
Titujt e mediave zyrtare shkruajnë “Protesta e investimeve në Zvërnec në ditën e …” , pra vetëm duke i ndryshuar numrin. Ky është thjeshtë një formalitet nga ana e qeverisë që shtiret se ishte e shqetësuar për gjendjen apo edhe mburrej me zhvillimin e protestave si një e drejtë e shtetasve. Për më tepër qeveria ishte e interesuar që kjo gjendje dhe kjo fasadë pikërisht kështu të mbetej. E pa zëshme dhe monotone deri në një krisje apo në një përçarje. Në krye të lajmeve të propagandës kur nga njëra anë shkruani se “Ajo protestë nuk është më e juaja të dashur flamingo!” dhe nga ana tjetër po “kërkoni ujin e kulluar”, kjo e jep plotësisht thelbin dhe nivelin e dëshpërimit që ka pushteti nga provokimi i protestës paqësore.
Marrëzinë e keni shkaktuar vetë Z. kryeministër, e keni ushqyer edhe si kryetar i partisë pikërisht me po atë mënyrë që e morët pushtetin politik dhe ekzekutiv. Protesta duke ju referuar titujve zyrtarë të propagandës tregon për atë pandjeshmërinë ose edhe atë tinëzi të pushtetit për të topitur* mediat dhe gazetarët brenda dhe jashtë vendit, pikërisht për të mbuluar dhe vonuar të vërtetën.
Fakti që qytetarët i dolën në mbrojtje Zvërnecit, ky lajm shënoi një rekord. Në qoftë se këtë do ta kishte mirëpritur vetë qeveria dhe ta përcillte çështjen si një dialog pa i dalur në mbrojtje korrupsionit që po shkatërronte natyrën, pra vetëm disa ditë më parë se sa doli vlerësimi i Evropës për nismën e mbylljes së grup-kapitujve që po afronte, kjo pikërisht tregoi atë se Rama nuk ishte në anën e duhur. Nuk ishte për integrimin evropian. Rama nuk ishte as në kohën dhe as në vendin e duhur. Ai tregoi se ishte në anën e gabuar të interesave të shtetasve shqiptarë dhe po ashtu edhe të marrëveshjeve ndërkombëtare. Rama si një kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s dhe kandidat për anëtarësimin në BE po tregon hapur se po favorizon korrupsionin dhe larjen e parave nga narkotrafiku për të zgjatur jetën e tij në pushtet.
Së teti, përtëritja e protestës. Diaspora i bën numrat. Mes të nxehtit të stinës dhe jo proporcionalitetit të dhunës që policia vepron për ta thyer dhe rralluar pjesëmarrjen e rinisë në protestë
është diaspora që i bashkohet masivisht asaj çdo fundjavë. Një interesim që tregon se Shqipëria dhe e ardhmja e vendit të tyre i bën ata të gjithë bashkë, plot energji dhe në paqe pa ju dorëzuar regjimit autokrat në kalbëzim. Ndërgjegjësimi ka ndodhur dhe çdo fund javë kulmon me një pjesëmarrje bindëse qindra mijëshe.
Së nënti, historiku i protestës. Kjo lëvizje nisi prej rinisë shqiptare dhe do të mbetet një ‘pronë’ dhe ‘investim’ i rinisë që do të trashëgohet ndër breza si një lëvizje permanente kundër korrupsionit të cilës ju bashkua zëri i qytetarëve çdo ditë. Lëvizja dhe Sheshi në rastin më të mirë mund të sjellin lindjen e një gazetarie me frymë të re dhe më energjike për të mbrojtur të vërtetën. Dhe veç lajmit dhe gazetarisë Protesta dhe Sheshi për dorëheqjen e kryeministrit me problemet që ajo përcjell do të ishte ndoshta edhe një nga punimet më të mira të diplomës që do ta përfaqësonin rininë shqiptare në të gjitha tezat dhe nivelet e ardhshme akademike se si mund të mbrohet demokracia dhe se si duhet shkulur dhe ndëshkuar korrupsioni i pushtetit.
Probleme si dhe të tjera çështje ka nevojë të renditen si një “Ditar i Protestës” deri në fitore. Ai është dokumenti i historisë së rinisë shqiptare i mbështetur nga diaspora më parë se të jetë një kalendar i heshtur i mediave të kapura nga pushteti dhe që nuk dinë ta sjellin në transmetim dhe ta shpërndajnë si duhet misionin e kësaj lëvizje rinore, paqësore dhe qytetare për një Shqipëri të zhvilluar, me vendin ku i takon krah shteteve të tjerë në Evropë.
________
*tulatje/tulatur- i strukur prej frikës, heshtje, pozicion prite.
*topitur/topitje- gjendje e mpirjes, e çmprehtësisë.
6 Korrik, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
Komentet