Kryedemokrati Sali Berisha, nga podiumi i protestës kombëtare mbrëmë, u tha mbështetësve se PD është gati të bashkëpunojë me çdo faktor për front të gjerë opozitar dhe rrëzimin e qeverisë së korruptuar “Rama”.
Ai deklaroi se nga sot “Rilindja dhe Rama janë kufoma politike” dhe se “funeralin do ia bënin ata”.
“Në emrin tuaj ftoj të gjitha forcat politike opozitare, ftoj çdo opozitar, guximtar në këtë betejë vendimtare, për fatin e këtij kombi që po shuhet, që po shkretohet. Për fatin e këtij vendi të bekuar, nga i cili po largohen bij dhe bijat tona që nuk besojnë më, edhe pse ka pasuri përallore, për familjen shqiptare që këta duan ta shkatërrojnë, ta shuajnë. Ne tani duhet ta zhdukim këtë racë armiqsh. I bëj thirrje intelektualëve shqiptarë, intelektuali ka armik numër një konformizmin, është virusi shkatërrimtar i tij, dilni në shesh për familjet tona dhe qytetarët që na besojnë. Dilni se nuk munden kurrë një bandë si këta të privatizojnë shtetin e gjithçka”, tha ai.

Berisha u bëri thirrje edhe fermerëve që të ndiqnin rrugën e fqinjëve të tyre në Greqi.
“Thirrje fermerëve shqiptarë, shikoni fqinjët tuaj që bllokojnë rrugë, edhe pse kanë të drejta njëqind herë më shumë se ju, bashkohuni për familjet dhe fëmijët tuaj, të shpëtojmë sa më shpejt nga ky regjim”, vijoi ai.
Më tej lideri i selisë blu tha se është i hapur për front të gjerë opozitar dhe bashkim. Berisha deklaroi se është i bindur se regjimi do të rrëzohej dhe vendi do shpëtohej ashtu siç u shpëtua edhe opozita prej PD-së.
“PD është e vendosur të bashkëpunoj me çdo faktor, forcë politike e qytetarë, për një front të gjerë që vendi ka parë. Edi Rama sonte është një kufomë politike, Rilindja sot është një kufomë politike, do ia bëjmë ne funeralin. Duke ju falënderuar sepse shmanga edhe fjalimin dhe fola nga zemra dhe shpirti para jush. I keni bërë vendit një shërbim të jashtëzakonshëm, keni dalë nga shtëpitë tuaja dhe keni ardhur anekënd dhe rrallë ndonjëherë keni dhënë kontribut kaq të madh. Kini besim, se ashtu siç shpëtuam opozitë, do ju shpëtojmë ju, vendin dhe çdo shqiptar. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria, fitore, fitore, fitore”, përfundoi ai. gsh
