Rebelët Houthi të Jemenit kanë njoftuar se kanë lëshuar raketa balistike drejt Izraelit, duke shënuar hyrjen e tyre në luftën që ka shpërthyer që një muaj në Lindjen e Mesme.
Më parë, ushtria izraelite kishte deklaruar se kishte identifikuar një raketë të nisur nga territori i Jemenit.
Kush janë Houthit?
Houthit, të njohur edhe si Ansar Allah (Mbështetësit e Zotit), përbëjnë një nga palët kryesore të luftës civile në Jemen. Organizata u formua në vitet 1990, kur lideri i saj, Hussein al-Houthi, themeloi lëvizjen “Rinia Besnike” për të ringjallur një grup të Islamit Shiit, Zaiditët.
Zaiditët sunduan Jemenin për shekuj, por u margjinalizuan pas luftës civile të vitit 1962. Lëvizja Houthi u krijua për të përfaqësuar Zaiditët dhe për t’i kundërvënë ekstremizmit Sunni, veçanërisht ideve të Wahhabitëve nga Arabia Saudite.
Lufta civile filloi në vitin 2014, kur forcat Houthi morën kontrollin e kryeqytetit Sana’a dhe rrëzuan qeverinë e njohur ndërkombëtarisht. Në vitin 2015, ndërhyrja e një aleance nën udhëheqjen e Arabisë Saudite e përshkallëzoi konfliktin në një luftë më të gjerë. Megjithëse u nënshkrua një armëpushim në 2022, ai përfundoi pas vetëm gjashtë muajsh dhe përplasjet vazhdojnë në një intensitet më të ulët.
Aleatët dhe fuqia
Houthit mbështeten nga Irani, i cili që nga viti 2014 ka forcuar pajisjet dhe teknologjinë e tyre, duke ofruar, ndër të tjera, mina detare, raketa balistike si dhe dronë pa pilot. Organizata është pjesë e ashtuquajturit “Boshti i Rezistencës” të Iranit, një aleancë kundër Izraelit dhe Perëndimit.
Burime amerikane monitorojnë vazhdimisht përmirësimet në raketat Houthi, si në rreze ashtu edhe në saktësi. Fillimisht, armët montoheshin me pjesë iraniane që arrinin fshehurazi në Jemen. Në të kaluarën, Houthit kanë përdorur dronë dhe raketa kundër anijeve tregtare.
Lëshimi i raketave ndaj Izraelit tregon se Houthit nuk hezitojnë të zgjerojnë veprimet e tyre jashtë Jemenit, duke kthyer rajonin në një front të ri në situatën tashmë të tensionuar gjeopolitike.
Kjo paralajmërim rrit rrezikun e një konflikti më të gjerë rajonal, duke marrë parasysh aftësinë e Houthive për të goditur objektiva jashtë kufijve të Jemenit, përfshirë impiante nafte dhe infrastrukturë kyçe në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe për të shqetësuar rrugët detare përreth Gadishullit Arabik. Panorama