Sipas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ngjarja për të cilën akuzohet studentja e Ekonomikut, Desilvja Menaj, ka ndodhur në muajin nëntor të vitit 2014.
Ajo ishte denoncuar nga i dashuri i saj biznesmen, i cili pretendonte se Menaj i kishte dërguar mesazhe në celular ku i kërkonte 15 mijë euro.
Vajza u procedua në gjendje të lirë nga ana e Policisë, duke qenë se pretendoi se ishte thjesht një shaka dhe mesazhet nuk kishin asnjë qëllim serioz për përfitim nga ana e shtetasit E.C..
Megjithatë, çështja shkoi për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda, me akuzën “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.
Vendim i formës së prerë, që e shpalli fajtore studenten 21- vjeçare, u dha më 26 qershor të vitit të kaluar nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, që e dënoi atë me 1 vit e 4 muaj burgim.
Ndërsa arrestimi i saj, saktësisht vetëdorëzimi në polici, veprim që, sipas Policisë, lidhet me amnistinë që pritet të miratohet dhe nga e cila ajo përfiton, u krye dy ditë më parë.
Ajo u paraqit vetë, e shoqëruar edhe nga avokati, në Komisariatin nr.3, ku më pas oficerët kryen arrestimin.
Dëshmia e studentes: E vërteta e gjobës për biznesmenin
Vendimi që e ka shpallur fajtore për gjobëvënie shtetasen Desilvja Menaj, është dhënë më 26 qershor të vitit të kaluar nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda. Ky vendim u ekzekutua të hënën nga oficerët e Komisariatit nr.3 të Tiranës.
Gjatë procesit gjyqësor prokurorja i çështjes kërkoi deklarimin fajtore të së pandehurës Desilvja Menja, për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhëni pasurie” dhe kërkoi dënimin e saj me 4 vjet burgim.
Por duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, ajo përfitoi uljen e dënimit me 1 të tretën, duke u dënuar përfundimisht më 1 vit e 4 muaj burgim.
Ndërsa vetë studentja e akuzuar, nëpërmjet avokatit të saj, ishte shprehur se këtë veprim e kishte filluar si lojë dhe nuk kishte asnjë qëllim përfitimi.
Gjatë seancës gjyqësore avokati i së pandehurës u shpreh se klientja e tij nuk ka pasur qëllime përfitimi në veprimet e saj ndaj të dëmtuarit.
Nga ana tjetër, ai kërkoi pezullimin e vendimit me burgim, për shkak të rrezikshmërisë së pakët të klientes së tij dhe rrethanave, në të cilat kishte ndodhur ngjarja.
Ai lexoi edhe një deklaratë të Desilvja Menajt, e cila shprehej se: “Nuk jam dakord me kërkimin e prokurores. Unë e kam filluar këtë veprim si një lojë dhe nuk kam pasur qëllim përfitimi”. Në përfundim Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë duke e deklaruar fajtore 21-vjeçaren dhe e dënoi atë me 1 vit e 4 muaj burgim.
Komentet